...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fiaskua tjetër e qeverisë “Rama2” me “turizmin elitar” dhe si mund të krijojmë turizëm të qendrueshëm?

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit.

Ylli Përmeti

13/01/2018 - 12:04

Qasjen e “fisnikërizimit” (“gentrification”) të shoqërisë qeveria “Rama2” filloi ta integronte edhe në turizëm. Domethënë, përmirësimin e strukturave turistike —kryesisht në veri të Shqipërisë— për t’u përshtatur kryesisht në shijet e klasës së mesme, të cilat krijohen nga klasa e lartë dhe nuk burojnë nga krijitaria e klasës së mesme. Nuk janë, në fjalë të tjera, origjinale. Por të parafabrikuara nga arkitektë të ndikuar nga shijet e klasës së lartë dhe anasjelltas. Këtë qasje e qarkulloi në sytë e publikut në kohën kur turizmi në përgjithësi dhe turizmi “elitar” në veçanti ishte në krizë të thellë! Hoteli “Sheraton” me pesë yje, për shembull, pak ditë pas shpalljes të “turizmit elitar” nga Rama, njoftoi largimin nga Shqipëria sepse kishte humbje të mëdha. Sipas tyre, sepse qeveritë tona nuk kanë krijuar ‘rregulla’ dhe ‘standarte’. Në vend të tyre kanë krijuar ‘informalitet’. Por kjo është një qasje, siç shqyrtojmë këtu, tejet e ngushtë dhe nuk tregon shkaqet e vërtetë të largimit të hotelit. Pas largimit të tij u shfaq hotel “Hilton”!

Kështu, tre janë aspektet kryesore që do të shqyrtoj lidhur me këtë çështje: së pari, plani “Rama” u shpall pa studim të gjendjes së sektorit (siç duket, besoi tek “ekspertiza” e oligarkëve ekonomikë); së dyti, lidhja e “turizmit elitar” me “sportet e aventurës” nuk është rastësore: nënkupton se në të do të përfshihet kryesisht klasa e mesme dhe e lartë. Sepse dihet se të ashtuquajturit ‘varfanjakë’ nga shoqëria s’kanë ushqim të hanë e jo më të zbavisin me sportet e aventurës. Së treti, konsiderimi i sporteve të aventurës si burim i rëndësishëm ekonomik, për hir të ‘ekonomisë’, siç logjikon qeveria “Rama”, është marrëzi dhe tregon edhe një herë mungesë dijeje.

Por le të shqyrtojmë së pari natyrën e sporteve të aventurës: disa prej tyre janë të rrezikshëm për jetën dhe përveç adrenalinës, nuk sjellin asgjë tjetër në jetën e njeriut (garat me motorra p.sh); disa janë të rrezikshëm por edhe të shëndetshëm për jetën e njeriut (alpinizmi p.sh). Kërkohet, rrjedhimisht, kualifikim i përshtatshëm me sektorin që mos të ndodhin aksidente: sepse nëse ndodhin, sektori do të rrënohet. Përtej këtyre aspekteve, sportet e aventurës do të zhvillohen në një terren kur dihet se terreni ynë (fushor dhe malor) është thuajse shkretuar dhe kur dihet se ku shkelin ‘njerëzit’ e aventurës dhe jo vetëm, nuk lënë gjë tjetër të gjallë. Për shembull, për zhvillimin e garave me motorra në pyje duhet të shkatërrohen pyje dhe kafshë.

Në të vërtetë, përqendrimi i zhvillimit të “turizmit elitar” me bazë “sportin e aventurës” në zonën e Alpeve të qarkut të Shkodrës ku dominojnë pyjet —deri diku të virgjër— shton rrezikun e zjarreve gjatë verës, sidomos kur dihet se asnjëri s’është dënuar nga djegia e pyjeve (si do të dënohen kur nuk ka mekanizëm shtetëror –pyjore- dhe policët dhe prokurorët flenë?); kur sektori përkatës perceptohet nga fajkojtë e tregut të lirë si burim fitimi i shpejtë dhe kur mungon urtësia ekologjike qoftë për njerëzit e përfshirë në këtë sektor qoftë për shoqërinë. Pa përmendur ‘faktin’ se në ndërmarrjet përkatëse mund të përfshihen tërthorazi politikanët në pushtet. Të njëjtën qasje, Rama po zbaton në një sektor tjetër të “turizmit elitar”: duke miratuar ligjin për të lejuar ndërtimin e hoteleve me pesë yje. Siç argumentoi Rama në Kuvend, ligjin përkatës e nxitën oligarkët ekonomikë: sepse, hamendësisht, duan të joshin pasanikët e botës që na rrethojnë. Kështu, fundja, kanë menduar dhe homologët e tyre dhe kanë krijuar kulmin e luksit në shumë hotele.[1] Mirëpo, sektori është në krizë[2] dhe “ekspertët” e hotelerisë luksoze nuk kanë kuptuar as shkaqet as edhe zgjidhjet.

Kështu, disa pohojnë se ka rënë kërkesa për shkak të krizës ekonomike; disa thonë se ka humbur ‘besimi’; dhe disa thonë se ka ndryshuar mënyra e konsumit të luksit nga gjenerata e re...dhe për të njëjtat arsye, sugjerojnë ta rrisin sektorin përmes rritjes së ‘kreativitetit’ dhe ‘besimit’! Ndoshta oligarkët tanë ‘frymëzohen’ nga “bumi” i hotelerisë luksoze në Slloveni dhe Kroaci.[3] Por qeveria “Rama” është frymëzuar nga vendet fqinje - nëse gjykojmë nga relacioni e qeverisë,[4] lidhur me çështjen: nga modeli truk, malazez dhe maqedonas (“kontratat ‘franchise’”) ku pranohet se kjo politikë diskriminon bizneset e vegjël dhe të mesmë me pronësi familjare me më pak se tre yje dhe, pavarësisht këtij fakti, qeveria kërkon ta përparojë sepse, sipas saj, ajo është burim punësimi dhe prestigji (qeveria e ndan turizmin në dy koncepte në “turizëm masiv” dhe “turizëm elitar”, hamendësisht me të parin kupton turistët e klasave të ulta të shoqërive –masat- ndërsa me të dytin turizmin e klasës së lartë!) duke u falur taksat e pronës, të tatimit mbi fitimin dhe taksën për ndikimin në infrastrukturë të hoteleve me 5 yje si dhe uljen e tvsh-së për të gjitha shërbimet në hotelet me 5 yje në masën 6 për qind në kohën kur hotelet e tjerë paguajnë 20 për qind tvsh për të gjitha shërbimet me përjashtim të akomodimit! Shkurt, kërkon ta kthejë Shqipërinë një parajsë fiskale për oligarkët ekonomikë – të jashtëm dhe të brendshëm për hir të punësimit dhe imazhit më të mirë!

Por dy vendet e parë, jo vetëm që janë në terma ekologjikë më lartë se ne, kanë zhvilluar një kulturë turistike prej shumë dekadash dhe kanë një infrastrukturë të krijuar shekullin e kaluar por janë dhe pranë metropoleve europiane – konsumatorëve kryesorë të turizmit, dhe si të tillë, mund ta përballojnë krizën ndryshe nga vendet e tjerë. Vendet e dytë, “luajnë” kryesisht me oligarkitë europiane dhe kemi parë rezultatet e politikave të tyre.

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit. Bashkërendimi i tyre, me rradhë, mund të konkurrojë me rivalët: sepse do të ketë kosto më të ulët ushqimi dhe cilësi më të lartë. Qasja e qeverisë “Rama” është kryekëput e kundërt me qasjen e parashtruar: ajo e mbështet sektorin në kërkesën e jashtme si gjithë vendet e rajonit duke shpërnjohur faktin se ato kanë krijuar avantazhe për një kohë të gjatë krahasuar me ne dhe pikërisht sepse mbështeten në kërkesën e jashtme janë në krizë të përhershme. Mjafton të përmendim turizmin “elitar” turk: kur Erdogani luajti keq më Rusinë – kjo e fundit e ndëshkoi duke ndaluar udhëtimin e qytetarëve rusë në Turqi. Kur luajti keq me perëndimin – e pësoi njëlloj!

Dhe njëlloj mund të themi dhe për dy vendet e tjerë të rajonit, Malizi dhe Maqedoni, ku elitat janë në një përpjekje të përhershme për të balancuar qendrimet politike me qëllim që të ‘ruajnë’ klientelën e hotelerisë. Janë, në fjalë të tjera, të varuar kryesisht nga xhapat e pasanikëve të huaj. Ndërsa mbështetja e turizmit në kërkesën e brendshme do të çonte pikërisht në bashkërendimin e sektorëve që përmenda dhe në një orientim tjetër zhvillimor dhe do të ulte —nëse zhvilloheshin paralel shkollat turistike, artet dhe marketingu kombëtar— koston e përgjithshme të shërbimeve në sektorin e turizmit dhe do të rriste rrogat e punëtorëve dhe numrin e turistëve (kur ulet kostua e shërbimeve rritet turizmi sepse bëhet më i përballueshëm për shtresat e ulëta të shoqërisë) duke ndihmuar hotelet aktualë. Ndryshe, kostua do të ulet vetëm duke ulur rrogat e punëtorëve! Nëse qeveria adopton këtë qasje, ajo do të mbështesë hotelet ekzistues me kërkesë dhe në proces mund të kërkojë rritjen e cilësisë nga ata.

Përmblethtas, hoteleria është në krizë për shkak të paqendrueshmërisë ekonomike të vendeve përkatëse. Paqendrueshmëria është pasojë e orientimit ekonomik. Në rastin e hotelerisë, hotelet bazohen kryesisht në kërkesën e jashtme. Mungesa e standarteve, si në vendin tonë, është një shkak dytësor: sepse vendet që kanë krijuar ‘standarte’ janë në krizë gjithashtu. Se çfarë kërkohet për sektorin është e qartë: ndryshimi i orientimit zhvillimor. Por ndryshimi i qasjes sërish nuk mjafton: nëse nuk krijojmë një kulturë dashamjedisore, dashakafshë dhe relativisht të barabartë, cilësia e hotelerisë do të jetë sërish e çalë sidomos në vendin tonë ku kultura përkatëse mungon dhe pabarazia është tejet e madhe.                   

 



[1]The peak of luxury, FT, October 13, 2017.

[2]Is the luxury industry in crisis, FT, May 24, 2016.

[3]Luxury hotels spring up as tourism hits new record in Slovenia and Croatia, FT, April 26, 2017.

[4]Relacion për projektligjin “për disa shtesa në ligjin nr. 93/2015, “për turizmin”, 2017.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA