...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fiaskua e neoliberalëve për reduktimin e çlirimit të CO² dhe alarmi i OKB-së për ndryshimet klimatike

Hendeku mes shkallës së shkurtimeve të çlirimeve të nevojshme dhe angazhimet që kanë bërë qeveritë është, siç citon OKB-ja, në mënyrë alarmante tejet i madh. Sa më shumë ta vonojnë përpjekjen e nevojshme për të mbyllur hendekun, aq më e vështirë do të bëhet.

Ylli Përmeti

17/11/2017 - 14:15

Zgjidhja e krizës ekologjike jo vetëm që është në kontradiktë të drejtpërdrejt me sistemin —përfitimin dhe rritjen ekonomike— por edhe nëse gjykojmë nga masat që propozojnë “samitet” për dryshimin e klimës, me më të fundit, “Marrëveshjen e Parisit”,[1] karakteristika kryesore e të cilës është se vendet që nënshkruan marrëveshjen duhet të marrin masa për reduktimin e çlirimeve duke paraqitur një plan çdo pesë vjet se si ata synojnë të përballen me ndryshimin e klimës ndërkohë që nxit vendet e pasura të ndihmojnë me financë vendet në zhvillim...kur dihet se kriza ekologjike është pasojë e “ekonomisë zhvillimore” që e krijon pashmangshmërisht dinamika e ekonomisë së marketingut: sepse qoftë përqendrimi urban që çon në qytetet monstruoze, qoftë ekonomia zhvillimore, që është shkaku kryesor për përqendrimin ekonomik dhe shoqërinë konsumatore, janë pasojë e kësaj dinamike.

Dëftues është fakti se Trampi, presidenti amerikan, e pa marrëveshjen në fjalë si të padrejtë për ekonominë amerikane dhe u tërhoq nga ky angazhim! Ai shkoi një hap më tej në mbledhjen e “G20” kur shtoi në komunikatën e saj se “SHBA-ja afirmon mbështetjen e saj më të madhe në një qasje e cila ulë çlirimet e gazit ndërsa mbështet rritjen ekonomike dhe përmirëson nevojat e sigurisë...dhe se SHBA-ja do të punojë ngushtë me vende të tjerë për t’i ndihmuar ata për të patur qasje në energjinë fosile më të pastër dhe më efiçente”.[2] Qendrimet kritike të udhëheqësve të tjerë të vendeve më ndotëse të planetit lidhur me qendrimin e Trampit ishin hipokrite për sa kohë që as luftojnë shkaqet e as e vendosin ndotjen në krye të përparësive politike. Dhe ja si paraqiten gjendja në fund të vitit 2017-të:

Shifrat tregojnë se çlirimet e qendrueshme nuk ishin një pikë kthese por një “pauzë e përkohshme”, me çlirimet nga energjitë fosile dhe industria të rriten me rreth 2 për qind në nivele rekord dhe me rritje të mëtejshme në vitin 2018-të. Kjo kryesisht sepse çlirimet e Kinës kanë filluar të rriten sërish për shkak të ringjalljes së industrive bazuar në qymyr. Ngaqë dioksidi i karbonit mbetet në atmosferë për shekuj, rritja e çlirimeve çdo vit e bën synimin e kufizimit të ndryshimit të klimës të tmerrshëm. Kombet e Bashkuar njoftuan një paralajmërim të fuqishëm muajin e kaluar për shkallën e sfidës, duke shënuar se qoftë edhe nëse qeveritë veprojnë mbi planet e tyre për të zvogëluar ose ngadalësuar çlirimet, zotimet kombëtare deri tani shtohen vetëm në një të tretën e zvogëlimeve që janë të nevojshme për t’u përputhuar me marrëveshjen e Parisit...Ndërkohë, gazi i dëmshëm që mbulon Indinë veriore tregon kostot e menjëhershme të shëndetit publik të energjisë së pistë dhe praktive ndotëse në industri dhe agrikulturë. Ndotja ajrore e kësaj shkalle e ka bër përparësi politike për Kinën, Indinë dhe vende të tjerë në zhvillim — të cilët më parë argumentonin se vendet e pasur duhet të zgjidhin problemin kryesisht sepse ata e shkaktuan — për të kufizuar çlirimet e tyre. Veprimi për të pastruar ajrin urban duhet të ndihmojë gjithashtu në luftimin e ndryshimit klimatik për aq kohë që qeveritë nuk zhvendosin industritë ndotëse në zona më pak të populluara. Një shumë e madhe varet se nëse Kina  — e cila përllogaritet për më shumë se një të tretën e çlirimeve botërore — mund të kthejë politikat me ambicie të larta në realitet në terren...hendeku mes shkallës së shkurtimeve të çlirimeve të nevojshme dhe angazhimet që kanë bërë qeveritë është, siç citon OKB-ja, në mënyrë alarmante tejet i madh. Sa më shumë ta vonojnë përpjekjen e nevojshme për të mbyllur hendekun, aq më e vështirë do të bëhet.[3]

Në këtë kuadër, BE-ja paraqiti një skemë tregëtie për karbonin e cila rregullon çdo vend për kufizimet e karbonit, dhe shpërblen ndërmarrjet individuale që gjejnë rrugë përfituese për minimizimin e emisioneve të karbonit...tani janë në planifikim për të krijuar skema të njëjta në nivel individual, përmes tregëtimit personal të karbonit që është propozuar nga gërmuqët e politikës profesionale, siç është David Miliband. Sipas skemës, çdo Qeveri do të caktojë një “buxhet karboni” me qëllim që të shpërndajë te çdonjëri mbi moshën 18 – një numër prej 64 milionë njerëzish – të njëjtin numër krediti, si fillim duke i lejuar ata për të çliruar pesë tonë karbon në vit. Ndërsa bizneset do të marrin 60 për qind të kekut të karbonit, 40 për qind do të shkojë te konsumatorët —çlirimi i gazit që shkakton efektin e serës dhe është përgjegjës për 44 për qind të prodhimit total të Britanisë. Blerjet që përfshihen në këtë skemë do të përfshijnë sipas gjasave edhe naftën, biletat e fluturimeve ajrore, faturat dhe energjisë së ngrohjes. Në këtë mënyrë, grupet me të ardhura të ulëta (siç janë vendet me çlirime të ulëta në Afrikë, të cilët mund të shesin kreditet e tyre në SHBA) do të shesin kreditet e tyre te grupet me të ardhura të larta, me qëllim që vendet e pasura, dhe tashmë edhe individët, të vazhdojnë mënyrën e tyre të të jetuarit, në dëm të të tjerëve’![4] Të njëjtën skemë adoptoi së fundmi edhe Kina![5]

Por edhe kjo skemë —domethënë, detyrimi i ndërmarrjeve për të braktisur lëndët fosile dhe zëvendësimin e tyre me lëndë alternative më pak të dëmshme— dështoi në nivel europian, pasi parlamenti Europian votoi (në 15 prill 2013) kundër propozimit që synonte përmbysjen e rënies së çmimit të karbonit që rezultoi nga tepërica e lejeve në sistemin tregëtar të emisioneve (ETS).[6] Marrëveshja e “Parisit” e cila i angazhon vendet për të gjetur rrugë për të ulur ndotjen e ekosistemit, është e dështuar që në parim: sepse elitat politike s’kanë as dijen dhe rrjedhimisht as mundësinë për të ndihmuar në këtë drejtim. Edhe nëse do të kishin vullnet, meqënse shumë e reduktojnë problematikën te “vullneti politik”, ato s’munden: sepse pushteti ekonomik i korporatave dhe bankave dhe presioni që ushtrohet mbi politikanët profesionistë, dominon çdo lloj vullneti politik. Në kohën kur një studim tjetër,[7] vë alarmin për jetën e planetit,se atje do të ndodhë një rënie dramatike e specieve dhe bimëve globale në këtë shekull nëse bota vazhdon të zvarrisë masat për reduktimin e çlirimit të dioksidit të karbonit.

Në nivel social, një studim tjetër,[8] tregon se ngritja e temperaturës rrit konfliktet midis individëve dhe shoqërive, ndërsa grimcat e oksigjenit të ndotur shkaktojnë gjithë efektet e tjerë (kancer etj.) në organizmin e njeriut. Shkurt, ngrohja e planetit do të shkaktojë, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara,[9] ndoshta më i ploti që është ndërmarr ndonjë herë,  probleme serioze në prodhimin e drithërave, duke shkaktuar rënie prej 2% për çdo dekadë, përmbytje të sistemeve bregdetare dhe zonave të ulëta, dhe do të dëmtojë ekonominë globale (nga 71.8 trilion që ishte PBB-ja në vitin 2012-të, do të zvogëlohet me 2% çdo dekadë, d.m.th. 1.4 trilionë dollarë më pak), dhe do të përkeqësojë shëndetin e njerëzve, sigurinë e njerëzve, ujin e freskët dhe peisazhet e veçantë. Përllogaritje të besueshme ekonomike sugjerojnë se humbja agregate e prodhimit botëror deri në vitin 2030-të, nën variantin e karbonit të ulët, do të jetë e barabartë me një mungesë një vjeçare në rritjen ekonomike.[10]

Lidhur me këtë problematikë, tejet serioze për jetën tonë dhe veçanërisht të fëmijëve tanë, në Shqipëri dhe rajon, nuk është zhvilluar asnjë debat serioz as nga e ashtuquajtura ‘elitë’ as nga masmedia dhe as nga universiteti: të gjithë presin urdhëra që të veprojnë ndërsa këmbën nga gazi s’e heq asnjëri as mënyrat e prodhimit nuk i ndryshojnë dhe as shqyrtojnë ndonjë studim!

Shkëputur nga jë studim më i gjerë me titull, Kriza shumë-dimensionale i të njëjtit autor

[1]Paris agreement, European commission, 11/02/2016.

[2]Unanimous G20 communique fails to hide US tension, FT, July 08, 2017.

[3]A sharp reality check on the climate change, FT, November 15, 2017.

[4]The Ecological crisis as part of the present multi-dimensional crisis and Inclusive Democracy, TAKIS FOTOPOULOS, (Lecture at Torino Univercity, Italy, 1 April 2008).

[5]China in carbon trading experiment, BBC, 18 June 2013.

[6]Europe’s climate chief vows to fight on to save emissions trading scheme, The Guardian, 17 April 2013.

[7]Life on Earth under threat from CO2 levels, say scientists, The Independent, 12 May 2013.

[8]Fewer resources, greater stress, more disasters, more violence: Climate change linked to conflict among people and societies, The Independent, 01 August 2013.

[9]Official prophecy of doom: Global warming will cause widespread conflict, displace millions of people and devastate the global economy, The Independent, 18 March 2014.

[10]Clean growth is a safe bet in the climate casino, Martin Wolf, FT, September 23, 2014.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA