...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si t’i kuptojmë gocat që na ‘provokojnë’ me veshjet?

Sepse një ndër shkaqet kryesore se pse meshkujt kryejnë krime —përdhunime— është pikërisht moskuptimi i kësaj problematike.

Ylli Përmeti

03/11/2017 - 09:50

Që të gjykojmë drejtë çështjen e veshjes së femrave —të rrobave të shqyera dhe jo vetëm— e cila shpesh kritikohet por pa ndonjë kriter dhe pa ndonjë filozofi edukative, ne duhet të kuptojmë natyrën e estetikës: ajo duhet të synojë bukurinë (duke patur parasysh se ‘se çfarë është e ‘bukur’ për njërin s’është për tjetrin!) dhe mesataren (duke patur parasysh se ‘se çfarë është ‘mesatare’ për njërin s’është për tjetrin!).

Në dijeninë time, në asnjë shkollë nuk studiohet ‘bukuria’ dhe mesatarja estetike lidhur e veshjen. Zakonisht projektuesit e veshjeve dominohen nga ‘përfitimi’ dhe projektojnë veshje që ‘provokojnë’ ndjeshmëri të veçanta njerëzore se sa zbukurojnë syrin dhe shpirtin: ata shtyhen nga fakti se femrat duhet të ‘tërheqin’ vëmendjen dhe për ta realizuar këtë objektiv projektojnë veshje që ‘provokojnë’ ndjenja të veçanta — domethënë, ‘ndjenja epsharake’ tek meshkujt. Ata veprojnë kështu, jo me qëllim por sepse nuk dallojnë dot mes të bukurës ose ndjenjave që ndikohen nga e bukura dhe ndjenjave që provokohen nga tërheqja seksuale.

Ndarja mes ndjenjave që shkaktojne bukuri dhe epsh është mjaft e hollë dhe kërkon studim. Në dijeninë time s’është kryer asnjë studim për këtë çështje. Se si mund të kryhet studimi është e qartë: mund të eksperimentohet me një grup gocash që vishen “bukur” dhe me një grup tjetër që vishen “provokueshëm” dhe të vrojtohen reagimet e meshkujve. Citova në fillim projektuesit e veshjeve sepse ne jemi të varur nga ata: sepse ata projektojnë dhe prodhojnë veshje për ne dhe jo anasjelltas. Përmes sfilatave dhe dyqaneve ata krijojnë dhe “modën” e re.

Në këtë raport, mes qytetarëve pa aftësi estetike dhe projektuesve me aftësi projektuese por pa filozofi edukative, krijohet dinamika edhe e veshjeve të shqyera për femrat. Pikërisht për këtë arsye —të mungesës së virtytit estetik— femrat shpesh quajnë rrobat e shqyera të bukura.

Parë nga kjo qasje, mes projektuesve të veshjeve dhe qytetarëve, ndikimit që kanë veshjet në ndjenjat tona dhe në reagimin tonë, ne duhet të themelojmë shkolla ku të shqyrtohet dhe dallohet qartë “bukuria estetike” nga “estetika epsharake” dhe “estetika e mesatares” nga “estetika e tepërisë”. Një projektues që nuk dallon dot këto dy aspekte, nuk duhet të kualifikohet si projektues veshjesh e as, sigurisht, duhet të shesë rroba në treg.

Efekti që ka veshja “provokuese” tek meshkujt është i madh, sidomos kur meshkujt (dhe jo vetëm) e shikojnë problemin te gocat dhe jo te vetja: se goca mund të vishet ashtu siç vishet pjesërisht si pasojë e nevojës së saj dhe ndikimit që ka pësuar nga bota e jashtme që ka krijuar bota i projektuesve të veshjeve dhe pjesërisht nga keqedukimi i saj lidhur me estetikën. Në një botë ku bukuria dhe mesatarja estetike nuk edukohet dhe ‘tepëria’ nuk kritikohet s’ka se si një gocë e re të mos rrëmbehet në veshjen e saj.

Mungesa e kuptimit të gocave çon shpesh meshkujt të sillen në mënyrë të papërmbajtur dhe tejet banale kur “provokohen” nga femrat. Por është mungesa e kuptimit të rolit që kemi në shoqëri si meshkuj që çon në reagime të tilla. Parimi se “çdo gocë që na provokon mund të jetë bijë dhe motër e një babai dhe vëllai që mund të jetë shoku ynë” as është kuptuar dhe as është adoptuar nga meshkujt. As është adoptuar roli i edukimit të tjetrit qoftë edhe nëse na provokojnë në publik ndjenja epsharake. Kur një gocë provokon seksualisht, meshkujt e shikojnë si “sinjal” se ajo duhet “gjuajtur”. Ndryshe, thonë meshkujt, ajo do të mendojë për ty se s’je mashkull.

Kështu ata gjenden mes ‘paragjykimit’ dhe moskuptimit të rolit të tyre në shoqëri. Këto janë aspekte që duhet të edukohen në shkollë nga mësuesit por edhe në familje nga prindërit. Në dijeninë time mungon kuptimi kësaj problemtike në të gjithë nivelet dhe për të njëjtën arsye, në vend të zhillojmë njerëz kuptimplotë - zhvillojmë dhimbje dhe shpesh krime: sepse një ndër shkaqet kryesore se pse meshkujt kryejnë krime —përdhunime— është pikërisht moskuptimi i kësaj problematike.

Thirrja e një avokati egjiptian kundrejt bashkatdhetarëve por dhe homologëve të tij në fe, për të përdhunuar të gjitha femrat që vishen me rroba të shqyera, është dëftues. Thirrje të tilla, dhe për më tepër nga një njeri i ‘drejtësisë’, ndikohen sa nga feja —feja muslimane ndalon dhe dënon veshjen ‘provokuese’ të femrave— po aq dhe nga keqedukimi i njerëzve, në kuptimin e moskuptimit të shkaqeve. 

Nuk është e vështirë, fundja, të kuptohet padija dhe pakuptimshmëria e meshkujve lidhur e femrën në pëgjithësi dhe veshjen e saj në veçanti. Këto janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse një mashkull sillet ashtu siç sillet me femrat që vishen “provokueshëm”.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA