...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Do të nxjerrë mësime qeveria dhe shoqëria shqiptare nga masakra në Selenicë të Vlorës?

Ndjeshmëria mund të zhvillohet vetëm nëse njeriu emancipohet dhe zhvillon empatinë, dhembshurinë dhe dashurinë për kafshën. Shkurt, kur zgjohet (nga mendja) ajo pjesë e shpirtit që ndjen dhimbjen e tjetrit

Ylli Përmeti

13/08/2018 - 10:05

Nga tetë vrasjet e 24 vjeçarit në Selenicë të Vlorës qeveria dhe shoqëria shqiptare duhet të nxirrte mësime dhe përmes tyre të synonte parandalimin e ngjarjeve të njëjta. Mirëpo, nga reagimet e pushtetarëve dhe shoqërisë shqiptare vërejta me dhimbje, edhe një herë, më shumë emocione se sa aryetim të drejtë.

Le ta fillojmë këtë shqyrtim nga njerëzit e ndershëm dhe me aftësi arsyetimi: ata shpesh herë thonë –kur ndodh një krim— “çfarë bëra për ta parandaluar?”, duke e lënë mënjanë detyrën e shtetit — detyra e këtij të fundit është mbi të gjitha të parandalojë gjëma sociale dhe ekonomike. Nëse reflekton dhe gjen hapësirë ku mund të kishte vepruar mund dhe të fajësojë veten…gjithnjë, njeriu i ndershëm me arsyetimin e tij.

Në ngjarjen konkrete nevojitet hetim për gjetjen e ndonjë njeriu të ndershëm. Nëse e hetoja, me siguri do të gjeja një njeri që ndjehet keq në raport me veten dhe krimin përkatës. Po shteti, është i ndershëm…me arsyetimin e tij juridik? Ish-deputeti i PS-së, Namik Dokle, për shembull, na thotë se duhet të miratohet urgjentisht një ligj i veçantë kundër armëmbajtjes pa leje dhe me dënim fiks që të mos mundet asnjë gjyqtar (i “vetinguar” apo i “pavetinguar”…fjalë e re kjo nga deputetët shqiptarë!) të bëjë “politikë gjyqësore” korruptive!

Me kaq, deputeti, lau duart dhe e parandaloi krimin në familje! Pas tij, ose arsyetimit të tij, shkojnë plotë naivë. Dhe pas tij vërshuan deputetë të tjerë (Spiropali etj.) —parazitët e establishmentit politik. Thuajse të gjithë në alarm na treguan armët dhe dënimet si shkak të vrasjeve dhe për pasojë mbledhja e tyre dhe rritja dënimeve do t’i parandalojë — pavarësisht faktit se vrasësi në fjalë e priste me “kërshëri” arrestimin e tij nga policia dhe rrjedhimisht, dhe dënimin! Reagimet kulmuan me Ramën që sipas tij ngjarja përkatëse s'ka asnjë lidhje me qeverinë!

Por përtej këtij fakti, “ekspertët” e establishmentit politik nuk kanë aq mend sa të ngrejnë pyetjen se ndalimi i armëve pa leje dhe “forcimi” i gjyqësorit nuk e çarmatos tërësisht njeriun që vret sepse ai mund të përdorë sëpatë, thikë apo ndonjë “armë” tjetër të ftohtë: si mund t’i parandalojmë këto veprime? Dhe përtej këtij fakti, nuk duhet këta “njerëz” të pushtetshëm që riprodhohen dhe përsëriten nga masmedia si papagall dhe pa asnjë kritikë të gjykojnë —meqënse na janë paraqitur nga partitë si gjykues të mirë— të dyja palët që kanë ndërvepruar në ato familje dhe për më tepër të presin përfundimin e hetimeve pastaj pse jo të mbajnë qendrime? Sepse në gjykim të drejtë, themi, gjykohen të dyja palët, gjithnjë kur bëhet fjalë për dy palë ndërvepruese.

Në pështjellimin e pushtetit politik nuk munguan dhe pështjellimet e “ekspertëve” të shkencës së establishmentit: psikologët dhe psikiatrët. Ata, njëlloj si demagogët e partive dhe shumica i shqiptarëve —këta ndikohen fundja nga pushtetarët që kanë zgjedhur sepse njeriu pa mendim shkencor gjithnjë do të shkojë nga fryn era— na treguan, si fillim karakteristikën e tij —psikopat dhe sociopat— dhe më pas na thanë se si ai është një pjesë e madhe e shqiptarëve. Ndërsa për psikiatrët e establishmentit vrasësi mbetet mister – sepse mendja është “unpredictable” (e paparishikueshme)! Domethënë, psikologia jo vetëm që nuk gjykoi të dyja palët në ndërveprim por shtoi dhe “diagnozën” shkencore: psikopat dhe sociopat!

Të gjitha këto kur vrasësi kishte mbajtur qendrimin e tij: se e kishin akuzuar (hamendëssht padrejtësisht) për vjedhje dhe se i kishte paralajmëruar se do t’u bënte “gjemën”. Kështu “ekspertët” e establishmentit anashkaluan gjykimin e drejtë të çështjes dhe nxorën përfundime “shkencore”. Në fakt, psikologia nuk shqyrton as kuptimin e fjalëve ‘psikopat’ dhe ‘sociopat’. Si duket i ka dëgjuar nga rrethi i saj “intelektual” dhe i përdor kudo. Fjala greke ‘psikopat’ nënkupton pikërisht tronditjen e botës shpirtërore të një njeriu që vepron me dhunë  ndërsa ‘sociopatia’ nënkupton një njeri që vepron me agresivitet (ose dhunë) kundrejt të tjerëve si pasojë e një “sëmundje” mendore. Në të dy rastet bëhet fjalë për tronditje shpirtërore: sepse së pari tronditet mendja pastaj shpirti. Nga kush? Nga rrethi familjar dhe shoqëria: sepse asnjë mendje nuk mund të tronditet vetë-vetiu përjashto mundësinë kur disbalancë biologjike dhe kimike është shkaktuar në organizëm.

Nëse gjykojmë nga vitet shkollore të vrasësit, emancipi i tij dhe puna e tij, mund të kuptojmë gjendjen e tij shpirtërore: ai ishte me pak “klasë” shkollë (kjo e fundit ka probleme në vetë-vete për emancipimin e njeriut) dhe me përvojë baritore. Barinjtë siç dihet mësojnë mes të tjerash të therin dhe rriten me psikozën e “zotësisë” së therjes. Nuk është e rastit që ata shpesh i krenohen shoqërisë për këtë “zotësi”. Ndjeshmëria, rrjedhimisht, për vrasjen e një kafshe është zero sidomos në moshën e vrasësit përkatës. Ndjeshmëria mund të zhvillohet vetëm nëse njeriu emancipohet dhe zhvillon empatinë, dhembshurinë dhe dashurinë për kafshën. Shkurt, kur zgjohet (nga mendja) ajo pjesë e shpirtit që ndjen dhimbjen e tjetrit. Kur ai zhvillon këto dinamika për kafshën ashtu i zhvillon dhe për njeriun. Por kur ai përballet me njerëz të padrejtë ai zhvillon zemërimin dhe urrejtjen: sepse zemërimi zgjohet te të gjithë njerëzit që në moshë të vogël ndërsa urrejtja zhvillohet kur rritemi. Kjo e fundit konsiderohet e pakurueshme dhe shkalla e saj ndryshon nga njëri te tjetri.

Krahas këtyre, rinia e kohëve tona jeton në një mendësi tjetër në raport me pushtetin, të cilin e konsideron shpesh ‘rival’ dhe kërkon ta “sfidojë”: vrasësi përkatës e tregoi “sfidën” e tij kur i tha policisë se vonoi ta kapte apo kur i tha Ramës eja të më kapësh. Të gjitha këto janë simptoma të mendësisë përkatëse: se “burrat” pasi tregojnë “burrërinë” me vrasje njerëzish e tregojnë atë edhe me pushtetin. Kjo mendësi krijohet veçanërisht në mosha të reja dhe është pasojë e mungesës së emancipimit. Por me rëndësi është kuptimi pse ai vrau: sepse ishte akuzuar (ndoshta në të padrejtë) për vjedhje. 

Që shoqëritë janë të padrejta në gjykimin e tyre e kuptojmë të gjithë sepse përballemi me plotë “njerëz” të padrejtë që nuk dallojnë dot dyshimet dhe indikacionet nga provat dhe shkaqet. Por shoqëritë reflektojnë “elitat”: sa herë akuzojnë në të padrejtë partitë në pushtet njëra-tjetrën? Thuajse për ditë!

Kur elita akuzon ashtu siç akuzon dhe kur njerëzit nuk mësojnë të arsyetojnë drejtë dukuritë –as nga shoqëria as nga shkolla— cili është rezultati? Një shoqëri kryekëput e padrejtë dhe me plotë urrejtje. Nga kjo lloj shoqërie çdo ditë mund të shfaqet një vrasës!

Qartësisht, shkaku pse i vrau është padrejtësia dhe zemërimi. Me njerëz të padrejtë përballemi kudo dhe është kontrolli i zemërimit që nuk na çon në krime të këtij lloji. Dhe vijmë te pyetja vijuese: çfarë e kontrollon zemërimin? Virtyti i vetë-përmbajtjes. Si edukohet ky? Sistemi arsimor s’ka përgjigje—sepse s’kupton natyrën njerëzore. Si mund ta parandalojmë këtë lloj krimi që buron nga padrejtësia dhe zemërimi? Me njerëz të drejtë dhe me virtytin e vetë-përmbajtjes.

Përmbledhtas, qeveria “Rama” si gjithë qeveritë e tjera, është përgjegjëse së pari lidhur me faktin se nuk përpiqet të kuptojë shkaqet pse ngjarje të tilla përsëriten — që t’i kuptojë i duhen ose vegla teorike ose të mësojë nga të tjerët: një qeveri “veglat teorike” nuk mund t’i mësojë kur është në pushtet ndërsa mësimi nga të tjerët varet nga një premisë shumë e rëndësishme: se kryeministri dhe ministrat e tij janë demokratikë (nuk çensurojnë) dhe mundohen të mësojnë nga të tjerët. Nga ky fakt, buron dhe padija (e cila bëhet hipokrizi kur rreth tyre qarkullojnë dëftimet e shkaqeve) për të treguar shkaqet e vërtetë të ngjarjes. Nuk mjafton, rrjedhimisht, mbledhja e armëve dhe rikonceptimi i ligjit për armëmbajtësit: por nevojitet të rikonceptohet së pari sistemi arsimor përmes të cilit të synohet të zhvillohen njerëz me virtyte. Që të rikonceptohet arsimi, nevojitet literaturë që këto çështje i ka qartësuar më mirë se kushdo tjetër. Unë një përpjekje e kam bër në këtë drejtim. Por me qeveri jodemokratike dhe padije dhe popull të paemancipuar nuk ekziston asnjë mundësi për t’u akredituar dhe për të përparuar rikonceptimin e sistemit arsimor. Për të njëjtën arsye, qeveria dhe shoqëria shqiptare nuk do të nxjerrë mësime as nga kjo ngjarje: për pasojë, ato do të jenë thuajse të përditshme.      

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA