...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kanosja ekologjiko-katastrofike e planetit: nga përmbytjet biblike dhe thatësirat shkretuese te përfitimet e elitave dhe dalldisja e popujve

Vera e vitit 2017-të ishte shkretuese veçanërisht në Shqipëri. Malet në vetë-vete nuk na mbrojtën dhe aq nga thatësira. Si mund të na mbrojnë, fundja, pa pyje dhe me “pyje” të shkretuar?

Ylli Përmeti

08/12/2017 - 13:10

Gjykuar nga qëllimi kryesor i Bankës Botërore në tregun botëror —përfitimi— sepse ajo është krijuar për të përfituar si fillim duke përdorur petrodollarët e Lindjes së Mesme dhe më vonë fondet e qeverive anëtare dhe instrumenta të tjerë financiarë, dhe nga autoriteti “akademik” që ka krijuar përgjatë periudhës së saj si institucion mbikombëtar, dhe gjykuar nga mendësia joshkencore e elitave politike, do të ishte krejt normale që recetat e Bankës Botërore të miratoheshin symbyllurazi nga ato. Kështu në rastin e përmbytjeve dhe thatësirave Banka Botërore ka çdo arsye të ‘fshehë’ shkaqet e vërtetë të tyre dhe të kërkojë “sigurimin” e shteteve nga përmbytjet. Por elitat politike nuk kanë asnjë arsye. Përveç faktit që ato janë joshkencore dhe nuk kuptojnë as shkaqet e përmbytjeve dhe thatësirave as edhe pasojat. Sigurisht, ato dëgjojnë nga gazetarët e masmediave ndryshimet klimatike si shkak të përmbytjeve dhe thatësirave por nuk shkojnë më tej: sepse as Banka Botërore e institucione të tjerë të së njëjtës natyrë, e as gazetarët e masmediave të kontrolluara nga elitat ekonomike dhe politike nuk shkojnë më tej.

Në këtë mënyrë dhe për shkaqet që citova, riprodhohet dhe përshkallëzohet gjendja aktuale. Por ne studiuesve të pavarur na mbetet të luftojmë qoftë edhe në kushte të vështira, me audiencë minimale dhe të çensuruar nga masmedia kombëtare, duke treguar realitetin dhe shkaqet e vërtetë. Sipas një studimi, i pari nga lloji, Europa do të përballet me përmbytje biblike dhe thatësira shkretuese në dekadat vijuese: “në disa pjesë të saj kulmi periodik i përmbytjeve është zhvendosur 65 ditë në 50 vitet e fundit ndërsa në pjesë të tjera përmbytjet janë vonuar thuajse njëlloj. Studimi i udhëhequr nga Günter Blöschl i Universitetit Teknik të Vjenës, sjell të dhëna nga 4,200 stacione hidrometrike përgjatë Europës. Siç tregon harta, ndryshimet nuk janë të njëjtë përgjatë kontinentit, duke çuar në sfida të ndryshme për rajone të ndryshme.

 

Zhvendosja e përmbytjeve herët në stinë në Europën veriore dhe lindore mund të lërë rezervuarët gjysmë bosh, dhe nëse administratorët e tyre presin përmbytje të mëvonshme që nuk arrijnë kurrë, pasoja e kundërt është dëmi në prodhimin e energjisë hidrike. Përmbytje të mëvonshme dimërore në disa zona bregdetare të Mesdheut mund të përballen me rezervuarë që mund të jenë mbushur, dhe aftësia magazinuese e ujit është e pamundur, duke rritur mundësitë e përbytjeve. Përmbytjet nga lumenjtë shkaktojnë dëme tejet të mëdha fizike. Ato prekin popuj përgjatë gjithë planetit dhe shkaktojnë rreziqe natyrore dhe kosto vjetore prej 104 miliard dollarë. Një raport i vitit 2014 në emër të Komisionit Europian sugjeroi se kostot vjetore nga përmbytjet në Europë mund të rriten në 23.5 miliard dollarë në vitin 2050-të, krahasuar me 4.6 miliard për periudhën nga viti 2000-2012-të.[1] Kështu bankat dhe ndërmarrjet e “sigurimit” përballen me ‘padijen’ e shpeshtësisë dhe madhësisë së përmbytjeve dhe kanë frikë se mos ekspozohen në nivele të lartë dëmshpërblimesh. Por herët a vonë do ta tejkalojnë dhe këtë pengesë: sepse kanë mundësi të financojnë meteorologët dhe të parashikojnë me përpikmëri shkallën e ujit që do të shkarkojë qielli i ngarkuar me metale të rëndë. Siç konkudon studimi:

Efektet e përmbytjeve të hershme ose të vonshme shfaqen në mënyra të ndryshme dhe në vende të nxehtë (“hotspots”) përgjatë kontinentit. Në Suedinë jugore dhe shtetet Balltike bora e hershme shkrin dhe çon në përmbytje të hershme pranverore, një efekt që shkaktohet nga temperaturat e larta herët në vit. Në Anglinë jugore, toka zakonisht ngopet me ujë për shkak të rreshjeve të rënda vjeshtore, me tryezën e ujit të përmbytur në dimër. Ndërsa kulmet e rreshjeve lëvizin vonë në vit, ata përputhen me kulmin e ngopjes së tokës, duke rezultuar në përmbytje. Në jug-perëndim të Norvegjisë, ndryshime në motin e Atlantikut Verior mund të kenë çuar në dimër të rrëmbyer. Vonesat nënkuptojnë se toka e cekët përmbytet shpejtë. Ndryshimet në motin e rajonit mund të shkojnë në ngrohjen polare, mes faktorëve të tjerë. Ngjashëm, një influencë më e fortë atlantike mbi motin dimëror të Mesdheunt ka shtyrë përmbytjet në bregdetin Adriatik vonë.[2]     

Se çfarë nuk përmend ‘studimi’ përkatës, janë shkaqet përmes të cilëve qielli është ngarkuar me metale të rëndë dhe shpyllëzimi i tokave që ndryshon nga një vend në tjetrin. Gjithashtu, institucionet e “sigurimit” nga moti (përmbytjet dhe thatësirat), kanë mundësi të manipulojnë elitat politike –dihet se ato janë padije— dhe të imponojnë mbi popujt kuota më të larta me qëllim që të kenë ‘rezerva’ nëse ‘ekspozohen’ shumë. Kuptimi i ndryshimeve klimatike ka çuar ndërmarrjet e mëdha botërore të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ushqime të investojnë biliona dollarë. Vetëm Danone, një korporatë franceze shumë-kombshe për ushqimet, dhe Nestlé, një korporatë zvicerane —më e madhja në botë në pije dhe ushqime— shpenzuan 23.4 miliard dollarë në infrastrukturën e prodhimit të ushqimeve dhe ujit gjatë vitit 2016-të. Kuptimi në këtë rast lidhet me përmbytjet dhe veçanërisht me thatësirat e së ardhmes: përmbytjet do të jenë më të mëdha dhe thatësirat më të gjata në kohë. Për të njëjtën arsye, korporatat e ujit (me rreth 639 investitorë dhe 69 trilion dollarë në pasuri të patundshme) janë në një përpjekje për të monopolizuar jo vetëm burimet ujore por dhe burimet ushqimore. Lidhur e ujërat ato po ripretendojnë ujin e humbur duke përmirësuar ujitjen për t’iu shmangur thatësirave. Siguria e ujit ka ngritur axhendën vitet e fundit ndërsa temperaturat botërore janë rritur, duke çuar në përmbytje në disa zona dhe thatësira në të tjera. Thatësira të ashpra dhe në disa raste shkretuese, kanë shkaktuar miliona dollarë dëme në Europën jugore dhe Kaliforni, ndërsa Afrika është në mes të mungesës më të keqe të ujit në më shumë se një shekull.

Biznesi i zakonshëm për administrimin e ujit nuk është më një variant për ndërmarrjet globale të ujit: nga dëmi i markës te zinxhirat e këptur të furnizmit, kostot e rritura operacionale te rritja e shtrënguar, siguria e ujit tashmë është biznes i madh dhe ushtron kërcënime të rëndësishme në rritje dhe mundësi për firmat globale. Vlerësohet se shpenzimet janë ende një pikë uji në oqean. Danone po shpenzon 59 milion dollarë mbi qasjen e qendrueshme në, mes shumë gjërave, qumësht në Saharën e poshtme të Afrikës dhe fruta në Kinë, ndërsa korporata Kimberly-Clark, ndërmarrja pas letërshamive Kleenex, po shpenzon 9 milion dollarë në trajtimin e ujit të humbur në një shërbim publik në Peru për të rritur ripërdorimin e ujit. Ndërsa korporatat investojnë në burimet ujore dhe ushqimore të planetit, dhe bashkë me to monopolizojnë tregun...Kombet e Bashkuar vlerësojnë se duhen 6.4 trilion dollarë investime në nivel botëror në projekte në lidhje me ujin deri në vitin 2036. Por bizneset, njëlloj si qeveritë, s’e kanë marrë ende seriozisht çështjen: vetëm 50 ndërmarrje kanë vendosur çmime më të lartë mbi ujin ndryshe nga përqindja e tregut, duke marrë në konsideratë kostot sociale dhe mjedisore dhe përfitimet![3]

Vera e vitit 2017-të ishte shkretuese veçanërisht në Shqipëri. Malet në vetë-vete nuk na mbrojtën dhe aq nga thatësira. Si mund të na mbrojnë, fundja, pa pyje dhe me “pyje” të shkretuar? Siç shqyrtova dhe tregova më lartë, pemët nuk janë të domosdoshme vetëm për pasurimin e oksigjenit kur ato absorbojnë metalet e rënda që çlirojmë. Por edhe për rrënjët e tyre: ato nuk mbajnë vetëm dheun të palëvizur dhe pengojnë gërryerjen e tokës. Por edhe ruajnë rezerva të mëdha ujore. Pa to, në thatësirë burimet shterojnë shpejtë sado të lartë të jenë malet. Kjo dukuri u dëshmua këtë verë në fashtin tim: Katundishtë, i cili shtrihet në pllajën kryesore të Trebeshinës. Atje shteruan thuajse të gjithë burimet dhe nëse zgjaste pak ditë më shumë thatësira, do të dëshmonim me siguri epidemi dhe protesta, sidomos për të mbuluar nevojat bazë për njerëzit dhe kafshët. Fshati përkatës ka një burim që mund ta zbusë efektin e thatësirës: burimin e “Ujit Trebeshina”. Mirëpo ai është privatizuar me qeverinë “Berisha” dhe në kohë thatësire me siguri do t’ua shesë me një kosto të madhe. Në kohën kur u privatizua, në dijeninë time, nuk protestoi asnjëri! Ndoshta, kryebashkiaku i kohës, i ledhatoi me ndonjë qindarkë. Nuk dihet se sa në dijeni janë për të ardhmen. Por me siguri jetojnë dalldisjen që kanë krijuar elitat për gjithë popullin tonë dhe në afat-mesëm as që mendohet të merren masa – sidomos kur dihet se të vërtetat i marrin nga televizionet kombëtare. Si ky fshat, gjithë të tjerët.

Malet i kemi të mirë. Por pa pemë, ata do të na vrasin, siç i vramë ne: duke shkatërruar pasurinë e tyre - pemët dhe kafshët! Thatësirat krijojnë kushtet për zjarre masive ngaqë thahen shkurret dhe bashkë me to, dhe pemët e larta. Kur dimri është i lagësht, shkurret rriten sërish dhe bashkë me to, zhvillohen dhe kafshët. Por kur vjen vera dhe bashkë me të, thatësirat, vijnë dhe zjarret: ata djegin shkurret, pemët dhe kafshët. Nëse ky cikël përsëritet për një kohë të gjatë, siç parashikohet, toka varfërohet: ajo shkon me ujin në dete. Gjykuar nga koha që kërkon toka të krijohet —kërkohen 500 deri në mijëra vjet të krijohet një grusht tokë/dhé nga shkëmbinjt— dhe se ku përfundon ajo kur rrëmbehet nga uji —në dete— dhe efekti që ka kur përfundon në dete —ndikon në ngritjen e nivelit të ujit— bashkë me shkrirjen e akujve, ne po damkosim të ardhmen e fëmijëve tanë! Por ndërsa shumica do të vuajë dhe do të shkretohet, pakica do të pasurohet edhe më shumë nga shkretimi i shumicës!         

 



[1]Climate change shifts timing of Europe’s floods, study finds, FT, Aug 14, 2017.

[2]Po aty.

[3]Big companies invest billions to secure water supplies, FT, November 6, 2017.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA