...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga niveli më i lartë mbrojtës te rrënimi i ushtrisë shqiptare nga Berisha, Majko, Nano dhe Rama dhe ringritja

Sot Republika e Shqipërisë, për fat të keq të saj, nuk ka asnjë lloj force të armatosur; ato ekzistojnë vetëm në fjalimet e politikanëve

Dilaver Goxhaj* (Dita)

23/07/2018 - 06:59

Rama në vitin 2013 premtoi Rilindjen. Domethënë ringritjen e Shqipërisë pas atij rrënimi katastrofik që i kishte bërë qeverisja e Sali Berishës. Po sa e ka mbajtur premtimin pas këtyre viteve në qeverisje kur bëhet fjalë për Ushtrinë? Këtë do të përpiqem të analizoj në këtë shkrim, duke u mbështetur në shifra dhe tregues konkretë, në fakte dhe dëshmi të pakontestueshme, për të dalë në konkluzionin pse është domosdoshmëri rikrijimi i forcave tona të armatosura.

Sot Republika e Shqipërisë, për fat të keq të saj, nuk ka asnjë lloj force të armatosur; ato ekzistojnë vetëm në fjalimet e politikanëve. Kemi disa qindra forca speciale që rekrutohen nga deputetët. Po ç’ushtri është kjo! Në shikimet rreshtore, për syrin e një pedanti, ato janë të shkëlqyera. Por nuk mund të themi që 100 apo 300 vete përbëjnë ushtrinë kombëtare ngaqë shkojnë në Afganistan a gjetkë; nuk është një ushtri kombëtare, është thjesht një trupë ceremoniale.

Kur ushtrinë e mori në dorë Sali Berisha, në vitin 1992, porsa patëm dalë nga Lufta e Ftohtë, atë ushtri ua besoi kuadrove më të paafta, duke i graduar brenda një nate gjeneralë! 26 të tillë! Dhe këta “gjeneralë” me porosi të Berishës, e dobësuan gradualisht përgatitjen luftarake të saj dhe përgatitën kushtet për shkatërrimin e saj.

Pas masakrës që i bënë ushtrisë gjeneralët e Berishës dhe vetë ai, shtetit 1997, ushtrinë e mori në dorë Partia Socialiste, e cila, në vend që t’i nxirrte para përgjegjësisë pothuaj të gjithë drejtuesit kryesorë të reparteve dhe njësive taktike e operative, i la shumicën e tyre në ato detyra, madje shumë prej tyre edhe i ngriti në funksione, si dhe ndoqi politikë nepotiste në kthimin e disa kuadrove në ushtri, si dhe duke emëruar në shumicën e rasteve militantët profanë dhe jo të përkushtuarit. Në këtë mënyrë e zhgënjeu korpusin e kuadrove të ushtrisë. E njëjta politikë kuadri si dhe PD-ja.

Kur Ministrinë e Mbrojtjes ia besoi Pandeli Majkos, ky u tregua mjeshtër për shitjen e gjithë armatimit dhe teknikës luftarake si skrap, dhe me atë fodullëkun e tij prej adoleshenti, gjithë politikën e kuadrit ia besoi adjutantit të tij. Si rrjedhojë, ishte edhe vota e ushtarakëve aktivë, në lirim e pension që e rrëzoi Nanon nga pushteti në vitin 2005.

A do ta marrim vesh ndonjëherë se çfarë ka ndodhur realisht me ushtrinë shqiptare. A do të dalë ndokush të na tregojë se ku shkoi dhe në cilët xhepa ka hyrë kjo pasuri kolosale që kap miliarda dollarë?

E rimori përsëri Sali Berisha pushtetin. Boll të themi se çfarë bëri ky me Mediun në Gërdec (si simbol i këtij rrënimi total), merret vesh se si e trajtoi ushtrinë, duke e turpëruar e gjakosur atë dhe popullin, duke turpëruar shtetin.

Dhe në vitin 2013 e rimori në dorë përsëri PS-ja, me në krye Edi Ramën, i cili vuri në krye të ushtrisë një femër, Mimi Kodhelin, e cila dukej sikur ndjente lumturi që e bëri të pamundur hyrjen në institucionet kërkimore të studiuesve ushtarakë, (vijon edhe sot), duke kujtuar se kështu bëri një ushtri moderne; vetë Ali e vetë Kadi në politikën e kuadrit. Madje, ajo edhe teknikën elektronike të zbulimit ajror e detar të ushtrisë, në vend që ta vinte në funksion të paprekshmërisë së kufijve detarë e ajrorë, e heshti, ndoshta për t’u krijuar kushte optimale tregtarëve të mëdhenj të hashashit; shiti edhe avionët që kishin mbetur pa shitur nga paraardhësit; të gjitha institucionet historike të Ushtrisë Shqiptare i zhvendosi, duke e fshirë atë pjesë të historisë së ushtrisë shqiptare; të gjitha shtëpitë e ushtarakëve që nuk kishte arritur t’i privatizonte Berisha, në të gjithë qytetet i privatizoi dhe sot ish-kuadrot e ushtrisë nuk kanë asnjë vend ku të zhvillojnë ndonjë aktivitet për hitorinë e ushtrisë shqiptare.

Dy shtëpitë kryesore të ushtarakëve që ishin në Tiranë, njërën ia fali PD-së, tjetrën e ka bërë qendër drejtorish civile. Disa nga qëndrat e komandimit të ushtrisë në rast lufte u denigruan përmes projektit “Bunkerart”, si dhe u sfidua koncepti i fortifikimit përmes bunkerit në qendër të Tiranës që të kujton librin propagandistik të Dretorisë Politike të Ushtrisë Jugosllave, botuar në vitin 1982, në Beograd “Bunkerizimi i Shqipërisë”, i cili në kopertinë ka këtë tip bunkeri (oficerëve shqiptarë të ushrisë jugosllave ua jepnin me detyrim ta mbanin në çantën e oficerit)

Pas katër vjetësh, tashti Ushtrinë ia ka besuar një çupëline tjetër, Olta, e cila as nuk di se për çfarë i duhet shtetit ushtria, duke i vënë vetes detyrë kryesore, shndërrimin e ish kazermave të brigadës së artilerisë dhe asaj të këmbësorisë së Korpusit të Gjirokastrës, në Tepelenë, në një shëmbëlltyrë të kampeve naziste të përqëndrimit! Tallje totale me ushtrinë. Olta më bën të qesh dhe më kujton Kadri Roshin te filmi “Ballë për ballë” kur thoshte se me një zë si prej mize që më vjen nga telefoni unë nuk hidhem në sulm!  Në fakt, (mos)reformimi i ushtrisë në këtë pesë vjetor të Qeverisjes Rama duhet analizuar shumë seriozisht.

Çfarë ushtrie kishim derisa ajo ra në duart e PD-së dhe PS-së?

Po jap në vijim shifrat e plota të armatimit dhe teknikës luftarake që kishte Shqipëria, për t’i ditur i gjithë populli, pasi këto shifra qeveritë shqiptare pas vitit 1990 i kanë mbajtur fshehur, që populli të mos e merrte vesh se sa pasuri i është vjedhur.

Këmbësoria: Ishin 22 Divizione Këmbësorie, në përbërje të të cilëve ishin 110 brigada këmbësorie; 19 brigada sulmuese të organizuara e të përgatitura për të vepruar kryesisht në shpinë të armikut; 8 brigada të Rinisë Shkollore të Armatosur me nxënës të shkollave të mesme, (klasat 11-ta e të 12-ta); 5 brigada të rinisë universitare të armatosur; 11 brigada tankesh me 1300 tanke, 638 transportues të blinduar e 630 diagaçë; 1 brigadë të ndërlidhjes; 36 batalione zbulimi me trupa dhe dhjetëra posta radiozbulimi për përgjimin e armiqve të mundshëm); (Sipas procesverbalit të Mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, Shqipëria kishte gati 3 lloj armë këmbësorie (pushkë gjysëm automatike, automatikë e mitraloza) për çdo ushtar e vullnetar, nxënës e student: pushkë 436.800, automatikë 235.200, mitralozë të lehtë e të rëndë 28.000, mortaja (të gjithë kalibrave) 7.400, fishekë të kalibrave të ndryshëm 2.600.000.000 copë. Uzina e Poliçanit prodhonte 300.000 granata dore ofensive e difensive në vit, si dhe prodhoheshin edhe predhat e mortajave 82, 107 e 120mm dhe po zgjerohej linja e prodhimit të municioneve për topat KT 75mm, obuzat 122mm, për topat KA 37mm e mitr.KA 12,7 e 14.5mm”). ).

Brenda 72 orëve Shqipëra mobilizonte 750.000 njerëz në uniformë për të përballuar agresionin. Shqipëria ishte përgatitur edhe për mbrojtje kundëratomike dhe për një luftë të gjatë mbi dhjetë vjet. Vetëm depot e rezervave ushqimore e siguronin këtë aftësi në kushte hermetike të një rrethimi të plotë.

Mbrojtja Kundërajrore (MKA), arma më masive: Shteti shqiptar i kushtoi një vemendje të jashtëzakonshme MKA, duke marrë përvojën e luftës së Vietnamit, pasi në betejat e sotme aero-tokësore nuk mund të përballohet asnjë lloj agresioni pa MKA, ndryshe nuk mund të veprohet lirshëm në fushën e betejës. Si e tillë ajo ishte kompletuar me 34 regjimente të artilerisë kundërajrore dhe 100 grupe AKA (në përbërje të brigadave të Këmbësorisë), të kalibrave 20, 25, 37, 57, 85 dhe 100 mm, me gjithsej 3800 gryka zjarri; 14.000 mitralozë 12,7mm pa llogaritur 22 batalione të mitralozave KA 14,5mm dy dhe katër tytësh (gjithësej 1.188 tyta zjarri); një regjiment i raketave të drejtuara kundërajrore tokë-ajër SAM-2, për mbrojtjen e kryeqytetit nga aviacioni armik, ku të gjitha repartet e tij ishin shdërruar në rajon tepër të fortifikuar, dhe çdo lëvizje ishte e nëndheshme; një regjiment të zbulimit radioteknik, në përbërje të të cilit kishte 17 posta radioteknike, (14 aktive e 3 rezervë), të tipave P-8, P-10, P-15 dhe P-30, të cilat mbulonin gjithë hapësirën ajrore përreth kufijve të vendit tonë deri edhe 150 km tej kufirijve shtetërorë; 5 baza të furnizimit material-teknik RKP dhe shumë reparte të tjera të shërbimeve të domosdoshme të ushtrisë. I gjithë sistemi i MKA, përfshi edhe pozicionet e zjarrit të mit.KA 12,7mm, ishte i vendosur në tokë dhe nën tokë, asnjë armë ose aparaturë mbi tokë. Për kohën ky lloj armatimi dhe sasia e tij ishin tepër efikas).

Dhe këtë fuqi të MKA të vëndit, ku edhe në çdo fshat kishim një togë të mitralozave kundërajrorë 12,7mm, e dinin të gjithë fqinjët tanë. Dhe ja se çfarë më tregojnë, në biseda shoqërore dy ish-oficerë shqiptarë të ish-ushtrisë jugosllave, që një pjesë të kohës së shërbimit të tyre ushtarak kanë qenë edhe pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të asaj ushtrie. Gjeneral Ramadan Qehaja më tregonte në vitin 1999: “Sa herë që hartonim metodika të ndryshme për mbrotje nga Shqipëria apo për mësymje kundër saj, nuk planizonim kurrë përdorim të desantit ajror as me hedhje e as me ulje, pasi ishim të bindur se ai ishte i asgjësuar pa rënë në tokë.” Të njëjtën gjë ma pat treguar koloneli i aviacionit luftarak, piloti nga Shkupi Ali Aliu, në vitin 1996. MKA ishte përgatitur që t’i kundërpërgjigjej me zjarr çdo sulmi të befasishëm nga ajri për 2-3 minuta, nëse shkelej hapësira jonë ajrore në rast agresioni ushtarak.

Artileria Fushore: 33 brigada të Artilerisë tokësore në vartësi të divizioneve dhe RKP, krahas artilerisë organike në brigada e batalione këmbësorie, të përbëra prej topa dhe top-obuz prej kalibrit më të vogël 75, 76 mm deri në kalibrin me larghedhje të madhe 122, 152mm, si dhe reparte mortajash të kalibrave 60, 81, 107, 120 dhe deri 160mm, që ishin efektivë në mënyrë të veçantë për veprime luftarake në terren malor. Me përparësi ishte punuar për sistemin e artilerisë kundër-tanke si dhe artileri reaktive me prodhushmëri të lartë zjarri. Si rrjedhojë ekzistonte një iventar i përgjithshëm artilerie tokësore pej 21.500 gryka zjarri, ku 4300 gryka zjarri ishin të kalibrave 120mm e lart; 6 Regjimente të Artilerisë Kundërtanke; 4 regjimente të artilerisë bregdetare të kalibrit 100 e 130mm, që vepronin bazë grupi e baterie për asgjësimin e anijeve desanto-zbarkuese e anijeve luftarake të armikut. Të gjithë PZ të artilerisë ishin QZP tepër të fortifikuar.

Arma e Xhenjos: Ekzistonte një Divizion Xhenjoje me tre brigada xhenjere; si dhe 4 regjimente fortifikimi; një detashment i teknikës së rendë; një batalion autonom të nxjerrjes së kromit dhe një kompani autonome në ishillin e Sazanit. Ky Divizion ishte Rezervë e Komandës së Përgjithshme (RKP) dhe shtrihej në të gjithë vendin. Përveç këtij divizioni ishin edhe repartet xhenjere të trupës: 22 batalione xjenjere, (një për çdo DK); 110 kompani autonome xhenjere, (një për çdo BrK); 440 toga xhenjere, (një për çdo batalion këmbsorie).

Arma e Mbrojtjes Kundërkimike: Një regjiment autonom i Mbrojtjes Kundërkimike (flakëhedhës), RKP, krahas nënreparteve përkatëse të divizioneve, brigadave, regjimenteve e batalioneve (grupeve), njësoj sikundër folëm edhe për trupat xhenjere.

Forcat Ushtarako Detare: 5 Baza Ushtarako-Detare, (Sarandë, Vlorë, Ishulli i Sazanit, Durrës, Shëngjin), të cilat në përbërje kishin: Katër silurues – 80 copë, Dragamina rade – 6 copë, Dragamina bazë – 2 copë, Gjuajtësa detarë – 4 copë, Nëndetëse – 4 copë (në Portopalermo tip tunel ujor); 6 copë Motovedetë – tip Shangai II. Të gjitha këto ruheshin në sistem tunel. Në Bazat ushtarake Detare ishin gati për minimin e ujit në afërsi të bregdetit mbi 35 mijë mina detare, të cila ishin të mbrojtura nga artileria bregdetare e përbërë me mbi dy mijë gryka të ndryshme topash.

Forcat Ushtarako Ajrore: Dispononim 3 regjimente ajrore gjujtës-bombardues (Kuçovë, Rinas dhe Gjadër); një regjiment helikopterësh (Farkë); skuadrilja autonome e avjonave të transportit (Laprakë-Tiranë); detashmenti i avjonave të shërbimeve qeveritare (Rinas); detashmenti helikopterave në varësi të MPB dhe ai shëndetësor (Laprakë); Uzina e Riparimit të Avjonave (Kuçovë), ku realizohej remonti kapital i avjonave dhe helikopterëve dhe Vendkomanda Qëndrore (Tiranë). Parku i përgjithshëm i aviacionit kishte 217 avjonë dhe helikopterë që dislokohej në 3 aerodrom të klasit të parë,  2 aerodrome të klasit dytë, një heliodrom, ndërkohë që ekzistonte një bazë e fuqishme e furnizimit material-teknik, si dhe të gjitha llojet e municioneve luftarake si për goditje ajrore ashtu dhe tokësore. Gjithçka ruhej në sistem tunel, përjashtuar helikopterët. Sot disponojmë dy skuadrile helikopterësh me 12 tipe të ndryshëm. Përfytyroni tashti këtë lloj force ajrore laramane gjatë veprimeve aktive. Si mund të arrihet që municionet dhe pjesët e këmbimit të bëjnë për secilin helikopter?!

Përgatitja e kuadrit ushtarak (oficerave aktivë) bëhej në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave (Tiranë), për të gjithë llojet e armëve e shërbimeve të ushtrisë, deri në nivel batalioni; në Akademinë e Lartë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm (Tiranë) për nivelin brigadë, di vizion e lartë; Kursi i Lartë pranë Akademisë së SHP; Shkolla e Lartë e Aviacionit (Vlorë); Shkolla e Lartë e Marinës (Vlorë); 3 shkolla dy-vjeçare për përgatitjen e kuadrit rezervist, si dhe kurset tre-mujore pranë çdo Korpusi (divizioni) për komandantë skuadre. Pjesa dërmuese e studentëve të shkollave që përgatisnin oficerat komandues vinin nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skëndërbej” në Tiranë, fidanishtja e ushtrisë.

Forcat njerëzore. Llogaritur në efektivë, deri në fund të Luftës së Ftohtë, Republika e Shqipërisë, në përbërje të Forcave të Armatosura kishte: 16.500 oficerë, 9.000 nënoficerë aktivë si dhe 80.000 ushtarë e 8.000 civilë, të clët përbënin bërthamën organizative, drejtuese e komanduese të FA; 450.000 rezervistë të organizuar në 136 brigada të të gjitha llojeve; 265.000 vetë të Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes Populore që përbëheshin kryesishtë nga gra e vajza të moshës 35-40 vjeç, si dhe meshkuj të moshës 50-60 vjeç, (prej tyre 3.672 burra, 16.600 gra e vajza dhe 2.171 paraushtarakë), por dhe nga të rinjë paraushtarakë 18 vjeçarë, të organizuara në 11 brigada (ose 608 batalione) dhe që ishin në vartësi të shtabeve të mbrojtjes së rretheve.

Efektivi i përgjithshëm i armatosur i FA shkonte në 750.00 vetë, krahas strukturave të tjera ndihmëse, ku të gjitha së bashku arrinin afërsishtë 1.000.000 trupa aktive.

Gatishmëria luftarake: Përveç rezervave që kishte ushtria në Bazat e saj të Furnzimit, çdo Divizion Këmbësorie kishte rezerva municioni e ushqimi për 25 ditë luftime intensive, përveç kompletimit luftarak në pajime; brigadat e skalionit të parë kishin rezerva për 15 ditë, kurse në rajonet e parashikuar për luftë në rrethim rezervat shkonin deri për 6 muaj.

Me marrjen e sinjalit të kushtrimit luftarak llogaritej që mitralozat e postave kufitare, bateritë e gatshme të artlerisë dhe gjithë artileria kundërajrore të hapnin zjarr brenda 2-3 minutave; ndërsa batalionet mitraliere të vijës së parë ishin të gatshëm për të kapur rajonin e mbrojtjes për 25-27 minuta, duke pasur një efektivë prej 800 vetë, (nga të cilët 150-250 aktivë), 54 mitraloza të rëndë, 27-36 mitraloza të lehtë, një bateri artilerie me 4-6 topa regjimentalë dhe kish për detyrë të bënte një rezistencë 6-8 orë, ta lodhte e ta rraskapiste armikun, duke e shpartalluar formacionin e tij të luftimit derisa të kompletohej brigada, kohë e cila ishte dhe kufiri maksimal i kompletimit të brigadës, ku çdo BrK  e skalionit të parë kishte 2-3 të tillë.

Kompletimi me rezervistë i gjithë ushtrisë u arrit të realizohej për 72 orë.

Veç këtyre, shteti shqiptar kishte Divizionin e Mbrojtjes Civile të Republikës për t’i ardhur në ndihmë popullit në qendrat e banuara në rast lufte, si dhe struktura të tjera të organizuara pranë organeve të ekonomisë dhe të pushtetit lokal.

Duke pasur 7 korpuse në vijë të parë, në front, dhe 2 korpuse rezervë (deri në vitin 1983), ndërsa pas këtij viti 16 divizione në vijë të parë dhe 4 të tjerë në skalion të dytë dhe 2 Divizione RKP, si dhe Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore për mbulimin e objekteve të rëndësishme,(qytetet dhe qëndrat e mëdha ekonomiko-industriale), Komandën e Aviacionit Luftarak, Komandën e Flotës Luftarako-Detar (të gjitha në dorë të Komandës së Përgjithshme), sistemi ynë i mbrojtjes garantonte veprime të sukseshme për përballimin e sulmit të kundërshtarit si në drejtim tokësor e atë detar, por edhe në atë ajror. Nëse do të shihej i hedhur në një hartë të vetme gjithë planizimi luftarak i mbrojtjes së vendit, i gjithë territori i Shqipërisë përbënte një rajon të vetëm mbrojtjeje. “Në rast agresioni kundër vendit tonë,- thuhej në Artin  Ushtarak Popullor -, nuk do të kemi një përleshje të armatosur ndërmjet një ushtrie të rregullt dhe Ushtrisë sonë Popullore, por në mes të ushtrisë së rregullt të armikut dhe të gjithë popullit tonë  të armatosur dhe të Ushtrisë sonë Popullore”.

Shërbimi logjistik (Prapavija). Buxheti vjetor i ushtrisë shqiptare prej viteve 1980-1982 e në vijim ishte 12-15% të të ardhurave të buxhetit vjetor kombëtar, për çdo vit.

Ushtria shqiptare kishte 5 Baza të fuqishme Furnizimi të Ushtrisë (Tiranë, Elbasan, Rrëshen, Berat dhe Tepelenë), me filialet e tyre dhe me depo po shumë të fuqishme në të gjithë territorin e vendit dhe të gjitha në depo tip tunel nëntokësor, të cilat kishin si detyrë kryesore luftarake: të siguronin nga ana logjistike të gjitha drejtimet strategjike e operativo-strategjike të vendit në të cilat kishe armatim, municione, veshmbathje, ushqime e medikamente për njerëz e kafshë (që freskoheshin çdo vit), aparatura mjekësore, pjesë ndërimi për të gjitha llojet e teknikës, transportit e armatimeve, tankeve, deri tek gryka zjarri rezervë për topat e artilerive, karburante, teknikë e municione xhenjere etj.

Vijimësinë e furnizimit të tyre në rast lufte Bazat e Funizimit të Ushtrisë e siguronin nga depot e Rezervave Shtetërore dhe ekonomia e vendit sipas planeve të veçanta të miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli i Mbrojtjes. Edhe depot e Rezervave Shtetërore ishin ndërtuar e skalionuar për të siguruar të gjithë drejtimet e mbrojtjes strategjike të vendit. Gjithçka që ruhej në këto baza furnizmi dhe filialet e tyre ishin llogaritur për të përballuar për 5 vjet luftë me secilin armik të mundshëm të asaj kohe, mbi bazën e një llogaritje sesa municion do harxhonte çdo ditë luftimi secila prej armëve.

Bazat e Furnizimit kishin lidhje me  Rezervat e Shtetit që edhe ato në çdo drejtim ruanin sasi rezervash për llogari të ushtrisë. Përveç këtyre, ushtria kishte disa uzina e kombinate për prodhimin e gjithë nevojave të ushtrisë, duke filluar nga pistoletat, pushkët, automatikët, mitralozat, municionet e të gjitha llojeve të armatimit përkatës, duke përfshirë edhe predhat e artilerisë e të aviacionit, pa llogaritur prodhimin e eksplozivave.

Dhe të gjitha ishin sistemuar në tunele, për të funksionuar edhe gjatë luftës.

Përsa i përket pajisjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, vetëm në njësitë dhe repartet e ushtrisë, përjashtuar Rezervat e Komandës së Përgjithshme, në fund të viteve ’80 kishim 1 milon e 160 mijë armë të lehta këmbsorie, me mbi 3.000.000.000  copë fishekë.

Por mund të dalin “strategë” e “teoricienë” politikë e ushtarakë shqiptarë e të na e përsërisin atë çka kanë 25 vjet që po e thonë çdo ditë: Shqipëria nuk mundej ta përballone çdo lloj lufte me cilindo armik… po u përgjigjem me fjalët që simboli ynë i rezistencës, Adem Demaçi, i jep letrës së z. Veton Surroi në vitin 2002, për “pamundësinë e UÇK-së për çlirimin e Kosovës”: “Sikur të bënim kalkulime të këtilla, asnjë prej nesh, kurrë, nuk do të binte nëpër burgjet e Serbisë. Liria, lum Vetoni, nuk është diçka që “valla po ma ka anda veç nëse ma fal dikush”. Liria është një nevojë e paevitueshme shpirtërore, sikurse që frymëmarrja, uji e buka janë të domosdoshme për të mbajtur trupin gjallë”.

Këto forca të Armatosura e kryen me nder ruajtjen e tërësisë tokësore të republikës së Shqipërisë, pa bërë luftë, pu vrarë asnjë ushtar dhe kjo falë përgatitjes luftarake sipas parullës politiko-ushtarake: “Gjithë populli ushtar”. Nga gatishmëria e lartë luftarake e Forcave të Armatosura, teknika dhe armatimi luftarak që kishim, i cili gjatë asaj periudhe pothuajse i barbartë me cilësitë e armatimit të kohës me të kundërshtarëve të mundshëm, për mos të thënë se ishim në gjendj të përballonim secilin shtet kufitar në rast agresioni kundër vendit tonë. Ajo fuqi ushtarake  qe faktori kryesor që cilido shtet me synime pushtuese të tërhiqej si rrjedhojë e fuqisë luftarake të shtetit tonë. Ky dhe ka qenë objektivi kryesor i Forcave të Armatosura të Shqipërisë: jo të bënim luftë, por ta ndalnim luftën.

Lufta Nacional-Çlirimtare dhe periudha e Luftës së Ftohtë, si dhe lufta e UÇK-së, treguan se ne jemi një komb i pajisur me aftësi ushtarake të jashtëzakonshme, prandaj e çuam organizimin ushtarak në një shkallë të përsosur, duke ua kaluar të gjithë fqinjëve; ky fakt u provua në mënyrë të pakundërshtueshme në mos guximin e cënimit të territorit dhe hapësirës sonë ajrore nga të gjithë shtetet që kanë pasur synime ndaj nesh. Ishte ajo forcë ushtarake që e trimëronte shtetin shqiptar t’i tregonte vendin edhe shtetit më të fuqishëm ushtarak të Ballkanit, të asaj kohe, Republikës Federale të Jugosllavisë.

Po ku shkoi gjithë ajo pasuri ushtarake?

Shkriu si kripa në ujë, dhe askujt nuk i hyri gjemb në këmbë. Gjatë këtyre tre dekadave të fundit kemi lexuar e dëgjuar shumë sharlatanë poltikë e analistë të ndryshëm që shprehen se Shqipëria e ka pas kot atë armatim e  atë ushtri. Këto  fjalime “bombastike” nëpër televizorë e media të tjera, madje edhe nga foltorja e Parlamentit, janë bërë dhe bëhen ose nga injoranca ose nga qëllime të këqija antikombëtare, sepse as nuk e dinë dhe as nuk duan ta dinë se objektivi kryesor i atyre Forcave të Armatosura ishte të fitohej lufta pa bërë luftë, që do të thotë ta detyrosh kundërshtarin të heqë dorë nga synimet e tij grabitqare.

U kujtoj këtyre teoricinëve profanë, se gjatë Luftës II Botërore të gjitha palët ndërluftuese i kishin lëndët helmuese luftarake, por asnjëra palë nuk guxoi t’i përdorte; edhe në kohën e Luftës së Ftohtë flitej për sulme atomike, por bomba atomike nuk u përdor; flitej për luftë e luftë nuk u bë, dhe kjo si rezultat i regullave dhe marrëveshjeve midis dy krahëve, gjë që bëri të mundur ekzistencën  e një regulli shembullor në Evropë.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë u krijua ideja e një paqeje globale, por më shumë në Evropë. Si rrjedhojë, të gjitha qeveritë shqiptare të mëpasme e shkallmuan totalisht gjithë arsenalin e Forcave tona të Armatosua dhe nuk ka asnjë lloj inventari se nga kush, si, kur dhe ku shkoi gjithë ajo pasuri ushtarake; madje nuk doli para përgjegjësisë asnjë ushtarak komandues i të gjitha niveleve, të cilët i braktisën repartet ushtarake dhe depot e armatimeve e të të gjithë rezervave të Forcave të Armatosura dhe rezervave të shtetit; madje kur PD-ja dhe aleatët e saj rierdhi në pushtet nëvitin 2005 i shpërbleu gjeneralët për eleminimin total të Forcave të Armatosura!

Por as PS-ja dhe aleatët e saj të majtë nuk i nxorrën kurrë para drejtësisë shkaktarët e shkatërimit të të gjithë Forcave të Armatosura dhe të gjithë strukturës së shtetit shqiptar, edhe pse kemi të bëjmë me një shkatërrim të pashembullt në historinë botërore të shtetit dhe të Focave të Armatosura nga vetë shteti.

Të gjithë ata i braktisën repartet dhe institucionet në panik, duke u lëshuar turmave gjithçka. Nëse në Shqipëri drejtësia nuk do të varej nga politika, kam bindjen se ndëshkimi më elementar i gjithë ushtarakëve, të të gjitha niveleve me përgjegjësi komanduese e drejtuese të të gjithë Forcave të Armatosura, përfshi edhe policinë dhe Shërbimin Inteligjent, si dhe gjithë kabineti qeveritar i asaj kohe dhe gjithë deputetë që shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe rizgjodhën Berishën President, nuk duhej t’u njihej e drejta e pensionimit nga shteti.

Sot nuk janë më ato rregulla dhe ato marrëveshje marrëveshje ndërkombëtare të Luftës së ftohtë dhe, duke pasur parasysh nivelin kulturor që ekziston sot në rajon e më gjerë, nuk mund dhe nuk duhet që Shqipëria të heqi dorë nga ekzistenca e Forcave të Armatosua, pavarësishtë se nuk i duam, por ja që jemi të detyrar t’i kemi.

Kjo “botë e trazuar me konflikte asimetrike e sulme kibernetike”, na bën të dalim në përfundimin se: veprimtaria e gjithë qeverive të Shqipërisë prej vitit 1992 e në vijim, për eleminmin e ushtrisë shqiptare dhe shkrirjen e gjithë rezervave ushtarake e shtetërore dhe shitjen e gjithë potencialit të saj tekniko- ushtarak, e themi me plot gojën: përbën një tradhëti kombëtare.

Përse duhen Forcat e Armatosura?

Derisa edhe fqinjët tanë, si ata që janë anëtarë të NATO-s edhe të tjerët, i mbajnë dhe i forcojnë çdo ditë Forcat e tyre të Armatosuara, për luftë mbrojtëse e mësymse; si rrjedhojë, edhe ne duhet t’i kemi FA, por me një ndryshim: për luftë mbrojtëse. Për çfarë u duhen FA fqinjve rreth nesh? A duhet të kemi frikë?

Ruajtja e paqes është një qëllim realist, por jo gjithmonë i lehtë për t’u arritur. Shumë nga forcat që shtyjnë një shoqëri drejt luftës janë shumë të vendosur.

Nuk mund të mos jemi të shqetësuar kur Presidenti Tramp paraqitet sikur ka më shumë besim te Rusia se sa te vetë miqtë tradicionalë. Shqetësimin më të madh duhet ta kemi veçanërisht ne ndër gjithë vendet Ballkanike, jo vetëm nga ripushtimi i fqinjve, por kryesisht nga braktisja amerikane. Kush na siguron se nesër Presidenti Tramp, në ujdi me Putinin, nuk do ta braktisë Shqipërinë, por edhe Kosovën? Mos kujtoi kush se Evropa do të rrezikojë interest e saj falë Shqipërisë, nëse tërhiqen amerikanët. Evropa, nëse nuk do të ekzistoi udhëheqja amerikane, do të bëjë sehir.

Dhe, para se të vijoj më tej, më lejoni t’ju kujtoj se çfarë ka deklaruar në 12 janar 2017, kancelarja e Gjermanisë, zonja Merkel, gjatë një ceremonie në Bruksel, ku u nderua me titull nderi nga tre universitete belge: “Le të mos gënjejmë veten. Nga këndvështrimi i disa prej partnerëve tanë tradicionalë, e po përfshij këtu edhe marrëdhëniet ndërpaqësore, nuk ka garanci të përjetshme për bashkëpunim të ngushtë me ne europianët”.

Pse e citova zonjën Merkel? Se asnjë konjukturë politike nuk është e përjetshme, dhe atë që Shqipëria e kish vënë në jetë qysh në vitet ’60 të shekullit që lamë pas, “mbrojtjen e vendit me forcat e veta”, po i kthehet sot Evropa, në shekullin e 21, ngaqë tash po e shohin se po u shkri NATO-ja, u vihet në pikëpyetje pavarësia dhe liria, si rrjedhojë “e dashamirësisë së Donald Trumpit për Putinin, si dhe deklaratave të tij për të mos respektuar klauzolën për mbrojtje të përbashkët nëse një shtet i NATO-s do të sulmohej”, sikundër vijon zonja Merkel. Ndërsa Presidenti i Eurogrupit Dijsselbloem deklaroi në Bruksel, përpara një takimi të Eurogrupit, organ jo formal, i përbërë nga 19 ministrat e Financave të eurozonës: “Kam arritur në përfundimin se do të jemi krejt të vetëm përgjatë viteve në vazhdim, që mund të jetë një mundësi e mirë”.

Si ta kuptojmë që Greqia këtë vit miratoi një marrëvehje me SHBA për modernizmimin e më shumë se gjysmës së flotës së saj ajrore, për një shumë pej 1,2 miliard Eurosh?.

A ishte drejuesi më i lartë i  NATO-s, Stoltenberg,  cili para disa ditësh në samitin e Londrës deklaroi se NATO është përballë rrezikut më të madh të ekzistencës, duke e thënë këtë gjë në mënyrë aspak diplomatike?

Përderisa ne nuk kemi asnjë lloj force të armatosur, gjë që askush nuk mund të kërcënohet nga ne, pse atëherë fqinjët armatosen e forcohen çdo ditë, ndërsa ne shqiptarët çarmatosemi çdo ditë?! Të jetë e paqëllimshme kjo gjë? Nuk ma merr mendja. Ja pra që Forcat e Armatosura na duhen për të ruajtur unitetin e tërësisë tokësore të Republikës së Shqipërisë. Të paktën ta ruajmë nga tendencat e brendshme separatiste, (sikundër ndodhi, për shembull, në Spanjë kohët e fundit, për shkëputje rajonesh ose pjesë territori. Dhe menjëherë Spanja dërgoi Forcat e Armatosura që stabilizoi situatën).

Nuk është e tepërt t’ju kujtoj qeveritarëve, politikanëve dhe lexuesit se tendenca separatiste u shfaqën edhe tek ne në Shqipëri gjatë viteve ‘90-të, si në Veri edhe në Jug, të nxitura edhe nga fqinjët tanë. Dhe këto tendenca nuk janë eleminuar ende.

A mund të ndodhin përsëri kërkesa separatiste territoriale në vendin tonë? Po, mund të ndodhin. Madje, probabiliteti sot është edhe më i madh se në 1997-ën, pasi ndikimi i të huajve për të realizuar këtë qëllim është më i madh sot, pasi jemi një vend i hapur, e me popullsi shumë të varfër.

Si do të ringrihemi?

Ku dhe si do të mund ta ngrejmë këtë forcë ushtarake për t’i dalë zot vendit në raste turbullirash? Së pari, duhet të pranojmë se shteti ynë aktual nuk është në atë gjendje ekonomike të sigurojë armatim e teknikë luftarake cilësore si të NATO-s, pasi nuk i blejmë dot. Por edhe trupa speciale cilësore si të NATO-s as nuk i mbajmë dot e as nuk i stërvisim dot, pasi kërkojnë kosto të lartë financiare. Së dyti, mos pyesni se ku do t’i gjejmë armët dhe teknikën luftarake. Ato i gjejnë ish-ushtarakët. Ato armë e atë teknikë luftarake që na duhen për kushtet e sotme i kemi. Janë ato që na kanë mbetur nga shitjet pa kriter, vjedhjet, shkatërrimet e qëllimshme e të paqëllimshme, dhe shpërdorimet. Na kanë mbetur armë këmbsorie, tanke, avjonë, artleri tokësore e kundërajrore e teknikë luftarake.

Është e vërtetë që ai armatim dhe ajo teknikë luftarake që kemi ende, është “ e vjetër”, por të vrasin dhe të vrasin shpejt e saktë, janë shumë të efekshme, shumë preçize, shumë praktike, shumë lehtë për t’u mësuar dhe përdorur; kërkon shumë pak mund për t’u mirëmbajtur, kostua e mirëmbajtjes dhe riparimeve dhe e pjesëve të këmbimit është shumë e ulët, për mos të thënë se ende nëpër depot e ushtrisë ka ende pjesë këmbimi të tyre. Dhe ajo që është kryesorja, i kemi ende gjallë e të aftë për punë spcialistët e të gjithë atij armatimi e teknike luftarake. I gjithë ky kontigjent ushtarakësh e civilë, që kanë përdorur, mirëmbajtur e riparuar këtë armatim e teknikë, jam më se i sigurtë se po të jenë të interesuara qeveritë tona për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Republikës së Shqipërisë, do të punojnë natë e ditë, ndoshta edhe pa pagesë, pasi ai kontigjent idealistësh, edhe pse është hedhur në rrugë nga të gjitha forcat politike pa dallim, ndjenjën patriotike e ka mijëra herë më të lartë se cilido politikan shqiptar e ministër a ministre mbrojtje çupëlina të këtyre tre dekadave të fundit, për të cilët koha ka tregar se edhe planet më të menduar janë bërë lodra të përshtypjeve subjektive, të rastësive e të tekave të tyre.

Por mund të lindë pyetja:  Pse na duhen armët kundërajrore?  Duke filluar qysh në vitin 2001 lufta kryesore në botë sot është lufta dhe mbrojtja nga terrorizmi. Terroristët janë sot në gendje të sigurojnë armatim dhe teknikë sulmuese të të gjitha llojeve, përfshi edhe avjonë, madje dhe municione atomike. A duhen mbrojtur nga ajri institucionet kryesore të shtëtit? Po digat e hidrocentraleve? Po portet etj?

Por edhe Politika jonë e Jashtme, nëse rikrijojmë Forcat e Armatosura do të marrë vlera të mëdha në të gjitha kohrat. Diplomacia ka sukses kur ke në dorë një forcë të konsiderueshme. A e shihni se çpo na ndodh me kufijtë detarë me Greqinë, por edhe me kufijtë në Kosovë? Sot, duke qenë një vend i varfër dhe pa asnjë lloj force të armatosur, (ato kompani që kemi nuk përbëjnë Forcë të Armatosur, mos ta gënjëjmë veten), prandaj as që na dëgjohet zëri, madje jemi kthyer në lipsarë e servilë. Prandaj, pse jemi vend i vogël duhet të krijojmë forcat e armatosura që, si miqtë tanë edhe të tjerët të sillen me ne si të barabartë.

E di Greqia që ne nuk kemi asnjë lloj arme, përveç armët e krahut të disa kompanive “special” me thënë, prandaj organizon parada ushtarake me këngë, duke thënë: zorrët e shqiptarëve do t’i përdorim për lidhëse këpucësh.

E di Mali i Zi se ne nuk kemi forca që të mbrojmë kufirin, prandaj ka vendosur ta thurri kufirin me tel me gjëmba për të mos kaluar kush nga Shqipëria në Mal të Zi.

E di Maqedonia që jemi kthyer në shtet mere-mere, prandaj populli shqiptar i atjeshëm vazhdon të margjinalizohet, edhe pse ndryshoi Qeveria në Maqedoni me ndihmën e shqiptarëve. Maqedonia vijon të armatoset gjithnjë e më shumë, ndërsa ne këtej jemi të armatosur vetëm me pistoleta, prandaj sillet turfanda me shqiptarët, duke mos zbatuar asnjë lloj marrëveshje.

Ju kujtoj se Polonia po organizon herë pas here, me program të rregullt, stërvitje luftarake, jo vetëm me rezervistë, por edhe me shkollat e mesme dhe universitetet, edhe pse nga dita në ditë po shkojnë dhe vendosen atje forca të NATO-s. Mos e kanë vallë nga qejfi? Jo, por jetojnë me situatat.

Evropës nuk i vjen mirë dhe nuk e duron dot arrogancën e Presidentit Tramp, por është forca ushtarake e Amerikës që i rrinë lepe-peqe. Jo më kot populli ynë ka shprehjen e famshme: Frika i ruan vreshtat. Dhe frikën e krijon ekzistenca e forcës së armatosur.

Kush do ta përdori këtë armatim e teknikë?

Për këtë Shqipëria duhet të kalojë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe atë rezervist, si dhe në ringritjen e shkollave ushtarake. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe ai rezervë jo vetëm që është shumë më pak i kushtueshëm se sa mbajtja e forcave speciale cilësore të mjaftueshme për mbrojtjen e unitetit territorial tokësot të vendit, por rritet në popull ndjenja e patriotizmit, që sot është për faqe të zezë; rritet ndjenja e kolektivitetit, ndërkohë që individualizmi dhe indeferentizmi në popull ka arritur kulmet më të mëdha, ku as fqinji përballë nuk i thotë mirëmëngjesi fqinjit; aktivizimi i shërbimit të detyrueshëm dhe ai rezervist do të bëjnë që populli të kuptojë se cili është roli dhe rëndësia e mbajtjes së një ushtrie dinjitoze, por do të kuptohet se çdo të thotë siguri kombëtare. Nëse nuk krijojmë Forcat e Armatosura, atëherë duhet përcaktuar një strategji të tillë, duke ua bërë të qartë vendeve që kanë synime territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë: po kini ndërmend të vini, amani mos na vrisni, pa bëni çfarë të doni.

Nëse Parlamenti një ditë do të vendosë të kalohet në ringritjen e Forcave të Armatosura, atëherë do të lindë nevoja e rishikimit të sasisë dhe llojshmërisë të atyre forcave.

*Autori është ish-Zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Shkrimi është edituar nga Shqipëriajonë.org. Kujtojmë, se Ylli Përmeti ka realizuar shumë studime ushtarake të cilët, disa janë parapublikuar dhe disa do të publikohen. Kutojmë, gjithashtu, se autori nuk ka bërë një studim të ndërthurur me lëvizjet gjeopolitike të superfuqive as edhe me zhvillimet e fundit në armatimet ushtarake dhe as me rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal. Për të njëjtën arsye, shkrimi ka disa të meta por është i vyer sa i përket historisë ushtarake të vendit tonë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA