...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Protestat ‘spontane’ (dhjetor 1990-2018) dhe “elitat spontane”: shkatërrimtare për popullin

‘Spontaniteti’ ështe karakteristikë e fëmijëve (sepse periudha vegjetative është në kulmin e saj dhe për pasojë fëmijët nuk mund të zhvillojnë mendim racional) dhe për të njëjtën arsye, synohet zhvillimi i mendimit racional dhe kontrolli i spontanitetit kryesisht kur periudha vegjetative ngadalësohet (rreth moshës 18-20 vjeç)

Ylli Përmeti

22/12/2018 - 08:53

Një nga karakteristikat kryesore të protestës së dhjetorit ’90 ishte ‘spontaniteti’ i të rinjve: ai u shpreh duke vërshuar në sheshe masivisht duke protestuar kundër elitës komuniste dhe duke thirrur se e “donin Shqipërinë si gjithë Evropa”. Protesta ishte spontane sepse asaj nuk i parapriu ndonjë shqyrtim dhe kuptim i drejtë i gjendjes në vend (domethënë shkaqet pse socializmi marksist kishte rënë në amulli) dhe jashtë tij (domethënë, se në cilën gjendje ishte Evropa). Por ishte krijuar bindja se Evropa ishte më mirë se Shqipëria për shkak se ajo nuk ishte në amullinë e socializmit në Shqipëri. Në fakt, në vitet ‘90 Evropa ishte në procesin e braktisjes së social-demokracisë dhe ‘bashkimit’ të shteteve të bashkimit europian —drejt politikave neoliberale— dhe për të njëjtën arsye, ajo nuk ishte në të njëjtën amulli. Përtej këtij fakti, në popullatën e kohës ishte krijuar një bindje tjetër se social-demokracia është më ‘efiçente’ dhe më e dëshirueshme se socializmi marksist. Të dyja këto bindje nuk buronin nga ndonjë studim i akademisë së shkencave por nga moskuptimi i realitetit të plotë si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij. Protesta e dhjetorit 2018 karakterizohet nga i njëjti spontanitet me të vetmin ndryshim se në atë kohë studentët u mashtruan pas partisë “demokratike” (opozita e lindur nga gjiri i protestave) ndërsa studentët e dhjetorit ’18 refuzuan tërësisht establishmentin politik dhe veçanërisht opozitën për shkak se ai është shkaktar i gjendjes së mjeruar në arsim dhe më tej.

Kështu në vend që ‘spontaniteti’ i protestave të kritikohet ai po “lavdërohet” edhe nga vetë protestuesit! Arlind Qori, për shembull, një ndër protagonistët e protestave të dhjetorit ’18 dhe bashkëveprimtar që në vitin 2014 kur filluan protestat kundër reformës në arsim, argumenton në kulmin e tyre ku e karakterizon Ramën si “të vjetër dhe të lodhur”...se “Rama nuk ka përvojë, çka e pamundëson të mendojë, se ç`do të thotë protestë autentike, e vetorganizuar, me një spontanitet dhe entuziazëm mbreslënëse”.[1] Përtej faktit se Rama përpara se të jetë ‘i vjetër’ (në fakt Rama nuk është dhe aq ‘i vjetër’ nëse me ‘vjetërsi’ kuptojmë moshën e tij), është padije: sepse një njeri me dije edhe i vjetër të jetë di të përballet me vështirësitë e jetës politike dhe jo. Këtë aspekt tejet të rëndësishëm duhet të kishte theksuar një njeri me dije dhe veçanërisht Arlindi që ka vite tashmë që përfaqëson një institut të shkencave sociale ku supozohet se gjenerohet dije...jo thjesht ‘dije’ e përgjithshme por dije e veçantë: administrative. Domethënë, dije përmes së cilës kuptohen shkaqet e krizave social-ekonomike dhe ekologjike.

Ky argument, në fakt, vendoset përballë akuzave se protesta e studentëve është pjesë e opozitës dhe jo siç paraqitet: e shkëputur nga ajo. Mirëpo, argumenti fsheh një të vërtetë të madhe kur të gjithë supozohet se e dimë se ‘spontaniteti’ ështe karakteristikë e fëmijëve (sepse periudha vegjetative është në kulmin e saj dhe për pasojë fëmijët nuk mund të zhvillojnë mendim racional) dhe për të njëjtën arsye, synohet zhvillimi i mendimit racional dhe kontrolli i spontanitetit kryesisht kur periudha vegjetative ngadalësohet (rreth moshës 18-20 vjeç). Nga kjo e vërtetë buron një tjetër se vërtet protesta karakterizohet nga spontaniteti dhe orgjinaliteti (spontaniteti ka një origjinë dhe për pasojë është origjinal) por nuk karakterizohet nga mendimi racional, nëse me mendim racional kuptojmë një rini studentore të mirë-edukuar lidhur jo vetëm me kërkesat dhe mënyrën e realizimit të tyre por dhe sistemin dhe filozofinë e jetës. Fsheh, në fjalë të tjera, mungesën e punës që duhet të kishin realizuar mësuesit dhe pedagogët me nxënësit dhe studentët. Efekti i këtij argumenti është se ai mund të krijojë iluzionin tjetër se nga këto protesta një “elitë” tjetër mund të dalë (disa studentë e kanë përmendur termin “elitë” në thirrjet e tyre gjatë protestave pjesë e të cilës mendojnë veten!). Mirëpo, nga protesta spontane vetëm “elita” spontane mund të dalin.

Që ta kuptojmë rëndësinë e mendimit racional përkundër spontanitetit në protesta ne duhet të shqyrtojmë kuptimin e spontanitetit. Nëse lexojnë ‘filozofët’ e kohëve tona nuk do të mësojmë shumë nga ata.[2]Aristoteli e shqyrton spontanitetit në punën e tij lidhur me ‘fizikën’ e universit dhe natyrës në raport me ngjarjen rastësore, ngjashmëritë dhe ndryshimet mes tyre, dhe konludon se “spontaniteti dhe rasti i përkasin shprehjes së shkakut dhe janë ‘burim ndryshimi’, sepse gjithnjë shkak janë ose disa agjentë natyralë ose inteligjentë, por në këtë lloj shkakësie numri i shkaqeve të mundshëm është i pafund…spontaniteti dhe rasti janë shkaqe efektesh të cilët megjithëse mund të rezultojnë nga inteligjenca ose natyra, janë shkaktuar në fakt nga diçka rastësore. Por meqë asgjë që është rastësore nuk është përpara asaj çfarë është në vetë-vete, është e qartë se asnjë shkak rastësor nuk mund të jetë i mëparshëm kundrejt një shkaku në vetë-vete. Spontaniteti dhe rasti, rrjedhimisht, janë pasues të inteligjencës dhe natyrës”.[3]

Me ‘inteligjencë’ në këtë rast Aristoteli kupton burimin fillestar të universit dhe nuk nënkupton zotin siç e paraqesin fetarët: por se Universi është pikë së pari inteligjent—domethënë, burim jete inteligjente. Kështuqë, spontaniteti te njeriu kritikohet pikërisht për natyrën e tij përkundër virtytit të përmbajtjes: sepse ai është i kundërt me virtytin e përmbajtjes i cili me radhë nënkupton kontroll të lartë të dinamikave fizike të trupit të njeriut—domethënë, të veprimeve dhe ndërveprimeve, dhe kontrolli me radhë, tregon një gjendje mendore të balanacuar me realitetin. Protesta kundër reformës në arsim nga studentët, karakterizohet dhe nga vetë-përmbajtja e studentëve meqë ata refuzuan jo vetëm establishmentin por dhe përdorimin e dhunës. Por asaj i mungon dija e plotë lidhur me efektet e reformës.

Kështu, protesta nuk është dhe aq spontane. Por e nxitur së pari nga pësimi (tarifat etj.) dhe lëvizja që pasoi menjëherë pas publikimit të draft-reformës në arsimin e lartë. Pjesë e shkakut të dytë është dhe Arlindi. Mospërmendja e këtij shkaku tregon padrejtësi jo vetëm me veten e tij por me gjithë të tjerët që kanë kontribuar në protestat studentore. Sërish, kryesisht nga pësimi se sa nga puna teorike e paraqitur në raportin përkatës: sepse raporti s`është shqyrtuar as nga pedagogët (pak pedagogë e kanë shqyrtuar faktikisht) as nga masmedia. Arlindi, për shembull, e ka shqyrtuar atë vetëm lidhur me efektet brenda-universitare. Por nuk ka treguar as shkaqet (përveç ndonjë ‘politike neoliberale’, por pa treguar se pse adoptohen politikat në fjalë...) as edhe tërësinë e efekteve.

Për shembull, nuk përmend në dijeninë time efektin e kapitalit të huaj në universitet: sepse me ‘liberalizim’ të universitetit kuptohet dhe futja e kapitalit të oligarkëve (të huaj dhe vendorë) në punët kërkimore të Universitetit publik dhe në bordin e tij administrativ. Kuptimi i raportit, rrjedhimisht, është tejet i pjesshëm si mes pedagogësh ashtu dhe mes studentësh. Ndaj protesta është kryesisht spontane. Si e tillë, ajo është njëherësh e dëshirueshme dhe e padëshirueshme; ‘e dëshirueshme’ sepse pavarësisht karakterit të saj kryesor—spontanitetit— ajo mund të shkaktojë disa ndryshime; ‘e padëshirueshme’ sepse ajo krijon një iluzion tjetër: sepse ‘ndryshimet’ nuk janë pasojë e kuptimit të drejtë të arsimit në raport me natyrën e tij dhe sistemin. Si të tilla, ndryshimet do të jenë tejet të pjesshme. Por në kushte ku mbizotëron apatia protesta e ditëve tona është më e dëshirueshme se sa e padëshirueshme pavarësisht ndryshimeve të pjesshme që mund të sjellë.   


[1]I vjetër dhe i lodhur, Dita, 21 dhjetor 2018.

[2]Shih, p.sh, Against spontaneity: The Act and overcensorship in Badiuo, Lacan and Zizek, Ed Pluth, Department of Philosophy, California State University, Chico, 2016.

[3]Physics, f, 21.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA