Shkaqet e lindjes së fashizmit dhe tiranisë
Tirania është e panatyrshme, pikërisht sepse ajo lind ose nga sëmundja ose nga zhvillimi i pjesshëm i një njeriu. —Aristoteli
Ylli Përmeti
08/05/2017 - 14:09
Të gjitha tiranitë sundojnë përmes mashtrimit dhe forcës, por kur mashtrimi ekspozohet, ato duhet të mbështeten vetëm mbi forcë.
—George Orwell
Tirania është e panatyrshme, pikërisht sepse ajo lind ose nga sëmundja ose nga zhvillimi i pjesshëm i një njeriu.
—Aristoteli
Nuk është e thjeshtë për nje njeri që të shkaktojë ndonjë dëm të madh kur mbajtja e zyrës së tij është e shkurtër, ndërkohë mbajtjet e gjata kthehen në tirani.
—Aristoteli
Shpesh dëgjojmë nga shqiptarët kur flasin për ndonjë shqiptar tjetër, jo shumë të pëlqyer, se “është racë e keqe”! Nëse tenton dhe gërvisht pak këtë qendrim kupton se shumë shqiptarë besojnë në “racë të mirë dhe racë të keqe”! Mirëpo, nga ky lloj besimi buron dhe racizmi dhe nëse nuk ndriçohet, siç nuk ndriçohet nga sistemi arsimor —lidhur me racat dhe natyrën njerëzore—, njeriu me këtë lloj besimi, dhe ‘racistët’ organizohen politikisht, krijojnë kushtet për të shfarrosur racat e tjera dhe veçanërisht racat e huaja. Kjo lloj shfarrosje buron nga ‘besimi’ se atje ka ‘raca të mira dhe raca të këqija’ dhe kur synohet shfarrosja e tjetrit, përfundon në fashizëm. Por kjo qasje nuk mjafton për të kuptuar shkaqet e fashizmit.
Fashizmi pa treg, ekonomi dhe shfrytëzim nuk mund të lulëzojë. Ideologjia fashiste përshkruhet si ideologji radikale dhe autoritare, politikisht dhe nacionalisht, e cila kërkon të organizojë një komb sipas perspektivave korporatiste, duke përfshirë sistemin ekonomik dhe politik. Në fjalët e Musolinit: fazhizmi mund të quhet me të drejtë korporatizëm: sepse ai është bashkimi i shtetit me pushtetin e korporatave. Komunistët e shekullit të kaluar fashizmin e përcaktojnë si “një diktaturë të hapur terroriste të elementëve më reaksionarë, më shovinistë, dhe më imperialistë të kapitalit financiar”.[1]
Kështu, ndërsa Musolini e lidh me pushtetin në vetvete fashizmin, komunistët e lidhin veçanërisht me kapitalin financiar! Hemendësisht, me ‘kapital’ kuptojnë ‘pushtetin’ ekonomik. Sidoqoftë, komunistët dhe anarkistët aktualë, vazhdojnë ta keqlexojnë aktualitetin dhe të keqedukojnë veprimtarët politikë: sepse ata jo vetëm që vazhdojnë të përsërisin si papagall qasjen ndër-imperialiste të Leninit të fillim-shekullit të kaluar --për të shpjeguar përplasjet mes superfuqive ushatarake-- por nuk shqetësohen as se nga buron në të vërtetë fashizmi! Në fjalët e Robert Paxton:
...fashizmi është një formë sjelljeje politike që karakterizohet nga përkushtimi obsesionik/monomanik me dekadencën sociale, përulësinë ose persekutimin dhe nga një devotshmëri kompensimi për bashkim, te veprimtaria dhe pastrimi ndërgjegjësor. Në këtë kuadër, pra të kësaj sjelljeje, një parti e rezonancës së masave që përbëhet nga aktivistë nacionalistë të përkushtuar, të cilët gjenden në bashkëpunim zhurmues, por rezultativ me elitat tradicionale, braktis liritë demokratike dhe, pa kufizime ligjore dhe etike, synon të realizojë establishment të brendshëm dhe të ekspansionohet jashtë vendit të vet.[2]
Sidoqoftë, globalizmi neoliberal ka krijuar një sintezë mes korporatave dhe bankave ndërkombëtare dhe private ku tirania është e një shkalle më të lartë se shekullin e kaluar. Shpirti i tiranisë fillon me njerëzit me pushtet që, për t’u plotësuar shpirtërisht, kanë nevojë për lajkatarë - dhe në shoqëri për pushtet të pakufizuar. Siç citon Aristoteli:
Tiranët gjithnjë i duan njerëzit e këqij, sepse atyre u pëlqen të lajkatohen, por asnjë njeri që ka brenda shpirtit njeriun e lirë nuk do ta ulë veten me lajka; njerëzit e mirë i duan të tjerët, ose pavarësisht se ç’ndodh, ata nuk i lajkatojnë ata. Për më shumë, të këqijtë janë të përdorshëm për qëllime të këqija; ‘gozhda qëllon gozhdën’, siç thotë fjala e urtë. Është karakteristikë e një tirani që të mos pëlqejë çdonjërin që ka dinjitet ose pavarësi; ai do të jetë vetëm në lavdinë e tij, ndaj çdonjëri që rivendikon dinjitet ose kërkon pavarësinë e tij shkel mbi prerogativat e tiranit dhe urrehet nga ai si një armik i pushtetit të tij. Një tjetër ves i tiranit është se atij i pëlqejnë të huajt më shumë se qytetarët, jeton me ta dhe i fton ata në tryezën e tij; sepse të parët janë armiq, ndërsa të Tjerët nuk janë rivalë me të. Këto janë tiparet e tiranit dhe artet me të cilët ai ruan pushtetin e tij; ai mbart shumë ligësi të madhe me vete. Gjithçka që kemi thënë mund të përmblidhet në tre krerë të cilët përgjigjen te tre qëllimet e tiranit. Ato janë: (1) poshtërimi i subjekteve të tij; ai e di që një njeri i dosidoshëm nuk do të komplotojë kundër ndonjërit; (2) krijimi i mosbesimit midis tyre; sepse një tiran nuk përmbyset, për sa kohë që njerëzit nuk kanë besim te njëri-tjetri; dhe kjo është arsyeja se përse tiranët janë në luftë me të mirën; ata janë nën idenë se pushteti i tyre rrezikohet nga ata, jo vetëm sepse ata nuk do të sundoheshin në mënyrë despotike, por gjithashtu sepse ata janë besnik te njëri-tjetri dhe te njerëzit e tjerë, dhe nuk denoncojnë kundër njëri-tjetrit ose kundër njerëzve të tjerë; (3) tiranët dëshirojnë që subjektet e tij duhet të jenë të paaftë për veprim, sepse asnjëri nuk tenton për diçka që është e pamundur, dhe ata nuk do të tentojnë që të përmbysin një tirani, nëse ata janë pa fuqi. Nën këto tre krye e gjithë politika e tiranit mund të përmblidhet dhe te njëri ose te një tjetër të gjitha idetë e tij mund të shpjegohen: (1) ai mbjell mosbesim midis subjekteve të tij; (2) ai u merr pushtetin; (3) ai i poshtëron ata.[3]
Qëllimi i tiranisë është varfërimi i qytetarëve, së pari për t’u mirëmbajur nga parátë e tyre garda e regjimit, dhe së dyti për të qenë të zënë me punë qytetarët me qëllim që mos t’u mbetet kohë për komplote. Në këtë përfundim synon qoftë taksimi i lartë, shtrydhja e pasurive të qytetarëve, qoftë ndërtimi i veprave të mëdha që shterojnë ekonominë publike.
Sipas Aristotelit, megjithëse tirania është e kudondodhshme, ajo ndryshon nga karakteristika e tiranisë moderne, sidomos për vasalët e vendeve të vegjël, shumë pak: ftesat në pritje dhe përcjellje, gjithnjë dhe më shumë e të huajve, duke jashtëqitur bashkëqytetarët, është përnjëmend prezente. Kultivimi i mosbesimit mes njerëzish, sidomos përmes tregut të marketingut i cili tëhuajëson, është dinamikë e kudondodhshme. ‘Delegimi’ i pushtetit me qëllim që tirani t’i shfuqizojë dhe t’i angazhojë gjithnjë dhe më shumë qytetarët në çfarë tirani dëshiron në treg është aspekti i dytë i tiranisë moderne.
Çfarë mbetet, është poshtërimi. Për shembull, duke i konsideruar protestat si terror; vjedhjen e kafshatës si krim; qytetarët si spektatorë rreth ligjëratave që kurdis tirani; popullin si Big Brother dhe; tragjeditë si urdhër i Zotit etj. Këto taktika përdoren nga të gjitha qeveritë moderne.
Përmblethtas, ndërsa fashizmi nënkupton një lloj besimi dhe sinteze politiko-ekonomike, pushtet dhe ideologji, tirania është rezultati i tij. Ajo buron, ose nga një njeri me sëmundje dhe dije të pjesshme lidhur me njeriun dhe natyrën e tij ose nga përqendrimi i pushtetit ose nga të gjitha bashkë. Kur sëmundja, dija e pjesshme dhe përqendrimi i pushtetit bëhen një, pasojat do të jenë të tmerrshme për një popull. Për të njëjtën arsye, shkollarët e shkencave politike dhe filozofike, gjithashtu dhe popujt, nuk duhet të lejojnë asnjë njeri për të pretenduar pushtet kur dija e tij është pjesshme ose kur vuan nga ndonjë sëmundje, siç është narcizmi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 307 reads