...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përçartjet e shtypit dhe akademikëve me oligarkinë: nga perëndimi te gazeta “Dita”

Kur erdhi në pushtet qeveria “Rama” ky i fundit i kishte shpallur “luftë” oligarisë në pushtet me në krye Berishën. Po të dëgjohen sërish qendrimet e Ramës thuajse në çdo çerrje publike përsëriste ‘oligarkinë’. Njëlloj po vepron Basha: “armiku” i tij janë oligarkët me në krye Ramën! Mirëpo, njëlloj paraqitet dhe shtypi i përditshëm me “ekspertët” që promovon i cili supozohet se ka kujtesë më të mirë se populli: ai “luton” oligarkinë.

Ylli Përmeti

20/07/2018 - 08:43

Kur erdhi në pushtet qeveria “Rama” ky i fundit i kishte shpallur “luftë” oligarisë në pushtet me në krye Berishën. Po të dëgjohen sërish qendrimet e Ramës thuajse në çdo çerrje publike përsëriste ‘oligarkinë’. Njëlloj po vepron Basha: “armiku” i tij janë oligarkët me në krye Ramën! Mirëpo, njëlloj paraqitet dhe shtypi i përditshëm me “ekspertët” që promovon i cili supozohet se ka kujtesë më të mirë se populli: ai “luton” oligarkinë. Kritikat që publikohen përqendrohen kryesisht në Shqipëri duke lënë pa përmendur vendet e tjerë të perëndimit me të cilët duam të ‘konvergojmë’! Vallë të jetë e rastësishme? Gazeta “Dita”, për shembull, ka nxitur një “debat” përmes të cilit i ka shpallur “luftë” oligarkisë! Debati filloi me disa komentatorë që vetëm studiues seriozë nuk janë dhe vazhdoi me pedagogë e opinionistë të tjerë.[1] Thuajse të gjithë na tregojnë oligarkët ekonomikë (Mane etj.) dhe Ramën si shkakun kryesor të krizës sonë dhe lënë pa treguar shkaqet se si u bënë këta oligarkë – oligarkë (megjithëse ndonjë herë na thonë se ata janë pasuruar duke vjedhur shtetin në bashkëpunim me Berishën –kur ishte në qeveri- dhe tani me Ramën) dhe shkaqet pse Rama sillet ashtu siç sillet. Nuk shqyrtojnë, në fjalë të tjera, as kuadrin e ri institucional që u krijua pas rënies së socializmit marksist dhe karakterin  e tij as mendësinë e Ramës dhe njerëzve që ka zgjedhur. Pikërisht për këtë arsye, po krijohet një tjetër iluzion se një tjetër qeveri e “pastër” do të luftojë ‘oligarkët’...Por le të shqyrtojmë së pari shkaqet e gjendjes social-ekonomike në Amerikë përmes disa autorëve të spikatur në shtyp dhe botën akademike të cilët duhet të na i sillte shtypi ynë i përditshëm nëse vërtet kërkon ta nderojmë.    

Pas krizës financiare 2007, kanali televiziv CNN, vendosi në qendër të vëmendjes së publikut amerikan dy këndvështrime të dy ekonomistëve amerikanë: Krugman[2] vs. Ferguson.[3] Fergusoni argumenton se qeveria amerikane, në katastrofën që gjendet duhet të shkurtojë shpenzimet dhe deficitin ose të gjejë rrugë të tjera. Fergusoni, njëlloj si ekonomistë të tjerë, parashikon kapitullim të shpejtë të shumë shteteve europiane, duke radhitur disa prej tyre: Greqia, Spanja, Britania e Madhe dhe Japonia janë kandidatët e parë që do të gjunjëzohen, thotë ai. Kështu, që të mos rrënohet Amerika, Fergusoni i propozon qeverisë Amerikane një rrugë mjaft të thjeshtë: reformë e cila do të thjeshtëzonte kodin taksal ndërkohë që qeveria amerikane do të pezullonte ndihmën financiare që u jepë disa grupeve të veçanta tregtare dhe financiare. Nobelisti Krugman, në anën tjetër, mbështet idenë e reduktimit të buxhetit nga qeveria amerikane, e cila duhet të shpenzojë më shumë, nëpërmjet një plani të ri stimulant. Këtë propozim Krugmani e ligjëson me arsyen se sasia e parë e miratuar nga Kongresi Amerikan për të ndihmuar politikën Obama nuk ishte e mjaftueshme, dhe Amerikës i duhet një sasi më madhe stimuluese për të dalë ose për të shmangur “depresionin”. Por pavarësisht se Fed-i injektoi edhe dy sasi të tjera të mëdha në treg, sërish ekonomia amerikane është në amulli! Ndërsa akuzon “tamánë” e kapitalizmit amerikan dhe jo sistemin dhe orientimin amerikan - Krugmani kritikon të paktën bankën qendrore amerikane kur argumenton se veprimet e saj janë të ngathta dhe se:

Politika monetare konvencionale, të cilën Federal Reserve/Banka Qendore drejton me interesa të ulëta afat-shkurtër, duke blerë bonde afat-shkurtër të qeverisë amerikane ka arritur limitin e vet: përqindjet afat-shkurtra janë tashmë afër zeros dhe nuk mund të shkojnë më poshtë. (Investitorët nuk do të blejnë bonde që prodhojnë interes negativ që nga momenti që ata mund të mbledhin pará cash në vend të tyre). Por mesazhi i z. Bernanke, presidentit të Bankës Qendrore në vitin 2002, ishte se janë gjëra të tjera që Banka Qendrore mund të bëjë. Ajo mund të blejë debite afat-gjatë nga qeveria amerikane. Ajo mund të blejë debite nga sektori privat. Ajo mund të lëvizë parashikimin e saj duke deklaruar se ajo do të mbajë të ulëta përqindjet afat-shkurtra për një kohë të gjatë. Ajo mund rrisë objektivin e inflacionit të saj, për të ndihmuar që të bindë sektorin privat se hua-marrja është një ide e mirë dhe mbledhja e parásë është gabim![4]

Ndërsa lëngëzimi i sistemit bankar është pezulluar nga Fed-i dhe Krugmani vazhdon t’i bierë në një vrimë (vazhdimin e politikës lehtësuese!), një komentator amerikan, Chris Hedges, na tregon se si...është realizuar “grushti i shtetit” në Amerikë:

Të gjithë institucionet amerikane kanë shkatërruar vetveten, sepse janë shitur te interesat e korporatave; luftërat janë rezultat e propagandës masive; akti ligjor i kryengritjes dhe i spiunimit vrau çdo lloj përpjekje për të kundërshtuar luftërat; qeveritë amerikane zbatojnë teknikat e Frojdit për të manipuluar emocionet e masës; dhe duke bërë kështu, ata themeluan luftën; ritrajtimin e shoqërisë. Klasa liberale bashkëpunon me krimin e elitës liberale; Reagan-i filloi të rrafshojë dhe de-rregullojë sistemin; premtimet e NAFTA-ës të gjitha kanë dështuar. Partia Demokratike është një parodi që kur Klintoni ishte politikan. Kisha e krishterë nuk tha asgjë për luftërat dhe të gjithë ato shkatërrime që ka shkaktuar shoqëria amerikane mbi vende të tjera. Organizatat e punës janë kthyer në organizata të vogla. Universitetet janë kapur nga korporatat dhe didaktojnë manipulim dhe lakmi; përvëlesë korpokrate në kulturë duke argëtuar dhe mësuar sjellje eksesive... është realizuar Coup d’ Etat në lëvizje të ngadaltë dhe veimar-izimi e klasës punëtore në SHBA. 800 vetë në ditë hidhen në rrugë dhe pritjet e situatës janë: pamundësi e elitës korpokrate që t’i përgjigjet presionit dhe përshpejtimit të zemërimit popullor...[5]

Sidoqoftë, kjo është sërish një qasje problematike sepse nuk tregon se si është krijuar pushteti i korporatave. Nuk tregon, në fjalë të tjera, kuadrin modern institucional që është krijuar dy shekujt e fundit dhe kuadrin e ri të globalzmit neoliberal, i cili mundëson dhe riprodhon pushtetin e korporatave në njërën anë dhe vlerat dominante në shoqëri: konkurrencë, konsumerizëm dhe individualizëm. Pushteti dhe vlerat me radhë çojnë në gjendjen e sipërpërmendur. Për më shumë, elita amerikane për të çorientuar opinionin publik, edhe më shumë, promovon tezën Naomi Klein, sipas së cilës, gjithçka që ndodh rreth nesh është një “komplot” nga njerëz tinëzarë![6]Konservatorët në Britaninë e Madhe, në anën tjetër, mundohen të zbusin tregun duke “premtuar” kredi për shoqëritë e vogla dhe të mesme. Por ai është njëherësh iluziv dhe mashtrues: sepse qeveria britanike kërkon blerjen bondeve të shoqërive me qëllim që të shkurtojnë koston e kredive për firmat dhe të nxisë furnizimin me kredit.[7]Nuk do të ishte e çuditshme që praktikën që kritikon Krugmani më lart, “strumbullarët” e qeverisë Berisha u munduan ta zbatonin në Shqipëri.[8] Në të vërtetë, për shkak të politikave lehtësuese në Amerikë e Britani, të cilat Krugmani i mbështet fuqishëm, tregjet financiare shtatë vitet e fundit janë fryrë tej mase dhe janë në procesin e shkaktimit të një katastrofe tjetër, financiare, përtej katastrofës që u shkaktua në vitin 2007. Për shembull, në ditën kur sasia lehtësuese qarkulloi në Britani, 9 Mars 2009, bursa e Londrës, “FTSE 100”, qendronte në 3542 pikë. Kulmi i saj i fundit në 25 Prill të vitit 2015 ishte 7103 pikë, një rritje prej 100.5%. Atje është një lidhje e njëjtë me tre raundet e sasive lehtësuese në SHBA dhe efektit mbi bursën Amerikane, “S&P 500”, e cila u rrit më shumë se 200% përgjatë të njëjtës periudhë.[9] Tani që Fed-i dhe Banka e Anglisë janë në prag të braktisjes politikës përkatëse, ndalon dhe fryrja e bursave përkatëse: për pasojë, një krisje tjetër, me e madhe se e vitit 2007-të, është përpara.

Qartësisht, as akademikët perëndimor nuk na tregojnë shkaqet e vërtetë të krizës në perëndim. Ata tregojnë, në të vërtetë, simptomat si shkaqe. Në anët tona, këta akademikë kopjohen keqas. Për shembull, gazeta “Dita” publikoi një shkrim të një autor me titull: “Oligarkia, fundi i Shqipërisë”[10] ku adoptohet qasja e Krugmanit — “kapitalizmi i kumbarëve” që kam shqyrtuar në vend tjetër dhe nuk shqyrtohen shkaqet e vërtetë por tregohen oligarkët e “liq” bashkë me Ramën! Kujtoj se gazeta në fjalë ka publikuar disa studime nga unë dhe është në dijeni të qasjes sime. Por ajo, jo vetëm që nuk publikon studime të tjerë, plotësues, por fakti që çensuron, kërkon qartazi të krijojë iluzionin e radhës me të “majtë” që vetëm shkaqet e vërtetë të krizës nuk na tregojnë.   

Përçartja e përhershme e...shqiptarëve

Me rënien e bllokut socialist popujt, falë përshtypjes (ose mitit) që kishin krijuar, dolën rrugëve dhe kërkuan demokracinë dhe lirinë e Perëndimit. Përshtypjen se Perëndimi gëzonte liri dhe demokraci e krijuan partitë e para opozitare të Lindjes dhe heshtja paralele e partive komuniste të kohës. Paraqitja e një bote më të begatë dhe heshtja e partive komuniste, bëri që përshtypja të kthehësh, shumë shpejt, në bindje. Që nga ajo kohë, politikanët profesionistë, u premtojnë popujve të Lindjes europiane integrimin në BE. Si pasojë, në vendet e Lindjes është krijuar një rrugë pakrye. Por ndryshe nga popupujt, politikanët profesionistë i janë përshtatur mjaft mirë kuadrit të ri institucional: sepse ata, ndërsa shijojnë rroga të majme - zhysin popujt në borxhe dhe ekosistemin në krizë edhe më të thellë. Kjo udhë pakrye ka krijuar kushtet, gjithashtu, për ‘pafuqi’ institucionale në anën e politikanëve tanë profesionistë. Pafuqia politike e shqiptarëve të Kosovës, për shembull, ka çuar vendin të pushtohet nga Turqia ekonomikisht,[11] dhe rrjedhimisht, politikisht dhe kulturalisht, dhe Shqipërinë nga Turqia, Greqia dhe Italia. Dy janë shkaqet kryesore lidhur me këtë pafuqi institucionale: (1) sepse vendet lindore shkatërruan ekonomitë socialiste dhe krijuan kushtet paralele për varësi ekonomike (për importe) dhe financiare (për investime) nga perëndimi; dhe sepse (2) kuadrin e ri institucional që ka krijuar Perëndimi – nuk e kuptojnë, as politikanët e as popujt. Sepse nuk e kuptojnë as studiuesit. Marksistët, për shembull, nuk e kuptojnë, për dy arsye kryesore: (1) sepse nëse pranojnë kuadrin e ri institucional duhet të braktisin qasjen marksiste dhe (2) sepse shumica është kooptuar nga elitat kapitaliste dhe është transformuar në të “Majtë” globaliste.     

Dhimbshëm, komentatorët dhe “ekspertët” në Shqipëri këtë udhë pa krye nuk e kuptojnë dhe përçarten në mënyrë të përhershme. Mjafton të përmendim disa prej tyre: Mustafa Nano,[12] për shembull, duke shpërnjohur rolin e FMN-së[13] kritikon qeverinë Berisha, duke mbështetur parashikimet e komisarëve të FMN-së! Andrea Stefani, vepron njëlloj, por me një ndryshim: ai mbron “urtësinë” e Monteskisë —ndarjen e tre pushteteve— dhe përbuz urtësinë e “turmave”. Dhe Andrea ka të drejtë sepse në Perëndim homologët e tij, falë botëkuptimit të botës moderne, veprojnë njëlloj. Pikërisht këtu qendron kontradikta kryesore e botës moderne në përgjithësi dhe e “Stefanëve” në veçanti: se populli është i aftë të delegojë pushtetin por jo ta ushtrojë atë. Madje, opinionistët e borgjezisë, pa droje, delegimin e pushtetit e konsiderojnë ushtrim pushteti! Nuk e kuptojnë këta demagogë se kur popullit i kërkohet delegimi i pushtetit duke votuar përfaqësues që propozohen dhe përzgjidhen “nga lartë” - atij i krijohet paralelisht “besimi imagjinar” se përfaqësuesit e rinj janë më të mirë se pararendësit dhe nuk përdor për besimin në fjalë as shqyrtimin as kundrimin: sepse vendim-marrja nënkupton shqyrtim dhe kundrim. Si i tillë, populli kur delegon pushtetin kthehet në besimtar imagjinar njëlloj si besimtarët fetarë. Ndërsa kur e ushtron - bëhet “besimtar shkencor”: sepse shqyrtimi dhe kundrimi përdor mendjen ndërsa imagjinata, megjithëse pjesë e mendjes si shqisat, ajo varet ose nga koncepti ose nga perceptimi shqisor. Kushtu konceptet e shqyrtimit dhe kundrimit në besim imagjinar nuk përdoren. Si e tillë, imagjinata përdor vetëm perceptimin shqisor. Njëlloj përshtaten me ekspertizën e institucioneve ndërkombëtare “ekspertët” periferikë. Ardian Civici, për shembull, i konsideron “urdhëresa” fetare këshillat e FMN-së![14]

*Pjesë nga një studim më  gjerë...

[1]Lexo, Pse “debati” i “Dita”-s për qeverisjen “Rama” është shterp? http://www.shqiperiajone.org/lajmi-kryesor-vendi/pse-debati-i-dita-s-qev...

[2]Videoja e nobelistit Krugman gjendet në këtë link:http://www.youtube.com/watch?v=7-pndXGafUg&feature=related

[3]Ndërsa e ekonomistit Ferguson, gjendet në këtë link:http://www.youtube.com/watch?v=03CB8pVJkI8

[4]The Feckless Fed, PAUL KRUGMAN, N.Y. Times, July 11, 2010.

[6]The Shock Doctrine, Naomi Klein.

[7]George Osborne promises credit lifeline for UK firms, Patrick Wintourand Jill Treanor, The Guardian, 3 October 2011.

[8]Sipas këshillave që u debatuan në Kuvendin “Popullor” të Sherefedin Shehut, javën e parë të Qershorit 2012.

[9]China stock market panic shows what happens when stimulants wear off, Larry Elliot, The Guardain, 24 August 2015.

[10]Oligarkia, Dita, Korrik 29, 2018.

[11]Invazioni diplomatik dhe ekonomik i Turqisë në Ballkan, Shqip, 2012-03-06.

[12]Paralajmërimi i FMS-së nuk është Shaka, Mustafa Nano, Shqip, 12 Korrik, 2010.

[13]FMN dhe Banka Botërore: organe të globalizmit neoliberal.

[14]Dhjetë "urdhëresat" e FMN-së, ADRIAN CIVICI, Panorama, 03, 07, 2010.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA