...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Propaganda gri e elitës mbikombëtare dhe “kërcënimi” rus

Një propagandë gri qarkulloi (dhe vazhdon të qarkullojë) lidhur me kërcënimin e Ballkanit në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti, nga Rusia.

Ylli Përmeti

01/04/2017 - 11:34

Një propagandë gri qarkulloi (dhe vazhdon të qarkullojë) lidhur me kërcënimin e Ballkanit në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti, nga Rusia. Kujtoj se propaganda gri ose nuk tregon burimin e informacionit ose është e paqartë. Më konkretisht, ne kërcënohemi në zgjedhjet tona “demokratike” nga Rusia! Kjo propagandë filloi me zgjedhjet e SHBA-së. Rusia u akuzua nga masmedia mbikombëtare se ajo “manipuloi” zgjedhjet në Amerikë me qëllim që të ndihmonte Trampin dhe të shkatërronte Klintonin. Por ajo nuk paraqiti asnjë fakt/provë. Në të vërtetë, Klintonin e shkatërroi gjendja social-ekonomike e shtresave të ulëta të shoqërisë që është krijuar tre-katër dekadat e fundit në Amerikë. Ndërhyrja e drejtorit të FBI-së, pak ditë para zgjedhjeve, për të hetuar email-et e Klintonit, ishte thesht një lloj ‘detonatori’ që i vuri zjarrin edhe më shumë zemëratës së popullit. Por Klintoni dhe elita mbikombëtare, bashkë me elitat rajonale, të integruara në globalizmin neoliberal, në vend t’ia atribuonin humbjen, shkakut kryesor —gjendjes social-ekonomike— argumentuan dhe vazhdojnë të argumentojnë, se ajo humbi për shkak të FBI-së! Kjo e fundit, aludojnë ata, u detyrua të shpallte hetimin e email-eve të Klintonit si pasojë e rrjedhjeve që shkaktoi elita ruse ose shërbimet e saj inteligjente. Putini, sipas elitës mbikombëtare dhe masmedias që ajo kontrollon, synonte të ndihmonte Trampin sepse ky i fundit është i “parapëlqyeri” i Kremlinit. Në këtë mënyrë, ata zhvendosën, edhe një herë, vëmendjen e popujve nga email-et kriminale të Klintonit dhe e çuan atë te “kërcënimi” rus! Domethënë, se shërbimet inteligjente ruse morën informacion nga rrjeti kompjuterik i Komitetit Demokratik për të ‘ndërhyrë’ në zgjedhjet presidenciale. Këto, me rradhë, kaluan informacionin te Wikileaks dhe kështu Klintoni i dëmtua.

Kjo propagandë vazhdoi edhe përgjatë muajve të parë të presidencës së Trampit. Aq sa FBI-ja u detyrua të hetonte faqet e të ashtuquajturës të ‘djathtë ekstreme’..., për rolin e saj gjatë fushatës presidenciale.[1] Në këto raporte përmenden vetëm “argumente” nga njerëz “anonimë”. Propaganda vazhdoi me akuzën zyrtare të një gjykate amerikane kundrejt dy agjentëve rusë: se ata kishin ndërhyrë në të paktën 500 milion llogari të Yahoo-s dhe kishin përdorur të dhënat për espionazh ekonomik.[2] Pak ditë pas zbulimit nga Wikileaks se CIA përgjonte gjithçka! Vazhdoi më tej me disa kongresmenë amerikanë, të cilët argumentuan se Ballkani kërcënohet nga Rusia. Klima e gjuetisë së shtrigave në Uashington krijoi presionin e nevojshëm për dorëheqjen e Michael Flynn-it, ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit Tramp dhe gjeneral në pension, pasi u zbulua se kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence për komunikimet e tij me ambasadorin e Rusisë në SHBA, Sergey Kislyak. Flini ofroi bashkëpunim me hetuesit e Kongresit por kërkoi imunitet për akuzat që mund t’i ngrihen nga prokuroria.[3] Nga ana tjetër, Trampi kundër-sulmoi Obamën se shërbimet e tij kishin përgjuar veprimtarinë e tij politike. Se çfarë nënkuptojnë këto sulme dhe kundër-sulme, është e qartë: se establishmentin amerikan e shqetëson mjeti përmes të cilit janë ekspozuar krimet e Klintonit jo krimet! Kështu zhvendoset vëmendja nga veprimtaria kriminale te mjetet e ‘zbulimit’ të vepritarisë. Krijohet, gjithashtu, dinamika, për kundër-sulm, nga Trampi. Kjo dinamikë, me rradhë, përqendron edhe më shumë vëmendjen te mjetet e zbulimit të krimit dhe lë pa gjykuar rezultatin përfundimtar: vetë krimin.

Kujtoj se kultura perëndimore përgjithësisht e ka baktisuar traditën e saj më të mirë: arsyetimin, mbrojtjen e principit etikë dhe kërkimin për prova të pavarura në kohë konflikti; në favor të traditës së saj më të keqe: me ‘prerogativën imperiale’ për ndërhyrje, të mbështetur me paragjykime të thella raciale dhe refleksion të varfër në historitë e tyre kulturore.[4] Kjo e fundit, imponon përdorimin e “propagandës gri” që përmenda më lartë. Por me një ndryshim: se ndërsa administrata Klinton-Bush-Obama propagandonte në koherencë me elitat europiane duke shoqëruar objetivin final të saj, administra e Trampit e ka kthyer propadandën në Uashington: kundër pararendësve të tij dhe masmedias mbikombëtare, e cila, dekadat e fundit, është ushqyer me propagandën gri. Këtë qasje kanë adoptuar edhe burokratët e Londrës dhe Brukselit. Siç citon një analizë në FT:      

Tereza Mej, kryeministrja e Britanisë bëri thirrje kundrejt anëtarëve të udhëheqësve të BE-së “për të bërë më shumë për t’u përballur me fushatën dezinformuese dhe destabilizuese të Rusisë dhe të shtojnë dukshmërinë e angazhimit perëndimor” në Ballkan. Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, tha se “influenca të pashëndetshme të jashtme” kanë shkaktuar tansione dhe ato po “destabilizojnë vendet”. Strategjia e Rusisë në vitet e fundit ka qenë të përdorë Sputnik-un [një qendër ruse mediatike] —dhe më shumë se 20 qendra të tjera pro-Kremlinit— për të “destabilizuar rajonin dhe të diskretitojë BE-në dhe ambiciet e Serbisë për t’u anëtarësuar”, tha Jelena Milic, drejtorja e CEAS, një grup ekspertësh (“think-tank”) pro-Nato-s. Moska ia ka dalë mbanë duke e portretizuar veten si një ortak në vëllazërinë e vjetër shekullore pan-Sllavike, tha ajo, dhe një mbrojtëse e interesave të Serbisë, duke mbështetur me zë të lartë pretendimet territoriale të Beogradit në Kosovë dhe duke bllokuar rezolutat e OKB-së lidhur me masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.[5]

Ndërsa të gjithë shtojnë doza ekzagjerimi, Milic, shtrembëron faktin se Putini e ka njohur Kosovën tërthorazi, nëse u përmbahemi deklarateve dhe vizitës së tij në Beograd, pak vite më parë. Sidoqoftë, arsyeja kryesore se pse Rusia nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës nuk është se ajo mbështet pretendimet e Serbisë, siç na sugjeron “ekspertja”. Por sepse perëndimi nuk njeh pavarësinë Krimesë dhe bashkimin e saj me Rusinë.[6] Për të njëjtën arsye, Moska e njeh pavarësinë e Kosovës jozyrtarisht. Domethënë, duke cituar, shpesh, vetë Putini, se çdo popull ka të drejtë për ‘vetëvendosje’. Ky është një parim i institucionalizuar në drejtën ndërkombëtare dhe Putini mundohet ta institucionalizojë në projektin e bllokut politiko-ekonomik të euro-azisë. BE-ja këtë parim e ka zëvendësuar me konceptin e ‘suprancionalizmit’. Domethënë, se vendimet kryesore për shtetet anëtare nuk merren nga anëtarët por nga institucionet e Brukselit dhe veçanërisht nga Këshilli, Komisioni dhe Gjykata Europiane. Për aspektet eknomike, për shembull, Komisioni Europian bashkëpunon ngushtë me drejtorët e korporatave: sepse janë këta të fundit që hartojnë politikat ekonomike të bllokut dhe jo Komisioni. Por propaganda gri e Brukselit tashmë nuk mbështetet nga propaganda gri e Uashingtonit siç mbështetësh në të kaluarën nga treshja Klinton-Bush-Obama: sepse administrata e Trampit gjendet në një fazë përshtatje me politikat e saj dhe paralelisht përballet me propagandën gri të qendrave intelektuale (Stratfor etj.) dhe masmedias globaliste. Nuk është e rastit që Monbiot, një kritik britanik i politikave botërore, e konsideron gjendjen që është krijuar “grusht shifrar” duke ngritur pyetjen: po përdoret informacioni i madh, në SHBA dhe Britani, për të krijuar reklamë politike të personalizuar, për të anashkaluar mendjet tona racionale dhe për të ndryshuar mënyrën për të votuar? Përgjigjja është ndoshta jo ose ende jo. Duke treguar më tej se një seri artikujsh të tmerrshëm sugjerojnë se një ndërmarrje e quajtur “Cambridge Analytica” ndihmoi të ndryshojë drejtimin e zgjedhjeve të SHBA-së dhe referendumit të BE-së duke minuar informacionin nga Facebook-u për ta përdorur për të parashikuar personalitetet e njerëzve, dhe më pas të qendisnin rekalamat në profilet e tyre psikologjike. Këto raporte, që buruan si fillim nga publikimi zviceran “Das Magazin”, ishin shkruan qartësisht në mirëbesim, por me sa duket me kujdesi të pamjaftueshme...Historia e “Cambridge Analytica” na tregon një grimcë të një të ardhme distopike (tejet të keqe), veçanërisht në SHBA, kur mbrojtja e informacionit është e dobët. Informacioni në internet tashmë huazon veten në manipulim dhe keqpërdorim politik, dhe epoka e informacionit të madh tashmë ka filluar. Në kombinim me linguistikën kognitive të përparuar dhe neuroshkencën, ky informacion mund të kthehet një vegël e fuqishme për ndryshimin e vendimeve zgjedhore që ne bëjmë, në mënyra që ne nuk mund të jemi plotësisht në djeni. Aftësia jonë për t’i rezistuar manipulimit është e kufizuar. Qoftë edhe format më të papërpunuara të reklamave të nënvetëdijshme largojnë aftësinë tonë të së kaluarës për përdorimin e arsyes dhe e bëjnë mendimin kritik të pamundur. Zhvendosjet më të thjeshta të gjuhës mund të na bëjnë të gabojmë...duke ditur se tashmë parája e madhe ushtron pushtet të paligjishëm mbi sistemet politike...kryedashi i financës së fushatës, që u jepë miliarderëve dhe korporatave një avantazh të madh politik mbi njerëzit e zakonshëm; rrjeti i parásë së zezë (një rrjet prej qindra grupesh lobistësh të financuar nga miliarderë, që maskojnë veten si qendra intelektuale - “think tanks”), fushatave të barit artificial –‘astroturf’ (duke punësuar njerëz për t’i paraqitur si lëvizje të masave të gjera popullore) dhe lulëzimit të robotëve – ‘botswarming’ (duke krijuar llogari anonime në internet për të krijuar përshtypjen se numra të mëdhenj njerëzish mbështesin një qendrim politik): të gjitha këto janë korrente dhe kërcënime urgjente kundrejt lirisë politike. Autoritetet tona (siç është Komisioni i Zgjedhjeve në Britani) kanë dështuar në mënyrë të rëndësishme për t’i kontrolluar të gjitha këto keqpërdorime, ose qoftë, në shumë raste, t’i pranojnë ato.

Kina tregon se kjo gjendje mund të bëhet edhe më e keqe. Sipas një artikulli në “Scientific American”, algoritmet thellë-mësim-marrës e lejojnë shtetin të zhvillojë “zemrën e qytetarëve” të tij.  Kjo e fundit përdor veprimtarinë e njerëzve në internet për të përcaktuar se sa besnikë dhe të bindur janë, dhe se nëse ata duhet të kualifikohen për punë, hua ose të drejtë për të udhëtuar në vende të tjerë. Krahaso këtë nivel mbikqyrje me teknologjinë ngashënjyese – vegla të hartuara për të ndryshuar pa u ndier opionionet dhe përgjigjet e njerëzve – dhe ti zhvillon një sistem që orientohet drejt kontrollit të plotë të sjelljes njerëzore.[7]

Gjykuar  se kush e kontrollon botën e internetit dhe masmedian —globalistët— mund të konkludojmë se këto praktika do të përdoren në vazhdim kundër çdo force politike, anti-globaliste. Për të njëjtën arsye –të frikës- se mos Rusia zhvillon të njëjtën aftësi dhe e përdor atë kundër elitave perëndimore, këto të fundit do të vazhdojnë propagandën gri. Ballkani Perëndimor, rrjedhimisht, kërcënohet kryesisht nga elitat politike dhe oligarkitë ekonomike që qendrojnë pas elitave politike. Sepse edhe nëse konsiderojmë përfshirjen e Rusisë në Mal të Zit, të cilin sërish duhet ta faktojmë/provojmë, apo në vende të tjerë, Rusia mbështet një projekt –të euroazisë- që në bazë të tij ka sovranitetin e kombeve. Këtë zgjedhje ajo e bëri –pasi u ngatërrua në konceptin e supranacionalizmit— sepse perëndimi, ose shtetet e mëdhenj të tij, krijuan kushtet institucionale dhe dinamikat ekonomike për zhdukjen e sovranitetit të kombeve. Domethënë, të një elite politike mbikombëtare (G7) pas së cilës qendrojnë oligarkët ekonomikë – vendimet e të cilëve përcaktojnë fatet e kombeve.

Propaganda gri çoi në një qendrim agresiv të ministrave të mbrojtjes së SHBA-së dhe Britanisë, përkatësisht, Mechael Fallon dhe James Mattis, dhe ministrave të jashtëm, përkatësisht, Rex Tillerson dhe Boris Johnson: ata goditën me një ton mjaft të ashpër Rusinë duke e akuzuar, edhe një herë, si ‘shembull ndërhyrje’ (“pattern interference”) rreth botës. Fallon tha se “nuk mund të ketë ndonjë kthesë në biznes si zakonisht” me Moskën, ndërsa Mattis tha se administrata e presidentit Tramp “kishte pritshmëri tejet modeste” për mundësinë e bashkëpunimit. “Aktualisht Rusia ka zgjedhur të jetë një konkurrent strategjik”, tha Mettis, duke e akuzuar Moskën për “përzierje në” (“mucking around”) zgjedhjet demokratike. Duke folur në mbledhjen e parë të tij të NATO-s në Bruksel, Rex Tellerson, ministri i jashtëm i SHBA-së, tha se aleanca ishte “themelore për të përballur agresionin dhe agjitacionin njëherësh jo të dhunshëm, por ndonjë herë të dhunshëm, të Rusisë”. Në të njëjtin takim Boris Johnson, ministri i jashtëm e Britanisë, tha se një Rusi e rigjallëruar ishte “duke u përzier në çdo lloj prapësie në Ballkanin perëndimor dhe në vende të tjerë”. Tillerson tha, për më tepër, se sanksionet e imponuara mbi Moskën pas aneksimit të Krimesë “duhet të mbeten në fuqi” derisa Rusia t’ia kthejë kontrollin e peninsulës Ukrainës. Armiqësia e Rusisë në Ukrainë dhe pushtimi “kompromentoi vizionin tonë për një Europë që është tërësore, e lirë dhe në paqe...ne nuk pranojmë, dhe nuk do të pranojmë, përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar kufijtë e territorit të Ukrainës”. Mettis, në anën tjetër, distancoi veten nga retorika e Trampit rreth shpërnjohjes së klauzolës së NATO-s për mbrojtjen kolektive. Kur u pyet se nëse ai vazhdonte të kishte të njëjtin qendrim që artikuloi në vitin 2012-të, se kërcënimi më i madh i sigurisë së SHBA-së ishte “Irani, Irani, Irani”, Mettis tha se ishte Koreja e Veriut. Ai tha se Pionxhiang vepronte “në një mënyrë tejet të pakujdesshme” dhe ai duhet “të ndalohet”.[8]

Këto qendrime tregojnë kthesën prej 180 gradë të Trampit lidhur me NATO-n dhe Rusinë. Sidoqoftë, në fund të fundit, NATO-ja ka shoqëruar ekspansionin e korporatave dhe bankave ndërkombëtare dhe, përsa kohë që ato, veçanërisht korporatat amerikane, veprojnë ndërkombëtarisht, për aq kohë, Trampi s’ka rrugë tjetë veç të ruajë rendin aktual. Ai mund t’i përmbahet ‘retorikës’ së tij vetëm kur korporatat dhe bankat amerikane do të jenë kthyer në atdhe, siç ai synon.

Nga ana tjetër, Rusia...    



[1]FBI’s Russian-influence probe includes a look at Breitbart, InfoWars news site, McClatchy DC Bureau, March 20, 2017.

[2]Charges announced in massive cyber intrusion case, FBI.gov, March 15, 2017.

[3]Michael Flynn, kërkon imunitet për të dëshmuar mbi ndërhyrjet e Rusisë, VOA, 31 mars, 2017.

[4]The dirty war on Syria, Tim Anderson, Global Research, June 06, 2016. 

[5]Kremlin-backed media adds to western fears in Balkans, FT, March 19, 2017.

[6]The Western Balkans between Europe and Russia, Matthias Bieri, Center for Security Studies, March 2015.

[7]Use it or lose it, George Monbiot, The Guardian, 8th March 2017.

[8]Michael Fallon and James Mattis strike hawkish tone on Russia, FT, April 1, 2017.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA