...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pështjellimi i Thaçit me kufijtë dhe një “strategji” pedagogjike për drejtësi të popullit shqiptar

Mendësia e popullit serb dhe grek në raport me popullin shqiptar mund të ndryshojë vetëm nga përpjekjet tona sepse përpjekjet e elitave të vendeve fqinje në vend të reflektojnë dhe të edukojnë popujt përkatës nxisin zhvillimin e mendësive nacionaliste dhe ekspansioniste në kohën kur dihet se populli shqiptar që jeton në shtetin serb dhe grek vuan padrejtësinë më të madhe që mund t’i shkaktohet një populli: mohimit të dëshirës së tij për të jetuar në një shtet me bashkatdhetarët e tjerë

Ylli Përmeti

09/08/2018 - 09:07

Mendësia e popullit serb dhe grek në raport me popullin shqiptar mund të ndryshojë vetëm nga përpjekjet tona sepse përpjekjet e elitave të vendeve fqinje në vend të reflektojnë dhe të edukojnë popujt përkatës nxisin zhvillimin e mendësive nacionaliste dhe ekspansioniste në kohën kur dihet se populli shqiptar që jeton në shtetin serb dhe grek vuan padrejtësinë më të madhe që mund t’i shkaktohet një populli: mohimit të dëshirës së tij për të jetuar në një shtet me bashkatdhetarët e tjerë. Mendësia e popujve përkatës, rrjedhimisht, mund të ndryshonte vetëm nëse do të kishim një qeveri të mirë-edukuar në çështjet sociale dhe të drejtën ndërkombëtare: sepse ajo mund të mbante qëndrime të tillë që mund të çonin palën tjetër në reflektim. Ky i fundit nënkupton një proces mendor i cili zhvillohet ngadalë dhe fillon në fëmijërinë tonë dhe nënkupton më tej procedimin e ngjarjeve në mendje dhe gjykimin e drejtë të tyre. Pikërisht për faktin se reflektimi përfshinë gjykim të drejtë dhe gjykimi i drejtë një sërë veglash teorike, reflektimin pak njerëz e zhvillojnë. Përmes tij ne mund të nxisnim palën tjetër të reflektonte dhe pse jo të pranonte gabimet e saj dhe t’i fillonte bisedimet në baza shkencore. Domethënë, duke reflektuar për gabimet e saj, duke kërkuar ndjesë dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Kërkesa e Thaçit, rrjedhimisht, për “korrigjim kufijsh”, më shumë pështjelloi se sa krijoi kushtet pedagogjike për reflektim dhe drejtësi. Në këtë pështjellim nuk mungoi reaksioni i masmedias duke propaganduar vetëm një “tezë” se qendrimi i Thaçit është i rrezikshëm dhe mund të hapë “kutinë e pandorës” në Ballkan! Këtë “tezë” e përdorin dhe kolegët e tyre në Greqi dhe Serbi. Por ndërsa këta të fundit kanë çdo arsye për ta përdorur, sepse shekullin e kaluar i morën Shqipërisë më shumë se gjysmën e saj, dhe rrjedhimisht, më mirë për ta është t’i përfrikësojnë popujt se sa të përdorin drejtësinë, “ekspertët” tanë pse harrojnë mendësinë e popujve fqinj dhe drejtësinë përpara se të na paralajmërojnë se ndryshimi i kufijëve do të hapte kutinë e pandorës dhe do të çonte në luftë? Këtë qendrim pati dhe Haradinaj pas qendrimit të Thaçit duke përmendur dhe Putinin — hamendësisht duke nënkuptuar rastin e Krimesë për të treguar se është më i mirë se ai...Mirë ky që s’e ka idenë nga e drejta ndërkombëtare dhe çështje të tjera social-juridike po gazetarët e establishmentit pse vendosin vetëm një “tezë” në reportazhet e tyre: apo për të treguar se solidarizohen me qendrimet e qarqeve serbe dhe greke?

Kujtoj se Putini në takimin me Trampin në Helsinki bisedoi dhe referendumin e mundshëm të popullit rus që banon në lindje të Ukrainës. Kjo është e drejtë e tij sepse është në të drejtën ndërkombëtare. Ai thjesht shfrytëzon të drejtën ndërkombëtare por pasi ia çuan në majë të hundës perëndimorët me paqendrueshmërinë që shkaktuan në Ukrainë. Domethënë, po përdor qoftë ndërhyrjen perëndimore në Ukrainë dhe paqendrueshmërinë që u shkaktua atje qoftë të drejtën ndërkombëtare duke përgatitur kushtet për referendum dhe pse jo, për bashkim me Rusinë të pjesës lindore të Ukrainës. Po çon në luftë përpjekja e Putinit me Ukrainën? Jo! Pse? Sepse e dinë në Kiev që e kanë bërë Ukrainën çorapë — të pajetueshme; dinë, gjithashtu, se e drejta ndërkombëtare mund të përdoret nga Rusia sidomos në kushtet e krijuar — aq sa shumë spekulojnë se perëndimi veproi ashtu siç veproi në Ukrainë për të ndihmuar Putinin që të aneksonte krahinat rusofone. Çfarë bëjnë lidhur me këto politika shqiptarët e klasës politike? Pse s’i gjykojnë drejtë dhe t’i shfrytëzojnë për shqiptarët e shumë-vuajtur në Serbi dhe troje të tjera rreth Shqipërisë por i bashkohen propagandës serbe dhe greke se çdo ndryshim kufijsh duhet të kalojë nga lufta?! Pse nuk studiojnë të drejtën ndërkombëtare dhe ta përdorin atë për popullin e tyre por jetojnë me përshtypje si shumica e shqiptarëve?

Dhe ja pse qendrimi Thaçit është më shumë pështjellues se sa pedagogjik: së pari, ai u mundua të ‘zbuste’ ndryshimin e kufijëve —përjashto mundësinë se në mendjen e tij kufijtë kuptohen në raport me popullatën përkatëse dhe zhvillimin historik të saj— me korrigjim. Për të njëjtën arsye, qasja e tij është pështjelluese dhe me efekt minimal për palën tjetër. Së dyti, Thaçi nuk procedoi nga parashtrimi i të drejtës ndërkombëtare kundrejt palës serbe. Por nga “zbutja” e kërkesës që hamendësohet se do t’ia paraqesë palës serbe në bisedime. Mbivendosi, domethënë, termat mbi të drejtën ndërkombëtare! Kjo është një qasje problematike sepse nuk e “sfidon” palën tjetër me drejtësi por luan me terma. Çështja tjetër që duhet të ishte shqyrtuar përpara se të paraqeste qendrimin e tij është e drejta e palës serbe për të kërkuar në shkëmbim veriun e Kosovës ku banojnë kryesisht serbë: sepse do të ishte më e drejtë të procedonte nga kuptimi i drejtë i dy krahinave. Domethënë, se banorët e luginës së Preshevës janë autoktonë dhe banorët e veriut të Kosovës janë ardhës duke përmendur dhe faktin se kanë bashkëpunuar ngushtë me ushtrinë serbe gjatë luftës për shfarrosjen shqiptarëve (fakt që mund t’i çonte në reflektim dhe ndjesë) dhe mënyrën se si kanë ardhur: si pushtues dhe me luftë apo në kohë paqe dhe si nevojtarë. Këto fakte lidhen me drejtësinë dhe mund të përdoren veçanërisht në rastin konkret.

Thaçi shtoi më pas se do t’ia përdorte palës serbe si kërkesë “maksimale” duke nënkuptuar realizimin e kërkesave “minimale” — që nënkupton më tej se çështja e Luginës së Preshevës mund të lihet mënjanë pasi të jenë realizuar kërkesat “minimale”! Kjo është një qasje e mirëditur, gjithashtu, nga qarqet diplomatike dhe pala serbe është në dijeni të saj. Nuk është e rastit që pasi Thaçi shkaktoi pështjellimin në fjalë pala serbe filloi të rishikonte qendrimet duke përmendur të njëjtën qasje: “se duan të marrin sa më shumë nga ajo që mund të merret”. Kjo qasje është “maksimaliste” dhe si e tillë, është e njëjtë me qasjen e Thaçit. Kur dy palë adoptojnë të njëjtën qasje rezultati është se bisedimet mund të çojnë në “fitime” minimale. Por në rastin konkret, pala jonë është në të drejtën e saj që të kërkojë jo “maksimalen” për të fituar “minimalen” por të drejtën: sepse në drejtësi nuk fiton ose njëra ose tjetra – por drejtësia – që nënkupton se bisedimet duhet të procedojnë nga e kaluara —reflektimi dhe kuptimi i drejtë i saj— në të tashmen drejt të ardhmes. Për palën serbe, rrjedhimisht, qasja “maksimaliste” është në dobi të saj ndërsa për palën tonë, jo.

Qoftë edhe në rastin e hidrocentralit të Gazivodës –ujërat e të cilit vijnë nga Serbia por rezervuari dhe hidrocentrali janë në tokë shqiptare— palët mund të përdorin drejtësinë duke përfshirë gjithë gjendjen energjitike në Kosovë për të cilën Serbia është bërë shkaktare. Dhe nuk është e rastit që Vuçiçi guxoi dhe kërkoi ndarjen e Kosovës mbi ‘baza etnike’. Se çfarë nënupton kjo qasje është e qartë: se nuk do të shqyrtohet dhe gjykohet drejtë Lugina e Preshevës në raport me veriun e Kosovës ku banojnë serbë. Variantin e Vuçiçit e mbështet dhe Rama nëse duam t’i besojmë rrëfimit të ish-kryeministrit të Suedisë, Carl Bildt, sipas të cilit, Kosova mund të lëshojë zonën në veri të lumit Ibër, sepse ajo banohet ekskluzivisht nga serbë! Por ndërsa Vuçiçi ka çdo arsye që të shkaktojë një tjetër pështjellim lidhur me komunitetet përkatëse, Thaçi dhe Rama nuk ka asnjë arsye për të pranuar “ndarjen e Kosovës mbi baza etnike”: sepse do të ishte më e drejtë të pranohësh ky variant pasi të gjykoheshin drejtë komunitetet. Domethënë, po, ndarje nëse komuniteti serb e meriton — domethënë, është një popull autokton dhe respekton fqinjin.     

Qartësisht, Thaçi s’e ka të qartë procesin e bisedimeve dhe nuk e ndihmon as masmedia dhe “eskspertët” e saj as edhe të tjerë në klasën politike të Prishtinës dhe Tiranës. Ndaj do të ishte me rëndësi që në këtë fazë, pavarësisht gabimeve, Thaçi të adoptonte një qasje pedagogjike si ajo që përshkrova më lartë dhe të kërkojë drejtësi për popullin e tij. Procedimi nga reflektimi drejt ndjesës dhe kuptimit dhe zbatimit të të drejtës ndërkombëtare është imperativ veçanërisht mes dy popujve njëri prej të cilëve ka qenë i padrejtë: sepse nëse anashkalohet ky proces, mundësitë për të vepruar njëlloj në të ardhmen janë të mëdha.

Nuk është raporti mes dy popujve i njëjtë si raporti mes një çifti me fëmijë që kur nuk pajtohen ndahen dhe fëmijët i mbajnë të lidhur deri sa të pavarësohen dhe martohen. Por është një raport që dialogut nuk mund t’i shmanget sepse janë plotë çështje që i lidhin dhe i detyrojnë të dialogojnë. Si mund të dialogosh, rrjedhimisht, me palën tjetër kur ajo kërkon drejtësi për çështje aktuale dhe nuk ka vendosur drejtësi për çeshtjet e të kaluarës? Qartësisht, pala serbe duhet të kalojë nga ky proces. Nga i njëjti proces duhet të kalonte dhe Greqia. Por në rastin konkret, Greqia ka përgatitur kushtet gjeopolitike (varësi) që pala jonë të mos e kalojë nga e kaluara drejt të ardhmes. Domëthënë, nga kuptimi i drejtë i saj drejt të ardhmes. Me Serbinë varësia është më e vogël dhe për të njëjtën arsye pala jonë ka mundësi ta kalojë nga procesi që përmenda. Por dhe Greqinë nuk është e pamunduar në kushtet aktuale ta kalojmë nga “edukimi”. Vetëm se na mungojnë edukatorët...      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA