...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kujtime për emigrimin e çamëve në Turqi

Synimi i vajtjes time në Turqi, kohë më parë, së pari, ishte të mblidhja të dhëna për emigrimin e Çamëve në Anadoll, jo nëpërmjet dokumentave, por me anë të kujtimeve të të moshuarve që mbanin mend nga tregimet e të parëve, dhe të afërmeve të tyre.

Hajredin Isufi (Dita)

12/05/2017 - 18:50

Synimi i vajtjes time në Turqi, kohë më parë, së pari, ishte të mblidhja të dhëna për emigrimin e Çamëve në Anadoll, jo nëpërmjet dokumentave, por me anë të kujtimeve të të moshuarve që mbanin mend nga tregimet e të parëve, dhe të afërmeve të tyre. Krahas kujtimeve, isha i interesuar,nëse do të gjeja foto familjesh Çame në fillimet e emigrimit të tyre. Së dyti, të shikoja në vendet ku ishin instaluar familjet Çame nga Karbunari, Margëllici, Filati, Paramithia, Mazërreku, Arpica, Vola, Dolani, Koska, Gardhiqi, etj. Nga informacionet paraprake nga miqtë dhe të afërmit e familjes time në Turqi, isha i informuar se vendet ku ndodheshin këta ishin: Izmiri, Karshiaka, Menemen, Aliaga, Yozgat, Foca, Milas, Iskenderun, Mersin, etj.

Së treti, pritja që iu bë në Turqi Çamëve nga qeveria e Ataturkut.

Vizita ime në qendrat e lartpërmendura të shpërndara larg nga njëra tjetra, në rrethinat e Izmirit, ishte një problem më vete. Shkelja në një terren të panjohur, por falë mikpritjes dhe bujarisë që treguan të afërmit e fisit tim, dhe miqte turk, më krijuan të gjitha mundësitë të realizoja në pjesën më të madhe synimet e mija. Që në momentin e parë të mbërritjes time, Refija, një Çame e fortë dhe energjike, që i ka kaluar të 80-at, bashkë me Qamilen, një zonjë grua me origjine Çame nga i ati, nga Dolani dhe nënën nga Karbunari, e martuar me Sehmi Ozkeser (turk), bashkë me djalin e saj Tuncin më shoqëruan hap pas hapi me makinën e tyre për të lëvizur kudo, që ishte interesi i synimeve të mija.

Intervistuesi i parë ishte Çami Ferhat Isuf Ali Murati, nga Paramithia. Takimi u bë në shtëpinë tij në prefekturën e Aliaga-s. Ishte një takim i ngrohtë dhe mbresëlënës. Një Çam me kulturë të gjerë, dhe me dashuri po aq të madhe për shtetin turk ku kishte lindur, dhe Çamërinë, vendin e të parëve të tij. Me këtë Çam, komunikova lirshëm se e kishte mësuar shqipen dhe e flistë në një mënyrë për t’u adhuruar. Akoma pa filluar mirë bisedën, i dhurova një libër timin për Çamërinë, të cilin e priti me kënaqësi, duke më përqafuar në shenjë falenderimi, dhe me dëshpërim të thellë nga zemra tha: S’kemi lidhje, për fat të keq, s’kemi informacione për Çamërinë, s’ka asnjë kanal në Tv-të turke që të na përcjellë zëra të tragjedisë Çame, që janë shpërndarë nëpër botë si zogjtë e korbit, – dhe nisi të tregojë historinë e familjes së tij:” Im atë, erdhi në Turqi në vitin 1934, djalë në moshën 23-24 vjeç, beqar, dhe pas disa vjetësh u martua me një vajzë Karbunarite, familja e të cilës kishte emigruar vite më parë këtu, fillimisht në Menemen”. Pushoi pak, mori frymë thellë sikur donte të shtrydhte memorien e tij për të treguar gjithcka që ishte regjistruar në trurin dhe në shpirtin e tij nga tregimet e të parëve, dhe vazhdoi- “Sapo arrinin familjet Çame të emigruara në tokën turke, paraqiteshin për t’u regjistruar një për një tërë pjesëtarët e familjes, me emër dhe datëlindje. Qeveria turke kishte nxjerrë një urdhëresë që çdo kryefamiljari t’i ndryshohej mbiemri:- Kur babai im Isufi, kur shkoi per t’u regjistruar e pyeten, Ke ndonjë të afërm në Turqi?, ai u përgjigj- Jo!, ËËfarë mbiemri do?, – babai ngriti supet, nënpunësi i gjendjes civile ndërhyri dhe i tha- T’ju vëmë mbiemrin Sajdar.- dhe i shpjegoi kuptimin e këtij emir, që Sajdar do të thonte në Turqisht Fis i ngushtë, i kufizuar “.

Disa nga Çamët e larguar nga Çamëria e ruajtën identitetin e tyre edhe kur u regjistruan në gjëndjet civile turke, duke mbajtur mbiemrin Çam, i cili në gjuhën turke ka një kuptim të mirë (“Çam”= Pishë”). Një ndër modelistet e njohura të Stambollit dhe tëre Turqisë, quhet Fevzie Çami, ajo është pasardhëse e familjeve Çame të emigruara në Turqi dhe ruan me krenari mbiemrin e saj Çam.

Zoti Ferhat, është një enciklopedi e gjallë e Çamërisë. Ai kishte shumë njohje me Çamët e fshatrave të ndryshme të Çamërisë, në zonën e Izmirit, dhe falë këtyre lidhjeve, më krijoi takime interesante. Ai tregoi disa hollësi të familjes së tij të atyre viteve që pothuajse i hasa me shumë intervistues të tjerë Çam të thyer në moshë.

“Babai im, -tregon Ferhati- kur erdhi në Turqi, dinte tri gjuhë të huaja, ishte djalë qytetar nga Paramithia, bir i një familjeje të pasur, mbaruar gjimnazin grek në atë qytet. Ai dinte Greqisht, Shqip dhe Italisht, me të folur e të shkruar. Kur erdhi në Turqi për të mbajtur familjen u detyrua të fillojë punë si coban, si bari i një tufëze të vogël bagëtish, që e krijoi me kredi lehtësuese nga shteti turk. Edhe unë, kur shkova 10 vjec, ruaja bagëtitë me shokët, në kodrat përreth Menemenit, në kohën kur kthehesha nga shkolla”.

Nga intervistuesi im i parë, mësova shumë detaje interesante nga familjet ËËame që u emigruan në Turqi. Lidhur me këtë është me interes të përmendim një detaj interesant që më kumtoi Ferhati: Brezi i parë i familjeve Çame, i prmbaheshin nje kriteri të fortë, që për ta ishte një ligj i pashkruar, por detyrimisht i zbatueshëm, që synonte në dy gjëra, e para- familjet me afërsi fisnore ose kur ishin bashkëfshatarë, synonin të instaloheshin në grup pranë njëri tjetrit. Së dyti, lidhjet martesore t’i bënin brëmnda përbrënda komunitetit. “Babai im, -tregon Ferhati- kur vendosi të më martonte mua, kërkonte një vajzë të rangut të familjes së vet me emër. Kur nuk arriti t’a gjente atë që kërkonte tek bashkëvuajtësit e vet, që nuk i njihte nga afër, më fejoi dhe më martoi me një vajzë që kishim lidhje gjakut të largët, në Karbunarë, që ishte nga një derë e madhe, burrash të mencur, e të pasur. Brezi i parë i Çamëve, nuk parapëlqente në asnjë mënyrë të krijonte lidhje martesore për vete e për fëmijët e tyre, me emigrantët Maqedonas, emigrantët bullgarë dhe turqit, pavarësisht se ishin myslimanë”.

Çdo familje Çame e emigruar në Turqi, ka një histori për të treguar në memorien e pasardhësve të tyre, e cila transmetohet brez pas brezi dhe tregohet me dhimbje deri në ditët tona. Një grua Çame, nga një fshat i Filatit, tregon se i ati i saj bashkë me katër-pesë bashkëfshatarë të tij, morën rrugën për të emigruar në Pranverën e vitit 1923 në Shqipëri. Ishin të gjithë të moshave 20-25 vjecare. Ata u kapën nga rojet kufitare greke, u arrestuan dhe u mbyllën në qelitë e burgut të Filatit, i rrahën i torturuan dhe i thanë prerurazi: -Nëse doni të emigroni, ju mund të niseni vetëm per Turqi, me një kusht, që secili prej jush të lëshojë një deklaratë që është mysliman Turk dhe do të emirgojë në Turqi. Intervistuesja e zhvilloi më tepër fillin e bisedës, duke treguar se njëri prej tyre Shefqeti, me grupin e ngushtë të moshatarëve të tij, mori rrugën për Turqi, duke deklaruar jashtë vullnetit të tij se ishte mysliman Turk, pas disa vitesh ai krijoi familjen e tij. Kjo grua me origjinë Çame, ruan kujtime të gjalla nga prindërit e saj. Kujtimet nga të parët e saj, krahas krenarisë si shtetase turke tregon se”Ndjej në zemër se në venat e mija rrjedh gjak Çam, kjo është arsyeja që megjithëse nuk di mirë shqip, interesohem për historinë e Çamërisë, për traditat Çame dhe për dramën e saj.. njerëzit i bashkon dhimbja, por edhe lumturia, ne Çamët jemi racë e fortë, që i përballojmë vështirësitë e jetës, dhe për vendin e të parëve tanë, nuk kursehemi..”

Kjo plakë Çame që i ka kaluar të 80-at, shpesh thërret nipat dhe mbesat e saj duke ju treguar episode të dramës Çame në mënyrë që edhe brezi i ri i sotshëm, ketë informacion të mirë për paraardhësit e tyre që zunë vend në Turqi.

Në takimin që patëm me këtë vajzë të re me origjinë Çame, Gamze Leblebici, që grumbullon të dhëna të vazhdueshme për historinë e Çamërisë, na tha:- Nga kujtimet që më ka transmetuar gjyshja, unë kam mësuar shumë gjëra dhe kam bindjen e plotë se tek cdo shqiptar Çam, dhimbja Çame as vjetërohet e as harrohet! Në bisedat që zhvillojme me bashëmoshataret e mija, shpesh ato kanë dëshirë të mësojnë nga drama Çame, nga historia e shqiptarëve të Çamërisë që nën presionet e qeverisë Greke, emigruan san ë Shqipëri, në SHBA, në Turqi e në vende të tjera.

Gamze, është një ekonomiste me arsim të lartë dhe ka filluar punë në një institucion të rëndësishëm të administratës turke. Ajo na tregoi një episode interesant: “Unë këtë verë martohem, dhe shumë shoqe me origjinë turke ose Çame kanë mësuar disa këngë e valle Çame, që do t’i kërcejnë në natën festive të martesës time”

Të dhëna interesante për origjinën e familjes së tij Çame, na tregoi edhe Murat Bilem (djali i Shefqetit nga Filati).

Murati na tregon:” Babai im pas emigrimit në Turqi u martua me një vajzë Çame nga Karbunari, që kishte emigruar me famlijen e saj në Menemen. Nga ajo martesë lindëm 7-të fëmijë, pesë motra dhe dy vëllezër.

Me kalimin e viteve, djemtë dhe vajzat e Shefqetit u martuan me Turq dhe me Maqedonas. Kështu p.sh, djali i Shefqetit, Novruzi, i lindur në Turqi u martua me një grua turke me emrin Elife. Nga kjo martesë lindën 4 fëmijë, dy djem edhe dy vajza. Ai ishte një njeri puntor e i palodhur, dhe një mjeshtër shumë i njohur në Menemen si rritës i qindra koshere bletësh, me të cilat u lidh me gjithë pjesëtarërt e familjes, duke shtegtuar nga një vend në tjetrin në stinën e verës, dhe arrit të krijonte një biznes të vogël me tregtimin e mjaltit. Ndërroi jetë dy vjet më parë, dhe kujdesin për rritjen e bletëve e vazhdoi e shoqja dhe Levendi, sepse dy vajzatt ishin të martuara.

Njëra nga vajzat e Novruzit, Neshe, e martuar me Enver Bajkan, bashkë me të shoqin na qëndroi pranë për ditë të tëra. Neshe, bashke me të shoqin, ka një nga studiot fotografike më me emër në Menemen. Të dy sëbashku, jo vetëm që na qëndruan shumë pranë, për të cilën u shprehim mirënjohjen, por na lehtësuan punë për të fotogtrafuar, bashkë me Tuncin kontaktet tona me individë dhe familje Çame, në zona të ndryshme dhe për larjen e qindra fotografive që arritëm të mernim gjatë intervistave tona.

Refija, një vajzë Çame, e lindur në Turqi, nga dy prindër Çam nga rrethinat e Filatit, tani në moshë shumë të thyer, na tregoi një fotografi të rinisë së saj nga martesa me Eqeremin, një shqiptar i emigruar nga Maqedonia, me tri vajzat dhe djalin që nuk jeton më.

Në Izmir intervistuam dhe një Çam tjetër nga Margëllici, lindur në Turqi. Ai tregoi disa kujtime nga të moshuarit, të Çamëve të brezit të parë se kur kishin ardhur me familjet e tyre në Turqi, qeveria turke i’u kishte ofruar ndihmë dhe mikpritje vëllazërore të pakursyer, megjithëse shteti turk sapo kishte dalë nga lufta, i’u ofroi asistenca, veshje dhe tesha për të fjetur. Fillimisht i sistemoi nëpër xhamia ose hane, më pas i’u ofroi ndihmë duke ndërtuar ose dhënë shtëpi, pa qera, në përdorim për dhjetë vjet. Pas kësaj kohe, shtëpiat i dorëzoheshin shtetit duke menduar se të emigruarit kishin arritur të krijonin një bazë me punën e tyre për të përballuar e ndërtuar një jetë të re. gjithashtu, edhe familjeve që mereshin me bujqësi i’u ofroi nga toka shtetërore, një sipërfaqe të kufizur për të kultivuar perime dhe drithëra aq sa të përballonin nevojat e tyre, edhe këto i kishin në përdorim për 10 vjet.

Ai më kumtoi gjithashtu se familjet Çame dhe vecanërisht të parët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë që përballonin dhe dhimbja e njerëzve dhe e pasurive që kishin lënë pas, prapësepraë tregoheshin se ishin të lumtur, dhe i’u dukej vetja sin ë ëndërr qëe në shtetin turk gjetën trajtim njerëzor, barazi, me shtetasit turq, drejtësi në institucione dhe siguri në jetë e familje që nuk i kanë patur kurrë për dekada të tëra në shtetin grek.

Çamët në Turqi, pavarësisht nga lidhjet martesore që krijuan me komuntetin e huaj, kanë ruajtur si gjë të shtrenjtë lidhjet mes tyre. Mes të afërmëve me lidhje gjaku, dhe këto cilësi të larta jau kanë transmetuar edhe fëmijëve të tyre.

Është me interes të theksoj se pinjollët e Çamërisë, pavarësisht kanë apo nuk kanë lidhje gjaku, shpesh bëjnë vizita te njëri tjetri, dhe këto gjëra kanë gjetur mbësshtetje e mirëkuptim edhe të bashkëshortët e tyre. Në foton e mëposhtëme, janë tri gra Çame të martuara më trë Turq, të cilët si burrat edhe gratë i kam njohur nga afër, shpesh takojnë dhe bëjnë vizita të ndërsjella.

Në Foca, shkuam për të takuar familjet Çame dhe Maqedonase. Foca është një qytet turistik, me bregdet të bukur, të rrethuar nga Lindja dhe Perëndimi me kodra të buta e plot gjelbërim, që kishin filluar të mbusheshin me një urbanistikë të rregullt, me ndërtesa dy dhe tre katëshe. Hapësira Jugore, dikur fushë pambarim, kishte filluar të mbushej me ndërtime. Në bregdet shtriheshin disa kjoska të vogla, që shërbehej për turistët. Atje Qamilja, dhe i shoqi i saj Semihu, na krijoi mundësinë që të kontaktonim fillimisht me disa shqiptarë të Maqedonisë. Ishin të moshave të ndryshme, por me përjashtim të tturqishtes, asnjëri nuk dinte gjuhë tjetër. Njëri prej tyre, më i moshuri, na tregoi se kur kishin shkuar shqiptarët e Maqedonisë në atë zonë në vitet 1923-1935, ishte një fushë pa ndërtesa. Atje qeveria turke sajoi disa ndërtesa provizore për Maqedonasit, më pas i ndihmoi me kredi të buta e me shumë lehtësira të tjera, dhe ata u sistemuan dhe për vite të tëra qëndruan aty derisa u hap rruga për në venfdet perëndimore, që një pjesë shkuan edhe në kurbet. Në Foca kishte shumë Maqedonas, njëri prej tyre që ishte nga një fshat i Follorinës , kujtonte nga thëniet e të atit se të parët e tij i kërkuan qeverisë së Zogut, të emigroheshin në Korcë, se nuk donin të shkonin në Turqi, nga frika se ishte një distancë e gjatë dhe së dyti nuk njihnin gjuhën dhe zakonet turke, por meqënëse qeveria e Zogut në 1923, nuk u krijoi asnjë lehtësi, ata gjetën mbështetjen e konsullatës turke në Athinë që i’u lëshoi vizat për në Turqi.

Njëri prej tyre tregoi se nuk kishin asnjë lidhje me vendin e origjinëS, pasuritë e tyre i kishin grabitur grekërit dhe këta quheshin njerëz të padëshiruar për të shkuar ë për t’u cmallur me varret e të parëve të tyre, që tanimë nuk dihet se ku ishin. “Ai e përfundoi mendimin duke thënë – atdheu ynë është Turqia, shteti turk, por dhimbja për trojet e të parëve nuk harrohet, ajo do të jetë e gjallë dhe e pashuar në zemrat tonë”.

Në Foca shkuam në një familje tjeter Çame, me burrë turk e gruan Çame. Të dy të moshuar, në pension, me fëmijë të martuar. Edhe këtu na shoqëroi Qamilja me Semihun. Meqënëse u vonuam shumë në bregdet, me shqiptarët e Maqedonisë, dhe tek familja Çame shkuam në kohë drake me mendimin se nuk të drekonim aty. Sapo arritëm na u rezervua një pritje e ngrohtë, me shumë dashuri , megjithëse ishim të panjohur dhe shiheshim për herë të parë, përzemërsia e tyre, ishte kaq shprehëse saqë dukej se po takonin me pjesëtare familjesh të ndarë prej vitesh. Ilmia, e zonja e shtëpisë mu hodh në qafë dhe me lot në sy tha- Mirëseerdhët gjaku ynë, vendi ynë, vÇlezërit tanë!

Takimi me Çamët në Foca ishte mbresëlënës dhe më krijoi emocione të thella, kur motra ime Çame m’u hodh në qafë dhe me një zë të mekur dhe me pika loti që i rridhnin në sy, më tha- kurrë nuk do të harroj në jetën time kënaqësinë e madhe që ndjeva duke biseduar në shtëpinë time për Çamërinë dhe për banorët e saj myslimanë, që kanë kaluar një kalvar të dhimbshëm.

Është për të theksuar një vecori karakteristike që mbart një traditë shqiptare – mikpritja, bujaria, një dukuri karakteristike. Kur ftoheshim për biseda nëpër shtëpia apo ambjente të jashtëme, bujtësi për të krijuar kënaqësi në pritjen e mikut, thërriste shumë miq dhe të njohur Çam, që t’a ndante gëzimin e tij me të tjerët.

KOHA SHËRON PLAGËT POR DHIMBJA NUK HARROHET!

Çamët në Turqi ishin integruar plotësisht. Turqia për ta ishte bërë atdheu amë, çdo intervitues këtë e shprehte me bindje e fjalë zemre. Ata ishin bërë shtetas të barabartë me Turqit, pa asnjë dallim e paragjykim. Ata ishin të pranishëm kudo, në ushtri, në administratën qendrore dhe vendore, në arsim, në shëndetësi, në artizanat, në biznese të mëdha, të mesëm e të vogla. Një pjesë e mirë e brezit të ri që kishte dashur ishte arsimuar me arsim të lartë. Kishin mbaruar studimet master e doktoraturë. Megjithatë, mallin dhe dashurinë dhe atdheun e të parëve të tyre e shprehnin me dhimbje, por sic na kumtonin, kishin pak informacion ose aspak për vendin e origjinës për shkak të mungesës së kontakteve me të afërmit e tyre që nga koha e largimit nga Çamëria e deri në 1991 me fillimin e tranzicionit. Krahas burrave dhe grave të vjetra Çame, në Menemen për herë të parë, njoha një djalë të ri që sapo kishte mbaruar arsimin e lartë, Çam me origjinë nga e ëma. Ai nuk na u nda për asnjë cast, na shoqëronte kudo. Nga goja e tij mësova se studionte për doktorantë me temën “Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe shpërngulja e Çamëve në Turqi 1923-1938”. Këtë ndjenjë dashurie për të njohur historinë e vendlindjes së paraardhësve të tij nga nëna, i’a kishte transmetuar daja i tij i madh Novruzi. Tunci kishte mbushur shumë faqe me kujtime të paharruara nga vuajtjet e Çamëve në Greqi, nga terrori Grek dhe nga kalvari i gjatë i emigrimeve të Çamëve në vend të huaja. Tunci, i specializuar në shkenca politike, vendosi që t’i kushtojë vemendje të vecantë cështjes Çame dhe dorën e ngrohtë vëllazërore të qeverisë së Ataturkut që në ditë të vështira u hapi derën.

ME TUNÇIN NË FOÇA

Ai gjithashtu më tregoi se po grumbullonte të dhëna nga shtypi turk i asaj periudhe dhe regjsitrimet e familjeve Çame dhe Maqedonase në gjendjen civile turke, si edhe material të tjera arkivale. E përgëzova për temën dhe si njohës i mirë i kësaj periudhe i premtova se do ta ndihmoj me material të shtypit të kohës shqiptar dhe dokumenta arkivale shqiptare të asaj periudhe. Marrëdhëniet me Tuncin vazhdojnë pa ndërprerje për shkëmbim informacionesh, kam bindjen se ai do të sjelli një studim qe do hedhë dritë mbi të panjohurat e popullsisë Çame të emigruaea në Turqi.

Në Izmir ka shumë shqiptarë të Çamërisë. Njëri prej tyre me shumë emër jovetëm në Izmir por në të gjithë shtetin turk, madje edhe përtej Atlantikut, deri në Çikago për firmën e njohur të ëmbëlairave që eksporton nga punishtja e tij e njohur. Ai është nga Koska. Të dhënat e familjes së tij do të jenë objekt i një teme të vecantë, të parët e tij kanë emigruar në vitin 1925 nga Koska, një fshat i vogël historic dhe me shumë emër në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1910-1912. Ai ka lindur në turqi në shenjë kujtimi të identitetit së origjinës të paraardhësve të tij, punishten e madhe të ëmbëlsirave e ka pagëzuar me emrin Koska. Një masë dërmuese e popullsisë së Izmirit pavarësisht prejardhjes së tyre e dinë ku është qendra e atij biznesi ëmbëlsirash me emrin “Koska”, dhe që në fillim të thonë- “Është Çam nga Koska e Çamërisë,por është një biznesmen me shume emër shumë i njohur dhe prodhon mall hallall.

Duke përfunduar nuk mund të lë pa përmendur Erdenin, Çam me origjinë nga i ati nga fshati Karbunarë dhe nga nëna një refugjate myslimane bullgare. Erdeni është i martuar me një vajzë Çame që quhet Arzu me origjinë nga gjyshja e saj nga Filati. Erdeni, është një fermer i madh dhe shumë i suksessshëm, ai kultivon perime të llojeve të ndryshme në një sipërfaqe në rreth 300 ha, një pjesë prej të cilës e merr me qira ndërsa 100 ha me ndihmën e shtetit turk, me kredi të buta dhe inkurajuese i ka pronë të tij.

Prodhimet e fermës i tregton jo vetëm në Izmir por edhe në Stamboll. Ai është jo vetëm fermer i suksesshëm por edhe një njeri i lidhur shumë me familjen e tij grua ndhe dy vajzat e tij, por edhe me të afërmit dhe miqtë. Ai ka krijuar kushte shumë të favorshme për familjen e tij dhe një shtëpi moderne.

VILA E ERDENIT NË MENEMEN

Në këtë shtëpi të bukur dhe me një pronar bujar, kaluam një drekë shumë të këndshme jo nga bollëku i menu-së, dhe llojet e ndryshme të asortimenteve, por edhe nga emocionet e kujtimeve të familjes së tij që na përcolli: “Ishin 6 fëmijë, 2 vëllezër dhe 4 motra, babai i tyre një punëtor në rrugë e ura, me sakrifica i shkolloi dhe sot ata janë 5 me arsim të lartë ndërsa Erdeni kishte qejf punën, bujqësinë dhe me vullnetin e punën e tij tregoi se arriti atje ku është sot!”.

Largimi nga Izmiri na krijoi emocione të thella, një grup Çamësh atë ditë na përcollën me shumë dashuri dhe na dhanë lamtumirën, ishin grumbulluar burra dhe gra

Me Çamët në Turqi, mora mbresa dhe kujtime personale që në vetvete formojnë kujtesën kolektive të asaj popullsie që emigroi rreth 100 vjet përpara. Njoha nga afër se traditat dhe vetitë e larta të paraardhësve të tyre, ata i ruanin në shpirt pavarësisht të lidhjeve të përziera familjare që kishin krijuar dhe gjuhën shqipe për shkak të izolimit e të mos komunikimit nuk e përdornin, prapëseprapë ata kur dëgjonin emrin Çamëri dhe grimca historie të saj, kishin qejf të rrinin me orë të tëtra e të të përcillnin dashuri dhe etje për të mësuar nga tragjedia e paraardhësve të tyre.

Në Turqi, dhe vecanërisht në Izmir e rrethinat e tij ka një popullsi Çame nga të gjitha krahinat e Çamërisë që në numër është më i madh se popullsia e komunitetit Çam që është në Shqipëri. Për fat të keq kanë kaluar 70-të vjet që komuniteti Çam u shpërngul me dhunë e terror nga trojet e tij 1944-1945, dhe sipas statistikave shumë të rregullta te komunitetit antifashist Çam, kjo popullsi ishte rreth 23-25000 mijë vetësh. Që nga ajo kohë nuk është bërë asnjë regjistrim i popullsisë Çame në Shqipëri. Të vjen keq, që edhe në këtë pikë, prezantohet ndonjë “historian” dhe shkruan statistika të pasakta “sipas regjistrimit te vitit 1991, të bërë nga “Shoqata Patriotike Çamëria”, popullsia me origjinë Çame, e vendosur në republikën e shqipërisë, arrinte në 204.255”

Çdo Çam në një moshë të pjekur, pavarësisht nga arsimi që ka osë nuk ka, kjo është e pabesueshme, se që nuk është bërë asnjë regjistrim i popullsisë Çame, jo në 1991 por as në 2000 dhe as pas vitit 2000. Kujt i shërben një statistikë e tillë e paqenë? Historiani duhet të pasqyrojë të vërtetën, edhe kur ajo është e dhimbshme, e vërteta është për minoritetin Çam që ka 70 vjet në Shqipëri dhe nuk është bërë një regjistrim i këtij komuniteti të vë në siklet. Por kjo temë kërkon një trajtim të veçantë.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA