...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pedagogji: si mund të zhvillojmë fëmijë pa dhunë?

Një edukator i mirë është ai ose ajo që ka aftësi kuptimore dhe ndijimore të lartë për veçortitë e fëmijëve: sepse kuptimi do ta bëjë të përballet me dukurinë dhe do ta aftësojë të edukojë dhe prindin e një fëmije të veçantë...Vigjilenca e edukatorëve duhet të jetë në shkallë të lartë dhe vigjilenca varet nga dija dhe ndjeshmëria e lartë e tyre.

Ylli Përmeti

12/10/2017 - 10:06

Ata që dinë, bëjnë; ata që kuptojnë, japin mësim. Ata që edukojnë fëmijët mirë do të nderohen më shumë se prindërit, sepsa këta të fundit vetëm i lindin, të parët u mësojnë artin e të jetuarit mirë. —Aristoteli

Gjykuar nga qendrimi i parë, kuptojmë se ata që na paraqiten se dinë jo vetëm nuk bëjnë por as mund të japin mësim. Ndërsa nga qendrimi i dytë kuptojmë procesin e gjatë të mësimdhënies së mësuesve dhe se mësuesit janë më të nderuar në shoqëri por dhe se prind mund të bëhen të gjithë por prind më i mirë është ai që di të edukojë...   

Që të ndalojmë dhunën mbi fëmijët ne duhet kuptojmë se nga buron dhuna te të rriturit: sepse janë këta që ushtrojnë dhunë mbi fëmijët. Kuptimi se nga buron dhuna do të na çojnë në luftimin e saj. Kur na tregojnë gazetarët me kamera të fshehta dhunën e edukatoreve apo mësuesve, ata nënkuptojnë se ministria e arsimit ka punësuar një njeri të ‘pakualifikuar’ dhe kërkojnë zëvendësimin e tyre me njerëz të ‘kulifikuar’. Por si kualifikohen edukatorët e kopshteve dhe çerdheve dhe cila është baza teorike që i kualifikon? Kanë kuptuar ndryshimet mes një të rrituri dhe një fëmije? Dhe nëse po, pse s’na i tregojnë se cilët janë ndryshimet? Po të pyesim ministren e arsimit për këto aspekte zor se do të marrim përgjigje. Dhe po të shikojmë dhe shqyrtojmë procesin se si kualifikohen edukatorët - do të kuptojmë pse dhuna mbi fëmijët riprodhohet: sepse ata thjesht duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve të parashtrura nga “ekspertët” që mban pas ministrja...që nuk di asgjë për edukimin e fëmijëve: sepse po të dinte do të na e tregonte të paktën në teori se me fëmijët e saj nuk mund ta gjykojmë. Sidoqoftë, nëse gjykojmë nga fëmijët e gjithë ministrave të arsimit (Pollo etj.) mund të kuptojmë se sa të aftë janë për të edukuar fëmijët e tyre.

Shkatërrimi i ekonomisë dhe vlerave tona si shoqëri nga partitë në pushtet kuptohet nëse shqyrtojmë përbërjen e parlamentit dhe ministrive. Dihet se parlamenti dominohet nga biznesmenë. Ata zgjidhen nga kryetarët e partive politike për t’u bërë deputet për shumë arsye: së pari, sepse partitë mund t’u marrin një pjesë të milionave që kanë fituar. Së dyti, sepse mund t’i përdorin në vazhdim për të përparuar objektivat e partive: për të përdorur kursimet e tyre se sa dijen e tyre. Nga ana tjetër, “dija” e biznesmenëve dihet se ç’natyrë ka: kryesisht empirike. Biznesmenët që kualifikohen me diploma juridike duhet të shihen nga natyra e disiplinës juridike në vendin tonë dhe përgjithësisht në çdo vend: ajo është tejet e kufizuar — sepse përqendrohet kryesisht te shqyrtimi i ligjeve që hartojnë dhe miratojnë politikanët.

Nuk është e nevojshme të shqyrtojmë ‘diplomimet’ e biznesmenëve pa shqyrtim dhe kuptim, që në anët tona janë bërë si këmisha vere. Por fakti që virtyti i drejtësisë zhvillohet pjesërisht te politikanët profesionistë - ashtu do të jetë edhe për njerëzit që kualifikohen në drejtësi dhe disiplina të tjera. Në të vërtetë, ligjet hartohen me ndihmën e pedagogëve të jurisprudencës: sepse politikanët nuk janë të aftë të hartojnë ligje. Për të njëjtën arsye, ata mund të manipulohen nga pedagogët e jurisprudencës.

Sidoqoftë, është e rëndësishme të kuptojmë se anëtarët e partive politike janë pa dije juridike dhe shkencore. Për shembull, ish ministri i bujqësisë, Panariti, filloi kualifikimin e tij si kovaç, studioi si veteriner dhe kulmoi si ministër bujqësie. Kush e emëroi? Partia! Ose kryetari i partisë: Meta! Cila është lidhja mes veterinarisë dhe bujqësisë? S’kanë asnjë lidhje. Në të parën njeriu merr dije për kafshët dhe mbarështimin e tyre; në të dytën, njeriu merr dije për bimët dhe kultivimin e tyre.

Mund të deduktohet fare lehtë, rrjedhimisht, se partitë dhe njërëzit që i riprodhojnë ato s’kanë as dijen e nevojshme dhe të domosdoshme për të administruar insitucionet e shtetit modern as edhe vlerat. Dija në këtë rast lidhet me njeriun, sepse në institucione administrohen njerëz; ndërsa vlerat lidhen me virtytet etike, sepse pa virtyte etike nuk mund të administrohen institucionet. Sërish, dija dhe virtytet janë të ndërvarur: pa dije nuk mund të zhvillohen virtytet dhe anasjelltas. Nuk është e rastit që Aristoteli i ndan në virtytet intelektualë dhe etikë. Me të parët kupton virtytet në dije teorike ndërsa më të dytët virtytet zakonorë (solidaritet, bujari etj.).          

Për të njëjtat arsye, dhunën sistemike e krijojnë vetë popujt kur delegojë pushtetin dhe e përqendrojnë në duart e elitave virtytet e të cilave janë tejet të pjesshme. Nuk është e rastit që elitat përqafojnë ndonjë qasje filozofike (Veber vs Marx) dhe kështu administrojnë popujt. Kur ato braktisin përdorimin e arsyetimit me popujt, ashtu veprojnë dhe popujt në familje dhe shoqëri: më shumë urdhërojnë pa arsyetim se sa arsyetojnë kur urdhërojnë: sepse kur ne nuk përdorim arsytim do të përdorim dhunë. Por dhuna buron kryesisht nga zemërimi dhe mungesa e virtytit intelektual: sepse kur arsyetojmë ne përdorim intelektin. Kur mungon virtyti intelektual do të dominojë zemërimi dhe zemërimi është dinamikë shpirtërore që pak e kontrollojnë. Njerëzit mund të zemërohen për shkaqe të ndryshme por ata zemërohen kryesisht për shkak të pushtetit të shoqërisë. Kur një njeri zemërohet nga një njeri në familje dhe nuk e kontrollon dot atë, do të shpërthejë kundrejt tij në forma të ndryshme. Kur zemërohet nga pushteti i shoqërisë, do të shpërthejë ose me protestë shkrimore ose me protestë fizike ose të dyja bashkë.

Në socializmin marksist në Shqipëri, dhe përgjithësisht në bllokun lindor, mbi fëmijët përdorësh dhunë në shkallë të ndryshe nga sistemi arsimor. Dhunë ushtrohësh edhe në familje. Ajo buronte kryesisht nga sistemi dhe nga padija: nga sistemi sepse ishte sistemi që nuk zhvilloi dijen as për aparatin shtetëror e as për prindërit dhe familjet. Nëse shfletojmë literaturën që qarkullon në ministritë tona —se si edukohen fëmijët— do të kuptojmë se sa pak shkencorë janë strumbullartët e sistemit. Dhe kur ata janë të tillë, ç’do të prisnim nga të tjerët?

Në “demokracinë” përfaqësuese të dekadave të fundit studiuesit kuptuan se dhuna mbi fëmijën mund të shkaktojë një sërë problemesh në shëndetin e tij dhe për të njëjtën arsye nxitën miratimin e një ligji për dënimin e dhunës mbi fëmijën. Mirëpo, dhuna nuk është parandaluar! Ajo vazhdon të ushtrohet nga sistemi arsimor dhe prindërit në shkallë të ndryshme.

Nga këndvështrimi pedagogjik, ne argumentojmë se ligjet socialë janë të pamjaftueshëm për racionalizimin e veprimeve të njerëzve: sepse është tjetër çështje kur ligji shkruhet në letër, që në këtë rast synon të përfrikësojë individin dhe administrohet nga gjykatat dhe një tjetër, kur ligji shkruhet në mendjen, zemrën dhe shpirtin e njeriut.

Zhvillimi i fëmijëve pa dhunë, rrjedhimisht, kalon nga kuptimi i natyrës së fëmijës. Së pari, fëmija ka ndërgjegjje të pjesshme. Domethënë, kujtesa e fëmijës shuhet me kalimin e kohës: sepse ndërveprimet nuk nguliten në mendje dhe shpirt: sepse natyra fiziologjike e fëmijës e pengon të ngulisë veprimet e tij në vegjëli. Së dyti, fëmija nuk arsyeton dot. Përdorimi i arsyetimit nga të rriturit për ta disiplinuar do të ishte me efekt minimal. Por kjo s’do të thotë se nuk duhet të zhvillohet dhe synohet arsyetimi përmes lojrave dhe zbavitjes. Për të njëjtën arsye popujt kanë zhvilluar tregime -me përmbajte ‘frikën’- përmes të cilëve synojnë të racionalizojnë veprimet e fëmijëve. Tregimet mund të përdoren nga prindërit dhe edukatorët. Kujdes! Këtu bëhet fjalë për tregime me përmbjatje ‘frikën’ jo ‘tmerrin’. Kuptimi se kur një tregim përmban frikë apo tmerr është i rëndësishëm: sepse tmerri mund të dëmtojë fëmijën.   

Por kjo s’mjafton për të racionalizuar fëmijët, sidomos kur ata ndërveprojnë me të tjerë dhe qajnë. Qarja e fëmijëve buron nga dy shkaqe: ose nga ndonjë problem shëndetësor ose nga ndonjë fiksim social. Për rastin e parë mundohemi të kuptojmë problemin shëndetësor; për rastin e dytë, mundohemi të kuptojmë ‘fiksimin’. Kur kuptojmë problemin e parë, mund ta kurojmë me ndihmën e mjekut; kur kuptojmë problemin e dytë —se me çfarë është ‘fiksuar’— mund ta ‘çfiksojmë’ me veprime konkrete. Por kjo sërish s’mjafton për të zhvilluar fëmijë pa dhunë: sepse këto aspekte supozohet se i ka kuptuar prindi dhe edukatori dhe, ndryshe nga gjithë të tjerët, janë të aftë të kontrollojnë veten në çdo gjendje.

Një edukator i mirë, rrjedhimisht, duhet të plotësojë disa parakushte për të qenë edukator: së pari, ta dashurojë fëmijën pa kushte. Së dyti, të ketë kuptuar natyrën e fëmijës, jo thjesht siç u shqyrtua më lartë, por dhe duke kuptuar ndryshueshmëritë mes tyre: sepse fëmijët janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Si i tillë, një edukator i mirë është ai ose ajo që ka aftësi kuptimore dhe ndijimore të lartë për veçortitë e fëmijëve: sepse kuptimi do ta bëjë të përballet me dukurinë dhe do ta aftësojë të edukojë dhe prindin e një fëmije të veçantë.

Sërish, edukatorët nuk duhet të dalldisin: efektin negativ të dalldisjes e shikojmë te nënat kur ato dalldisin me fëmijën dhe kur ky i fundit bie dhe, qan, ato, në vend të dënojnë veten ose ta shikojnë problemin te vetja, godasin fëmijën për ta pushuar!

Vigjilenca e edukatorëve duhet të jetë në shkallë të lartë dhe vigjilenca varet nga dija dhe ndjeshmëria e lartë e tyre.

Por si mund të ‘kualifikojmë’ edukatorë me këto parakushte kur edukatorët varen nga ministria e arsimit dhe ministritë inkuadrohen me njerëz me dije dhe me virtyte tejet të pjesshme? Kjo mbetet në aftësinë kuptimore të prindërve: sepse janë ata që votojnë dhe pushtetojnë partitë dhe ministritë me njerëz të tillë.                 

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA