...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rendi i “ri” i Kinës dhe topitja e shqiptarëve*

Kur një vend privatizon ndërmarrjet publike (zakonisht, kryesoret, si në rastin e Greqisë, e cila i ka shitur -dhe do t’i shesë- Kinës ndërmarrje publike apo rasti i Shqipërisë) dhe në ekonominë e tij varet dhe dominohet nga infrastruktura tregëtare dhe..

Ylli Përmeti

14/05/2017 - 11:53

Kina ka planifikuar të lidhë botën me një hekurudhë dhe trena të shpejtësisë së lartë, një prej të cilave do të kalojë nga Kina, në Rusi (Siberi), në ngushticën e Beringut drejt Alaskës deri në Amerikë, duke përfshirë një tunel nën det prej 13,000 km dhe shumë tunele të tjerë që do të shpojnë tejpërtej malet.[1] Dhe një linjë tjetër, nga Londra, përmes Parisit, Berlinit dhe Moskës dhe, një tjetër nga Gjermania, në Iran dhe Turqi. Gjithashtu, një tjetër linjë panaziatike e cila lidh Kinën, Singaporin, Vietnamin, Kamboxhian, Tajlandën dhe Malejzinë është në ndërtim e sipër. Pritet, ndërkohë, hartimi i një linje tjetër: ajo do të lidhë Kinën me Afrikën. Dy kanale detar të tjerë, në Jug të Amerikës Veriore, Nigaragua dhe Panama, do të shërbejnë për anijet e saj të mallrave. Kanali i Nikaraguas është krejtësisht i ri (270km) të cilin shpreson ta mbarojë në vitin 2019-të. Atje do të kalojnë anije më të mëdha se në Kanalin e Panamasë. Ky i fundit do të zgjerohet më shumë.[2] Projekti u nxit për shkak të rënies së rritjes ekonomike të brendshme dhe dëshirës për influencë globale. Kina ka ndërmarrë eksperimente për zhvillimin e trenave elektro-magnetikë, të cilët, sipas saj, mund të arrijnë shpejtësi më shumë se 450 km në orë, duke kaluar edhe aeroplanët. Koncepti bazë i këtyre trenave është udhëtimi në tuba pa ajër (“vactrains”), sepse ajri pengon shpejtësinë dhe shton sasinë e energjisë së nevojshme.[3] Dhe mesa duket, është ky koncept që Kina do të zhvillojë në projektin e saj botëror.

Ky projekt, i cili tashmë është pagëzuar nga autoritetet kineze me emrin “rruga e mëndafshtë” (“silk road”) ose “brez dhe rrugë” (“belt&road”), i cili u quajt nga presidenti kinez, Ksi, në forumin e Beixhingut si “projekti i shekullit” —duke projektuar influencën politike në dy audienca kryesore: një në botën e jashtme e cila kërkon udhëheqje globale mes paparashikimeve në Uashington dhe daljes së Britanisë nga BE-ja dhe botës së brendshme ku presidenti kërkon një mandat të dytë— ku morën pjesë më shumë se 100 përfaqësues të vendeve të ndryshme dhe 28 kryetarë shtetesh, me strategji të vagëta, e cila frymëzohet nga dinastitë e Hanit dhe Tangut, dy perandoritë më të mëdha Kineze, që mbulon mbi 3 miliard njerëz dhe do të shpenzojë 124 miliard dollarë,[4] megjithëse me portet dhe linjat e gazit, shifra shkon në 900 miliard dollarë,[5] bart, mes të tjerash, rreziqe gjeopolitike.[6] Sepse në njërën anë Kina synon të lidhë Gjermaninë me Kinën perëndimore me hekurudha, për të cilat kërkohet siguri, dhe siguria mund të realizohet vetëm përmes ushtrisë, të cilën tashmë Kina e ka projektuar për të mbuluar seksionet ku ajo vlerëson se linjat dhe hekurudhat mund të rrezikojnë,[7] sepse në Europë ajo eksporton më shumë se në çdo vend tjetër, në anën tjetër, ky projekt, nuk ndihmon ekonomitë periferike.

Është pikërisht efekti i fundit që nuk tregojnë (ose s’tregojnë sepse s’kuptojnë!) elitat rajonale dhe kinematografitë përkatëse (TVSH-ja p.sh.) që kanë nënshkruar marrëveshjen përkatëse me Kinën. Siç citoi Ksi në forum: “duke përfshirë mijëra milje dhe vite, rrugët e vjetra të mëndafshit mishërojnë shpirtin e paqes dhe bashkë-punimit, hapjes dhe gjithëpërfshirjes, mësimeve dhe interesave të ndërsjella...ne duhet të forcojmë një tip të ri të marrëdhëneve ndërkombëtare që shfaq fitim të dyanshëm (“win-win”) dhe ne duhet të krijojmë ortakëri dialogu pa përplasje dhe miqësore sesa të krijojmë aleanca”. Ksi u bëri thirrje udhëheqësve botëror të refuzojnë proteksionizmin, përqafojnë globalizmin dhe të veprojnë bashkë si kopeja e patave të egra qafëgjata që fluturojnë: sepse Kina do të shtojë vezullim në civilizimin botëror! Gjermania paralajmëroi se ajo do ta refuzojë nënshkrimin e qendrimit tregëtar të Kinës nëse nuk përfshihen garanci rreth lejimit të tenderuesve të lirë për projektin e Kinës. Qartësisht, Gjermania shqetësohet vetëm për “lejimin e tenderuesve të huaj në projektin e Kinës”.

Mesa duket, kërkon të marrë pjesë në të e të fitojë, në të drejtën e saj,  ndonjë tender: sepse vetë e ka zhvilluar transportin hekurudhor shumë më mirë se Kina dhe nuk kërcënohet në sovranitetin e saj. Kina shkel dhe rregullat e OBT-së, ku ajo është anëtare, me moslejimin e tenderuesve të huaj ndërsa nënkupton me “përjashtimin” e të huajve se ose kërkon të ruajë “autenticitetin” e saj në projekt ose ka frikë nga të huajt! Nënshkrimin e projektit e refuzuan shumica e vendeve perëndimore (Britania, Estonia, Greqia dhe Portugalia me Trampin, Mekelin dhe Mejin e Britanisë ta anashkalojnë konferencën. Shtypi kinez kundër-veproi duke mbrojtur idenë e presidentit dhe duke refuzuar ‘idenë’ se Kina kërkon të kolonizojë vendet e integruar në projekt.[8] Shqipëria aktualisht dominohet nga eksportet kineze. Propagandimi i projektit filloi që në vitin 2016-të në Shqipëri nga autoritetet kineze. Në prag të konferencës, Kina dhuroi 3 milionë dollarë për të ndihmuar Teatrin Kombëtar të Baletit, Asamblin Popullor dhe projekte të tjerë që do të përcaktohen në vijim...një praktikë e mirë-njohur tashmë nga vendet perëndimore, e cila synon të ‘zbusë’ qendrimin e autoriteteve lidhur me objektivin e vendit me ”projekte”...pa u çuditur, ministri ynë i transporteve, Sokol Dervishaj, nënshkroi marrëveshjen me Kinën!

Kina synon të ngrejë influencën ndërkombëtare të Kinës ndërsa ajo eksporton tepëricën e industrisë së brendshme rreth botës përmes huave dhe investimeve. Kjo është strategji i mirënjohur tashmë: G7 vepron dekadat e fundit njëlloj me institucionet ndërkombetare (FMN etj.). Ndryshimi i vetëm është se Kina kërkon të zhvillojë dialog dhe jo aleanca! Qartësisht, Ksi nuk foli për cënimin e sovranitetit të popujve! Nuk është e rastit që India e bojkotoi forumin dhe argumentoi se “asnjë vend nuk mund të pranojë një projekt që shpërnjeh shqetësimet e tij kryesorë mbi sovranitetin dhe integritetin territorial”. Sigurisht, India ka lidhje territoriale me Kinën dhe ka një arsye më shumë të shqetësohet për territorin dhe sovranitetin e saj. Por nëse Kina ka arsyet e veta se pse s’e përmend ‘sovranitetin’ e popujve —ku projekti do të kalojë— klasat politike të varura nga projekti, kanë një arsye tjetër, se pse nuk e përmendin dhe diskutojnë efektin e tij mes popujsh: sepse ato kërkojnë të tregojnë në sytë e popujve se punojnë. Kjo është arsyeja kryesore; tjetra është se ato janë kryekëput pasive në politikë dhe projektet e kësaj natyre i shikojnë si burim fitimi. Sigurisht, ky është një fitim afat-shkurtër si gjithë fitimet e tjerë që kanë gjeneruar dekadat e fundit (ndërtime etj.) dhe vetëm për një pakicë sesa për tërësinë e popujve.

Kina ka ndërtuar 240 impiante energjie me bazë qymyrin dhe investuar në 25 nga 65 vende të Brezit. Edhe në këtë rast, ajo ka eksportuar teknologji ndotëse dhe vrastare për ekosistemin. Por fitimprurëse për projektin e saj: sepse impiantet përkatës ulin koston e tij! Për të mbrojtur projektin e saj rreth botës, Kina, ndjek praktikat e qeverive amerikane në Afganistan dhe Irak: në vend të ushtrisë ka krijuar grupe private sigurie për të mbrojtur ndërmarrjet e saj rreth botës. Vetëm përgjatë vitit 2016-të Kina punësoi jashtë vendit rreth 3,200 punëtorë kinezë nga grupet e sigurisë private. Kjo ka çuar qeverinë kineze të masakrojë punëtorët që punëson në ndërmarrjet e saj jashtë vendit. Për shembull, në vitin 2010-të, mbikqyrësit e një miniere qymyri të pronësuar nga Kina në Zimbabue, qëlluan me armë zjarri mbi një turmë punëtorësh të cilët kërkonin rroga më të larta, duke plagosur 11 punëtorë dhe për pasojë, duke shkrepur një reagim anti-Kinë.[9]

Kina kërkon të ndërtojë rrugë dhe linja gaz-naftë-sjellëse me qëllim që të zbusë aksesin te burimet që ajo ka nevojë për të vazhduar zhvillimin e saj. Aktualisht Gjermania dhe Kina transportojnë më shumë me anije dhe transporti me trena kalon përmes Rusisë. Kjo linjë nënkupton se ky lloj transporti varet nga politika doganore e Rusisë: nëse ajo është siç është sot, me kontrolle rigoroze, trasporti me hekurudha vështirësohet. Kjo është arsyeja pse Kina mundohet të promovojë kalimin e një linje rreth Rusisë sesa përmes saj. Ndërkohë që Rusia promovon linjën e saj trans-Siberike si rrugën kryesore nga Europa në Kinë. Nuk është e rastit që lidhur me këtë projekt kanë filluar të shqetësohen qeveritë periferike (Turqia etj.) nga ku do të kalojë rruga e “mëndafshtë”.[10]

Bashkë me globalizimin e ekonomisë së saj infrastrukturore Kina duhet —siç është bërë gati— të globalizojë dhe Bankën e saj Zhvillimore pavarësisht se kanë rënë investimet: ato ranë vitin e kaluar dhe kanë rënë këtë vit me 18 për qind. Dhe bashkë me bankat investitore janë përshirë dhe 47 ndërmarrje shtetërore në 1,676 projekte në vendet ku linja do të kalojë.[11] Projekti nënkupton se vendet e përfshirë do të përdorin për herë dhe më shumë infrastruturën transportuese të Kinës dhe do të pranojnë —në mënyrë të përhershme— filialet e bankës zhvillimore kineze bashkë me ushtrinë e saj! Nënkupton, për më shumë, dominimin e ekonomisë kineze në gjithë vendet e integruar. Sigurisht, në afat-gjatë. Por është e sigurtë se edhe nëse nuk është ky objektivi final i qeverisë kineze, efekti anësor e tij do ta çojë Kinën të dominojë vendet e integruar në projektin e saj infrastrukturor sepse Kina, paralel me këtë proces, është duke privatizuar ndërmarrje publike.

Kur një vend privatizon ndërmarrjet publike (zakonisht, kryesoret, si në rastin e Greqisë, e cila i ka shitur -dhe do t’i shesë- Kinës ndërmarrje publike apo rasti i Shqipërisë) dhe në ekonominë e tij varet dhe dominohet nga infrastruktura tregëtare dhe ekonomike e një vendi tjetër ai përfundon së qeni më një vend ‘tjetër’!

 

*Shkëptur nga kapitulli me titull “Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë” të librit “Kundër-revolucione në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal: nga ekofashizmi i organizuar në luftë të përhershme” i të njëjtit autor



[1]Beijing to the US by train: China outlines plans to connect world by high speed rail network, The Independent, 09 May 2014.

[2]Lure of larger container ships fuels canal boom in central America, FT,March 26, 2015.

[3]​China tests 3,000-kph ‘super-Maglev’ train concept, RT, May 10, 2014.

[4]China invests $124bn in Belt and Road global trade project, BBC, 14 May 2017.

[5]China encircles the world with One Belt, one Road Strategy, FT, May 3, 2017.

[6]Geopolitics cast shadow over New Silk Road, FT, October 17, 2014.

[7]China’s great game: road to a new empire, FT, October 12, 2015.

[8]The world must unite like a ‘flock of geese, says China-s X Jinping, The Guardian, 15 May 2017.

[9]Chinese private security companies go global, FT, February 27, 2017.

[10]China Plans a New Silk Road, but Trading Partners Are Wary, New York Times, DEC. 25, 2015.

[11]China ‘New Silk Road’ investment fell in 2016, despite policy push, FT, 10 May, 2017.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA