...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Filozofia e ndërtimit, parashikimi i tërmeteve dhe parandalimi i tragjedive sociale

Nga propaganda obskurantiste e Ramës në parime shkencore

Ylli Përmeti

09/12/2019 - 09:00

Mpirje mendore vërehej në popull gjatë ditëve të pára pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pasojat e shkaktuara nga ai dhe ngaqë s`ka dije për dukuritë fizike përgjithësisht dhe sizmike veçanërisht beson propagandën e Ramës se “s`ke ç`i bën fatkeqësisë natyrore” në kohën kur në Japoni ndodhin tërmete më të fuqishëm dhe vdekjet janë minimizuar thuajse në zero përgjatë viteve të fundit — duke treguar, edhe një herë, karakterin e tij joshkencor dhe hipokrit: sepse kujtoj, se sa herë ndodhin ngjarje të dhimbshme (përmbytje etj.) ai përdor të njëjtin argument!

Por dy janë masat që parandalojnë pasojat e tërmeteve — që të dyja të mundshme dhe në dorën tonë: ndërtesat ndërtohen me parametra shkencorë dhe parashikohen tërmetet. Parametrat shkencorë në ndërtim janë ata që procedojnë nga filozofia e ndërtimit, eksperimentet në laborator sizmik, dhe realizimi në praktikë. Por ngaqë parimet themelore që burojnë nga filozofia e ndërtimit dhe laboratorët ndërtimore mund të shkelen ose mund të anashkalohen nga inxhinierët e ndërtimit dhe ustallarët, ata mbikqyren rreptësisht nga inspektorët e bashkive.

Një aspekt i rëndësishëm që lidhet me filozofinë e ndërtimit është natyra e ndërtesave: ato nuk duhet të jenë të larta (jo vetëm për të kontribuar në parandalimin e rrënimeve por edhe në tmerrin që krijojnë kur një tërmet zhvillohet) dhe duhet të jenë ekologjike—domethënë, lënda e përdorur të mos jetë e dëmshme për njeriun që jeton në to por dhe për mjedisin (betoni, p.sh., është i dëmshëm si për mjedisin ashtu dhe për njerëzit që banojnë në shtëpi me beton; në rastin e parë do të shkatërrohen male, kodra, pyje dhe kafshë ndërsa në rastin e dytë dëmton njeriun kur rrënohet). Korruptimi i inxhinierëve mund të shmanget në tre mënyra: ose të mbikqyren nga asambletë popullore, pasi të krijohen kushtet, ose të mbikqyren nga Spak-u, ose të zhvillohen virtytet e tyre dhe veçanërisht virtyti i drejtësisë, pa të cilin ata do të korruptohen ose, idealja, të gjitha bashkë.

Dhe në fund, përpara se të ndërtohet duhet të konsiderohet struktura tokësore: ajo duhet të jetë e tillë që mos t`i përcjellë shumë goditjet e tërmeteve. Në fakt, po të ndërtohen ndërtesat sipas parimeve që parashtrova, struktura e tokës është e një rëndësie dytësore se sa parësore; ajo është parësore kur nuk përdoren parimet që përmenda. Britania përdor deri diku parimet që përmenda; por ajo përdor dhe një parim tjetër: banesat janë përgjithësisht të njëjta nga jashtë për mos të nxitur shpirtin e garës mes qytetarëve. Ky synim ka dhe një efekt tjetër: nuk shpenzohen energji për struktura të ndryshme banesash ose kursen energjinë e shpenzuar në banesa.

Pyetjes se nëse parashikohen tërmetet dhe parandalohen gjëmat sociale, i përgjigjemi me një Po të madhe. Kësaj pyetje “ekspertët” e establishmentit vendor i përgjigjen me një Jo të madhe duke ndjekur qendrimet e homologëve të tyre në vende të tjerë! Por ja ç`citoja dy vite më parë kur Shqipëria i trondit nga një tërmet me pak pasoja dhe nuk munguan qendrimet idiote të “eskpertëve” të fushës:   

...“që “ka një logjikë shkencore” kjo punë...siç argumentoi një “gjeofizikant”, vetëm gjeoshkencëtarët e kuptojnë. Logjika në vetvete është shkencë, siç është arsyeja në shqip. Kot s’themi, “nuk arsyeton drejtë” “ose nuk ka mësuar të arsyetojë drejtë”. Në sizmologji, për shembull, të arsyetosh drejtë duhet të konsiderosh jo vetëm pllakat tektonike (domethënë, të kuptosh natyrën e tyre dhe të parashikosh se kur do të fërkohen sërish) por dhe fushat gravitacionale jashtë kores së tokës: sepse shtypja gravitacionale ndikon gjithashtu në lëvizjen e pllakave tektonike. Kjo sërish, nuk mjafton, por duhet të përllogaritet së pari madhësia e bërthamës vullkanike të tokës dhe vullkanet dhe masa e llavës që ata nxjerrin në sipërfaqe të tokës përmes vullkaneve: sepse kur ne dimë se sa ‘masë’ ka dalë nga bërthama dhe hamendësisht në brendësi të tokës është krijuar boshllëk, mund të parashikojmë se kur do të shkaktohet tërmet meqënse ndikimet gravitacionale në koren e tokës janë të përhershme por në disa raste (kur planetët e tjerë dhe veçanërisht dielli kanë veprimtari më të madhe) më të fuqishme. Janë pikërisht këta të fundit që duhet të merren në konsideratë me mjaft kujdes.

Thënë ndryshe, vullkanet janë çtensionues të presionit të brendshëm që krijohen në bërthamën e tokës: sa herë që ata nxjerrin llavë, masa e brendshme është në presion ose është më shumë se ç’duhet. Kur mbaron kjo fazë, dhe në varësi të sasisë që ka dalë, radhën e kanë tërmetet që të çojnë lëndë të re në bërthamën e tokës. Kjo, sërish, në varësi të forcës gravitacionale: sa më e madhe të jetë ajo aq më shumë do të fërkohen pllakat tektonike. Ndikimi gravitacional mbi koren e tokës dhe vullkanet përcaktojnë natyrën e tërmeteve. Kur shkencëtarët të arrijnë të masin të gjithë këta parametra dhe t’i konceptojnë si të ndërvarur, do të kenë mundësi të parashikojnë tërmetet me përpikmëri.            

Ndryshe nga ky arsyetim, “shkencëtarët” tanë i shtojnë ‘logjikës’...sizmologjike, dhe një “shkencore” dhe na e bëjnë logjikën edhe ‘joshkencore’! Por çështja nuk shtrohet se nëse logjika është shkencore apo jo por se nëse një njeri ka logjikë të drejtë apo jo. Sidoqoftë, është e sigurtë se i paguajmë kot gjeoshkencëtarët tanë: sepse na thonë se nuk mund të parashikohen tërmetet! Le pastaj që i shtojnë, ndërsa janë “shkencëtare” dhe na paralajmërojnë për tërmete, dhe lutjen e zotit! Këta janë aq të sigurtë për gomarlliqet që lëshojnë sa ç’janë dhe për zotin. Puna e vetme që bëjnë është të regjistrojnë tërmetet dhe të na i kujtojnë dhe të na thonë, në bazë të vrojtimeve se sa shpesh përsëriten, se kur mund të përsëriten. T’i quajmë ‘shkencëtarë’, rrjedhimisht, do të ishte e padrejtë: sepse vetëm të tillë s’janë. Shkencëtari që nuk studion dhe nuk sjell asnjë risi e parashikim, vetëm ‘shkencëtar’ nuk është. Kujtoj këtu parametrat e ‘teorisë’ ideale” që kam parashtruar në vend tjetër.

Tani po shtoj se fakti që pllakat tektonike fërkohen (forma e fërkimit është e rëndësishme—disa fërkohen sepse lëvizin drejt njëra-tjetrës...) dhe fërkimet shkaktojnë energji dhe energjia mund të matet me aparatura, ne mund të parashikojmë se kur bien tërmetet. Për natyrën e ‘energjisë sizmike’ i shkruajta sizmologut grek—për të kuptuar se për cilën ‘energji’ e kishte fjalën kur ra tërmeti në shtator (kur ai argumentoi për televizionet se ai e “dinte se në Durrës do të përjetonim një tërmet të madh, sepse ishte përqendruar shumë ‘energji’...”, të cilën nuk e qartësoi). Por nuk më ktheu përgjigje! Si duket s`kishte përgjigje. Dhe nuk është i vetmi sizmolog që përdor të njëjtin argument.

Sidoqoftë, ne mund t`i parashikojmë tërmetet por jo pa konsideruar parametrat që përmenda. Përpjekja e Japonisë, për shembull, për të parashikuar tërmetet përmes një kompjuteri, është e pjesshme: sepse ajo përdor parametra të gabuar: magnitudën ose shkallën e valëve dhe vendodhjen duke vrojtuar dridhjet, cunamet dhe lëvizjet e kores së tokës. Nuk do të ishte e çuditshme që ajo parashikon vetëm valët sizmike që shpërndahen brenda 10 minutash përgjatë Japonisë dhe një cunam pas 30 minutash. Kjo qasje është e gabuar sepse përqendrohet në fazën pas-tërmetore. Për të njëjtën arsye, shumë parashikime të institutit sizmologjik japonez kanë qenë të gabuar.

Çfarë nevojitet është e qartë: një qasje gjenealogjike e problematikës. Për ta parashikuar, rrjedhimisht, sizmologët duhet të përqëndrohen në tre aspektet që përmenda: në energjinë që përqendrohet ose shkaktohet në bashkimet e pllakave tektonike (kjo lloj energjie mund të matet me aparate ku pllakat bashkohen por dhe të vrojtohet me satelitë); në veprimtarinë e vullkaneve (kur veprojnë shumë vullkane nënkuptohet se një fazë e re fërkimesh mes pllakave do të pasojë); dhe në veprimtarinë e planetëve që na rrethojnë (kur ka veprimtari të lartë në ta trysnia që ushtrohet mbi tokë përmes forcës magnetike rritet). Kujtoj se pllakat tektonike filluan të kuptoheshin në fillim të shekullit të kaluar dhe u deshën dekada që të pranoheshin si burim tërmetesh.[1] NASA është orientuar në kuptimin e pllakave tektonike por nuk ka përqafuar qasje gjenealogjike dhe të plotë. Në të kaluarën popujt besonin se tërmetet ishin paralajmërime kozmike dhe ndëshkime nga Zoti. Një përpjekje për ta hedhur poshtë këtë besim u bë nga Aristoteli kur argumenton se tërmetet shkaktohen nga forca e erës duke mos përjashtuar ndërveprimin planetar. Që nga koha e Aristotelit përparimi në këtë çështje ka qenë minimal. Sidoqoftë, është e qartë se ne mund të parashikojmë tërmetet vetëm nëse bashkërendojmë parametrat që përmenda.

Derisa sizmologët tanë të kuptojnë drejtë problematikën, të organizohen dhe pajisen me infrastrukturën e nevojshme, ne kemi mundësi të minimizojmë dëmet nga tërmetet nëse kuptojmë drejtë problematikën e ndërtimeve: sepse edhe nëse ne nuk përparojmë shpejtë në parashikimin e tërmeteve ne kemi mundësi të rikonceptojmë natyrën e ndërtimeve sipas filozofisë që parashtrova. Duhet thënë se edhe në këtë sektor mungojnë parimet themelore mbi të cilët të ndërtohet e ardhmja e shoqërisë dhe e njerëzve. Prandaj është e rëndësishme që institutet shkencore të ndërtimit dhe gjeologjisë të bashkëpunojnë ngushtë në themelimin e parimeve që përmenda. Ndërtesat aktuale që janë ndërtuar pa parime duhet ose të prishen ose rikonceptohen sipas parimeve që përmenda dhe në disa të përdoret teknika japoneze: platformat me sfera në themel të ndërtesave shumëkatëshe. Një përpjekje të ngjashme po bëjnë amerikanët pavarësisht se Japonia goditet rreth 10 herë më shumë nga tërmetet.[2]

Japonia ka përdorur teknikën e platformës së sferave në rreth 9,000 ndërtesa shumëkatëshe kryesisht si pasojë e tërmetit të vitit 1995 në Hanshinin e Madh ku gjetën vdekjen më shumë se 6,000 njerëz. Teknika përdoret në shkallë të ndryshme dhe nga vende të tjerë si Kina, Kili, Italia, Meksika, Peruja, Turqia e të tjerë. Sipas studimeve, ndreqja e ndërtesave që dëmtohen nga tërmetet kushton katër herë më shumë se shpenzimet që bëhen me synim parandalimin. Amerika ka përdorur teknikën e betonit dhe hekurit por kjo teknikë sipas japonezëve është e paparashikueshme në tërmete. Kështuqë ata ndërtojnë ndërtesa të larta por thuajse gjithnjë me kolona çeliku dhe në bazë krijojnë platforma me sfera. Japonia, rrjedhimisht, është përqendruar kryesisht në parandalimin e tërmeteve duke rikonceptuar ndërtesat se sa në parashikimin e tërmeteve. Por përpjekje paralele po bëhen për të parashikuar tërmetet.

Të njëjtën qasje mund të përdorim dhe ne duke filluar me filozofinë që parashtrova: sepse për të realizuar qasjen japoneze na duhet gjendje ekonomike e qendrueshme. Qasja japoneze, në fakt, mund të anashkalohet nëse përdoren parimet sistemike të sovranitetit, vetmbështetjes dhe emancipimi i popullit në dije, arsyetim të drejtë dhe parime demokratike: sepse kjo qasje shpërqendron popullatën nga qytetet drejt fshatit. Por kjo qasje nevojitet të kuptohet drejtë përpara se të vendoset në jetë. Aktualisht ne qeverisemi nga një qeveri dhe klasë politike pa dije sistemike dhe këto çështje dhe të tjera të ngjashme nuk do t`i konsiderojë. Prandaj nevojitet që të kontribojë çdonjëri në dije dhe parandalim të dhimbjeve njerëzore dhe ekologjike: sepse kush kontribuon në dije ka kontribuar më shumë se ata që kontribuojnë në dhimbje pas tërmeteve.

Populli dhe qendrimet kontradiktore të institucioneve

Vetëm kur qarkulluan disa qendrime kritike ndaj ndërtimeve filloi çmpirja mendore e popullit lidhur me faktin se ishte mashtruar edhe një herë nga klasa politike me ndërtesa pa parime shkencorë (megjithëse demagogët përdorin kryesisht termin “standart” dhe për pasojë edhe populli përdor të njëjtin term pa qenë i qartë se ç`nënkupton ai) ndërsa Rama filloi ta zhvendoste vëmendjen kryesisht tek administrimi i drejtë i banorëve bashkë me masmedian; kjo e fundit nuk zhvilloi një debat për parandalimin e pasojave nga tërmetet ndërkohë që prokuroria në krye të gjashtë ditëve nuk kishte filluar hetime në terren duke i “shkelur syrin” qeverisë për të prishur ndërtesat e pabanueshme! Qëndrimi i Spartak Ngjelës rrjedhimisht —se prokuroria nuk po vepron dhe po tregon edhe një here karakterin e saj korruptiv— është absolutisht i drejtë.

Shqetësimit se mos po zhvillohen shpime për naftë apo gaz pranë Durrësit dhe rrjedhimisht tërmetet janë rezultat i shpimeve në fjalë, mund t’i përgjemi me një Jo të madhe për sa kohë që tërmeti më i fuqishëm prej 6.4 ballë ishte rreth 38 km në thellësi të tokës dhe pusi më i thellë në botë është 12 km. Nuk është, në fjalë të tjera, tërmet i shkaktuar nga ndërmarrjet naftë-gaz-nxjerrëse siç dyshohet por tërmet tektonik. Tërmeti në fjalë ka aktivizuar vatra të tjera – ndaj kemi tërmete të tjerë por jo më të fuqishëm se kulmori. Nëse gjykojmë nga sjellja e tërmeteve në përgjithësi —ata kulmojnë pastaj bien deri sa i zë “gjumi”— tani jemi në fazën e rënies. Një fazë tjetër mund të pasojë në muajt në vijim, fazë të cilën s`e kanë përjashtuar as sizmologët. Kështu ndërsa sizmologët grekë, italianë dhe gjermanë thanë se nuk përjashtohet një tërmet më i fuqishëm, Rrapo Ormeni, një sizmolog i anëve tona, nënkuptoi se përsëritja e një tërmeti më të fuqishëm përjashtohet nga mundësia, sepse:

“Nëqoftëse tërmetet 6 ballë kanë një përsëritje 30 vjeçare; tërmetet 6.5 e kanë 100 vjet; tërmetet 7 e kanë 500 vjet; dhe tërmetet 7.1 e kanë 3000 vjet” (Klan/Opinion).

Por Ormeni ose kërkon të qetësojë popullin ose gabon rëndë: sepse megjithëse sizmomteri i parë u shpik nga një filozof kinez në shekullin e dytë të erës sonë, ishte fundi i shekullit 19 që shtroi udhën e studimeve për shekullin e 20 dhe këndej. Historia e sizmologjisë, në fjalë të tjera, na mëson se nuk ka patur regjistrime të fuqisë së tërmeteve përtej shekullit të kaluar. Kështuqë argumenti i Ormenit nuk është shkencor. Qartësisht, si qendrimi i Ormenit ashtu dhe qendrimi i sizmologëve të huaj merr në konsideratë vetëm statistikat dhe si i tillë është problematik: sepse kushtet kozmologjike nuk janë gjithnjë të njëjtë në planetin dhe sistemin tonë diellor. Duhet thënë se instituti i sizmologjisë në vendin tonë u shkatërrua nga Berisha me “mbështetjen” e PS-së. Ai u ngrit me shumë mund dhe sakrifica nga Enver Hoxha pasi u kuptua se vendi ynë kërcënohet nga tërmetet. Por klasa jonë politike, si reaksionare që është, shkatërroi mes të tjerash dhe institutin sizmologjik duke i dhënë karakter të parëndësishëm. Duhet thënë, gjithashtu, se edhe sizmologët kanë përgjegjësinë e tyre në kaosin që pasoi në sektorin e ndërtimit: sepse pavarësisht se mund të ‘kërcënoheshin’ nga pushteti politik ata mund të vinin alarmin në mënyra të ndryshme pikërisht sepse dinin —statistikisht— se do të goditeshim nga tërmeti. Fakti që nuk pamë ndonjë reagim nga sizmologët, tregon ose nënvlerësim të gjendjes ose nënshtrim—mungesë trimërie. 

Qendrimet kontradiktore të inxhinierëve të ndërtimit

Mospajtimi i inxhinierëve të ndërtimit lidhur me cilësinë e ndërtesave për të cilat disa argumentojnë se janë të banueshme dhe disa jo, tregon pikërisht mungesën e parimeve të përgjithshme dhe të veçanta në sektor ose kaosin e sektorit. Nuk është, në fjalë të tjera, vetëm çështje kurruptimi. Por është pikë së pari mungesë parimesh ose mungesë filozofie në ndërtim. Kur mungojnë parimet në ndërtim —të përgjithshmit dhe të veçantët— nuk do të ishte e çuditshme që inxhinierët të korruptohen si gjithë të tjerët. Këtë çështje nuk do ta dëgjojmë nga inxhinierët, sepse do të ekspozonin padijen e tyre; as nga gazetarët, të cilët nuk janë aftësuar ta sfidojnë sektorin me dije. Këtë sektor dhe jo vetëm këtë, mund ta sfidojnë vetëm dijetarët e filozofisë politike. Kujtoj edhe një herë se arkitektura në Athinën Klasike shkëlqeu sepse shkëlqeu filozofia. Por jo gjithshka nga filozofia zbatohet nga arkitektura. Për shembull, kur Aristoteli citon se një qytet duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që mos të lakmohet nga fqinjët, arkitektët dhe shtetëtarët e kohës nuk e morën në konsideratë dhe ndërtuan një qytet që lakmohësh nga fqinjët. Rezultati: qyteti u plaçkit! Por cilësia mbeti.

Por le ta shqyrtojmë më shumë këtë çështje. 

Inxhinierët e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së territorit thonë se fajin për pallatet me mure të çarë e ka vetëm mungesa e brezit mural [...] ndërsa disa gjeologë, inxhinierë dhe urbanistë të tjerë thonë se dëmet u shumfishuan si rrjedhojë e ndërtimeve në zona të rrezikshme, pa kriter pa planifikim, me cilësi të dobët jashtë kushteve teknike, për të cilat prej vitesh i kanë tërhequr vëmendjen autoriteteve por pa rezultat (Voa). Më konkretisht, “mungesa e projektit dhe mungesa e zbatim-projektit, ndërtimi pa leje dhe korruptimi i supervizorit”, janë shkaqet se pse ndërtesat u rrënuan!  

Duhet thënë se këta shkaqe nuk citohen nga një inxhinier i vetëm por nga disa. Ky fakt tregon se dija e tyre është e pjesshme. Por edhe nëse i marrim së bashku shkaqet ata sërish janë të pjesshëm. Për shembull, kur thonë se është vetëm mungesa e “brezit mural” që ka dëmtuar muret e disa ndërtesave: sepse ky argument duhet të plotësohet me lartësinë e murit (sa më i lartë të jetë ai aq më i brishtë është kundrejt lëkundjeve); përmasën e tullave (sa më e hollë të jetë ajo aq më i brishtë është muri); lidhjen e murit me tarracën (kur muri nuk lidhet me tarracë por bëhet pasi është hedhur tarraca, ai është i brishtë); dhe cilësinë e llaçit (nëse i mungon sasia e nevojshme e gëlqeres dhe çimentos ai është i brishtë). Krahas këtyre aspekteve duhet parë muri në raport me kolonat: sepse goditja kalon nga kolonat drejt mureve dhe jo anasjelltas. Nëse kolonat janë të dobëta, në stafa, çimento dhe rërë (zakonisht rëra nuk lahet mirë dhe ka përqindje dheu), goditja do të jetë e madhe mbi muret. Janë, në fjalë të tjera, të gjitha këto çështje që sigurojnë një ndërtesë nga tërmetet. Por qoftë edhe këto, nuk mjaftojnë nëse nuk sigurohemi për natyrën e tokës: sa më pak përcjellëse të jetë ajo ndaj valëve të tërmetit aq më mirë. 

Argumenti i inxhinierëve se mungesa e projektit ka qenë shkak i rrënimit të ndërtesave është gjithashtu problematik për sa kohë që nuk përputhet me realitetin —ndëtesat janë pasojë e projekteve për sa kohë që format e tyre të jashtme nuk mund të jenë pasojë e spontanitetit— dhe nuk shkon një hap para projektit: se nëse ai përputhet me nevojat për të parandaluar efektin e tërmeteve dhe filozofinë e ndërtimit. Njëlloj është argumenti se “mungesa e zbatim-projektit” është shkak për rrënimin e ndërtesave. Argumenti i “ndërtimit pa leje” është gjithashtu problematik për sa kohë që autoritetet vendore kanë gjithnjë mundësi të inspektojnë hapësirën gjeografike ku veprojnë. Kështu në vend të thonë se autoritetet s`kanë bërë punën e tyre, thonë se e kanë fajin ndërtimet pa leje! Dhe në fund, argumenti se korruptimi i supervizorëve ose mbikëqyrësve nga investitorët është shkak për gjendjen e ndërtesave, nuk është i drejtë për sa kohë që çdo mbikëqyrës kualifikohet për të qenë i drejtë në punën e tij, integrohet në sistem nga autoritetet dhe mbikëqyr një projekt që nuk ka filozofi ndërtimore të drejtë. 

Turqia kërcënohet nga tërmetet dhe shkatërrime biblike ndërsa Erdogani “shpëton” shqiptarët

Pas tërmetit nuk mungoi solidariteti i shteteve të huaja dhe shumë shtete kontribuan me ndihma në mallra dhe financë - duke përfshirë dhe fqinjët tanë. Këta të fundit ndihmojnë kryesisht në emër të strategjisë së tyre për të përparuar interesat e tyre ekonomike dhe politike në Shqipëri dhe jo për shkak të dhembshurisë. Erdogani, për shembull, kërkon të forcojë imazhin që ka krijuar si “baba” i kombit “vëlla”. Këtë imazh e ka krijuar kryesisht sepse klasa jonë politike ka zgjedhur të korruptohet me elitat e vendeve fqinje dhe veçanërisht me Turqinë përmes politikave konçesionare. Tërmeti për ta është “deus ex machina” ­— një ngjarje e papritur që shpëton një gjendje politike të pa shpresë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij. Erdogani, dihet se ka dëmtuar shpresën që krijoi brenda vendit me politikat e tij. Dhe meqënse shpresa atje po venitet, mendon Erdogani, mirë është ta fuqizojë atë jashtë vendit dhe sidomos në Shqipëri ku kapitali turk (dhe pushteti fetar) ka zhvilluar kthetrat e tij. Këtë shpresë mund ta përdor dhe brenda vendit pavarësisht faktit se Turqia është një vend sizmik, me shkatërrime biblike dhe ku priten tërmete shumë të fuqishëm. Pavarësisht këtij fakti, Erdogani ka marrë masa tejet të pjesshme! Stambolli, për shembull, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë, nëse goditet nga një tërmet i fuqishëm (7.5 ballë, siç pritet), mund të ketë, sipas autoritetit turk (AFAD) mbi 30,000 të vdekur, 44,000 ndërtesa të shkatërruara dhe të lërë 2.5 milion njerëz të pashpresë brenda pak orësh. Këto janë parashikime që burojnë duke gjykuar nga gjendja e ndërtesave atje. Sipas vlerësimeve, rrezikohen 6.4 milionë banorë nga tërmetet, gati gjysma e qytetit, shumë më tepër se në çdo vend tjetër në Evropë. Janë mes 200,000 dhe 250,000 ndërtesa në rrezik në kohën kur qyteti kërcënohet dhe nga një cunami pas-tërmetor, kontribuon rreth 40 për qind në PPB-në e vendit dhe ku gjenden porte të rëndësishëm me depozita gazi dhe nafte. Që nga viti 1999 kur vendi u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe vdiqën mijëra njerëz, Turqia filloi të vepronte vetëm vitin 2018-të duke arnuar mbi 700 ndërtesa publike ndërsa shtoi rezervat e ushqimeve dhe përditësoi kodin e ndërtimit për herë të parë pas një dekade duke përfshirë sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për ndërtesat e banimit dhe punës.

Sidoqoftë, pak ditë pas tërmetit të nëntorit, Erdogani ofroi ndërtimin e një fshati për të pastrehët. Paralelisht me këtë ofertë Rama pati dhe një ofertë tjetër nga disa shqiptarë patriotë. Por ky i fundit zgjodhi ofertën e Erdoganit pa asnjë rezervë! Duhet thënë se ndërtesat e Erdoganit do të jenë si ndërtesat aktuale por me disa “standarte” kundërsizmike ndërsa ndërtesat e shqiptarëve do të ishin ekologjike, absolutisht kundër-sizmike dhe me kosto të ulët - realizimi i të cilave do të kërkonte pak kohë krahasuar me ndërtesat e tjera. Mirëpo këta avantazhe për Ramën s`kanë asnjë kuptim. Për të s`ka kuptim as strategjia e Erdoganit dhe as efektet e saj: sepse duhet thënë se vërtet Erdogani fuqizon imazhin e tij si “baba” i kombit “vëlla” por paralelisht krijon dinamikën për të kërkuar burime të tjerë ekonomikë përmes politikave konçesionare. Në fund të fundit, kur kryeministri nuk e ka të qartë natyrën e ndërtimit (që ta ketë të qartë do të duhet të studiojë) nuk do të ishte e çuditshme të shpërnjohë zhvillimet e fundit dhe mbi të gjitha filozofinë ndërtimore. Këtë të fundit nuk e përmendin as inxhinierët! Hamendësisht, sepse kur kualifikohen nuk kalojnë nga filozofia e ndërtimit por mësojnë vetëm aspektet teknike të tij. Por edhe në aspektet teknike janë tejet të pjesshëm. 

Literatura e inxhinierisë dhe kontradiktat e saj: cila ndërtesë është më e mirë?

Le të shqyrtojmë më tej literaturën e inxhinierisë dhe zbulimet e fundit në sektor me syrin e drejtësisë. Sipas provave sizmike, ndërtesat me formë T-je ose L-je, janë më të dëmtueshme se ndërtesat simetrike: sepse mbi këto të fundit valët sizmike shpërndahen në mënyrë të barabartë përgjatë strukturës. Por forma nuk mjafton për t`i rezistuar goditjeve. Kështu inxhinierët përdorin diafragma në strukturën horizontale të ndërtesës (dysheme dhe çati) dhe teknika të tjera. Por struktura e tokës është e rëndësishme. Tokat e buta nuk e ndihmojnë strukturën sado e mirë të jetë ajo ndërsa tokat e ngurta (të qendrueshme) janë më të mira. Në tokë të ngurtë inxhinierët mund të përmirësojnë themelet se si t`u përgjigjen valëve sizmike. Për shembull, tërmetet zakonisht godasin ndërtesat nga themelet. Kështuqë lidhja e themeleve me ndërtesën do të ndihmonte shumë në goditje: sepse gjithë struktura do të lëvizte si një e tërë. Por ndërtesat me tulla dhe beton kanë përkulshmëri të ulët dhe rrjedhimisht përthithin (absorbojnë) pak energji tërmetore. Ndaj tulla dhe betoni konsiderohen të cënueshëm ndaj tërmeteve. Por ndërtesat me beton të forcuar me çelik janë më rezistente sepse çeliku rrit përkulshmërinë e materialit. Dhe ndërtesat me strukturë çeliku —me komponentë çeliku të formave të ndryshme— ofrojnë përkulshmërinë më të lartë duke i lejuar ndërtesat të përkulen pa u rrënuar.

Por kërkimet në ndërtim nuk kanë ndaluar: ato nuk synojnë vetëm parandalimin e gjëmave nga tërmetet por tashmë krijohen shumë risi ndërsa duhet thënë se ato kanë karakter që lidhen me aspekte ndërtimore se sa me parime. Njëra lidhet me mundësinë e ndërtesës të rifitojë formën e saj të mëparshme nëse forma e saj dëmtohet gjatë një tërmeti. Për ta realizuar këtë synim është krijuar një teknologji inovative e quajtur ‘strukturë tronditëse’ e cila përbëhet nga tre komponentë bazë — struktura çeliku, kabuj çeliku dhe siguresa çeliku. Kur tërmeti godet, strukturat e çelikut kërcejnë lartë e poshtë në përmbajtjen bazë të tyre. Gjithë energjia drejtohet poshtë në një bashkim që mban disa siguresa çeliku si dhëmbët. Këta të fundit kërcasin bashkë dhe mund të dështojnë por struktura mbetet në vend. Kur tronditja ndalon, kabujt e çelikut në strukturë tërheqin ndërtesën në pozicion e mëparshëm. Punëtorët më pas inspektojnë siguresat dhe i zëvendsëojnë ato nëse janë dëmtuar. Rezultati është se ndërtesa mund të ribanohet menjëherë pas tërmetit. Janë zhvilluar dhe disa risi të tjera që mbetet të vendosen në praktikë pasi të jenë provuar në laboratorë se kanë aftësi të kontribuojnë në zbutjen e forcës së tërmetit.

Ngasa shqyrtova përgjatë këtij studimi, është e qartë se ndërtesat me struktura çeliku dhe plaftformë të lëvizshme janë më të mirat. Por edhe ndërtesat me strukturë çeliku mund të shkaktojnë dëme të mëdha nëse shpërnjohim peshën e ndërtesës­—domethënë, ngarkesën e brendshme duke përjashtuar strukturën. Nëse, për shembull, një ndërtesë ka strukturë çeliku por brenda saj është ngarkuar shumë peshë në njerëz dhe orendi, ajo do të rrënohet. Ndërtesa e vetme që nuk mund të rrënohet nga pesha e brendshme është ajo me platformë të lëvizshme. Por edhe ndërtesa me platformë mund të bëhet e rrezikshme nëse platforma nuk punon për arsye të ndryshme. Çfarë mbetet nga këto, është ndërtesa simetrike e lidhur me themelet, me strukturë tokësore të ngurtë dhe parametra kundërsizmikë. Dhe dalim sërish tek ndërtesat e njëjta nga jashtë për të cilat fola në pjesën e parë të këtij studimi: se ato duhet të jenë të njëjta për mos të nxitur shpirtin e garës mes njerëzve dhe për të kursyer energji—sepse kjo lloj energjie ka kosto të lartë. Dalim, gjithashtu, tek nevoja për të ndërtuar ndërtesa të ulëta dhe jo të larta, simetrike dhe me parametra kundërsizmikë. Ndërtesat e “Enverit” e gëzojnë këtë karakteristikë: ato janë përgjithësisht simetrike. Kjo është një ndër arsyet se pse ato i rezistuan përgjithësisht tërmetit. Forma e tyre ishte e njëjtë kryesisht sepse socializmi marksist synonte ‘thjeshtësinë’ në ndërtesa. Mirëpo, këtë të vërtetë nuk po e dëgjojmë nga inxhinierët tanë, siç nuk po dëgjojmë shumë të tjera që janë përmendur dhe shqyrtuar këtu! Hamendësisht, sepse kanë dije të pjesshme, kryesisht sepse janë përfshirë në politikat reaksionare të pushtetit politik ku jo vetëm që nuk zhvillojnë dije të plotë por as edhe kanë krijuar ndonjë risi: sepse risitë burojnë nga dija e plotë.                

*Përditësuar


[1]Plate tectonics: When we discovered how the Earth really works, BBC, 2 October 2017.

[2]Buildings can be designed to withstand earthquakes, New York Times, June 7, 2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA