...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Toka shkretohet (nga zjarret...) ndërsa elitat dhe popujt janë zhytur në padije dhe hipokrizi: nga Greqia në Shqipëri

Gjithë planeti, në fakt, është përfshirë nga zjarret: nga Napa Valley të Kalifornisë dhe Los Angeles të Amerikës dhe Suedi (Evropë) deri në Siberi dhe Japoni. Që në fillim të këtij viti ka patur më shumë se 450 zjarre — 40 për qind më shumë se mesatarja e dekadës së fundit

Ylli Përmeti

29/07/2018 - 10:04

Thuajse njëlloj si qeveritë tona paraqiten dhe qeveritë e tjera: qeveria e “majtë” e Ciprasit, për shembull, kur ra zjarri në korrik 2018 në periferi të Athinës (Mati etj.) dhe ku u dogjën të gjallë dhjetra njerëz dhe u shkretuan mijëra banesa dhe hektarë pyje dhe kur një ditë më pas u përmbytën disa vendbanime nga rreshjet e shiut...qeveria u zhvesh nga përgjegjësia sepse sipas “hetimeve”, indikacionet tregojnë se zjarret u vunë nga dora e njeriut —meqë u shfaqën shumë vatra zjarri në një kohë të shkurtër— dhe nga kushtet ekstreme të motit (era e fortë)! Pak ditë pas tragjedisë Ciprasi mori përgjegjësinë politike për zjarrin duke përmendur edhe një herë ‘indikacionet’ si ‘shkaqe’.

Më konkretisht, foli për tragjedinë e shkaktuar nga zjarret duke përmendur shkaqe që lidhen me përmbytjet (ndërtimet pa leje dhe dystosjen e kanaleve ku kalojnë ujërat e rreshjeve)! Për të njëjtën arsye qeveria e tij do të krijojë një mekanizëm shtetëror për t’u përballur me shtrembërimet e vendbanimeve në nivel kombëtar. Ndërsa zjarret, sipas tij, ishin pasojë e dorës së njeriut (“εμπρησμός”). Për të njëjtën arsye qeveria e tij nuk do të merret me komplote si pararendësit por do të organizojë mbrojtjen e vendit dhe shoqërisë kundrejt veprimeve kriminale të këtij lloji, sepse nëse qëllimi i kriminelëve është të dëmtojnë kohezionin social dhe të krijojnë pasiguri mes qytetarëve ata ndoshta do të përpiqen prapë ndaj qeveria duhet të jetë syhapët dhe e gatshme për t’u përballur me asimetrinë e krijuar...

Por le t’i shqyrtojmë këto shkaqe se sa të vërtetë janë: indikacionet se zjarret janë vënë nga dora e njeriut —ose mafia— për të krijuar toka të reja për të ndërtuar përdoret thuajse nga të gjitha qeveritë dhe masmedia që kontrollojnë. Por edhe nëse do të ishte kështu, që prapëseprapë janë ‘indikacione’ bazuar në shfaqjen e zjarrjeve dhe jo prova— nuk është përgjegjësi e qeverisë që ta presë në pritë “mafian” kur ajo të zbarkojë në tokat e reja për të ndërtuar dhe të hetojë “faktin” se ajo ishte zjarrvënësja? Po zjarrvënësit kaq naivë janë saqë t’i vënë zjarrin pyjeve për tokë ndërtimi dhe pas “dasmës” që shkaktojë të shkojnë në vendin e ngjarjes? Nuk do të duhet të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore për këtë objektiv që t’i shmangen zbulimit? Ky argument, rrjedhimisht, fsheh një të vërtetë të madhe: se “mafia” e zjarreve dhe tokave do të bashkëpunojë me autoritetet shtetërore që të përparojë objektivin e saj.

Ndryshe, “mafia” do të kapet nga organet shtetërore (prokuroria etj.). Krahas këtyre shkaqeve masmedia përmendi një shkak tjetër: se ishin ndërtimet kaotike (pa plan urbanistik dhe pa vend-dalje shpëtimi) që penguan dhe kurthuan njerëzit në gjuhët e flakëve. Ky “shkak”, në fakt, është pasojë e vendbanimeve përkatëse: sepse ato u dogjën për shkak të pyllit me pisha dhe erës. Pyllin e kishin krijuar vetë banorët — për të pasuruar vendbanimin ndërsa erën e krijon natyra kur dihet se era në bregdet është më e fuqishme se në vende të tjerë. Era e fortë, pisha që digjet si benzina dhe kultura e ndërtimeve pa leje dhe pa plan urbanistik, janë tre shkaqet kryesore!

Nga këta tre shkaqe, pylli është shkaku kryesor: sepse edhe nëse ndërtimet ishin ndërtuar  pa plan urbanistik por pa pyje, jeta e njerëzve nuk do të kërcënohësh. Kështu, qeveria “Cipras” dhe masmedia, në vend të dëftonte shkaqet e vërtetë të tragjedisë dhe t’i luftonte, tregoi, edhe një herë, pasojat si shkaqe! Pasoja e kësaj ‘politike’ është se tragjeditë do të përsëriten dhe hipokrizia njëlloj. Duhet thënë se kuptimi i shkaqeve mungonte dhe nga viktimat. Nuk është e rastit që ata pohonin me krenari se do të ringrinin vendbanimet e tyre ku hamendësisht nuk do të mungojnë dhe pishat: sepse nëse do të kishin kuptuar shkaqet — do të ushtronin presion kundrejt qeverisë për të hartuar një plan urbanistik ku pemët si pisha të përdoreshin më pak dhe në vend të tyre të përdoreshin pemë që nuk digjen lehtë ndërsa në prag të verës të kërkonin pastrimin e pyllit nga shkurret e thata me qëllim që të ulnin mundësinë e zjarreve.

Kujtoj se këtë qasje e quajmë “urtësi praktike” natyrën e të cilës e kam shqyrtuar në vend tjetër dhe kam treguar shkaqet pse është shkatërruar dhe nuk zhvillohet as mes popujve as mes elitave — të majta apo të djathta. Nuk është e rastit që Portugalia vetëm kur pësoi djegie dhe vdekje të mëdha (vdiqën nga zjarret 115 vetë gjatë vitit 2017) filloi të mendonte për parandalimin: tashmë ka krijuar një strukturë shtetërore që synon të administrojë pyjet, të parandalojë zjarret dhe të përballet me zjarret. Kështu ajo ka krijuar mes banesave zona ku nuk ka pemë ndërsa ka rritur aftësitë e zjarrfikësve — hemendësisht sepse kuptoi se shkaku i zjarreve ishin pemët. Sa i vështirë është vallë kuptimi i këtij shkaku?!

Por qoftë edhe në këtë rast, ajo ka kuptuar një pjesë të shkakut sepse ajo vazhdon të kërcënohet nga zjarret: sepse, argumentojnë autoritetet atje, qytetarët janë të papërgjegjshëm! Por është e qartë se masat parandaluese janë të pamjaftueshme: sepse nuk mbikqyrin pyllin pranë vendbanimeve dhe jo vetëm...për shkurret që ai prodhon, të cilat bëhen shkak i zjarreve, as edhe konsiderojnë rikonceptimin e pyjve me pemë që nuk digjen lehtë. Kujtoj pakuptimësinë e popullatës, “ekspertëve” dhe dokumentaristëve të masmedias, të rrëshqitjeve të dheut në Gjirokastër e vende të tjerë.

Gjithë planeti, në fakt, është përshirë nga zjarret: nga Napa Valley të Kalifornisë dhe Los Angeles të Amerikës dhe Suedi (Evropë) deri në Siberi dhe Japoni. Që në fillim të këtij viti ka patur më shumë se 450 zjarre — 40 për qind më shumë se mesatarja e dekadës së fundit. Ndryshimet klimatike, argumentojnë shkencëtarët e establishmentit janë një “përshpejtues” i zjarreve. Krahas këtij faktori, urbanizimi, ndryshimi i mënyrave të përdorimit të tokës, ardhja e specieve furacake dhe qoftë edhe politikat e kursimit janë faktorë kontribues. Zjarret në rrethin e Arktikut, argumentojnë ata, janë rezultat e thatësirës dhe të nxehtit që i kanë bërë pyjet veçanërisht të djegshëm. Tokat torfike në Britani, zakonisht të mbrojtura nga lagështia e ajrit, janë djegur gjithashtu. Në Amerikë, mesatarja e zjarreve të mëdhenj është dyfishuar që nga viti 1970-të. Suedia e ka të vështirë të përballet me flakët e zjarreve kur zona e djegur është 40 herë më e madhe se mesatarja vjetore përgjatë dekadës së kaluar.

Qendra të ndryshme klimatologjike përllogarisin se humbjet në pyje dhe rritja e kostos mjedisore dhe ekonomike për popujt do të jenë shkatërruese. Vetë OKB-ja po përgatit një raport për efektin e ngrohjes në planet. Sipas një rrjedhje nga i njëjti raport, temperatura globale do të kalojë pragun prej 1.5 C° në vitin 2040-të — fakt që kërcënon edhe më shumë pyjet në vende ku nuk binte kurrë zjarri. Vendet pranë ekuadorit do të preken më shumë.[1] Kujto Brazilin, xhunglën e fundit të planetit!

Por “shkencëtarët” e establishmentit i qetëson fakti se njeriu përshtatet shpejt qoftë edhe në kushtet e të ardhmes ndërsa nuk përmendin as shkaqet që përmenda më lartë as përmendin faktin se çfarë ndodh pas djegieve të pyjeve në atmosferë (për shembull, pas djegieve të pyjeve në Athinë ra shi me gjyma! Pse? Sepse djegia e pyjeve çliron dioksid karboni në atmoserë dhe kur ai nuk largohet me erën —era u ndërpre pas zjarreve— në temperatura të larta ku uji avullon në sasi të madhe dhe avujt ngarkohen me metale të rëndë shkaktojnë shira të rrëmbyer, shkarkesa elektrike të rrezikshme ndërsa helmojnë tokën, kafshët dhe ujin…Në Kanadanë e vitit 2014-të, për shembull, u dogjën më shumë se 28 mijë km² pyje duke çliruar më shumë se 103 milion tonë karboni në atmosferë — sa gjysma e aftësisë absorbuese vjetore e gjithë pemëve në Kanada kur nevojiten më shumë se 60 vjetë për një pyll të arrijë gjendjen e mëparshme).

Qartësisht, jeta e planetit është në rrezik tejet të madh dhe elitat dhe popujt as i kuptojnë shkaqet as shqyrtojnë ndonjë kontribut të ndonjë autori që hedhë dritë në këtë dhe shumë kriza të tjera. Gjendja është më kritike në Shqipëri: jo vetëm sepse përqindja e pyjeve është përgjysmuar tre dekadat e fundit por edhe sepse elita jonë është në një shkallë të madhe pa dije (urtësi praktike e quajmë këtë lloj dije pa folur për urtësinë teorike) dhe populli është pështjelluar në “urtësinë” mbizotëruese të establishmentit...

Por le t’i kthehemi shqyrtimit të shkaqeve të përmbytjeve: ato nuk mund të lidhen vetëm me rreshjet intensive, siç argumentojnë “specialistët” e socializmit marksist, pa treguar shkaqet e rreshjeve intensive...

 

Pjese nga nje studim me i gjere: Kanosja ekologjiko-katastrofike e planetit: nga përmbytjet biblike, djegiet e pyjeve dhe thatësirat shkretuese te përfitimet e elitave dhe dalldisja e popujve  


[1]Scorched earth: the world battles extreme weather, FT, 27 July, 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA