...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si prokuroria humbi rëndësinë e saj me gazetarët “prokurorë” dhe si mund t’i shërbejë të vërtetës dhe popullit?

Ja pse duhet të përfshihet një popull në gjykim: për të zhvilluar virtytin e drejtësisë dhe për të zvogëluar padrejtësitë dhe dhimbjet që shkaktohen mes njerëzve nga padrejtësitë.

Ylli Përmeti

18/02/2018 - 11:06

Siç ndodhi me akademinë e shkencave dhe mësuesit, të cilët u zëvendësuan me opinionistët e masmedias private, ashtu ndodhi dhe me prokurorët: ata u zëvendësuan me gazetarët “investigativë”. Prokurorët tanë —rreth 300— për 28 vjet me rradhë, nuk hetuan krimin shtetëror, nuk kanë asnjë rezultat konkret dhe janë të implikuar thuajse të gjithë në krim. Paralelisht qeveritë tona u kanë dhënë buxhet mjaft të majmë. Për vitin 2018-të, për shembull, prokuroria mori gjithçka që kërkoi nga komisioni i ligjeve: punonjës shtesë dhe buxhet mjaft të madh: plotë 164 milionë lekë ose rreth 1, 238, 814 euro! 

Çfarë i duhet “Akademisë së Shkencave” dhe pse u shkatërrua figura e Mësuesit?

Nëse e krahasojmë këtë shumë me shumën e një nga masmediave private që na paraqitet si më e “mira”, kuptojmë se shuma është mjaft e madhe. Për shembull, Top Channel ka një xhiro vjetore prej rreth 1.6 miliard lekë (ose rreth 12 milion euro). Kjo është një shumë për gjithë veprimtarinë e tij. Gazetarët “investigativë” punojnë pesë ditë të javës dhe “hetojnë” një deri në dy çështje në ditë dhe janë një pjesë shumë e vogël e veprimtarisë tërësore të masmedias përkatëse. Paralel më këtë gazetari “investigative” realizojnë dhe një emision tjetër, “investigativ”, ku ftohen “ekspertët” e zakonshëm. Duke anashkaluar çështjen se “investigimet” gazetareske nuk janë vërtet hetuese, nuk kanë karakter juridik dhe realizohen nga një masmedia private qëllimi kryesor i së cilës nuk është dëftimi i të vërtetës por fitimi dhe, mund të kritikohet me të drejtë për këtë karakter, këta gazetarë realizojnë më shumë punë se prokurorët. Këta, në të vërtetë, hetojnë shpesh dhe prokurorët. Në këtë kuadër, prokurorët marrin rol dytësor dhe gazetarët, pikërisht për shkak të audiencës dhe punës, marrin rol parësor.

Nga ana tjetër, është bërë e udhës tashmë që komisionet e përbëra nga partitë në pushtet të “debatojnë” kërkesat e institucioneve të tjerë shtetëror për t’i treguar popullit se ka mospajtime dhe ‘demokraci’. Por ata nuk shqyrtojnë asnjë herë punën e prokurorisë as edhe shqyrtojnë “lirinë” e prokurorëve: se sa liri ka patur çdonjëri në punën e tij. Në të vërtetë, fakti që prokuroria nuk ka asnjë rezultat për gjithë këta vite tregon pikërisht mungesën e lirisë: se prokurorët janë të varur nga buzët e kryetarëve të partive — emëruesve të tyre. Kështu, në këtë hipokrizi politike, një “debat” u zhvillua gjatë miratimit të kërkesave të prokurorisë ku kishte mospajtime. Opozita akuzoi përfaqësuesit e qeverisë për “konflik interesi” sepse kjo e fundit kishte akuzuar prokurorinë në “punën” e saj!

Kujtojmë blofin e prokurorisë së krimeve të rënda, e cila kërkoi të arrestojë Tahirin duke u mbështetur në hetimet e homologëve të saj në Itali dhe indikacione se sa në hetimet e saj dhe prova. Dimë, gjithashtu, se shumica e prokurorëve dekadat e fundit e kanë shoqëruar krimin dhe shpesh e kanë nxitur në bashkëpunim me policët...për përfitime. Dimë, për më tepër, se prokurorët për të përligjur veten dhe parizituar nëpër zyrat e shtetit, arrestojnë njerëzit e varfër dhe ndonjë student dhe jo krimin që shkaktohet nga emëruesit e tyre! Nuk do të ishte e çuditshme që “debati” i komisionit të miratojë kërkesat e prokurorisë dhe kjo e fundit të kënaqet. Finua, për shembull, kundrejt kërkesave të prokurorëve citoi se: “dhjetë veta, bam, t’i emërojmë, të fillojmë punë në 1 janar në prokurori, të bëjnë qilizëm të plotë jo vetëm të politikës por edhe administratës së lartë”…

Por institucioni i prokurorisë nuk ka asnjë mundësi të hetojë krimet politike përsa kohë që emërimet në sektorin përkatës dhe buxheti miratohen nga pushteti politik. Pushteti politik i partive, në fjalë të tjera, bllokon çdo nismë hetimore nga prokuroria. Për shembull, me Llallën PD-ja bllokoi veprimtarinë e tij hetimore kundrejt anëtarëve të saj; ndërsa PS-ja bllokoi që në fillim veprimtarinë hetimore të Markut: sepse Marku u emërua nga PS-ja. Si mund të hetojë një kryeprokuror krimin që shkakton qeveria “Rama” kur ai emërohet dhe kërkon miratim buxhetor nga e njëjta qeveri? Varësia e kryeprokurorit kundrejt qeverisë përkatëse, rrjedhimisht është e dyfishtë: një herë kur emërohet nga qeveria dhe një herë kur kërkon buxhet vjetor nga ajo. Ndryshimi i vetëm që ka Llalla me Markun është se kjo e fundit do të bashkëpunojë me amerikanët ndërsa Llalla luante në dy dyer: edhe me Lunë edhe me Berishën - edhe për hetime edhe duke mos hetuar.   

Të gjitha këto në kohën kur po krijohen institucione të tjera drejtësie nga amerikanët. Qartësisht, pushteti politik, bashkë me prokurorinë, po mundohet të krijojë një tjetër tymnajë për të ‘rivalizuar’ institutcionet e tjera hetuese: sepse që të hetojë prokuroria krimin politik dhe t’i bëjë ‘qilizëm’ atij, siç na tregon Finua, ajo duhet të jetë vërtet e pavarur nga pushteti politik i partive përkatëse. Pavarësia hetuese nënkupton se kryeprokurori nuk duhet të emërohet nga legjislativi dhe ky me rradhë të çemërojë dhe emerojë prokurorët e prokurorisë. Por nga vetë sektori i drejtësisë pasi të jetë themeluar demokraci gjithëpërfshirëse në sektor ku të shqyrtohen rezultatet e punonjësve nga vetë anëtarësia e sektorit dhe të votohen nga po ata dhe pasi të jenë krijuar dhe kualifikuar vërtet dashnorë të ligjit — domethënë, njerëz që mbi drejtësinë dhe ligjet nuk vendosin asgjë tjetër dhe japin dhe jetën për të.

Së çfarë nënkupton më tej kjo lloj pavarësie është se qeveria duhet të kishte përgatitur një kuadër ligjor me ndihmën e anëtarëve të sektorit të drejtësisë dhe ky, me rradhë, të bashkëpunonte ngushtë e universitetin publik ku punonjësit mund të japin mësim dhe kualifikojnë pasardhësit e tyre. Në këtë raport, mes sektorit të drejtësisë (prokurorëve dhe gjykatësve) dhe universitetit publik, punonjësit e të cilëve shqyrtohen dhe zgjidhen nga trupa juridike dhe pedagogjike, krijohet dinamika shkencore dhe themelohet demokracia dhe liria e nevojshme për të hetuar dhe krimin e partive në pushtet duke mbrojtur liritë themelore të popullit dhe vendosur drejtësi.

Ky është një variant që mund të realizohet në kushtet aktuale; një tjetër është themelimi i demokracisë gjithëpërfshirëse duke përfshirë dhe popullin, me qëllim që virtyti juridik të zhvillohet në çdo zemër. Kjo lloj përfshirje është e domosdoshme sepse pa virtytin e drejtësisë njerëzit do të jenë gjithnjë të padrejtë me njëri-tjetrin dhe gjithnjë do të shkaktojnë padrejtësi kur, dihet se padrejtësitë e mëdha, që shkaktojnë shumë dhimbje, do të shkojnë në gjykatë dhe do të ngrejnë edhe koston ekonomike. Ja pse duhet të përfshihet një popull në gjykim: për të zhvilluar virtytin e drejtësisë dhe për të zvogëluar padrejtësitë dhe dhimbjet që shkaktohen mes njerëzve nga padrejtësitë...                  

Minimi i reformës në drejtësi nga klasa politike: mitet dhe alternativat

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA