...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pas përmbytjeve biblike vjen përmbytja politike e qeverisë “Rama2”: ‘dertyrohen’ të gjithë të sigurojnë pronat

Në diskursin “akademik” dhe politik, synohet të parandalohen dëmet nga përmbytjet, jo duke luftuar shkaqet e vërtetë —ndryshimet klimatike (uljen e ndotjes etj.) dhe keqadministrimin e ekosistemit— por duke përshkallëzuar ndryshimet klimatike me më shumë ndotje dhe duke përshkallëzuar përmbytjet me më shumë keqadministrim të ekosistemit!

Ylli Përmeti

06/12/2017 - 11:27

Kam punuar ca kohë —rreth një vit— në ndërtim në Londër, kur studioja post-gazetari dhe drejtësi. Në një punë rikonceptonim një ndërtesë gjashtë katëshe – ndërtesë e shekullit 18: e periudhës Viktoriane në Britani. Unë punoja edhe si mbikqyrës (‘supervizorë’ i quajnë disa përtacë) edhe si punëtor ndërtimi. ‘Mbikqyrës’ i procesit të ndërtimit – domethënë, se nëse punët kryeheshin sipas ‘standarteve’ të paracaktuar nga ligji në fuqi. Unë studioja drejtësi dhe natyrën e ligjeve në raport me institucionet dhe punët e kisha të qartë. Kur ndërtohësh shkalla, për shembull, kërkohësh standarti. Kur bëheshin punët hidraulike dhe elektrike, kërkoheshin standartet. Kur izoloheshin muret, kërkohësh standarti dhe pavarësisht se sa i mirë mund të isha unë në mbajtjen e standarteve me ndërhyrjet e mija gjatë punimeve, çdo ditë vinte inspektori i bashkisë për të njëjtën arsye: për të parë se nëse mbaheshin standartet. Zakonisht më përshëndeste dhe fillonte punën menjëherë. Asnjë herë nuk iu fsheva: sepse e dija që standartet mbaheshin dhe pasi i maste – largohësh siç vinte: duke na përshëndetur.

Në fund, pasi mbaroi ndërtesa në tërësinë e saj, dhe pa asnjë vërejtje nga inspektorët, inspektorët sollën dhe çertifikatat e punimeve të vulosura, i vendosën në një kënd të shtëpisë, pranë hyrjes qendrore mbi një mur, që t’u shërbenin në të ardhmen qoftë inspektorëve qoftë familjarëve. Gjatë punimeve mbetjet i mblidhnim në një kazan të madh dhe sa herë mbusheshin i shkarkonim në vendgrumbullimin e mbetjeve. Aty, më tej, ripërpunoheshin. Se çfarë synonte inspektori i bashkisë me inspektimet e tij është e qartë: parandalimin e ndonjë gjëme dhe uljen e kostos për bashkinë dhe banuesit. Por ndryshe po veprohet me përmbytjet. Në Shqipëri, në të vërtetë, nuk ndiqet ky rend pune as për banesat as edhe për ndërtimet publike. Sidoqoftë, dihet se shumica e anëtarëve të elitës aktuale janë pinjolla të elitës socialiste-marksiste dhe janë rritur si vashka në mes të dhjamit dhe për të njëjtën arsye s’kanë mundësi të zgjidhin problemet social-ekonomike që vetë shkaktojnë: sepse s’kanë zhvilluar asnjë virtyt mjaftueshëm – as virtytet etike e as virtytet intelektuale. Kjo vërtetohet, jo vetëm nga teoria pedagogjike por dhe nga shembujt konkret. Domethënë, nga teoria dhe përvoja. Kujtoj se teoria është prapëseprapë përvojë mendore. Por puna praktike ka një logjikë (ose përvojë) që përvoja mendore shpesh nuk e di. Ndaj teoria dhe praktika duhet të jenë të mëshiruara dhe të balancuara në mësim-dhënie dhe mësim-marrje.

Kështu, pas përmbytjeve të fundit, për të cilat nuk pamë nga masmedia kombëtare asnjë emision hetues, shqyrtues dhe shterues (ku kanë kohë mediat për dhimbjet sociale kur ato duhet të na tregojnë kënaqësitë mishtore?), eksponentët e partisë “socialiste” (Shalsi etj.) shoqëruan nismën e krye...ministrit për “sigurimin e detyrueshëm” të banesave dhe bizneseve nga sigurimi vullnetar që është aktualisht! Na tha Shalsi, mes të tjerash, se shteti nuk mund t’i dëmshpërblejë të gjithë të dëmtuarit nga përmbytjet sepse nuk ka fuqi...ekonomike! Për ta zgjidhur këtë pamundësi Shalsi, si ish-drejtues i INSIG-ut, me interesa të drejtëpërdrejta në tregun e sigurimeve, qoftë edhe nga roli aktual si deputet, mbështet “sigurimin e detyrueshëm” të banesave të krye...ministrit duke përmendur dy skema: ose qeveria ble siguracionin për një përmbytje të caktuar ose paketën e përzier (‘mikse’ e quan ndrikulla) me mbulimin e dëmeve nga 2 mln lekë të vjetra deri në 10 mln lekë. Domethënë, jo vetëm që nuk përmendin faktin se shkaktarë të drejtëpërdrejtë të përmbytjeve dhe katastrofës ekologjike janë ata –bashkë me ndrikullat e partisë “demokratike” dhe idiotët e LSI-së, as faktin se nëpër ministri dhe bashki kanë emëruar burokratë dhe parazitë që s’kryejnë asnjë punë, dhe as faktin tjetër, të dhimbshëm, se familjet e përmbytura nuk kanë mundësi të ushqehen e jo më të paguajnë siguracione për banesat...por se gjendja është lënë qëllimshëm të degjenerojë që kompanitë e sigurimit –pjesë e të cilave janë dhe ata— të majmen edhe më shumë. Ndryshe, nuk mund të kuptohet kjo çështje: sepse një njeri i ndershëm –dhe veçanërisht me pushtet institucional— si fillim bën mea-culpa-n, tregon shkaqet, dhe nëse nuk i kupton, kërkon t’i mësojë nga studiuesit dhe, i lufton ata (shkaqet). Por ndrikullat, nuk vepruan kështu, për të disatën herë! Hamendësisht, sepse kështu pasurojnë privatët e sigurimit dhe varfërojnë edhe më shumë popullin e zhytur në padije, varfëri dhe pasivitet.

Kujtoj se Banka Botërore ka propozuar në një raport ku shqyrton kostot ekonomike të ndryshimeve klimatike në rajon - sigurimin e pronës që në vitin 2015-të.[1] Po të njëjtin vit “G7” premtoi se do të “siguronte” 400 milion njerëz në vendet më të cënueshëm deri në vitin 2020-të. Gjermania, Japonia dhe Britania kanë marrë përsipër konkretizimin e nismës.[2] Një ligj për sigurimin dhe risigurimin është miratuar nga qeveria “Rama1” në vitin 2014-të.[3] Hamendësisht, për t’u përgatitur për të përparuar “masat e parandalimit” me ndërmarrjet e sigurimit! Banka Botërore sugjeron që primi i sigurimit të jetë 50 euro në vit për një kompensim që mund të variojë nga 20 mijë deri në 40 mijë euro, me ndryshime në zbatim, sipas gjendjes së banesave. Por qeveria ndryshe nga Banka Botërore shton fjalën “detyrim”. Domethënë, detyron të gjithë pronarët të sigurohen. Kështu, qeveria lanë duart dhe ia lë ndërmarrjeve private të sigurimit administrimin e banesave dhe bizneseve! Kujtoj, gjithashtu, se në të njëjtën shtjellë gjenden dhe qytetarët amerikanë. Në përmbytjet e verës 2017-të oligarku, Warren Buffet, bilioneri që qendron pas industrisë së sigurimeve të konglomeratit “Berkshire Hathaway”, fërkonte duart. Qeveria amerikane ka krijuar të njëjtën skemë (“National Flood Insurence Program”) për të zgjidhur problemin. Ajo ishte zhytur në borxh —hamendësisht kundrejt Buffet— pas përmbytjeve. Mbarimi i afatit të skemës dhe riaktivizimi i saj nga Kongresi me kursime publike po kundrohet! Ngaqë një në gjashtë individë ishin të siguruar - nuk dihet se do të dëmshpërblehen nga premtimi i Trampit. Dëmet që u shkaktuan (në ura, rrugë etj.) do të paguhen nga taksat shtetërore! Ligjkrijuesit po përpiqen të hartojnë një ligj që të mbulojë dëmet por dhe të rrisë fitimet për oligarkët ekonomikë të tipit Buffet.

Qartësisht, gjendemi në fazë mjaft interesante nëse e shohim problematikën në raport me amerikanët: sepse Trampi s’e ka bërë ende të “detyrueshëm” sigurimin e pronës nga përmbytjet. Në këtë drejtim Rama është avangard. Në të vërtetë, institucionet ndërkombëtare (BB etj.) sugjerojnë gjithë shtetet që rrezikojnë nga përmbytjet të sigurohen...tek ata! Kështu shtetet “sigurohen” në institucionet ndërkombëtare ndërsa qytetarët dhe tregëtarët në institucionet kombëtare. Ndahen, në fjalë të tjera, tregjet dhe synohen të ‘sigurohen’ përfitime nga shkatërrimet që kryen natyra e shkatërruar nga elitat dhe popujt! Kështu në diskursin “akademik” dhe politik, synohet të parandalohen dëmet nga përmbytjet, jo duke luftuar shkaqet e vërtetë —ndryshimet klimatike (uljen e ndotjes etj.) dhe keqadministrimin e ekosistemit— por duke përshkallëzuar ndryshimet klimatike me më shumë ndotje dhe duke përshkallëzuar përmbytjet me më shumë keqadministrim të ekosistemit!  



[1]Coping with floods, Strengthening growth, World Bank, January 2015, f, 38.

[2]The push for faster aid to developing countries, FT, Aug 15, 2017.

[3]Ligji Nr.52/2014.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA