...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse teoria darviniste e “seleksionimit natyral” është kryekëput e gabuar?

Teoria e “seleksionimit natyral” është paradigmatike. Në kuptimin se ajo i përshtatet sistemit kapitalist perëndimor si manteli priftit: sepse është kryesisht botëkuptimi perëndimor lidhur me organizimin e një shoqërie ku “peshku i madh ha të voglin” ...

Ylli Përmeti

01/07/2017 - 19:33

Teoria e “seleksionimit natyral” është paradigmatike. Në kuptimin se ajo i përshtatet sistemit kapitalist perëndimor si manteli priftit: sepse është kryesisht botëkuptimi perëndimor lidhur me organizimin e një shoqërie ku “peshku i madh ha të voglin” dhe qasjet “shkencore” në hapësirën akademike, që kanë kontribuar në adoptimin e vrojtimit të Darvinit që ta interpretojnë botën e kafshëve -edhe në nivel njerëzor- në bazë të kësaj teorie. Në të vërtetë, kjo teori buron nga proverba latine se “njeriu është ujk për njeriun” (“homo hominis lupus est”).

Por kjo teori dhe fjalë e urtë mund të hidhet poshtë edhe në nivelin e kafshëve, sepse planeti ynë ka zhvilluar disa kafshë që jo detyrimisht duhet të hanë një tjetër që të jetojnë. Disa peshq, për shembull, ushqehen me planktonin e oqeaneve. Por disa të tjerë ushqehen me peshq. Por kurrë një lloj peshku nuk ha të njëjtin lloj. Njëlloj veprojnë edhe kafshë të tjera tokësore. Ujku, për shembull, ha një kafshë tjetër por kurrë të njëjtin lloj. Domethënë, një ujk të hajë një ujk tjetër. Edhe nëse ujqërit përleshen me njeri tjetrin – ata përleshen ose për t’i dhënë mësim njëri-tjetrit ose për të luajtur. Por kurrë nuk luftojnë për të vrarë njëri-tjetrin. Këtë sjellje duhet ta kishte vërejtur Darvini përpara se të adoptonte qasjen e tij, të cilën, e kanë adoptuar thuajse të gjithë në botën moderne.

Për t’i dhënë përgjigje kësaj sjellje të njeriut brenda llojit, disa studiues argumentojnë se ne sillemi kështu ngaqë trashëgojmë rreth 99% të ADN-së nga primatët.[1] Por kur studiojnë primatët (shimpazetë etj.) ata sërish nuk marrin përgjigje: sepse ata nuk vrasin njëri-tjetrin siç vrasim ne...‘njerëzit’. Kështu ata nuk i japin dot përgjigje kësaj problematike dhe flasin për ‘rritje të ndërgjegjjes” e të tjera si këto.

Kështu, kafshët (jo të gjitha) hanë kafshët e tjera për hir të mbijetesës dhe jo për hir të vrasjes dhe thuajse kurrë nuk hanë të njëjtin lloj. Ndërsa njerëzit vrasin njerëzit jo për hir të mbijetesës por për hir të “besimit”: kur ne ‘besojmë’ se tjetri do të na kërcënojë. Ky lloj besimi shprehet në dy forma: njëri në raport me dy njerëz të zakonshëm dhe tjetri në raport me një njeri të veshur me pushtetin e një shoqërie i cili përballet me pushtetin e një shoqërie tjetër. Nga të dyja këto forma lufta buron ose mes dy njerëzve ose mes dy popujve. Në rastin e ‘luftës’ së dy njerëzve ajo buron nga ai që ‘beson’ se tjetri është më i dobët...dhe ‘tjetri’ kundërpërgjigjet. Në rastin e luftës mes dy popujve ajo buron nga ‘besimi’ se njëra palë kërcënon tjetrën.

Në thelb, humbet ‘besimi’ mes palëve dhe krijohen kushtet për luftë. Për shembull, perëndimorët nuk kanë ‘besim’ te ‘pushteti’ politikë i Rusisë dhe për të njëjtën arsye ata e rrethojnë atë. Ky lloj ‘besimi’ është krijuar jo nga faktet historike (sepse Rusia e shekullit të fundit nuk ka sulmuar asnjë shtet) por nga ‘besimi’ se ajo ‘mund’ të sfidojë hegjemoninë perëndimore dhe për të njëjtën arsye është më mirë ta rrethojnë —arsyetojnë njerëzit e veshur me pushtet në Perëndim— se sa ta lënë të lirë. Apo ‘besimi’ se izraelitët janë racë e zgjedhur nga...e kështu ata duhet të sundojnë botën.

Qartësisht, besimi i këtij lloji ka karakter negativ. Në këtë kuptim, njeriu lufton të njëjtin lloj për hir të pushtetit dhe për shkak të ‘besimit’. ‘Pushteti’ dhe ‘mosbesimi’ luajnë rol vendimtar në sjelljen e njerëzve. Por ‘padrejtësia’ dhe ‘pabarazia’ janë shkaqe lufte gjithashtu. Gjykuar nga kjo qasje ne mund të kuptojmë se pse luftojmë dhe vrasim —ndryshe nga kafshët e tjera të planetit— njëri-tjetrin ose të njëjtin lloj.[2] Është e kotë të shqyrtojmë qasjet fetare lidhur me këtë problematikë: sepse ato janë më shumë se iracionale.   



[1]Tiny genetic differences between humans and other primates, Scientific American, September 1, 2014.

[2]Shih, për më shumë, Pushteti, lufta e përhershme e elitës mbikombëtare dhe Islamofobia. 

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA