...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Artan Fuga: në “madhështinë” e tij filozofike

Nëse ajo që shkakton të vërteta derivative është e vërtetë atëherë është e vërteta më e madhe. Ndaj dhe principet [ose parimet] e gjërave të përjetshme duhet të jenë gjithnjë më të vërtetë

Ylli Përmeti

15/03/2017 - 10:44

Kujtoj këtu se filozofia është niveli më i lartë intelektual dhe nga ajo nuk kërkohen vetëm përgjigje për pyetje të vështira por edhe rrugëzgjidhje për probleme të vështira. Siç citon Aristoteli:

Është gjithashtu e drejtë se filozofia duhet të quhet dije e të vërtetës. Sepse fund [ose synim] i dijes teorike është e vërteta, ndërsa i dijes praktike është veprimi (sepse qoftë edhe nëse njerëzit praktikë konsiderojnë se si janë gjërat, njerëzit praktikë nuk studiojnë të pandryshueshmen (ose të përjetshmen; ‘eternal’), por atë që është relative ose e krahasueshme dhe aktuale). Tani ne nuk dimë të vërtetën pa ditur shkakun e saj; dhe një gjë ka një cilësi në një shkallë më të lartë se gjëra të tjera nëse në bazë të saj cilësia e njëjtë u përket gjërave të tjera gjithashtu (p.sh. zjarri është më i nxehti i gjërave; sepse nxehja është shkak i gjithë gjërave të tjera); kështu që nëse ajo që shkakton të vërteta derivative është e vërtetë atëherë është e vërteta më e madhe. Ndaj dhe principet [ose parimet] e gjërave të përjetshme duhet të jenë gjithnjë më të vërtetë (sepse ato nuk janë thjesht ndonjë herë të vërteta, as është atje ndonjë shkak për ekzistencën e tyre, por ato vetë janë shkaku i ekzistencës së gjërave të tjera), kështu që si çdo gjë është në respekt të ekzistencës, ashtu është ajo në respekt të së vërtetës.[1]   

Aristoteli më tej sqaron çdo lloj filozofie. Por njëra është më dëshirueshme se çdo filozofi tjetër: filozofia politike. Sepse ajo shqetësohet më shëndetin e natyrës dhe shoqërisë. Gjykuar nga qasja e mësipërme, se filozofia është dija e shkaqeve përfundimtarë të dukurive sociale, ne duhet kuptojmë natyrën e ‘pushtetit politik’ në shtetin modern në raport me njeriun: sepse ai është shkaku fillestar dhe përfundimtar i çdo mendësie, ndjesie dhe veprimi i një shoqërie. Për mos t’u zgjatur për natyrën e ‘pushtetit ekonomik’ i cili përcakton natyrën e ‘pushtetit politik’, këtu do të shqyrtoj një “filozof” të anëve tona: Artan Fugën, i cili përfaqëson filozofinë e institucionalizuar. Domethënë, se studimet e tij janë akredituar në sistemin e lartë arsimor dhe përbëjnë pikë referimi për çdo student të filozofisë. Kështu kur përpiqet Fuga të ndihmojë shoqërinë tonë ai nuk e shikon problemin te përqendrimi i pushtetit...por tek ‘urbanizimi i metropolit’! Siç citon vetë ai:

Unë i përkas asaj rryme të një mendimi që përpunohet sot në Perëndim sipas të cilit problemin e krijon një ubanizim metropolitan i cili nga njëra anë grumbullon masa demografike brenda hapësirave të betonizuara dhe nga ana tjetër ka nxjerrë jashtë këtyre hapësirave proceset e punës, që krijon vlera dhe që i është shkëputur burimeve energjitike natyrore.[2]

Në vijim Fuga argumenton se atij ‘i intereson se çfarë duhet bërë dhe ajoduhet bërë, dhe jo shpjegime esenciale ose thelbësore’! Por përtej faktit që autori adopton një qasje sipërfaqësore, gjithashtu dhe Marksiste-Leniniste, megjithëse këta të fundit u orvatën për ndryshime serioze sistemike, adopton pyetjen se ‘çfarë duhet të bëhet’, sikur ta kishte zbuluar sot...autori nuk e lidh këtë “çfarë duhet bërë” me ndonjë pushtet: as me pushtetin politik të një qeverie as edhe me ndonjë pushtet popullor! Fuga, për më shumë, është kontradiktor, sepse ndërsa argumenton se atij i intereson se çfarë duhet të bëhet, atij nuk i intereson shpjegimi thelbësor i dukurive sociale! Por kur ne nuk shqetësohemi për thelbin e dukurive sociale nuk mund të kuptojmë shkaqet dhe nuk mund t’i luftojmë ata. Është njëlloj si të mos shqetësohesh për thelbin e sëmundjes në mjekësi: sepse ‘thelbi’ supozohet se është shkaku përfundimtar i saj. Në të vërtetë, pyetja që adopton Fuga, buron nga logjika Aristotelianiste, bashkë me dy pyetje të tjera, që në librin tim të parë u shtoj edhe dy pyetje të tjera: qëllimi është të zhvilloj një vendim-marrje popullore sa më racionale të mundshme, pyetje të cilat, bashkë me objektiva të tjerë vendim-marrës, të një kuvendi popullor, kompletojnë modelin për të shkuar në një demokraci virtuoze dhe të qëndrueshme...

Fuga, për më shumë, argumenton se problemi është urbanisik...sikur qytetet tanë të ishin ndërtuar jashtë ndonjë pushteti politik! Sigurisht, Fuga citon disa të vërteta në kritikat e tij. Për shembull, ‘se shërbimet financiare që ka themeluar sistemi prezent nuk mund t’i mbijetojnë kohës, sepse braktiset ekonomia reale’ (toka etj.). Ky është një shtetësim që e ka zanafillën që në kohët e lashta: dhe fillon me Thalesin dhe mbaron me Aristotelin. Por ai “harron” të hulumtojë se si kanë lindur shërbimet financiare. Domethënë, se cilët janë shkaqet që e bëjnë një popull të përqendrohet në qytete dhe shërbime financiare, dhe se cila është natyra e ekonomisë reale dhe ndikimet e saj në natyrën njerëzore. Fuga, është kontradiktor edhe me “ekonominë” post-moderne kur thotë në njërën anë ‘se shërbimet financiare dëmtojnë ekonominë reale’, dhe në anën tjetër, mbështet, si gjithë klasa politike shqiptare, integrimin në BE dhe G/N ku shërbimet financiare dominojnë! Siç argumenton vetë ai:

Integrimi europian i Shqipërisë është çështje që ka të bëjë me strategjinë kombëtare të vendit. Lidhet me vendin e Shqipërisë në bashkësinë e shteteve europiane. Pra, është më së pari një problem gjeopolitik thelbësor për të ardhmen politike të vendit. Pastaj, ka të bëjë me politikat afatgjata ekonomike dhe financiare, të cilat përcaktojnë fatet e zhvillimit të Shqipërisë dhe vendin e saj në ekonominë globale. Më në fund lidhet edhe me marrëdhëniet mes të drejtave dhe detyrave demokratike të qytetarit shqiptar, pra me shtimin e të drejtave të tij në një plan përtej shqiptar. Integrimi europian është kështu edhe një mekanizëm që supozohet se do ta demokratizojë jetën e brendshme shqiptare, në Fier dhe kudo. Parë kështu, çështja e integrimit europian mbisundon ndaj të gjitha halleve të tjera të vendit.[3]

Kështu, jo vetëm që autori nënvlerëson çështjen e Fierit, e cila në të vërtetë është njëlloj e kalbur si politika zyrtare e Tiranës, por, integrimi i Shqipërisë në BE, sipas autorit, është sa strategjikë, makro-ekonomik aq edhe financiar. Pasi argumenton se ‘Këshilli i Qarkut [të Fierit] duhet të mbetet vendim-marrës kolektiv’...por pa kolektivin!...në një shkrim tjetër, si gjithnjë...vulgar dhe aspak filozof, pyetjes se nëse puna është nder, i përgjigjet me ‘patjetër’, nëse kuptohet se ‘një punë e dobishme ka vlerë pavarësisht sesa e lodhshme është e sa mund kërkon’!

Së pari, çdo punë është e ‘dobishme’ përsa kohë që ajo nënkupton një lloj aktiviteti mendor dhe fizik. Së dyti, çdo punë ka ‘vlerë’ për sa kohë që ajo nënkupton të njëjtin proces - përmes të cilit njeriu ndërvepron në të dy nivelet: mendor dhe fizik. Sipas këtij procesi, puna është së pari ‘shëndet’, pastaj ‘nder’: sepse ajo nënkupton se njeriu që punon, zotëron shëndet mendor dhe fizik, sepse ndryshe nuk do të mund të punonte, dhe me punë ai synon të ruajë shëndetin ekzistues ose ta përmirësojë atë, në disa aspekte, nëse i konsideron të pashëndetshëm. Puna është ‘nder’ – vetëm kur vlerësohet nga shoqëria: sepse ‘nderi’ nënkupton një lloj vlerësimi nga dikush tjetër. Në të kundërt, kur puna nuk vlerësohet nga dikush tjetër, si në rastin kur dikush punon pa kërkuar vlerësimin e tjetrit ose vetëm, larg tjetrit, ajo është praseprap shëndet: sepse ajo nënkupton një lloj aktiviteti mendor dhe fizik.

Sipas këtij kuptimi, puna është dy herë ‘shëndet’, dhe një herë ‘nder’: ‘shëndet’, një herë në raport me veten dhe një herë në raport me dobinë e jashtme, nëse rezultati përfundimtar i punës është një lloj arti ose prodhimi; ‘nder’ vetëm kur vlerësohet ‘mirë’ ose ‘shumë mirë’ nga shoqëria. Por puna, kur vlerësohet ‘shumë mirë’ nga shoqëria nuk nënkupton vetëm ‘nderin’ por edhe një lloj lumturie: sepse ne ‘lumturojmë’ kur na vlerësojnë dhe nderojnë të tjerët. Dhe lumturia nuk është art por dinamikë shpirtërore: herë e fuqishme dhe herë më pak e fuqishme. Lumturia, si e tillë, është një ‘lloj’ tjetër shëndeti: sepse ajo dinamizon tërësinë e njeriut. Puna, shkurt, është shëndet në trup, mendje dhe shpirt vetëm kur kalon nga proceset e sipërpërmendur dhe kur buron nga virtyti: sepse është ky i fundit (virtyti) që qendron njëherësh në mendje dhe shpirt. Njëlloj mund të thuhet edhe për qasjet e tjera të Fugës: ato janë kryekëput joshkencore. Për shembull, kur thotë se ‘vesi i dembellikut është vetë-vrasës për njeriun’, ai nuk na tregon arsyet se përse është vetë-vrasës ‘dembelliku’ dhe përse një njeri është ‘dembel’ dhe një tjetër jo...

Në fund, do të ishte e frytshme t’i kujtojmë Fugës, si pedagog që është, se kuadri institucional i shtetit modern ndjek përgjithësisht doktrinën “pedagogjike” të Krishtërimit: se “ne do të bëjmë dhe pastaj do të dëgjojmë” (“we will do and hearken”)! Domethënë, kjo doktrinë përmbys rendin e dijes dhe lëvizjeve njerëzore: sepse ajo vepron pastaj dëgjon. Dhe kjo është përgjithësisht natyra e tregut të marketingut dhe “demokracisë” përfaqësuese: në treg si fillim veprohet pastaj racionalizohet; në “demokracinë” përfaqësuese, si fillim lejohet veprimtaria ekonomike pastaj racionalizohet me reforma. Do të ishte e frytshme, gjithashtu, t’i kujtojmë Fugës (dhe popullit) se nga pedagogjia e tij gazetareske, shumë-vjeçare, nuk pamë asnjë gazetar të kualifikuar nga ai, të mbrojë të vërtetën. Me gjithë këtë “filozofi”, nuk do të ishte e çuditshme që “filozofi” ynë të mbështesë protestën e opozitës përgjatë muajit mars 2017-të. Kështu në vend të na tregonte shkaqet e krizës shumë-përmasore të vendit, dhe të na bindte, dhe ne t’i bashkoheshim dhe të luftonim bashkë shkaqet, iu bashkua një partie anëtarët kryesorë të së cilës janë të kriminalizuar!             

 


[1]Metaphisics, Aristotle, ff, 14-15.

[2]Sipas intervistës së tij, Akademiku Artan Fuga analizon krizën urbane në librin ‘Rënia e Qytetit’. Theksi u shtua.

[3]Sipas faqes së tij në Facebook, Artan Fuga, 21, 11, 2012, që u korrespondojnë publikimeve të tij që bën në gazeta të ndryshme. Kritikoj pak më shumë se të tjerët Fugën sepse ai gëzon pushtet dhe ndikon te publiku më shumë se kushdo tjetër, qoftë edhe më shumë se politikanët profesionistë, sepse ai ka adoptuar rolin e filozofit, dhe publiku, beson më shumë një filozof sesa një politikan profesionist, sepse i pari shqetësohet me te vërtetat e shkencave sociale, ndërsa i dyri, me propagandë.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA