Aristoteli: në ç`moshë ‘duhet’ të martohemi?
Mospërputhja e “orës biologjike” dhe karaktereve në çift dhe mungesa e barazisë ekonomike dhe politike në martesë janë arsyet kryesore se pse ndahen çiftet ndërsa rënia e dëshirës për t`u martuar lidhet drejtpërdrejt me pasigurinë ekonomike dhe ekologjike
Ylli Përmeti
09/05/2020 - 23:27
Lidhur me martesën mes shqiptarëve qarkullon një lloj mendësie që të revolton: se ne duhet të martohemi të ‘vegjël’ me qëllim që të bëjmë fëmijë dhe t`i kemi “krah pune”! Kjo lloj mendësie nënkupton se fëmijët do të shfrytëzohen nga prindërit për mirëqenien e tyre dhe nuk shqyrton shumë efekte të tjerë të dëmshëm si për fëmijën ashtu dhe për çiftin (ose prindërimin). Krahas kësaj mendësie qarkullon dhe një tjetër: martesa me ndryshime të vogla moshore (zakonisht meshkujt janë rreth katër vjeç më të mëdhenj se femrat). Danimarka e viteve 2010 kishte një mesatare prej tre vjeç dhe vende të tjerë nuk ndryshojnë shumë në këtë prirje.
Të dyja këto lloj mendësish kanë krijuar çifte jo vetëm me moshë të re por dhe gati të barabartë në moshë. Sipas të dhënave, për vitin 2021, mosha mesatare e martesës për meshkujt në Shqipëri ishte 31.1 vjeç dhe për femrat 27.7 vjeç ndërsa mesatarja e vendeve evropiane ishte gati dhjetë vjet më e lartë se në vendin tonë.
Martesa është një bashkim zyrtar i një burri dhe gruaje me qëllim krijimin e një familjeje dhe zhvillimin e bashkëjetesës dhe vlerave si dashuria. Megjithëse ajo po kërcënohet edhe nga “doktrina e re”, e “prindit 1 dhe 2”, martesa duhet të shqyrtohet nga popujt dhe të kuptohet drejtë. Aristoteli çështjen e martesës nuk ia lë dëshirës së njerëzve; as zakonit të një shoqërie; por ia lë ligjit dhe ligjvënësve të një shoqërie—në kohën e tij, popullit, sepse ishte vetë populli që shqyrtonte, miratonte dhe sigurisht zbatonte ligjet. Ai nuk shqyrton vetëm moshën por dhe përputhjen. Ja ç`citon ai:
Meqë ligjvënësi duhet të fillojë të mendojë se si rendi i fëmijëve që ai rrit mund të jenë sa më të mirë të jetë e mundshme, kujdesi i parë i tij do të jetë rreth martesës—në ç`moshë duhet të martohet një qytetar dhe me cilin përputhet? Së pari, në ligjësimin e kësaj çështje ai duhet të konsiderojë personat dhe zgjatjen e jetës së tyre, se jeta e tyre riprodhuese mund të ndalojë në të njëjtën periudhë, dhe se ata mund të mos ndryshojnë në fuqitë e tyre trupore, siç do të jetë rasti kur burri është ende i aftë të lindë fëmijë ndërsa gruaja është e paaftë t`i bartë ata, ose gruja e aftë për t`i bartur ndërsa burri i paaftë, sepse nga këto aftësi shkaktohen grindje dhe dallime mes personave të martuar. Së dyti, ai duhet të konsiderojë kohën në të cilën fëmijët do të pasojnë prindërit e tyre; atje nuk duhet të ketë ndërkohë (interval) moshe tejet të madhe, sepse në një rast të tillë prindërit do të jenë tejet të vjetër për të gjeneruar ndonjë kënaqësi nga dashuria e tyre, ose të jetë për ndonjë përdorim për ta. As duhet ata të jenë tejet të rinj; për martesat në moshë të re atje ka shumë kundërshtime—fëmijët do të kërkojnë respekt kundrejt prindërve, të cilët do të duken bashkëkohësit e tyre, dhe grindje do të shkaktohen në kullandrisjen e familjes. Së treti, dhe kjo është çështja që lash të fundit, ligjvënësi duhet të formojë rendin e fëmijëve të lindur. Thuajse gjithë këto kundërshtime mund të sigurohen duke u përqendruar në një çështje: meqë koha e riprodhimit është zakonisht e kufizuar rreth moshës 70 vjeçare për burrat dhe 50 për gratë, fillimi i bashkimit duhet të përputhet me këtë periudhë. Bashkimi i një mashkulli dhe femre kur janë shumë të rinj është i keq për riprodhimin e fëmijëve; në të gjitha kafshët e tjera fëmijët janë të vegjël dhe të pazhvilluar, dhe me një prirje të lindin fëmijë femra, dhe rrjedhimisht për burrin, siç vërtetohet nga fakti i atyre qyteteve ku meshkujt dhe femrat martohen të rinj, njerëzit janë të vegjël dhe të dobët; në lindjen e fëmijës femrat e reja vuajnë më shumë, dhe më shumë vdesin; disa thonë se ky ishte kuptimi i përgjigjes dhënë dikur ndaj Trojzenianëve—orakulli vërtet donte të thoshte se shumë vdiqën sepse ata martoheshin tejet të rinj; dhe s`kishte asnjë lidhje me sasinë e korrjeve. Martesa në kohën e drejtë ndihmon në përmbajtje; sepse kur gratë martohen herët priren të jenë të papërmbajtura; dhe për meshkujt forma e trupit shtrembërohet dhe rrëgjohet ndërsa sperma rritet (sepse atje është një kohë kur rritja e spermës, gjithashtu, ndalon, ose vazhdon por në sasi të vogël). Femrat duhet të martohen kur ato janë rreth 18 vjeç dhe burrat rreth 37 vjeç; në atë kohë ata lulëzojnë, dhe rënia në fuqi e të dyve do të përputhet. Më tej, fëmijët, nëse ata lindin herët, siç mund të pritet, do të pasojnë në fillimin e lulëzimit të prindërve, kur baballarët kanë shënuar afërsisht tre dhe dhjetë vjet. Mjafton për moshën e drejtë për martesë.
Qartësisht, ai përpiqet ta përputhë martesën jo vetëm me anët biologjike të mashkullit dhe femrës por dhe anët shoqërore: sepse kur ai përputh anët biologjike ai synon të shmangë grindjet dhe tradhëtitë në çift. Qasja e tij, rrjedhimisht, është e drejtë. Por e pamjaftueshme lidhur me shkaqet e tradhëtisë.
Pse tradhëtojnë meshkujt dhe femrat dhe si mund ta parandalojmë?
Gjithashtu, ne nuk duhet të lëmë pa shqyrtuar ‘kulmoren biologjike’ të një mashkulli: ajo është rreth moshës 27 vjeç. Pas kësaj moshe meshkujt fillojnë të plaken. Mosha më e mirë për t`u martuar, rrjedhimisht, është mes moshës 27 dhe 37 vjeç. Por kujtoj se disa meshkujt dhe femra kanë kulmore të veçantë biologjike: ata fillojnë të plaken më vonë ndërsa të tjerë plaken më herët. Për të njëjtën arsye, kulmorja biologjike duhet të shqyrtohet në një martesë. Më tej Aristoteli citon për martesën se:
Stina vjetore duhet gjithashtu të shqyrtohet; sipas zakonit aktual, njerëzit martohen gjatë dimrit, dhe ata veprojnë drejtë. Porositë e mjekëve dhe filozofëve natyral rreth lindjes duhet të studiohen nga vetë prindërit; mjeku jepë këshillë të mirë rreth kushteve të dobishme të trupit dhe filozofi natyral rreth erërave; nga të cilët ata parapëlqejnë veriun nga jugu…gratë që bartin fëmijë duhet të kujdesen për veten; ato duhet të ushtrohen dhe të kënë ushqim ushqyes…ato duhet të shëtisin çdo ditë në ndonjë tempull ku ato mund të adhurojnë zotat që drejtojnë lindjet. Mendjet e tyre, sidoqoftë, ndryshe nga trupat e tyre, duhet të jenë të qeta, sepse fëmija krijon natyrën e tij nga nëna e tij si pemët nga toka.[1] ù
Më tej ai krahason shëndetin e prindërve me shëndetin e një atleti kur argumenton se “truplidhja i një atleti nuk përshtatet me jetën e një qytetari, ose me shëndetin, ose me riprodhimin e fëmijëve, më shumë se njeriu shëndetlig ose truplidhja e dërrmuar, por të një njeriu që qendron në mesataren mes tyre. Truplidhja e një njeriu duhet të kalitet në punë, por jo në punë të tepërta ose vetëm në një lloj pune, siç veprojnë atletët; ai duhet të jetë i aftë për gjithë veprimet e një njeriu të lirë. Këto vërejtje vlejnë në mënyrë të barabartë për të dy prindërit. Për rritjen e fëmijëve ai këshillon përdorimin e një ligji sipas të cilit, nëse një familje ka shumë fëmijë, asnjë fëmijë i deformuar nuk duhet jetojë dhe nëse zakonet e themeluar e ndalojnë këtë veprim (sepse në shtetin tonë numri i popullatës ka një kufi), asnjë fëmijë nuk duhet të ekspozohet, por kur çiftet kanë tepër fëmijë, le të gjendet dështimi përpara se ndijimi dhe jeta të ketë filluar; se çfarë mund apo nuk mund të bëhet sipas ligjit në këto raste varet nga çështja e jetës dhe ndijishmërisë.
Dhe tani, meqë përcaktuam se në ç`moshë duhet të bashkohen meshkujt dhe femrat le të përcaktojmë gjithashtu se sa gjatë do të vazhdojnë të lindin dhe rrisin fëmijë për shtetin; meshkujt që janë tejet të plakur, si meshkujt që janë tejet të rinj, lindin fëmijë që janë me të meta në trup dhe mendje; fëmijët e burrave shumë të vjetër janë të dobët. Kufizimi, rrjedhimisht, duhet të jetë mosha e cila shkëlqen në inteligjencën e tyre, dhe kjo në shumicën e njerëzve, sipas nocionit të disa poetëve të cilët e masin jetën me periudha shtatëvjeçare, është rreth 50 vjeç; pas katër ose pesë vjetëve ose pak më vonë ata duhet të ndalohen të kenë familje; dhe pas asaj kohe të lejohet vetëm bashkëjetëse me njëri-tjetrin për hir të shëndetit; ose për arsye të ngjashme.
Ndryshe nga qasja e Aristotelit, e cila duhet thënë se është e pjesshme, sepse përfshin vetëm anën biologjike dhe lë pa përfshirë nevojën e përputhshmërisë së karaktereve në çift, studimet moderne (të kohës sonë) mbështeten në prirjen që kanë krijuar vetë shoqëritë dhe tregojnë nivelin e kënaqësisë në çift. Disa tregojnë se femrat që martohen me meshkuj më të mëdhenj në moshë, nga tre në dhjetë vjet apo dhe më shumë, kënaqen më shumë ndërsa të tjerë tregojnë një realitet paksa ndryshe. Kjo është arsyeja kryesore (mospërputhja e “orës biologjike“ dhe karaktereve por dhe mungesa e barazisë ekonomike dhe politike) se pse kriza në çift apo martesë ka marrë përmasa të frikshme në vendet evropiane.
Për shembull, Danimarka, e cila ka krijuar gati të njëjtën prirje martesore me ne, sa i përket ndryshimit të moshës në çift, qendron në vend të katërt në nivel evropian me 42.7% të çifteve të ndahen (duke u paraprirë nga Çekia, Bullgaria dhe Belgjika në vend të parë) ndërsa në Shqipëri shifra është rreth 25%: më e larta në rajon! Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit Evropa shënon rënie të frikshme të martesave dhe rritje të ndarjeve.
Kriza e thellë e “gjeneratës Z” në perëndim: pse nuk martohen?
Shoqëritë perëndimore i ka pushtuar shqetësimi se pse nuk martohet “gjenerata Z” —kjo është gjenerata e lindur mes viteve 1997-2012— siç shqetësohen për gjeneratën pararendëse të saj: mijëvjeçarët e lindur mes viteve 1981-90, pavarësisht se ka shumë të pamartuar edhe nga gjenerata X e lindur mes viteve 1965-80. Sipas studimeve “gjenerata Z” ka një qasje shumë më pragmatike lidhur me marrëdhëniet krahasuar me gjeneratat pararendëse dhe ata nuk kanë shumë jetë seksuale ndërsa shumica beson se marrëdhëniet “nuk do të jenë të përhershme” duke refuzuar “marrëdhëniet romantike”. Kjo gjeneratë hyn në moshën e pjekurisë gjatë një kohe të paqartë të shënuar nga pandemia, nga ndryshimet klimatike dhe paqëndrueshmëritë financiare. Shumë synojnë të arrijnë qendrueshmëri për veten përpara se të fusin një person tjetër në jetën e tyre.
Në vitet 1960-70, një mashkull 25 vjeçar mund të mbeshteste familjen me të ardhurat e tij dhe nuk priste nga gruaja e tij të punonte. Tani kjo duket tejet e pamundur. “Gjenerata Z” rrjedhimisht ka përparësi themelet e financiare si individë. Një shkak tjetër është “kërkimi i shpirtit”—në kuptimin se shumica kërkon të njohë veten një herë pastaj të veprojë; ndaj nuk krijojnë lidhje. Por edhe mungesa e zgjedhjes ka luajtur një rol në këtë drejtim. Nuk mungojnë ata që kërkojnë dikë që i jep kuptim jetës së tyre se sa thjesht një njeri tërheqës. Studiuesit krahasojnë gjeneratën e viteve `60 kur i pyesinin femrat se pse vendosën të martoheshin dhe ato përgjigjeshin të tronditura se “ishte koha” përsa kohë që kishin hyrë në moshën e pjekurisë ndërsa tani është e kundërta!
Qartësisht, shoqëritë perëndimore jo vetëm që nuk e kanë të qartë se në ç`moshë duhet të martohen të rinjtë por kanë krijuar kushte tejet të pasigurta për ta si në nivel ekonomik ashtu dhe në nivel ekologjik dhe epidemik!
Mospërputhja e “orës biologjike” dhe karaktereve në çift dhe mungesa e barazisë ekonomike dhe politike në martesë, në fjalë të tjera, janë arsyet kryesore se pse ndahen çiftet ndërsa rënia e dëshirës për t`u martuar lidhet drejtpërdrejt me pasigurinë ekonomike dhe ekologjike. Por nga këto dy arsye, arsyeja e parë (mospërputhja biologjike dhe e karaktereve) është më e rëndësishme, sepse kur një çift përputhet biologjikisht, ai gëzon kënaqësi të lartë seksuale dhe ul mundësinë e tradhtisë dhe kur përputhet në karakter ose virtyte ai nuk përjeton grindje, të cilat zakonisht çojnë në ndarje por kënaqësi dhe lumturi. Ky lloj çifti, edhe nëse ka pabarazi ekonomike dhe politike në familje, në fillimet e saj, për shembull, mashkulli është i punësuar dhe femra jo apo ka të ardhura më shumë se ajo, dhe vendimet politike në familje e merr ai, pikërisht sepse ka përputhur “orën biologjike” dhe karakterin, ai përpiqet gjithashtu të krijojë barazi ekonomike dhe politike.
Kjo është analizë plotësuar më 5 maj 2024
[1]Politics, f, 102.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 425 reads