...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulohet (edhe një herë) çpedagogjia e sistemit arsimor (Fuga etj.): nga lojrat e fatit te popujt e fatit

Dokumentari, ndryshe nga lajmi, synon të shqyrtojë shkaqet e një problematike dhe synon më tej, bazuar në shqyrtimin e shkaqeve, të sjellë propozime konkrete për zgjidhjen e saj: sepse kur kuptohen shkaqet e vërtetë të saj mund të propozohet zgjidhja. Lidhur me lojrat e fatit, të cilat janë një problem tjetër që duhet të shqyrtohen dhe ndriçohen, një gazetare e oligarkisë politike dhe ekonomike, me gjithçka e shoqëron këtë lloj oligarkie, e cila nuk lë libër pa i treguar publikut në rubrikën e librit të televizionit ku punon, veç studimet nuk tregon...

Ylli Përmeti

19/04/2018 - 22:50

Kontradiktat e gazetares dhe ekspertëve të sistemit arsimor lidhur me shkaqet e përfshirjes në lojrat e fatit

Dokumentari, ndryshe nga lajmi, synon të shqyrtojë shkaqet e një problematike dhe synon më tej, bazuar në shqyrtimin e shkaqeve, të sjellë propozime konkrete për zgjidhjen e saj: sepse kur kuptohen shkaqet e vërtetë të saj mund të propozohet zgjidhja. Lidhur me lojrat e fatit, të cilat janë një problem tjetër që duhet të shqyrtohen dhe ndriçohen, një gazetare e oligarkisë politike dhe ekonomike, me gjithçka e shoqëron këtë lloj oligarkie, e cila nuk lë libër pa i treguar publikut në rubrikën e librit të televizionit ku punon, veç studimet nuk tregon...na tregon “shkaqet” —përmes zërave të ‘ekspertëve’ të establishmentit akademik— dhe pasi na tregon shkakun kryesor, pushtetin politik, e kërkon zgjidhjen nga i njëjti pushtet!

Ajo fillon me një dëshmi të një “narkomani” dhe vazhdon me një koment të Fugës, sipas të cilit, bixhozi “krijon varësi dhe [është] sëmundje psikologjike që është lidhur me kushte sociale” — domethënë, “pesë lekë të kem do të shkoj t’i luaj bixhoz”. Pasi gazetarja heton dëshmitarin se çfarë ndodhë në psikikën e një lojtari dhe ky i fundit s’tregon asnjë fakt tjetër veç të vetëkuptueshmen, —fiksimin për të vazhduar lojën pavarësisht dëmit ekonomik…kujtoj fiksimet tona në fëmijëri— vazhdon me një sociolog i cili citon se loja “bëhet në vetë-vete një lloj droge e cila bëhet e vështirë ta lëshë dhe kur ti ke shumë pará është e vështirë...është një lloj dorge që të mbërthen dhe nuk të lëshon”. Më pas një pedagog i shkencave sociale na thotë se “kjo lojë prek fillimisht të pasurit të cilët duan të fitojnë emocione dhe nga ana tjetër prek të papunët dhe të keqpunësuarit të cilët jetojnë aq keq saqë tentojnë ruletën e fatit...ngasja është e madhe mirëpo kjo është vetëm simptoma...unë mendoj, citon pedagogu, se duhet të luftojmë fortë shkaqet...të transformojmë marrëdhëniet shoqërore...t’u mundësojmë njerëzve të punojnë me një punë të dinjitetshme” (me të ardhura të mjaftueshme: shënimi im).

Sidoqoftë, kumari apo bixhozi, citon gazetarja, është i përhapur dhe masiv dhe si i tillë, është shqetësues, duke cituar edhe një herë sociologun i cili argumenton se është “fatkeqësi” të shohësh vendet e basteve në çdo lagje. Një pikë basti për çdo 1 mijë banorë, ose rreth 3 mijë e ca pika në gjithë Shqipërinë, industri me të ardhura sa trefishi i fondit të ndihmës ekonomike, citon një gazetar i sektorit të ekonomisë. Në këtë shqyrtim, filozofi Fuga, shton se: “ka shumë familje që mbi bazën e basteve kërkojnë të ndërtojnë të ardhurat. Këtu fillon mbrapshtë situtata: nuk është loja që pasi jam lodhur në punën time po shkoj dhe të luaj. Jo, nuk kam punë. Dhe puna ime është të luaj. Dhe këtu vjen problemi kombëtar: një komb, një energji masive, të dobëson intelektualisht, të bënë dembel psikologjikisht dhe humbet të tëra aftësitë profesionale dhe fizike...këtu fillon një dramë e madhe”. Më tej gazetarja, duke u ndikuar nga përfundimet e Fugës, citon se drama e bixhozit është një ndër pëgjegjësit kryesor të degradimit të shoqërisë shqiptare dhe...shumë nisma janë ndërmarrë për t’i larguar në periferi…por politika çdo herë është dorëzuar.

Dokumentari përmend dhe përpjekjet e regjimit të Zogut për ta frenuar kumarin; faktin që qeveria marksiste e penalizoi si veprimtari ndërsa loja zhvillohësh fshehtas; dhe shpërthimin e kumarit pas rrënimit të socializmit marksist duke rrënuar jetë dhe familje. Shkurt, dokumentari fajëson vetëm pushtetin politik, në kuptimin që ai ka lejuar veprimtarinë e kazinove që të rinjtë dhe njerëzit e papunë dhe të tjerë me punë të padinjitetshme, kanë qasje në këto qendra kumari – një qasje që e adoptoi dhe bashkia e Tiranës e drejtuar nga Basha dhe qeveria “Rama1” në vitin 2013-të kur kërkoi t’i jepte fund marrëzisë dhe nuk realizoi asgjë. Pas dështimit të parë qeveria “Rama2” vazhdoi me miratimin e një ligji që rregullonte sektorin (kufizonte distancën mes kazinove, moshën etj.). Në thelb, kërkonte ta kthente sektorin në “argëtim” të drejtë se sa mashtrim të drejtëpërdrejtë. Por edhe ky ligj dështoi në zbatimin e tij. Disa (Xhafaj etj.) propozuan mbylljen tërësore të lojrave. Gjykuar nga fitimet e mëdha të industries dhe nga qendrimet e partive në pushtet lidhur me këtë problematikë, dokumentari këshillon të rregullohet me ligj sektori ose të formalizohet dhe të bëhet më i drejtë — domethënë, të fitohet ndonjë herë: Fuga!

Përmblethtas, shkaqet kryesore të përfshirjes së shqiptarëve në lojrat e fatit janë —sipas “ekspertëve” në fjalë— papunësia por dhe puna jo e dinjitetshme dhe qasja e lehtë në kazino nga njerëzit dhe veçanërisht nga të rinjtë. Ndryshe nga pedagogët, gazetarja na thotë se bixhozi është përgjegjësi (ose shkaku) kryesor i degradimit të shoqërisë shqiptare. Domethënë, pedagogët dëftojnë dy-tre shkaqe që qendrojnë pas bixhozit ose si shkaqe që çojnë në bixhoz ndërsa gazetarja një shkak: vetë bixhozin!

Qartësisht, gazetarja është e pavëmendshme kur tregon shkaqet: sepse shpërnjeh shkaqet që përmendin pedagogët dhe konsideron vetë kumarin si shkaktarin kryesor. Ndoshta ngaqë nuk ishte në qëllimin e saj të na tregonte shkaqet që çojnë në kumar. Sidoqoftë, nëse gazetarja gabon një here (në fakt gazetarja e në fjalë është aq e vjetër saqë duhet ta kishte kuptuar qëllimin e dokumentarit), pedagogët gabojnë shumë herë: sepse supozohet se i kuptojnë shkaqet më mirë se gazetarët meqënse puna e tyre është të na tregojnë shkaqet e problemeve sociale.

Shkaqet e vërtetë të përfshirjes në lojrat e fatit dhe zgjidhjet

Kujtoj se janë provuar dy lloj ligjesh në dy lloj shoqëri në Shqipëri për lojrat e fatit: ligjet e socializmit marksist ku kumari penalizohësh dhe individi dënohësh me riedukim dhe ligjet e “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut —kapitalizmit, në një term marksist, megjithëse kuptimi i tyre është i ndryshëm— ku kumari nuk penalizohet – thjesht rregullohet me ligj që të bëhet më i “drejtë”! Në rastin e parë —dhe pavarësisht penalizimit të tij— kumari luhësh fshehtas nga klasa puntore ndërsa nuk e dimë se nëse luhësh nga klasa politike.           

Sidoqoftë, dimë se me lojën e kumarit përballemi në jetë meqënse gjithnjë kemi pararendës dhe ose përfshihemi ose jo. Si e tillë, ajo është një lojë që nxitë kureshtjen nëse përballemi. Edhe në këtë rast, e para është kureshtja; më pas shkaktohet, nëse përfshihemi, ose kënaqësia (nëse fitojmë) ose hidhërimi (nëse humbasim) —megjithëse kur luhet për hir të zbavitjes do të shkaktojë prapëseprapë kënaqësi por kur luhet për hir të fitores dhe humbet, shkaktohet një lloj hidhërimi; pastaj, nëse kënaqemi, fiksohemi dhe kur fiksohemi krijojmë besimin se do të fitojmë sërish. Sidoqoftë, është kënaqësia që shkakton loja që na shtynë drejt përsëritjes së saj. Nëse kjo lloj kënaqësie zhvillohet në kohën kur s'kemi zhvilluar virtytin intelektual (aftësinë për të shqyrtuar faktin se pse janë krijuar lojrat e fatit...) dhe as virtytin etikë (vetëpërmbajtjen) nuk kërkon shumë mend të kuptosh se loja mund të çojë në tepëri. Sidomos kur dihet (nga ata që dihet) se virtyti etikë zhvillohet ngadalë dhe bëhet zakon vetëm kur përsëritet. Kjo është arsyeja (ose shkaku kryesor) se pse shkatërrohen jetët e njerëzve: mungesa e virtyteteve.

Kur një shoqëri nuk zhvillon njerëz virtuozë dhe paralelisht i ekspozon ata në lojra fati, nuk do të ishte e çuditshme që të mashtrohen nga njerëz të tjerë: sepse nëse shoqëria do të zhvillonte njerëz virtuozë edhe nëse ndonjë grup njerëzish zhvillonte ndonjë lojë kumari, për hir të zbavitjes dhe zbavitja (dhe kënaqësia që ajo nënkupton) fiksonte grupin dhe grupi harron nxitjen fillestare, se përse filloi të luante, dhe luan për hir të fitores, sepse përmes saj kënaqet, njerëzit virtuozë do të ndërhynin dhe do të këshillonin: ose luani për hir të zbavitjes ose lëreni fare.

Njerëzit pështjellohen edhe më shumë kur vetë tregu i marketingut është i karakterit të fatit. Çfarë thotë në mëngjes tregëtari kur shkon ne punë? Po shkoj në punë e ç’fat të kem! Ky është karakteri i tregut: sepse shumica e tregëtarëve nuk e di se kush do t’i shkelë në dyqan. Kur një njeri lundron në botën e fatit ekonomik dhe me virtyte të pjesshme, nuk do të ishte e çuditshme të provonte dhe ‘fatin’ tjetër të kumarit. Në socializmin marksit kjo shtysë mungon: sepse “tregu” në socializmin marksist nuk ishte burim ekonomik por burim shërbimesh publike. Ja pse themi se “ekspertët” e establishmentit nuk kanë kuptuar rolin e virtyteteve te njeriu. Në fakt, që të kuptohet roli i virtyteve, duhet të kuptohet natyra e tyre: se nga burojnë dhe si edukohen. Kur nuk kuptohen nga mësuesit dhe pedagogët, si mund të prentendojmë një shoqëri virtuoze, ku megjithëse ndonjë lojë kumari mund të zhvillohet, shoqëria, me virtuozitetin e saj, ndërhynë dhe e ndalon?

Që ta shkoqis edhe më shumë arsyetimin tim: është fakt që gjendemi në një krizë të thellë ekologjike. E megjithatë, nëse pyet nxënësit e ciklit të ulët, se sa herë dalin të pastrojnë mjedisin, vendin ku banojnë, për hir të zhvillimit të virtytit të pastërtisë, një objektiv që e synon sistemi arsimor, përgjigjja që marrim është një herë në vit! Kjo ishte përgjigjja që mora nga nxënësit e një ndër shkollave nëntëvjeçare në Durrës! Pse? Sepse pedagogët nuk dinë të zhvillojnë virtytet – sepse virtytet zhvillohen nga njerëzit që zotërojnë virtyte dhe janë të aftë t’i edukojnë virtytet.

Nuk është, në fjalë të tjera, papunësia, siç pretendon Fuga apo puna e pjesshme apo e padinjitetshme, siç na tregon pedagogu, apo qasja e kollajtë në lojrat e fatit, siç na tregojnë të tjerë, shkaku se pse përfshihemi në lojrat e fatit. As mund të konsiderohet kumari sëmundje, drogë apo dramë. Kumari është një lloj -nga shumë lloje të tjerë- fiksacioni me doza të forta obsesioni që nënkupton fitimin e një lloj ndjeshmërie (kënaqësie etj.). Por është mungesa e virtyteve që shkakton fiksacionin në fjalë: sepse një njeri me virtyte edhe i varfër (në fakt njeriu virtuoz qendron i varfër vetë, sepse është në dijeni të një parimi tjetër që lidhet me virtytet: kujtoj Sokratin) do të përmbahet dhe nuk do të përfshihet nëse loja nuk luhet për hir të kënaqësisë së të dyja palëve.   

Njeriu virtuoz, për më shumë, edhe nëse do të ishte i papunë –me shpërblim— do të punonte falas, nëse ia kërkonte nevoja e tjetrit, sepse njeriu virtuoz vepron për hir të mirësisë dhe jo për të hir të shpërblimit. Problemi, rrjedhimisht, është sistemik — domethënë, ai buron nga keqdijësimi i pedagogëve dhe riprodhohet në shoqëri. Mospërfshirja e njerëzve në kumar kalon ose nga ligji, si në rastin e socializmit marksist, ku ligji e konsideronte vepër penale dhe ndalohësh por prapëseprapë luhësh nga klasa puntore…e punësuar ose nga njerëz virtuozë ose nga të dyja: ligji dhe njerëz virtuozë.

Gjykuar nga njerëzit që e përbëjnë sistemin arsimor dhe nga ata që zotërojnë pushtetin politik (Rama etj.) zhvillimi i njerëzve virtuozë bëhet i pamundur. Zgjidhja e vetme mbetet përdorimi i ligjit: ndalimi i lojrave të fatit. Një ligjvënës i ndershëm –në dijeni të plotë të njerëzve pavirtyte që ka një shoqëri— do të përdorte pikërisht forcën e ligjit. Ndërsa një ligjvënës i dijësuar për forcën e virtyteve do të synonte të zhvillonte –krahas miratimit të një ligji dhe mbikqyrjes së realizimit të tij— njerëz virtuozë. Kur të dy këta objektiva paralelizohen dhe realizohen është e siguritë se në krye të pak vjetëve shoqëria do të lulëzojë. Deri atëherë, kur të shoqëria të ketë kuptuar se ku çalon sistemi, do të jetojmë padijen dhe dhimbjen…               

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA