Ylli Përmeti: Pse shajnë njerëzit dhe si mund ta tejkalojmë?
Mësimi i gjuhës shkencore do ta bënte më të kujdesshëm për sa kohë që ky lloj mësimi nënkupton një lloj disipline në mendje. Ky lloj mësimi, nëse shoqërohet me zhvillimin e virtytit të përmbajtjes, zhvillon një njeri që edhe në padrejtësitë më të mëdha nuk shan por përdor arsyetimin e drejtë
17/07/2019 - 15:44
Shprehja e lehtë e fjalëve të pista (të paturpshme) çon shpejtë në veprime të pista (të paturpshme).
--Aristoteli
Çështja se pse shajnë njerëzit është shqyrtuar nga pak autorë dhe të pakta janë shoqëritë që e kuptojnë rëndësinë e sharjeve, arsyet pse shajnë njerëzit dhe si mund të edukohet njeriu që mos të shajë. Kuptimi i saj, rrjedhimisht, është i pjesshëm si nga autorët ashtu dhe nga shoqëritë. Richerd Hirsch, një linguist në Universitetin e Gothenburgut në Suedi, për shembull, përpiqet ta ndriçojë problematikën. Por siç do të tregoj në vijim, ai nuk ka kuptim të drejtë të saj. Ai e fillon shqyrtimin duke cituar që në fillim se “sharja” është një lloj emocioni dhe për pasojë shqyrton si fillim natyrën e emocioneve për të cilët argumenton se “ata nuk mund të reduktohen në ndjesitë trupore ose ngjarje neuro-psikologjike. Por ata janë dukuri konceptuale shumë të ndërlikuara psiko-sociale.” Për të mbrojtur argumentin e tij ai qëmton argumentet e Zenos, një filozof “grek” i antikitetit, para-Sokratit, lidhur me kuptimin e emocioneve, se nga burojnë ata dhe çfarë shkaktojnë. Pasi nuk mjaftohet me qasjen e tij, më tej konsideron Aristotelin sipas të cilit atje janë dymbëdhjetë emocione: zemërim, butësi, dashuri, urrejtje, frikë, besim, turp, dashamirësi, devocion, indinjatë, lakmi dhe emulacion […]. Emocionet, sipas Aristotelit, “janë gjithë ato ndjesi që ndryshojnë njerëzit sa që ndikojnë në gjykimin e tyre dhe ndiqen nga kënaqësia dhe dhimbja, si zemërimi, dhembshuria, frika dhe të ngjashme si këto dhe të kundërtat e tyre”. Autori, në fakt, nuk citon këtë përcaktim. Por një të ngjashëm me këtë. Ndoshta ka lexuar ndonjë përkthim të gabuar. Përcaktimit të autorit i mungon pjesa e fundit: “…dhe të kundërtat e tyre”! Kjo mungesë e çon atë ta shqyrtojë çështjen jo sipas qasjes së Aristotelit (përmes të kundërtave…Shënim: Aristoteli përdor disa vegla teorike për të zbërthyer konceptet) por sipas qasjeve të autorëve modernë që në të vërtetë nuk janë qasje shkencore por kuptime të pjesshme.
Kështu, sipas tij, megjithëse Aristoteli ka bërë një përpjekje të mirë duke i lidhur emocionet me gjendjet e kënaqësisë dhe dhimbjes, ai nuk e ka përpunuar çështjen e emocioneve sistamitikisht...[…] Kështu ai qëmton Spinozën, sepse, sipas tij, ai ka realizuar një përpjekje sistematike duke u bazuar tek Aristoteli, sipas të cilit atje janë dyzetë e pesë emocione të cilët lidhen me shërbimet njerëzore tetë prej të cilëve lidhen me lirinë njerëzore. Por Spinoza nënkupton se emocionet mund të jenë të pakufizuar dhe për pasojë Hirshi konsideron David Hume, një filozof anglez i shekullit 17, sipas të cilit emocionet janë një tip përshtypjeje, për të cilët ai dallon përshtypjet parësore (ose orgjinale) dhe dytësore: përshtypjet origjinale ose përshtypjet ndijimore janë pa perceptim të më parshëm dhe shfaqen në shpirt, nga përbërja e trupit, nga shpirtrat e kafshës, ose nga shpirtrat e kafshës ose nga zbatimi i objekteve mbi organet e jashtme. Dytësore, ose përshtypje reflektive janë ato emocione që procedojnë nga përshtypjet origjinale, ose menjëherë ose nga përshtypja e idesë origjinale. Më tej ai konsideron Sartrin sipas të cilit ‘gjendjet e ndërgjegjjes të quajtura gëzim, zemërim e kështu me radhë s`janë asgjë veç manifestime fiziologjike të ndërgjegjjes—ose nëse ti dëshiron, projektimi i tyre në ndërgjegjje…emocionet janë diçka tjetër —domethënë, një marrëdhënie e veçantë mes qenies sonë psikologjike dhe botës’. Por megjithëse disa psikologë pranojnë se atje janë tre emocione bazë—domethënë, frika, zemërimi dhe dashuria përpjekja e fundit në literaturën e psikologjisë për klasifikimin e emocioneve llogarit dhjetë emocione. Kjo është e ashtuquajtura Teoria e Ndryshimeve të Emocioneve e Carrol E Izard-it (1977) sipas të cilës dhjetë emocionet bazë janë si vijon:
- Interes-eksitim (‘interes’ mund të zëvendësohet me fjalën ‘rëndësi’ ndërsa ‘eksitim’ me fjalën –‘entuziazëm’)
- Kënaqësi-gëzim
- Befasi-trembje
- Angth-angështi
- Zemërim-mllef
- Neveri-krupë
- Përbuzje-përçmim
- Frikë-terror
- Turp-poshtërim
- Faj-brejtje e ndërgjegjjes
Shohim, sqaron autori, se Izard e ka të vështirë të vendosë një term klasifikues mbi emocionet. Kjo është arsyeja që ai përdor dy terma për çdo emocion bazë. Arsyeja është se çdo emocion ndryshon në intesitet: termi i parë paraqet nivelin e ulët të intesitetit dhe i dyti të lartin. Shohim se Zenua dhe Izardi përpiqen të vendosin emra të ndarë mbi diçka që në të vërtetë është vazhdimësi. Si zakonisht fjalët e përditshme kanë një prirje të dështojnë kur përballemi me realitetin drejtëpërdrejt. Megjithëse spektri emocional duket të bierë në qendra mjaft të veçanta, atje ka plotë probleme për vendosjen e vijës mes tyre. Ku, për shembull, eksitimi dhe gëzimi, zëvendësohen? Këto probleme për dallim të shumë ndërlikimeve konceptuale nga njëri-tjetri pasqyrohen me problemet që kemi kur përpiqemi të dëftojmë se cili emocion shpreh një subjekt…
Pas rikonceptimit të përmasës së modelit të emocioneve Hirshi shqyrton burimin e sharjeve duke e filluar me citimin se sharja buron nga një ndjenjë zhgënjimi. Sharja për këtë njeri është aq e natyrshme si shprehja e zemërimit. Po atje ka më shumë emocione se zemërimi që mund të lidhen me sharjen. Atje ka shumë tipe sharjesh që nuk lidhen drejtëpërdrejtë me shprehjet e emocioneve që bazohen në norma sociale dhe vlera. Disa autorë kanë cituar një lidhje mes emocioneve dhe magjisë. Sartri e përcakton emocionin si një gjumë i ndërgjegjjes në një sjellje magjike. Malinowski e përshkruan në hollësi afrinë që ka magjia me një shpërthim emocional…duke konkluduar me tezën e tij se kur vullneti i njeriut përballet me një botë me të cilën është e pamundur të përballesh në mënyra normale, ne i qasemi botës me sjellje magjike ku ne shprehim sharje simbolike, betime etj., dhe bëjmë veprime që synojnë të paraqesin vullnetin si një shkak në botën ku jetojmë. Nën ndikimin e emocioneve të fortë, ata që Hume quan pasionet e dhunshme, subjekti përpiqet të realizojë synimin e tij jo me mjete të zakonshme, shkak dhe pasojë, por me mjete të jashtëzakonshme magjike, magji dhe sharje. Për ta qartësuar më shumë këtë përfundim, autori shqyrton tipet e ndërgjegjjeve dhe sharjeve ose lidhjen mes mendjes ose ndërgjegjjes dhe gjuhës dhe emocioneve.[1]
Por të qartësojmë emocionet e Aristotelit si fillim. Sipas tij atje janë katërmbëdhjetë emocione bazë:
Zemërim-qetësi
Shoqëri-armiqësi (lidhur me armiqësinë Aristoteli shton konceptin e ‘urrejtjes’ për arsyet që citon)
Frikë-besim
Turp-paturpësi
Mirësi-ligësi
Dhembshuri-indinjatë
Lakmi-emulacion
Të gjithë këta emocione shqyrtohen në raport me të kundërtat e tyre siç paraqiten më lartë. Aristoteli nuk flet për ‘dymbëdhjetë’ emocione siç argumenton autori por për ‘katërmbëdhjetë’ duke i vendosur përballë njëri tjetër dhe duke synuar tre qëllime për çdonjërin:
Ne duhet t’i rendisim çka duhet të themi rreth çdonjërit nën tre zëra. Për shembull, emocioni i zemërimit: për të ne duhet të zbulojmë (1) se cila është gjendja e mendjes së njeriut të zemëruar; (2) se cilët njerëz zemërohen dhe me cilët; dhe (3) për cilat arsye zemërohen me ta.
Dhe ndryshe ngasa argumenton autori se Aristoteli nuk ka realizuar ndonjë punë sistematike lidhur me emocionet, Retorika e Aristotelit i ka shteruar të gjithë emocionet në fjalë jo në lidhje me sharjen por lidhur me natyrën (ose dinamikën) e tyre me qëllim që të edukojë oratorët në përdorimin e emocioneve jo për manipulim, siç argumentojnë shumë, por për përdorimin e drejtë të tyre: sepse në kohën e demokracisë klasike të Athinës lindi jo vetëm demokracia e drejtëpërdrejtë por dhe arti i oratorisë—domethënë, pretendimi i drejtimit të intitucioneve publike përmes punës bindëse në Asamble. Kjo është arsyeja se pse Aristoteli i ndan oratorët në dy kateogri: në oratorë që merren me të kaluarën dhe të tjerë që merren me të ardhmen dhe i mëson ata si të përdorin arsyen dhe emocionet meqënse çdo fjalë mund të shkaktojë një lloj emocioni...
Por le t`i kthehemi çështjes sonë: pse njerëzit shajnë dhe si mund t`i edukojmë ata të mos shajnë. Së pari, sepse ata“edukohen” në një shoqëri ku çështja e sharjes nuk është kuptuar drejtë. Së dyti, sepse ata mësojnë gjuhën zakonore dhe më vonë mësojnë gjuhën shkencore dhe bashkë me gjuhën zakonore mësohen dhe shprehitë dhe sharjet e saj dhe bashkë me gjuhën shkencore mësohen kuptimet, drejtëshkrimet dhe drejtëfoljet. Nuk quhen kot njerëzit që shajnë “gojështhurur”—ata nënkuptojnë shthurjen së pari të mendjes, së të dyti të emocioneve dhe së treti të fjalëve: sepse është mendja që kontrollon emocionet në bashkëpunim me virtytin e përmbjatjes…dhe kur kontrollohen emocionet – kontrollohen dhe fjalët. Fjalët [e pista] nuk janë vetëm të këqija në vetvete por ato infektojnë shpirtin me të këqija, citon diku, Sokrati.[2] Por Aristoteli është më i qartë lidhur me sharjet:
Vërtet, atje s`ka asgjë tjetër për të cilën ligjvënësi duhet të jetë i kujdesshëm që të largojë paturpësinë e fjalës; sepse shprehja e lehtë e fjalëve të pista (të paturpshme) çon shpejtë në veprime të pista (të paturpshme). Për të njëjtë arsye veçanërisht të rinjtë nuk duhet të lejohen të përsërisin ose dëgjojnë fjalë të këtilla.[3]
Aristoteli nuk tregon vetëm natyrën e sharjes por edhe efektin e saj veçanërisht mbi të rinjtë. Njeriu që shan, në fjalë të tjera, tregon karakterin e tij: kur ai shan dhe është i rritur, ai tregon se mbizotërohet nga fjalët e gjuhës zakonore që ka mësuar në fëmijërinë e tij dhe emocionet: si i tillë, ai nuk ka mësuar gjuhën shkencore dhe si të kontrollojë emocionet. Mësimi i gjuhës shkencore do ta bënte më të kujdesshëm për sa kohë që ky lloj mësimi nënkupton një lloj disipline në mendje. Ky lloj mësimi, nëse shoqërohet me zhvillimin e virtytit të përmbajtjes, zhvillon një njeri që edhe në padrejtësitë më të mëdha nuk shan por përdor arsyetimin e drejtë: sepse është arsyetimi i drejtë që mund ta luftojë padrejtësinë dhe jo sharja. Duke ditur këto efekte, është e thjeshtë të edukohet një njeri që mos të shajë: së pari, duke e orientuar drejt gjuhës shkencore; së dyti, duke i zhvilluar virtytin e përmbajtjes; dhe së treti, duke e mësuar si të kontrollojë emocionet. Në kohët tona njerëzit që shajnë ose që i karakterizon sharja në publik, drejtojnë edhe shtete: Boris Xhonson, për shembull, kryeministri i Britanisë—përdor fjalë të pista në publik dhe besohet nga studiuesit (që s`e kanë të qartë këtë çështje) se janë pikërisht fjalët e pista që e ndihmuan të bëhësh kryeministër, sepse sharjet duken në publik më të sinqerta, më të besueshme dhe më bindëse. Një studim në SHBA gjeti se qoftë edhe përdhosja mund të jetë bindëse pasi testoi reagimet e njerëzve kundrejt fjalës “damn”, një fjalë aq e butë saqë vështirë se cilësohet si fjalë e pistë. Por është e qartë se njerëzit që shajnë në publik dhe ‘duken’ më të sinqertë dhe më të bësueshëm nuk tregojnë realitin e plotë të tyre: sepse ‘duket’ dhe se si dhe pse ‘është’ ashtu siç ‘është’ njeriu që shan nuk është njësoj—ai thjesht reflekton karakterin e shoqërisë ku bënë pjesë: shoqërinë ku thuajse të gjithë shajnë dhe kur thuajse të gjithë shajnë - njeriun që shan e barazojnë me veten dhe siç thotë fjala e urtë popullore: lloji pëlqen llojin!
Lexo, për më shumë
Pse elitat komuniste luftojnë sjelljet vulgare (sharjet etj.) në publik?
[1]Swearing and the expression of the emotions, Richard Hirsch, University of Göteborg, 1985.
[2]Apology, Phaedo and Crito, 600-624.
[3]Politics, f, 103.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 165 reads