...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Një ndërmarrje për revolucionarizimin e shoqërisë shqiptare dhe përtej krijohet në Durrës

Shumë kafshë kanë kujtesë, dhe janë të afta për edukim; por asnjë krijesë tjetër përveç njeriut nuk është e aftë të kujtojë të kaluarën sipas dëshirës. —Aristoteli

Ylli Përmeti

21/12/2017 - 16:09

Kafshët si pjesë e pandashme e ekosistemit

Njerëzimi dhe jeta e planetit përballet me shumë rreziqe dhe kërcënime. Por kërcënimi më i madh është kriza ekologjike, të cilën, në një botim të fundit e kam quajtur “bombë me sahat”: sepse “tik-taket” e saj kuptohen vetëm nga studiuesit dhe jo nga qeveritë dhe popujt. Për pasojë, kuptimi i shkaqeve dhe parandalimi i saj nuk është bërë ende pjesë e diskutimit të popujve. Në këtë krizë përfshihen edhe kashët: të egrat dhe të butat. Vendet perëndimore përgjithësisht i ruajnë ato. Nuk është e rastit që në shumë qytete kafshët janë bërë pjesë e tyre duke përfshirë disa kafshë të egra. Qëllimi kryesor është të mësojë njeriu të respektojë dhe të bashkëjetojë me kafshët. Në anët tona nuk është bërë ndonjë përpjekje e ngjashme. Përkundrazi, jeta e kafshëve është në rrezik dhe bashkë me to, dhe jeta e njeriut: sepse jeta jonë varet nga edukimi dhe jeta e kafshëve dhe anasjelltas.

Por si mund të ruhet jeta e kafshëve dhe pse?

Ruajtja e kafshëve fillon me edukimin e njeriut: sepse pa zhvilluar dashurinë dhe njohurinë për to - ne nuk mund t’i ruajmë ato. Dashuria është shkëndija e parë që shtyn njeriun të zhvillojë njohurinë për botën e jashtme. Pa zhvillimin e këtyre dy komponentëve, plotësuesë për njeri-tjetrin, dhe komponentëve të tjerë që nënkuptojnë ata (empati, dhembshuri etj.),[1] ne nuk mund të kujdesemi as për njëri-tjetrin e jo më për kafshët e tjera të cilat janë keqkonceptuar shekujt e fundit si subjekte të natyrës për dominim dhe shfrytëzim nga njeriu dhe shoqëritë! Është pikërisht kjo qasje që ka ndikuar vendimtarisht në sjelljen mizore dhe barbare të shumë njerëzve dhe shoqërive kundrejt kafshëve. Por është mungesa paralele e filozofisë lidhur me ekosistemin dhe jetën dhe, dashuria për të, që krijon dy lloj qëniesh problematike dhe të rrezikshme për jetën: njëra mizore dhe tjetra apatike. Dhe dihet se njerëzit mizorë dhe apatikë me kafshët mund të jenë njëlloj edhe me njerëzit! Për të njëjtën arsye kërkohet zhvillimi i dashurisë (dhe dijes) për botën që na rrethon: sepse pa dashuri nuk mund të zhvillojmë dijen për botën që na rrethon dhe pa dije nuk mund ta ruajmë atë. Nuk është e rastit që ligjet për ruajtjen e kafshëve kanë filluar të miratohen shekullin e kaluar dhe kanë përparuar në shumë vende në Perëndim. Hollanda, për shembull, miratoi ligjin për mbrojtjen e kafshëve në fund të shekullit të kaluar.[2]

Ligji “ndalon keqpërdorimin e kafshëve ose dënon mohimin e kujdestarisë së përshtatshme”. Shkelja e këtij ligji konsiderohet kriminale dhe e dënueshme me burgim maksimum më shumë se tre vjet dhe me gjobë prej 16,750 euro. Paralel me ligjin në fjalë zhvillohen fushata për tredhjen dhe sterilizimin falas të kafshëve shtëpiake me qëllim që një farë balance me ekonominë dhe njerëzit të krijohet ndërsa ligji imponon taksa të larta për ata që blejnë qenë të racave të “pastra”. Qëllimi është të inkurajohet më shumë adoptimi e qenëve të racave të tjera. Paralel me këtë proces zhvillohet regjistrimi i përhershëm i kafshëve dhe kujdestarëve të tyre. Qëllimi është të ndihmohet çdo qytetar në përpjekjen e tij për t’u përkujdesuar për kafshët shtëpiake me njohuri të përgjithshme dhe të veçantë. Si rezultat, Hollanda s’ka kafshë të braktisura rrugëve dhe ka krijuar vendkalime për kafshët e egra —mbi dhe nën rrugët automobilistike— dhe mund të krenohet me të drejtë se është ‘Humaniste’. Domethënë, një shoqëri që përdor edukimin duke përdorur dhe ndjenjën për kafshët që na rrethojnë.

Ndërmarrja në Durrës

Në Shqipëri është miratuar një ligj që në vitin 2011-të.[3] Por ai ka shumë probleme. Jo vetëm që nuk është hartuar bazuar në ndonjë filozofi dhe studim të gjendjes aktuale në vend por është një ligj i “përafruar” me direktivën e BE-së, e cila është gjithashtu problematike. Domethënë, angazhime institucionale pa koordinime social-institucionale! Ai përqendrohet kryesisht te veterinerët dhe kafshët e tregëtueshme. Kafshët e braktisura nuk përmenden! Në Durrës, për shembull, nuk ka vetëm qenë të braktisur. Por edhe kuaj. Kështu, tre janë arsyet kryesore se përse ne duhet të miradministrojmë kafshët e braktisura: (1) sepse është detyra jonë; (2) sepse është e dhimbshme për vetë kafshët t’i lëmë pakujdes; dhe (3) sepse rehabilitimi i tyre nuk do të rrisë vetëm cilësinë e jetës së banorëve dhe vizitorëve në qytet, veçanërisht në qytetin e Durrësit, i cili është një qytet turistik, por do të nxisë institucionet përkatëse (masmedian etj.) të edukojë popullin përmes njerëzve që do të angazhohen në këtë projekt, jo vetëm për detyrat tona kundrejt kafshëve dhe për të rritur shkallën e ndërgjegjjes kundrejt natyrës por do ta kthejë Durrësin në ‘shembull’ për gjithë Bashkitë e tjera në Shqipëri dhe rajon. Do të bëjë, gjithashtu, krenarë shqiptarët në raport me fqinjët. Përfitimet, rrjedhimisht, do të jenë të shumëfishta.

Nga ecejaket e mija në qytetin e Durrësit, por dhe ndërveprimet me qytetarë të ndryshëm, mund të them se numri i kafshëve të braktisura, veçanërisht i qenëve, duhet të jetë midis 200-300. Sidoqoftë, edhe nëse janë më shumë, ne kemi mundësi, në kushtet aktuale, social-ekonomike, t’i miradministrojmë ata. Sepse qentë e braktisur krijojnë një sërë problemesh si për banorët ashtu dhe për turizmin. Rehabilitimi i tyre, rrjedhimisht, kërkon një vend në periferi të qytetit dhe njerëz të devotshëm. Vendi mund të jetë një hangar për të cilin kam folur me ndërtues dhe specialistë të fushës. Nga një vlerësim paraprak që kam bër me një ndërtues në industrinë e ndërtimit dhe veçanërisht lidhur me ndërtimet me skelet hekuri dhe mbulesë llamarinë-sanduiç, kemi konkluduar se Hangari/Struktura përfundon me rreth 50-60 milion lekë: sepse do të ketë blinda prej betoni, do të jetë 300m² dhe me ndarje të brendshme për një dhomë për veterinerin dhe ndihmësat e tij, një dhomëz për rojen dhe një dhomë-guzhinë për përgatitjen e ushqimeve.

Përveç veterinerit, duhet të angazhohen dy kafshëdashës (zoofilë), për të ndihmuar veterinerin por edhe për të mirëmbajtur vendin ku do të rehabilitohen kafshët, një automjet dhe një shofer për transportimin e kafshëve dhe ushqimeve dhe një roje. Jashtëqitjet e kafshëve mund të organizohen për prodhim të plehut organik i cili mund t’u shitet ndërmarrjeve bujqësore dhe të sigurojë të ardhura ekonomike për ndërmarrjen. Në Amerikën Veriore, për shembull, një ndërmarrje përpunon jashtëqitjen e kafshëve duke e mbledhur atë në bashkëpunim me 90 ndërmarrje të tjera. Si rezultat, ndërmarrja raportoi fitime prej 4.5 milion dollarë në vitin 2011-të.[4] Tashmë ajo konsiderohet një industri më vete dhe ka lëvizuar nga mbledhja e jashtëqitjeve të kafshëve te kthimi i mbetjeve njerëzore në ilaçe dhe energji. Kostua e përgjithshme e impiantit mund të kushtojë rreth 90 milion lekë. Nga këto, rreth 60 milionë lekë kushton impanti. Domethënë, blindat, skeleti dhe mbulimi. Pjesa tjetër janë shpenzime për njerëzit e angazhuar. Më konkretisht, roja 200 mijë lekë; shoferi 400; zoofilët 500 mijë; veterineri 650; dhe administratori 650.

Në tërësi shpezimet nuk janë as sa një makinë luksoze e oligarkëve që na rrethojnë. Kjo shumë kërkohet për vitin e parë: sepse në vitet në vijim shpenzimet nga Bashkia do të përgjysmohen: sepse shpenzimet e hangarit do të mungojnë. Për mos të thënë që mund të eliminohen plotësisht: sepse tashmë kemi gjetur një burim tjetër financiar nga zoofilë të huaj që jetojnë në vendin tonë dhe duan të kontribuojnë në përpjekjen tonë. Nga fondet e BE-së mund të sigurohen të ardhura, gjithashtu. Kemi folur edhe me individë të tjerë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në këtë projekt: kush me gjendje financiare e kush me ushqime. Një burim i rëndësishëm për ushqimin e kafshëve janë mbetjet e thertoreve: ato mund të mblidhen, përpunohen dhe kompostohen dhe, jo vetëm të mbulojnë nevojat ushqimore të ndërmarrjes por dhe të shesë tepëricat te të gjithë qytetarët që mbajnë kafshë. Qëllimi përfundimtar i ndërmarrjes duhet të jetë vetë-financimi me qëllim që mos të rëndohet buxheti i Bashkisë. Sidoqoftë, është e sigurtë se sektori i turizmit do të kontribuojë në këtë projekt: sepse përfitimet e tij do të jenë të dukshme që vitin e parë.

Media dhe krijimi i kulturëdashakafshë

Paralel me këtë objektiv, një tjetër, mediatik, duhet të realizohet: sepse synohet ‘edukimi’ i njerëzve, veçanërisht i të rinjve, se pse duhet të kujdesemi për kafshët dhe si, me reportazhe të përditshme. Veprimtarinë e ndërmarrjes së Durrësit do ta mbulojë “Shqipëriajonë.org”. Nëse krijohen ndërmarrje të tjera, siç edhe synojmë, në bashki të tjera, edhe ato do të mbulohen me reportazhe të përditshme. Njerëzit që kanë dashuri për kafshët dhe e tregojnë me veprime dhe në mënyrë të përhershme, do të përfshihen në këtë projekt.

Dije e përgjithshme për kafshët

Kafshët dhe veçanërisht qentë duhet të kuptohen drejtë me qëllim që të parandalojmë dhimbjet, qoftë për kafshët qoftë për njerëzit. Nëse gjykojmë nga njerëzit e kohëve tona, ata janë të keqedukuar lidhur e kafshët dhe jo vetëm që nuk kujdesen për to por i vrasin dhe i urrejnë. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë natyrën e kafshës dhe natyrën e njeriut, ndryshimet dhe të përbashkëtat. Një ndryshim thelbësor mes njeriut dhe kafshës është se ne shqetësimin tonë e tregojmë me fjalë ose kryesisht me fjalë ndërsa kafshët me veprime. Nëse zemërohemi nga dikush, ose shpërthejmë ose e kapërdijmë. Nëse kafshët zemërohen, ato veprojnë njëlloj: ose shpërthejnë ose e kapërdijnë. Ndryshimi është se ne mund të shpërthejmë në dy mënyra: ose me fjalë ose me veprime. Kafsha s’ka rrugë tjetër veçse të shpërthejë me veprime. Ndaj ‘zemërimi’ i kafshës duhet të konsiderohet me mjaft kujdes dhe të kuptohet. Nëse kuptohet, zemërimi mund të zbutet dhe eliminohet.

Por ndryshe nga kafshët, ne urrejmë, dhe shpesh urrejmë kafshët. Urrejtja në vetë-vete është e vështirë të kurohet. Ajo mund të kurohet vetëm me dashuri dhe kafshët mund ta kurojnë urrejtjen e njeriut me dashuri nëse u tregohet dashuri - sepse ato kanë plotë dashuri për njerëzit për sa kohë që dashuria e tyre trazohet vetëm nga zemërimi dhe jo nga urrejtja, siç trazohet tek njerëzit. Urrejta për kafshët buron ose nga ndonjë sulm që ka pësuar një njeri ose nga dëgjimet e ngjarjeve përmbajtja e të cilave bart dhimbje kundrejt njerëzve. Kështu, për shembull, sulmet e qenëve kundrejt njerëzve dhe veçanërisht kundrejt kujdestarëve, janë një burim urrejtje, sidomos kur “eskpertët” s’i kuptojnë dot të gjitha dhe nuk i ndriçojnë mjaftueshëm njerëzit jo vetëm për shkaqet por edhe për ndryshimet e natyrave tona. Për shembull, disa thonë se qentë mund të bëhen agresivë nëse ata ndjehen të kërcënuar, frika, territori që ata mbrojnë dhe vlerësojnë për veten e tyre, ose mbrojnë vendin ku shlodhen, shtratin. Nga vrojtimet tregohet se qentë kafshojnë kryesisht përgjatë verës dhe zakonisht ata nuk sulmojnë kujdestarët e tyre.[5]

Sidoqoftë, është e qartë se kafshët mund të zemërohen dhe të kërcënohen në vendin e tyre, ose së pari të kërcënohen pastaj të zemërohen, dhe mund të bëhen tejet agresive. Kuptimi drejtë i kësaj problemtaike do të na çonte në edukimin e njerëzve: domethënë, në kuptimin e shkaqeve se pse një kafshë bëhet agresive. Një shkak tjetër, që mund ta bëjë agresive kafshën, është vetë ‘frika’ e njeriut që percepton kafsha: sepse kafsha më shumë percepton se sa mendon dhe kupton përmes mendimit. Frika buron nga ose mungesa e besimit ose nga pritshmëritë e këqija që mund të shkaktojë kafsha. Kjo është lloj frike që qendron në mendje; një tjetër, është e brendshme: sepse frika, siç citon Aristoteli, është një ngrirje dhe buron nga mungesa e nxehjes së natyrshme të trupit dhe pamjaftueshmëria e gjakut.[6] Kot nuk e quajmë “gjaknxehtë” njeriun që reagon menjëherë apo kur themi, më ngriu gjaku. Sidoqoftë, është e qartë se siç kemi ne frikë (njëra buron nga padija lidhur me kafshët, tjetra nga brenda) ashtu kanë dhe kafshët nga ne. Kështuqë, kuptimi i kësaj frike, do të na çonte në parandalimin e gjëmave duke kuptuar dhe vepruar. Kujtoj, edhe një herë, se kafsha percepton energjinë e njeriut: nëse ajo është e ‘frikshme’ kur njeriu përballet me kafshën, ashtu do të veprojë dhe kafsha: do ta sulmojë njeriun nëse ndjehet e kërcënuar. Kur ajo nuk është e frikshme dhe njeriu çliron siguri dhe dashuri, kafsha do ta perceptojë dhe do të reagojë në përputhje me perceptimin. Ndaj është e rëndësishme që njeriu të edukohet në dy nivele lidhur me frikën: duke fituar dije për kafshët dhe çlirur energji ‘pafrikë’...kur përballet me to.

Njeriut që “s’ia ndjen” për kafshën tregon një të vërtetë të madhe: se ndjenja e tij nuk është zhvilluar mjaftueshëm dhe si i tillë, edhe nëse ka zgjedhur të jetojë në përputhje me ndjenjën e tij, me një njeri tjetër, zgjedhja e tij tregon se buron më shumë nga ‘interesi’ se sa nga ndjenja. Nuk ka provë më të qartë për të kuptuar nivelin e ndjesisë së njeriut se sa marrëdhënia e tij me kafshën: kur njeriu nuk e tregon ndjenjën me të, dhe tregon vetëm ndjenjën me dikë të llojit të vetë, tregon se ndjenjën e ka të zhvilluar në nivel të ulët dhe të trazuar nga urrejtja (urrejtja në vetë-vete konsiderohet sëmundje), dhe frika. Ka njerëz që s’kanë ndjenja fare dhe ata e tregojnë me veprimet e tyre kur vrasin, jo vetëm kafshët por edhe njerëzit. Shkurt, njeriu lind me ndjenja dhe ato mund të zhvillohen nëse njeriu edukohet ne mendje dhe në shpirt. Nëse nuk edukohet, është i rrezikshëm.   

Dobitë e menjëhershme nga projekti i rehabilitimit të kafshëve në Durrës

Në afat-shkurtër (në krye të një viti) ndërmarrja mund të jetë autonome në financën e saj; në afat-mesmë do të krijojë dinamikën për t’u ‘kopjuar’ nga të tjerë; dhe në afat-gjatë, do të krijojë kulturën përkatëse. Kjo e fundit, me rradhë, do ta çojë shoqërinë të zhvillojë kujdesin e saj edhe kundrejt kafshëve të egra: sepse pa patur dashuri dhe dije për kafshët e buta ne nuk do të kemi dashur për kafshët e egra. Kështu një shoqëri tjetër, me dashuri dhe dije, për njeri-tjetrin, kafshët dhe bimët, do të lindë...         



[1]Shih, për më shumë, Gjenealogjia dhe forca e dashurisë.

[2]How Holland became free of Stray dogs? Dogresearch, 2012.

[3]Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë.

[4]There are people making millions from your pet’s poo, BBC, 23 June 2016.

[5]Why do dogs attack their owners, BBC, 20 December 2017.

[6]On the parts of animals, f, 69.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA