...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse opozita nuk bën ‘opozitë shkencore’?

Me ‘opozitë shkencore’ kuptoj tregimin e shkaqeve sistemike të krizave sociale dhe tregimin e rrugëzgjidhjeve te mundshme

Ylli Përmeti

13/11/2017 - 08:53

Me ‘opozitë’ kuptoj çdo parti apo organizatë politike që bën ‘opozitë’ kundrejt pushtetit të një qeverie. Në të vërtetë ‘opozitë’ bëjmë dhe ne si qendër mediatike. Kështuqë ‘opozitë’ mund të bëjë kushdo. Por ‘lloji’ opozitës ndryshon. Nga këndvështrimi i organizimit politik, aktualisht ‘opozitë’ bën PD-ja, LSI-ja, Organizata Politike etj. Këtë të fundit e përmend jo sepse jam pjesë e saj (deri diku jo aktive) por sepse krahasuar me organizata të tjera është më e organizuar.

Me ‘opozitë shkencore’ kuptoj tregimin e shkaqeve sistemike të krizave sociale dhe tregimin e rrugëzgjidhjeve të mundshme: sepse supozohet se për këtë punë janë partitë dhe organizatat politike. Opozita e PD-së dhe LSI-së, për shembull, tregon varfërinë në vend pa treguar shkaqet sistemike. Zakonisht i bie shkurt dhe tregon një shkak përfundimtar: kryeministrin! Kështu “lajnë” duart dhe paraqiten edhe si më të “mirë” edhe se kanë bërë punën e tyre: “opozitë”.

Nga ana tjetër, qeveria në pushtet e PS-së i bie shkurt se shkak i varfërisë është PD-ja sepse ajo veproi kështu e ashtu kur ishte në pushtet. Njëlloj veprojnë për politikat konçesionare kur na thonë se konçesionari ynë është më i “mirë” se i tyre dhe anasjelltas.

Në këtë qasje josistemike ka rënë dhe Organizata Politike: ajo bën ‘opozitë’ duke mos u përqendruar te sistemi dhe kushtet e reja (social-ekonomike) që janë krijuar duke shoqëruar ose duke rënë në ‘kurthin’ e opozitës së simptomave të partive në pushtet.

Se pse veprojnë partitë ashtu siç veprojnë për të bërë ‘opozitë’ e kam shqyrtuar gjerë e gjatë në një studim. Këtu po përmend vetëm faktin se kështu ato paraqiten më të “mira” në sytë e popullit dhe mund të mashtrojnë. Po përmend, gjithashtu, faktin se ato s’e kuptojnë sistemin. Dhe për të njëjtën arsye mjaftohen me paraqitjen e simptomave të krizave. Dhe kështu krizat, partitë dhe pushteti riprodhohet.

Për çështjet e pazgjidhura me Greqinë, për shembull, nuk ka asnjë opozitë shkencore. Pse? Sepse s’kanë kryer asnjë studim. Por as shqyrtojnë ndonjë studim të ndonjë autori! Pse? Sepse kështu mund të paraqiten si më të “mirë” dhe të tregojnë partinë në pushtet se është e “keqe”...

Por ndërsa partitë në pushtet kanë çdo arsye të mos bëjnë asnjë studim dhe të mos adoptojnë asnjë qasje sistemike, sepse do të fajësojnë dhe veten, bashkë me sistemin, Organizata Politike nuk ka asnjë arsye që të bëjë opozitë simptomatike të llojit PD-LSI: sepse supozohet se ajo, ndryshe nga partitë në pushtet, do të vijë në pushtet duke na treguar shkaqet e krizave dhe rrugëzgjidhjet e mundshme.

Të tregosh mjerimin e njerëzve anembanë Shqipërisë, për shembull, nuk është shkencë por perceptim shqisor që e perceptojnë thuajse të gjithë, sidomos kur përsëritet nga gazetarët e oligarkisë nga mëngjezi deri në darkë.

Më konkretisht, kur treguan së fundmi të vërtetat e Nënës tetëdhjetëvjeçare në qytetin e Burrelit, e cila përmendi mes të tjerash njëherësh pasuritë e vendit dhe varfërinë ku jeton, që është një kontradiktë e qartë të cilën e kupton çdonjëri, nuk përmendi Nëna e shumëvuajtur, ndoshta në padije, se janë politikat konçesionare që e kanë katandisur vendin e saj (dhe jo vetëm) ashtu: politikat konçesionare me rradhë janë pasojë e globalizmit neoliberal, të cilat supozohet se Organizata Politike i ka kuptuar kaq vite përmes studimeve dhe e bën lidhjen sistemike: sepse kuptimi i drejtë i kësaj problematike do ta çonte një përfaqësues të Organizatës Politike në Burrel, t’i përgjigjësh asaj Nënës pak a shumë si vijon: po, e nderuar Nënë, Burreli është i pasur dhe i varfër njëherësh dhe të gjithë e dimë por kaq vite është administruar përmes politikave konçesionare (duke shkoqitur dhe këto) dhe këto të fundit pasojë e globalizmit neoliberal, të cilin do ta shkoqiste gjithashtu. Pasi të mbaronte me shkoqitjen e këtyre koncepteve dhe politikave - do të shkonte te shkoqitja e çështjes tjetër: se pse vendi ynë ka zgjedhur këto politika ndryshe nga shekulli i kaluar. Dhe pasi të mbaronte me këto shkoqitje do të tregonte shkaqet e dështimit të socializmit. Dhe, në fund, do të tregonte rrugëzgjidhjet e mundshme.

Ka mundësi Rama ta ndjekë këtë rrugë? Jo: sepse s’ka studiuar.

Për të njëjtën arsye, Organizata Politike ka mundësi ta ndjekë këtë lloj shkoqitjeje kudo nëse fillon dhe shqyrton dhe kupton sistemet. Ndryshe, duke treguar dhimbjen që perceptohet thuajse nga të gjithë, ajo nuk mund të jetë opozitë shkencore por një lloj “opozite” si ato që kemi parë kaq vite.     

   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA