...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Politika kriminale e qeverisë “Rama2” dhe hipokrizia e protestuesve me Teatrin Kombëtar: kultura e shqiptarit dhe rikonceptimi i tij

Qeveria “Rama2” shkaktoi një tjetër krizë sociale në kohën kur kriza shumë-dimensionale (ekologjike etj.) në vendin tonë është duke u përshkallëzuar: krizën për prishjen e teatrit kombëtar.

Ylli Përmeti

05/07/2018 - 22:10

Qeveria “Rama2” shkaktoi një tjetër krizë sociale në kohën kur kriza shumë-dimensionale (ekologjike etj.) në vendin tonë është duke u përshkallëzuar: krizën për prishjen e teatrit kombëtar. Menjëherë pas qarkullimit të idesë së prishjes së tij u mobilizuan artistët dhe shumë veprimtarë duke protestuar. Në kohën kur shkoi në kuvend për t’u miratuar ku dhe u miratua (5 korrik, 2018) protestës iu bashkua dhe e ashtuquajtura “opozitë” dhe disa akademikë (Fuga etj.). Mirëpo, të gjithë bashkë protestuan vetëm kundër prishjes së teatrit duke përmendur paralelisht disa fakte që lidhen me synimet e qeverisë “Rama”: larje parash etj! Nga ana tjetër, eksponentët e qeverisë (Kumbaro, Ahmetaj etj.)  në kuvend mbrojtën idenë se teatri duhet të prishet. Kumbaro, për shembull, e konsideroi teatrin në “gjendje emergjente”. Ndaj ai, sipas saj, duhet të prishet! Ndërsa Ahmetaj u përpoq të na mbushte mendjen se ai është në dobi (në fakt ai përdori fjalën “favor” – si duket kur fliste shqip mendonte anglisht!) të pasurisë publike pa përmendur fare faktin tjetër se kur një objekt publik është në dobi të pasurisë publike si do të ishte ai për privatin e përfshirë në të: me dobi apo pa dobi?! Sidoqoftë, çdo të prisnim nga demagogë të tillë: të përmendinin të gjitha të vërtetat?! Por kundërshtarët e projektit nuk përmendën disa të vërteta që janë shumë më të rëndësishme se ato që përmendën:

Së pari, teatri aktual është një ndërtesë karakteristikat e të cilit nuk janë ‘kombëtare’. Nuk ka ndërthurur, në fjalë të tjera, virtytet kryesore të popullit tonë në arkitekturë dhe nuk ka marrë në konsideratë aspektet e shikimit dhe dëgjimit siç merreshin në konsideratë nga arkitektët e antikitetit. Por është një ndërtesë me karateristika të shkollës italiane të arkitekturës e cila ndërthur karakteristikat e perandorisë romake me karakteristika moderne. Ata që kanë dije nga karakteristikat e ndërtesave romake dhe moderne dhe nga karakteristikat e popullit tonë, kuptojnë dhe faktin se ai nuk përputhet me karakteristikat e popullit tonë. Sidoqoftë, ajo është një ndërtesë praktike që mbulon deri diku nevojat e artistëve tanë dhe shumë prej tyre kanë kujtime të ëmbla për të: ndaj u dhimbset. Ajo është një lidhje shpirtërore që duhet respektuar.

Së dyti, artistët tanë me prishjen e teatrit marrin një goditje tjetër pas goditjes që mori kinostudioja. Ata kanë qenë pasivë vitet e fundit në luftën për të drejta sociale dhe kombëtare. Ndoshta ngaqë arti është vendosur në sqetullën e qeverive dhe artistët kanë patur frikë të angazhoheshin në protesta për çështje të tjera: sepse duhet thënë se arti operon sipas hierarkisë shtetërore që kanë hartuar qeveritë e 28 viteve të fundit ndryshe ngasa veproi, për shembull, Ramiz Alia në ‘88 kur hartoi një ligj që e çlironte sektorin nga kthetrat e qeverive. Këtë fakt e pohoi dhe Mirush Kabashi në një intervistë gjatë protestave. Por artistët ishin aktivë lidhur me çerdhen e tyre të fundit, megjithëse të përçarë: disa e mbështesnin prishjen dhe disa jo. Fakti që protestuan për çerdhen e tyre dhe nuk kanë protestuar për çështje të tjera sociale dhe kombëtare tregon se ose kanë frikë ose janë bërë si shumica e popullit: “o mete për vete”.   

Së treti, si artistë kaq kohë duhet ta kishin kuptuar se Rama do të sillësh keq me ta sepse vetë Rama, si piktor, dhe me pushtet politik, thuajse absolut, nuk do të ngurronte të realizonte përçartjen e tij artistike edhe në qytete, sidomos kur ai ka krijuar karakter hakmarrës dhe tiranik (parapëlqen lajkat se sa kritikat etj.). Theksoj se piktura e Ramës është e natyrës abstraktive dhe jo natyraliste. Si e tillë, ajo nuk përmban parime. Kështu, një njeri pa parime në art nuk mund të ketë dhe krijojë parime në politikë, sidomos kur katapulton nga arti në politikë pa dije administrative. Për të njëjtën arsye, ai iu përgjigj menjëherë përçudnimit të arkitektit të huaj: sepse një njeri pa parime dhe i paqartë në pikturë dhe arkitekturë do ta shikojë arkitekturën e re të “lidhur” me arkitekturën e vjetër pikërisht nga këndvështrimi i tij: abstraktiv. Në sytë e tij, rrjedhimisht, një ndërtesë e re pa parime arkitekturore mund të gërshetohet me ndërtesa deri diku, me parime.

Qartësisht, edhe në këtë rast, artistët tanë u treguan naivë kur shumë prej tyre e mbështetën. Ndërtimi i teatrit të ri, për më shumë, propozohet në kohën kur ekonomia jonë nuk është stabilizuar dhe s'ka krijuar struktura të reja ekonomike për rritje të saj, cilësore dhe sasiore, dhe borxhi ynë vazhdon të jetë i lartë dhe do të rritet më shumë me politikën e PPP-së! Do të ishte e drejtë, për shembull, që çështja e teatrit të shqyrtohësh pasi të ishin luftuar shkaqet e mungesës së ushqimit për përqindjen më të madhe popullit, shkaqet e mungesës së dijes në të gjithë nivelet dhe shkaqet, në fund dhe kryesorja, të katastrofës ekologjike: sepse supozohet se një popull përsoset përmes tearit pasi të ketë ngrënë dhe të ketë marrë edukim të përgjithshëm. Më një popull që s’ka ushqim, të zhytur në padije dhe sëmundje, teatri do të ishte një ngrehinë vetëm për oligarkët.

Kështu, kundërshtarët e prishjes së teatrit në vend të përqendroheshin te drejtësia sociale —se përparësi për qeverinë duhet të jetë mirëqenia e popullit pastaj teatri— dhe te çështja se sektori i artit teatral edhe nëse shkon te ndërtesa e re ai do të jetë në sqetullën e qeverive po s’ndryshoi ligji —domethënë, nuk e vendosën në përparësi të protestës ndryshim e ligjit duke treguar edhe një herë karakterin politik që merr çështja, se kur nuk synohet ndryshimi i ligjit për artin ai mbetet ‘politikë’ sepse nënkupton se “opozita” do të vepronte më mirë se qeveria aktuale po të ishte në qeveri kur e ka vërtetuar se nuk është e tillë dhe as mund të jetë pa studiuar— dhe në vend të shqyrtonin karakteristikat e ndërtesës së vjetër teatrale dhe të kuptonin pse ajo nuk ka asnjë karakteristikë artistike nga populli ynë dhe pasi ta shteronin këtë çështje - ndërtesën e re ta shikonin pikërisht në kuadrin e mundësisë së krijmit të një teatri të ri me karakteristika shqiptare. Përqendrimi te përmasat e tij, për shembull, pa shqyrtuar karaketristikat e tij dhe pse ato janë ashtu siç janë, tregon pikërisht mungesën e dijes në arkitekturë nga artistët. Thënë ndryshe dhe sipas rëndësisë: protesta duhet të kishte marrë një karakter revolucionar — në kuptimin që ajo duhet të kishte hartuar tre kërkesa kryesore:

  • se përpara se të konsiderohet mundësia e ndërtimit të një teatri të ri qeveria duhet të angazhohet seriozisht në rritjen e mirëqenies së popullit — me ‘mirëqenie’ këtu kuptohet zhvillimi paralel i botës virtuoze dhe ekonomike; nëse nuk mundet, ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme;
  • se përpara se të konsiderojnë prishjen e të vjetrit dhe ndërtimin e të riut duhet të shqyrtojnë çështjen e hartimit të një ligji i cili të synojë çlirimin e artit nga kthetrat e qeverive; dhe
  • se përpara se të shqyrtohet gjithçka tjetër rreth teatrit artistët duhet të shqyrtojnë dallimet e artit tonë arkitekturor nga arti italian dhe mundësinë e përfshirjes së vlerave të popullit tonë në art. Për shembull, një nga vlerat e veçanta që ka zhvilluar populli ynë është besa. Se pse ajo e ka humbur rëndësinë dekadat e fundit është një tjetër çështje që e kam shqyrtuar në vend tjetër. Por kjo s’do të thotë se artistët nuk duhet të qëmtojnë vlerat e popullit tonë dhe t’i ringjallin dhe mishëronjë përmes artit arkitekturor.

Të gjitha këto çështje duhet të ishin shqyrtuar përpara se të miratohësh prishja e tij në kuvend. Fakti që u miratua pa shqyrtim të këtyre çështjeve tregon edhe një herë jo vetëm mungesën e drejtësisë sociale dhe ekologjike por dhe të filozofisë politike në art të qeverisë “Rama2”, kur dihet se karrierën e tij e ka filluar pikërisht nga arti. Kujtoj se artistët nuk kalojnë nga filozofia e artit. Kështuqë, një lloj keqedukimi riprodhohet në akademitë e artit. Përgjithësisht mësojnë prirjet artistike dhe zhvillimin e artit në historinë njerëzore. Por jo filozofinë e tij, të cilën e kam shqyrtuar në vend tjetër. Kjo është arsyeja pse Rama dhe shumë si ai nuk kanë zhvilluar filozofi artistike por rrëmbehen në prirjet e artistëve që riprodhojnë elitat. Arti, shkurt, operon pa parime. Dhe për të njëjtën arsye, qeveria “Rama” ka adoptuar pa shqyrtim rikonceptimin e qendrave urbane ku po zhvillohet një tjetër masakër: sepse po veprohet njëlloj – po ndërtohet pa parime!      

Një pështjellim tjetër krijoi e ashtuquajtura “opozitë” (me “opozitë” këtu nuk kuptohet PD-ja dhe LSI-ja por të gjithë ata që u mjaftuan me kundërshtimin e prishjes së tij) lidhur me “faktin” se ai përbën “objekt kulturor” ose “historik”. Domethënë, se ai është pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit dhe objekt me vlera historike dhe arkitekturore! Këtë qendrim pati dhe OP-ja nga e cila prisnim se do të na sillte ndonjë qendrim më të mirëmenduar. Në këtë pështjellim nuk munguan dhe krahasimet me vende të tjerë për të ligjësuar mosprishjen e teatrit. Folën thuajse të gjithë për kulturë pa shqyrtuar dhe kuptuar se ç’është kultura në përgjithësi dhe kultura artistike në veçanti! Sqaroj edhe një herë, se unë jam për mosprishjen por pasi të jenë shqyrtuar të gjitha çështjet lidhur me teatrin në veçanti dhe artin në përgjithësi. Por kjo s’më pengon të tregoj të vërtetën e tearit dhe artit në përgjithësi dhe hipokrizinë e protestuesve. Dhe le të flasim për hipokrizinë e parë: se teatri nuk duhet të prishet sepse ai është “objekt kulture apo objekt historik”.

Në çdo shoqëri që shkojmë shikojmë qartë karakterin e pushtetit. Nëse shkojmë në Athinën Klasike, vërejmë qartazi karakterin e pushtetit të saj: me ndërtesa publike madhështore ajo tregon orientimin e popullit drejt institucioneve publike, madhështinë e filozofisë në art dhe reflektimin e kulturës përkatëse. Filozofia e arkitekturës së kohës ka qenë vërtetë madhështore: ajo është cilësore (jetëgjatë) dhe shkon përtej bukurisë së natyrës. Kjo filozofi dhe reflektim kulture i tregon gjeneratave pasardhëse madhështinë e saj. Me të drejtë, rrjedhimisht, krenohen të ashtuquajturit “grekë” — kujtoj edhe një herë se Athina Klasike zhvilloi konceptin kozmopolit të shoqërisë duke shkatërruar konceptin fisnor të kohës. Ishte, në fjalë të tjera, një shoqëri e përbërë nga fise pellazge dhe joniane (greke). Po të shkojmë dhe vrojtojmë monumentet kulturore të Ali Pashasë, kuptojmë qartazi karakterin e pushtetit: ai synonte të ruante popullatën përkatëse nga sulmet duke ndërtuar vërtet monumente kulturore: kështjella-qytete. Dhe ne me të drejtë krenohemi: sepse pashallëku i tij përbëhësh kryesisht nga shqiptarët dhe veprat ishin rezultat e përpjekjes së tyre për t’u mbrojtur ndërsa ndërtonin vepra arti.

Nëse vrojtojmë socializmin marksit, ne kemi gjithashtu vepra për t’u krenuar (kombinate etj.) shumica janë shkatërruar nga reaksionarët e brendshëm...dhe vijmë te teatri ynë kombëtar: cili shqiptar krenohet me të? Asnjë! Përveç atyre që s’e kanë idenë as nga pushteti as nga arti: sepse ai nuk reflekton as kulturën tonë as përpjekjen tonë për art etj. Por reflekton natyrën e pushtetit fashist të kohës. Duhet thënë se fashizmi krijoi gjithashtu ndërtesa madhështore. Por ato nuk miratoheshin nga populli, si në rastin e Athinës Klasike, por nga perandori dhe arkitektët e tij. Ato, gjithashtu, synonin të reflektonin “madhështinë” e perandorit dhe jo madhështinë e vlerave të popullit tonë: ndaj kishin karakter “madhështor” dhe shumë karakteristika i huazoi nga perandoria romake. Kështu, nëse duam vërtet të jemi të vërtetë lidhur me teatrin dhe artin në përgjithësi dhe kërkojmë nga ai të reflektojë karakterin e popullit tonë, ne s’kemi rrugë tjetër veç të pranojmë të vërtetën dhe të kërkojmë një teatër vërtet kombëtar por pasi të jetë kuptuar dhe zgjidhur tërësia e çështjeve që kanë shkatërruar artin tonë. Por me shqiptarë hipokritë dhe oportunistë (shumë prej tyre dhe padije) çështjet në fjalë nuk mund të zgjidhen. Kështu mbetet përsëritja e recitalit hipokrit: se teatri ynë kombëtar është objekt kulture dhe nuk duhet të prishet!       

Cila është kultura e shqiptarit?

Përpara se të rikonceptojmë teatrin kombëtar në duhet të shqyrtojmë kulturën shqiptare: sepse teatri duhet të reflektojë kulturën e tij dhe të jetë vatra e riprodhimit të kulturës përkatëse. Kultura kam shqyrtuar në vend tjetër, në kuptimn e saj të ngushtë buron nga dija dhe besimet (fetare dhe shkencore nëse dije shkencore zhvillohet në një njeri) dhe në kuptimin e saj të gjerë kultura është një sistem besimesh, idesh dhe vlerash korresponduese të cilat janë dominante në një shoqëri në një kohë të veçantë të historisë së saj. Historikisht populli shqiptar ka zhvilluar vlera që kanë spikatur krahasuar me popujt e tjerë. Kur mungonte shteti modern dhe populli shqiptar përfshihësh në tallazet e perandorive, ai zhvilloi vlera dhe zakone që shkonin kundër tallazeve të perandorive. Vlerat kryesore që ka zhvilluar gjatë periudhës Ilire kanë qenë arti dhe zakonet, shumë prej tyre të kritikueshëm. Por në art shkëlqeu dhe sidomos në artin institucional dhe publik. Kjo dinamikë u ndikua nga dinamika që u zhvillua në demokracinë klasike të Athinës ku dominoi zhvillimi i pasurisë publike. Popujt e kohës e konceptuan ‘publiken’ aq adhureshëm saqë po të shohim ndërtesat publike dhe private të kohës këto të fundit i ka përpirë dheu ndërsa të parat janë të pavdekshme. Në mungesë të shtetit modern dhe i përballur me perandoritë, populli shqiptar s’kishte rrugë tjetër për të ruajtur veten dhe vlerat e tij veç zakonet.

Në këto kushte —të mungesës së organizimit shoqëror dhe ligjeve— nuk do të ishte e çuditshme që të zhvillonte mbi çdo vlerë tjetër, Besën: sepse ajo i duhësh më shumë në marrëdhëniet sociale. Kështu familjet lidheshin me besë dhe operonin përmes besës dhe jo me ligje. Por me ardhjen e perandorive fetare zakonet e shqiptarëve u trazuan dhe shumë u dëmtuan dhe u zëvendësuan në përqindjen më të madhe me zakone fetare. Kur lindi shteti modern disa zakone vazhdonin të jetonin në zemrat e shqiptarëve por krijimi i kuadrin modern institucional —“demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut— u mbivendos dhe kështu zakonet u bënë të dorës së dytë. Përgjatë socializmit marksist zakonet u përdorën nga elita e kohës por ata sërish ishin dytësor dhe jo parësor në adminstrimin e jetës njerëzore. Megjithë organizimin shkencor të prodhimit dhe zhvillimit tërësor të jetës, elita e kohës nuk krijoi kushte të mjaftueshme për të “sfiduar” zakonet — domethënë, për të gjykuar se cilët ishin të drejtë dhe cilët jo: sepse duhet thënë se qoftë edhe ‘besa’ si koncept dhe praktikë ka një efekt të dëmshëm kur një njeri shkel besën e dhënë dhe tjetri, në vend të shqyrtojë bashkë me të shkaqet dhe kuptojë pse u shkel besa vepron ndyshe: e vret pa shqyrtim dhe kuptim! Kështu lindi shteti i të drejtës, kuvendi, gjykatat dhe prokurorët. Mirëpo, këta që administrojnë institucionet përkatëse, ligjet i shkruajnë në letër dhe nuk dijnë t’i shkruajnë në mendjen, zemrën dhe shqiprtin e një populli. Kështu kanë shkatërruar zakonet e popullit dhe nuk dijnë të zhvillojnë asnjë vlerë të qendrueshme as te vetja e as te populli.

Dhe vijmë në pyetjen tonë: cila është kultura e shqiptarëve?

Shqiptarët, së pari, janë pa zakone, megjithëse disa krahina vazhdojnë t’i ruajnë disa zakone. Nga këndvështrimi pedagogjik ne kuptojmë zakone të mirë ata që janë e mirë e tjetrit. Për të realizuar të mirën e tjetrit ne s’kemi rrugë tjetër veç të krijojmë karaktere me mirësi që veprojnë për hir të mirësisë: sepse këta janë njerëz të dëshirueshëm. Mirëpo, ata që administrojnë ligjet (partitë etj.), nuk e kanë në karakter as mirësinë as kuptojnë faktin se me ligje të shkruajtur në letër nuk krijojnë dot zakone dhe njerëz me zakone të mirë. Kështu shqiptari i sotëm është degjeneruar në njeri me vese dhe pa virtyte: ai të vret për një fjalë goje (ndoshta fyerje); ai të shanë pa u përpjekur të kuptojë tjetrin; ai kërkon nga tjetri të jetë i mirë me të kur vetë s’bënë asgjë për mirësinë; ai kërkon njerëz të ndershëm kur vetë është i pandershëm; ai kërkon që njerëzit të protestojnë kur vetë nuk proteston; ai edhe kur proteston nuk e kupton në tërësinë e çështjes për të cilën proteston; dhe ai kërkon politika të drejta dhe njerëz të drejtë kur vetë është i padrejtë; ai është “o mete për vete”! Kjo është kultura e shqiptarit sot. Se si mund të ndryshojë kjo kulturë është e qartë: kur kuptohen shkaqet, të cilët i shqyrtova më lartë, pse shqiptari ka degjeneruar. Mund të ndihmojë arti në këtë drejtim. Sigurisht që po. Por si mund të ndihmojë ai kur në çështjen e teatrit thuajse të gjithë artistët dhe mbështetësit e tyre kundërshtojnë vetëm mosprishjen e tij ndërsa të tjerë nuk përfshihen në këtë çështje?!

Qartësisht, shqiptari është në udhëkryq dhe nëse vërtet kërkon të dalë nga llumi që e kanë zhytuar pararendësit, duhet t’i tejkalojë ata duke tejkaluar veten — domethënë, duke pranuar të vërtetën dhe duke pretenduar një tjetër shoqëri: me vlera të qendrueshme.                 

Si ta (ri)konceptojmë Teatrin Kombëtar?

Çështja e teatrit kombëtar kërkon vëmendje të veçantë për sa kohë që ai quhet ‘kombëtar’ — fjalë që nënkupton kombin tonë. ‘Kombi’ si koncept mund të kritikohet vetëm nëse kuptohet se përbëhet nga një racë e veçantë. Por dihet se kombet janë përzierje fisesh dhe nuk janë “një racë e veçantë”. Në këtë nivel, karakteri kozmopolit ekziston. Por në nivel politik dhe institucional vazhdon në shkallë të ndryshme të mbizotërojë karakteri fisnor dhe jo demokratik. Sidoqoftë, fakti që quhet “teatër kombëtar” ai duhet të përmbajë dhe vlera kombëtare nëse kombin e shohim në raport me vlerat që ai ka zhvilluar. Nëse ndërtojmë një teatër me vlerat që ka zhvilluar dekadat e fundit populli shqiptar – teatri do të ishte me karakter të shëmtuar meqënse padija dhe hipokrizia mbizotëron. Njeriu padije dhe hipokrit (hipokrizia buron pikërisht nga mungesa e virtyteve dhe virtytet janë dije në vetë-vete) është shumë i shëmtuar – jo në kuptimin estetik, sepse në pamje mund të jetë njeri simetrik, por në kuptimin e psikikës së tij: sepse është kjo e fundit që parapërcakton karakterin e tij. Dimë, gjithashtu, se njeriu procedon përmes të keqes dhe të mirës dhe kur edukohet mirë, mbizotëron e mira. Në këtë kuptim dhe duke u nisur nga fakti se teatri ka një rol edukativ —të zhvillojë karaktere të qendrueshme dhe të mirë— bashkë me veprimtari të tjera shoqërore, karakteristika kryesore e teatrit duhet të jetë ky njeri: që zhvillohet mes të keqes dhe të mirës duke kërkuar të mbizotërojë e mira dhe përsosja në mirësi. Gjykuar nga kjo qasje, si do ta paraqeste teatrin kombëtar një arkitekt? Nëse gjykojmë nga arkitektura e danezit, ajo s’ka lidhje me këtë koncept. Megjithëse është mundur t’i japë një karakter “iluminist”: forma e jashtme e tij është si prozhektor. Ky send nënkupton dritën...që nënkupton teatri. Por “drita” nuk mjafton kur nuk bazohet në dritën e njeriut: se ai zhvillohet mes të keqes dhe të mirës dhe se teatri kërkon ta çojë drejt të mirës. Nëse i shtojmë dhe qëllimin e dramës së teatrit —se ajo duhet të përfishijë audiencën dhe ta pastrojë atë përmes dhembshurisë dhe frikës: Aristoteli— dhe vlerat që ka zhvilluar populli ynë, kuptojmë se struktura e teatrit të danezit nuk përputhet me qëllimin e tij. Do të ishte e domosdoshme, rrjedhimisht, të shkaktojmë një debat me artistët dhe veçanërisht me artistët e arkitekturës, me qëllim që teatri të marrë vërtet karakter kombëtar dhe teatral — në kuptimin e rolit që ai ka në raport me shoqërinë. Nëse organizohen artistët dhe procedojnë nga shqyrtimi i filozofisë së artit, jam i sigurt se një teatër me karakteristika kombëtare dhe teatrale do të gjenerohet. Ka mundësi t’i organizojë qeveria “Rama” artistët? Sigurisht që ka. Por gjykuar nga fakti se ai vetë s’ka zhvilluar filozofi artistike dhe as demokratike dhe nga veprimet që ndërmori për të realizuar teatrin —procedoi pa debat të mirëfilltë demokratik dhe miratoi një projekt pa filozofi— dhe nga fakti se artistët dhe protestuesit nuk kanë parashtruar ende kërkesa gjithëpërfshirëse dhe nga fakti se unë çensurohem nga masmedia kombëtare dhe Universitetet dhe çdo kontribut i imi nuk ka efektin e dëshirueshëm, për shkak të çensurës, vështirë se kjo filozofi mund të marrë formë konkrete. Aspekte të tjerë, si efiçenca e zërit të aktorit dhe dëgjimit, temperaturës dhe oksigjenimit të hapësirës dhe jetëgjatësia e ndërtesës, duhet të shqyrtohen: sepse supozohet se një ndërtesë publike do të synojë t’i çlirojë shpirtërisht njerëzit...dhe të kursejë, gjithashtu, qytetarët në mirëmbajtje.                             

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA