...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse elitat fetare janë reaksionare - kundër ushtrimit të pushtetit të popullit?

Gjykuar nga shkaqet se pse fetarët shqiptarë braktisin shqiptarizmën, do të ishte me vend të ngrinim një pyetje se përse elitat fetare të modernitetit, të cilat bashkëjetojnë me elitat politike dhe ekonomike, nuk synojnë të zhvillojnë “besimin social”

Ylli Përmeti

18/07/2017 - 08:44

Gjykuar nga shkaqet se pse fetarët shqiptarë braktisin shqiptarizmën,[1] do të ishte me vend të ngrinim një pyetje se përse elitat fetare të modernitetit, të cilat bashkëjetojnë me elitat politike dhe ekonomike, nuk synojnë të zhvillojnë “besimin social” krahas besimit në zot, parimet demokratike dhe zhvillimin e virtyteve përmes institucioneve të kultit (kisha; xhami etj.) por mjaftohen vetëm me faljet dhe adhurimin e profetëve dhe zotëve?

Së pari, sepse doktrinat fetare (ose teologët) nuk e kuptojnë rëndësinë e ushtrimit të pushtetit — domethënë, të shqyrtimit dhe kundrimit të një problematike nga vetë besitarët: sepse s’kuptojnë natyrën e njeriut. Së dyti, edhe nëse e kuptojnë natyrën e njeriut (nëse studiojnë Aristotelin) dhe rëndësinë e ushtrimit të pushtetit nga besimtarët, ata do të krijonin dy probleme kryesore: -1) do të krijonin kushtet institucionale për të dyshuar besimet e një doktrine; dhe -2) do të hapnin luftë me elitat politike dhe ekonomike: sepse ushtrimi i pushtetit nënkupton mosdelegimin e tij. Mosdelegimi, me rradhë, nënkupton shfuqizimin e elitave politike dhe ekonomike. Dyshimi i doktrinës, gjithashtu, do të shfuqizonte (gradualisht) vetë elitën fetare. Kjo është arsyeja që elitat fetare përqendrohen te faljet dhe adhurimet e profetëve dhe zotëve: sepse kështu shmangin shfuqizimin e vetë elitave. Kur besimtarët përqendrohen te falja e mëkateve, për shembull, dhe nuk e shqyrtojnë atë —nga këndvështrimi se pse kanë mëkatuar— ata do të vazhdojnë të mëkatojnë: sepse nuk kuptojnë shkaqet se pse mëkatojnë. Dhe kur njeriu nuk kupton shkaqet e mëkateve - nuk mund t’i luftojë ata. Por mjaftohet me kërkimin e faljes nga zoti.

Edhe nëse supozojmë se njeriu është krijesë e zotit – dhe ky i fundit, sipas tij, duhet të përdorë mendjen për të luftuar krizat dhe të keqen, ne s’kemi rrugë tjetër veç ta përdorim atë për të kuptuar shkaqet e mëkateve. Në këtë kuptim, zoti do të dënonte çdo njeri që ka mësuar vetëm të falet dhe nuk ka mësuar të përdorë mendjen për të kuptuar shkaqet e mëkateve: sepse kur kuptojmë shkaqet dhe i luftojmë ata ne nuk i përsërisim mëkatet. Dhe ky veprim do të ishte i dëshirueshëm edhe nga zoti meqënse njeriun e ka krijuar –sipas doktrinës fetare- me mendje. Njëlloj, adhurimi i një fuqie të mbinatyrshme ka një efekt shkatërrimtar për njeriun besimtar kur ai nuk mësohet (ose edukohet) paralel me adhurimin e tij - të shqyrtojë dukuritë sociale dhe fizike: sepse kur ai pranon një lloj fuqie të mbinatyrshme dhe s’ka zhvilluar asnjë nivel shqyrtimi dhe kundrimi — ai do të konformohet me to ose do t’i pranojë si fuqi të krijuara nga i madhi zot! Adhurimi i një njeriu, dhe veçanërisht i udhëheqësve të popujve, gjithashtu, ka një efekt të dëmshëm për adhuruesin nëse ky i fundit s’ka mësuar të shqyrtojë dhe kundrojë. Në këtë kuptim, adhurimi do të ishte i dobishëm vetëm nëse shoqërohet me shqyrtim dhe kundrim të dukurive sociale dhe fizike.

Më mëkatare në këtë aspekt është doktrina “muslimane”: sepse kjo e fundit u zhvillua përmes asambleve komunitare që zhvilloi Muhameti ku falja dhe adhurimi ishin ‘vetëm një pjesë’ e procesit vendim-marrës: pjesa tjetër ishte shqyrtim dhe kundrim. Megjithatë, duhet thënë se edhe Muhameti u përqendrua kryesisht te falja dhe adhurimi: sepse ai nuk mund t’i edukonte besimtarët përmes urtësisë dhe autoritetit të tij. Por kryesisht përmes kumteve që supozohet se zëbriste përmes meditimit dhe hamendësisht nga zoti.

Për këto arsye fetë s’kanë zhvilluar kulturën demokratike dhe as mund ta zhvillojnë atë ndonjë herë mes besimtarësh. Dhe për të njëjtat arsye, fetarët janë konformistë me kuadrin modern institucional dhe institucionet fetare ku ata operojnë: sepse ata s’kanë zhvilluar asnjë herë ndonjë kulturë demokratike. Nëse do të kishin zhvilluar – do ta synonin.

Gjykuar nga kjo qasje, s’është e rastit hierarkika institucionale e Vatikanit. As është e rastit hierarkia institucionale e muslimanëve. Dhe as është e rastit përshtatja e besimtarëve me praktikat jodemokratike që ndjekin elitat fetare. Për shembull, kur nuk kërkojnë votim demokratik kur ndërtohet një kult fetar pranë njerëzve të tjerë të cilët, hemendësisht, nuk besojnë në doktrinën e tyre.

Në këtë kuptim, dhe vetëm në këtë, elitat fetare janë reaksionare. Domethënë, kundër ushtrimit të pushtetit të popullit dhe çlirimit të tij nga elitat.

 

[1]Pseudo-kozmopolitanizmi i elitave moderne.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA