...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Prapaskena e protestës për “Rrugën e Kombit” dhe drejtësia sociale

Ndërtimi i rrugëve nxitet nga korporatat —në kuptimin që diktojnë përparësitë e qeverive— sepse kryesisht ato i përdorin rrugët për të transportuar mallrat dhe bashkë me to, të rrisin fitimet dhe bllokojnë zhvillimin e ekonomive rajonale ndërsa krijojnë borgjezitë dhe mikroborgjezitë rajonale për t’i përdorur ato me automjetet që zotërojnë dhe kursimet e tyre...

Ylli Përmeti

01/04/2018 - 11:20

Padrejtësia politike dhe aspektet social-juridike

Protesta filloi me thirrjen e një veprimtari për protestë. Megjithëse kundërshti kishte plotë por jo për protestë. Ajo u shkaktua nga politika që votoi qeveria “Rama” për rrugën përkatëse. Më konkretisht, për tarifën dhe jo për taksën, theksoi krye…ministri, sepse, sipas tij, nuk janë të njëjta! Parimi që u adoptua për tarifën ishte se për mirëmbajtjen e saj paguajnë përdoruesit dhe jo të gjithë taksapaguesit, një variant që konsiderohet edhe në vende të tjerë. Në fjalët e Ramës: “për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë përdoruesit e rrugëve në fjalë”. Ky parim duket i drejtë. Por s’është i tillë.

Sepse për rrugën përkatëse është kryer një krim i madh nga qeveria “Berisha”: kostoja fillestare u dyfishua. Nuk është hera e parë fundja: thuajse gjithë megaprojektet e qeverive joshkencore dhe pa virtytin e drejtësisë por me zakonin e lakmisë, kështu kanë përfunduar. Nëse qeveria “Rama” do të kishte dënuar keqpërdoruesit e paráve publike dhe kishte konfiskuar pasuritë e tyre, do të kishte patur mundësi të përfundonte rrugën. Por ajo, edhe në këtë rast, nuk e filloi nga drejtësia. Por vazhdoi padrejtësitë!

Kështu për ta përfunduar rrugën e keqplanifikuar dhe keqadministruar që nuk mbaroi nga “Bechtel”, “Enka” dhe qeveria “Berisha”, ia dha me konçesion “Kastratit” të famshëm. Kujtoj se ky i fundit është sponsor i të dyja partive! Pas mbarimit të segmenteve –për ta shpërblyer- Kastratin, Salillarin etj., qeveria i dha mirëmbajtjen e një pjese të rrugës (Milot-Morinë) duke i dhënë të drejtën e tarifimit të përdoruesve të rrugës dhe duke i garantuar 7.9 milionë euro në vit - se nëse konçesionari mbledh më pak nga tarifat, qeveria do t’i paguajë diferencën nga buxheti i shtetit...në kohën kur tarifa përkatëse është më e larta se në çdo vend të Evropës dhe kur të ardhurat e shtresave të ulëta të shoqërisë dhe rrogat e puntorëve më të ultat dhe kontrata mes konçesionarit dhe qeverisë është e padrejtë në raport me popullin e zonës në veçanti dhe shtetin në përgjithësi! Mirëmbajtja u propozua nga ndërmarrjet private dhe tre skenarët u hartuan nga një korporatë financiare (IFC) - pjesë e Bankës Botërore.    

Kjo është njëra anë e problematikës; tjetra është se rruga përkatëse kalon në një zonë ku banorët janë nga më të varfërit në Shqipëri. Nuk do të ishte e çuditshme që zemërata të jetë në kulmin e saj – jo vetëm për shkak të gjendjes së tyre por dhe për pasanikët e tipit “Kastrati” që majmen nga rruga që kalon në tokën e tyre edhe me kursimet e tyre. Kjo është një dinamikë që qeveria nuk e konsideroi përpara se të vepronte siç veproi. Sidoqoftë, qeveritë e përbëra nga anëtarë me zakonin e lakmisë dhe pa forcën e kundërt të saj —virtytet— kështu do të vepronin edhe këtë herë.

Dhe vijmë te protesta: ajo u nxit nga veprimtarë të ndershëm por në proces u angazhua dhe bashkia e Kuksit përbërja e të cilës është nga të gjitha partitë, e cila, pasi lajmëroi policinë për ngjarjen, në përputhje me ligjin, dhe kjo e fundit ndezi dritën jeshile, shkoi në vendin ku tarifohen qytetarët dhe mes tensioneve, dhe provokimeve nga policia, siç argumentojnë protestuesit (nuk është e vështirë fundja të provokohen njerëzit), përfunduan në dhunë dhe shkatërrime. Gjatë dhunës dhe shkatërrimeve policia u tërhoq.

Nëse gjykojmë nga fjala e ministrit të brendshëm, Xhafajt, pas ngjarjes, por dhe nga puna paraprake që kryen policia për të kontrolluar protestat —ajo zakonisht përgjon protagonistët me qëllim që të mësojë se cilët do të përfshihen dhe si mund të përputhet me objektivin e saj...kontrollin dhe parandalimin e gjëmave— dhe nga veprimet e policisë në terren —se nuk mungoi provokimi por mungoi dhuna, ose rezistenca— mund të nxjerrim përfundime se policia veproi ashtu për të ekspozuar protagonistët në sytë e popullit dhe për t’i dënuar ata.

Kujtoj se në sytë e drejtësisë veprimet spontane nuk janë të dënueshme. Kështu nëse ata dënohen, drejtësia nuk ka folur përmes parimeve të saj por përmes diktimit nga pushteti i kryeministrit, i cili, pas ngjarjes, kërcënoi dhunuesit. Pa u çuditur, policia arrestoi rreth orës tre të mëngjezit disa nga dhunuesit kur paralel me veprimet e saj demagogët e tipit “Rama” dhe masmedia që ata kontrollojnë, nuk thanë se protesta ishte nxitur nga veprimet e padrejta të qeverisë por nga opozita!

Për të na bindur shfrytëzuan disa tipa që kanë qenë (dhe ndoshta janë) mbështetës të PD-së. Në këtë pështjellim nuk munguan mbështetjet spontane dhe pa rezerva të një proteste spontane dhe pa objektiv të mirëshqyrtuar! Duhet thënë se protestat duhet të mbështeten por pasi të shqyrtohen dinamikat, të kuptohen shkaqet dhe padrejtësitë dhe të gjykohen në raport me objektivin e tyre: të shtrëngojnë qeverinë për t’u tërhequr nga padrejtësistë e saj. Në kohën kur dimë se përmes dhunës spontane nuk shtrëngohen qeveritë: ato shtrëngohen veç përmes protestës masive, e cila në sytë e qeverive, është “dhunë” në vetë-vete. 

Në të vërtetë, natyra e protestave, pas kaq vitesh me qeverinë “Rama” në pushtet, duhet të marrë karakter ‘revolucionar’ — domethënë, të kërkojë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja ndërsa populli angazhohet politikisht për të kuptuar kushtet e reja politike dhe ekonomike që janë krijuar dhe rrugëzgjidhjet e mundshme. Ndërsa kjo dinamikë mund të zhvillohet në të ardhmen, dobitë nga protesta do të jenë minimale: mund të rishikohet kostua e tarifës dhe të “çlirohen” disi nga barra banorët përkatës. 

Duhet thënë, gjithashtu, se shumica e anëtarësisë së bashkisë së Kuksit është nga parti që nuk mund të kontrollohen nga qeveria “Rama”: vetëm dy anëtarë ka PS-ja ndërsa të tjerët janë nga parti të tjera me karakter ideologjik të djathtë. Dy anëtarët e PS-së u solidarizuan me protestën dhe më pas u shkarkuan nga Rama. Kështuqë të kërkosh zgjidhje nga të ‘djathtët’ e tipit “Basha” do të ishte një tjetër mashtrim. Nuk është e rastit që Basha dhe kryetari i bashkisë Kukës janë në një linjë. Kështu ndërsa Rama dikur zhvillonte protesta spontane dhe bënte “revolucionarin” dhe despot ishte Berisha dhe Basha - në këtë rast ndryshojnë rolet: despot është Rama dhe “liberator” Basha me kryetarin e bashkisë Kukës! Për të njëjtat aryse, veprimtarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos kompromentohen duke bashkëpunuar me bashkinë dhe mbështetësit e saj. Kujtoj se ndërtimi i rrugëve nxitet nga korporatat —në kuptimin që diktojnë përparësitë e qeverive— sepse kryesisht ato i përdorin rrugët për të transportuar mallrat dhe bashkë me to, të rrisin fitimet dhe bllokojnë zhvillimin e ekonomive rajonale ndërsa krijojnë borgjezitë dhe mikroborgjezitë rajonale për t’i përdorur ato me automjetet që zotërojnë dhe kursimet e tyre.

Aspekte juridike

Gjykuar nga fakti se prokuroria i akuzoi të arrestuarit për “kundërshti të punonjësve të policisë dhe shkatërrim prone”, dhe nga 23 të arrestuar kërkoi 11 të mbaheshin në qeli ndërsa të tjerët i la të lirë me masa sigurie dhe gjykata i konsideroi të vlefshme pretendimet e prokurorisë, mund të nxjerrim disa përfundime. Së pari, prokuroria ose nuk e ka hetuar mundësinë e ‘orkestrimit’ të protestës (nëse nuk e hetonte do të ekspozonte veten te punonjësit e policisë) ose e ka hetuar dhe është në dijeni se protesta është orkestruar nga bashkiaku i Kuksit dhe këshilli bashkiak atje në bashkërendim me opozitën, dhe në pamundësi për ta filluar akuzën nga opozita dhe bashkia e Kuksit, e zhvendosi akuzën te protagonistët e protestës. Së dyti, fakti që akuza lidhet me veprime konkrete të protestës, dhe gjykata e ka pranuar këtë ‘akuzë’, tregon se gjykata ka marrë vendim të padrejtë: sepse për veprimet përkatëse nuk janë konsideruar shkaqet.

Nëse veprimet përkatëse i shkëpusim tërësisht nga mundësia e ‘orkestrimit’, do të na duhet të shqyrtojmë dy komponentë përpara se të nxjerrim përfundime se gjykata ka marrë vendim të padrejtë: zemërimin, të cilin e shkaktoi politika e qeverisë “Rama”, dhe spontanitetin, shkalla e të cilit është më e madhe për moshat e reja. Se cili nga këta dy komponentë ka qenë vendimar pak rëndësi ka; rëndësi ka që gjykata nuk i ka konsideruar në gjykimin e parë: ndryshe, nëse i konsideronte dhe i shqyrtonte, do t’i linte të lirë duke i paralajmëruar. Pikërisht mbi këtë arsyetim duhet të përqendrohen veprimtarët që janë “bindur” se protagonistët s’kanë qenë viktimta të pushtetarëve dhe të kërkojnë lirimin e tyre.                

Sa kushton në të vërtetë mirëmbajtja e rrugëve?

në proces... 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA