...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bota e re ushtarake që po lind dhe NATO-ja europiane*

Në këtë studim-analizë argumentohet se NATO-ja —ushtria që shoqëron dhe siguron Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N) të tre dekadave të fundit— gjendet në një fazë të re: së pari, ajo do të administrohet kryesisht nga elita eu...

Ylli Përmeti

07/06/2017 - 10:57

Në këtë studim-analizë argumentohet se NATO-ja —ushtria që shoqëron dhe siguron Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N) të tre dekadave të fundit— gjendet në një fazë të re: së pari, ajo do të administrohet kryesisht nga elita europiane pa elitën amerikane (përjashto mundësinë e ndryshimit të Trampit); së dyti, nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë ‘demokratike’; dhe së fundmi, NATO-ja mund të jetë më pak agresive në duart e elitës europiane, kryesisht sepse Gjermania ka adoptuar një rol jo-ushtarak dhe është orientuar kryesisht në teknologjinë prodhuese sesa në teknologjinë ushtarake siç është orientuar Amerika dhe Rusia.

Nga NATO-ja e aleancës euro-atlantike në NATO-n europiane

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, në një nga ligjëratat dhe platformat e tij të fundit (“Smart Defence”), citoi se ‘roli i NATO-s është vendosja e një drejtimi strategjik që të identifikojë zona të mundshme bashkëpunimi, të veprojë si një zyrë qendrore (“clearing house”) dhe të ndajë praktikat më të mira’.[1] Ky përcaktim ndryshon kryekëput nga përcaktimi fillestar i NATO-s kur ajo u krijua në vitin 1949-të: se ajo do të ‘mbronte’ vendet anëtare të NAFTA-s dhe Eurozonës nga çdo rrezik. Në të vërtetë, NATO-ja u planifikua në Evropë në vitin 1948, nga Belgjika, Hollanda, Luksemburgu, Franca dhe Britania, për të frenuar ekspansionin e bllokut socialist që ishte instaluar në Lindje. Kontradikta kryesore këtu është se socializmi, si sintezë, nuk është ekspansionist, sepse ai mbështetet kryesisht në burimet vendore. Kur një bllok ekonomik mbështet kryesisht në burimet vendore – ai s’ka ndonjë shtysë të brendshme për t’u shtrirë përtej kufijëve. Përjashto ndonjë përçartje. Sidoqoftë, një vit më pas kësaj organizatës iu bashkua SHBA-ja, Kanadaja dhe pesë vende Evropiane: Portugalia, Italia, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda, duke u bërë me plotë 28 anëtarë në vitin 2014-të. Në vitin 1990-të blloku lindor ra dhe NATO-ja duhet të ripërcaktonte rolin e saj. Arsyeja ishte se “armiku” u rrënua dhe bashkë me të, edhe pakti i Varshavës që shërbente si “nyjë lidhëse” e bllokut. Me rënien e bllokut socialist, u rrënua dhe COMECO-ni (Këshilli i Ndihmës Ekonomike së Ndërsjellë që ishte krijuar nga vendet socialiste). Paralelisht me këtë zhvillim Amerika filloi t’u ofronte vendeve në nevojë borxhe me interes të ulët (“Plani Baker”), meqënse kishte ngritur kuadrin institucional të G/N përgjatë periudhës social-demokrate dhe praktika e “borxheve” kishte patur sukses në Amerikën Latine.[2] Duhet të theksohet këtu se përgjatë Luftës së Ftohtë, Amerika, gjithnjë minonte veprat e vendeve socialiste, herë me diversantë dhe herë duke financuar organizata anti-qeveritare brenda vendeve që konsideronte armiqësore (kryesisht në Amerikën Latine). Shumë vende ranë në grackën e borxheve të FMN-së. Gradualisht ato pranuan edhe kushtet që ajo impononte. Kushtet kryesore ishin hapja dhe çlirimi i tregjeve dhe privatizimi i sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë. Vendet e vegjël, kryesisht vendet e Ballkanit, u orientuan drejt integrimit në BE, ndërkohë që Rusia u ftua të bëhësh anëtare e G7+1. Por ndryshe nga vendet e Ballkanit, Rusia u rimëkëmb shumë shpejt ekonomikisht, duke e orientuar ekonominë e saj drejt sektorit të energjisë teknologjike, meqënse zbuloi dhe zhvilloi burime të rëndësishme. Por me një hegjemoni të sigurtë dhe “armik” të shkatërruar, SHBA-ja duhet të ripërcaktonte dhe justifikonte rolin dhe misionin e NATO-s. Kjo është arsyeja që Rasmussen bëri një përcaktim ndryshe nga përcaktimi kur NATO-ja u themelua.

Por kjo s’do të thotë se Rasmussen i thotë të gjitha në përcaktimin e lartëpërmendur. Sepse, siç pamë në pjesën e parë të këtij studimi, roli i NATO-s ndryshoi kryekëput në vitin 1999-të, kur Tony Blair themeloi doktinën e re, me ndërhyrjen ushtarake në Kosovë. Domethënë, NATO-ja, nga një ushtri që mbronte aleatët u kthye në një ushtri që “mbronte” çdo popull që vuan nga dhuna që ushtrojnë regjimet despotike. Misioni dhe roli i NATO-s, në një botë të globalizuar, ku hegjemonia e Amerikës nuk sfidohet, është, në princip, të ndërhyjë ushtarakisht në çdo vend ku ushtrohet dhunë e organizuar sistemike nga regjime despotike. Kjo nënkupton sovranitet të cunguar për popujt që nuk përfshihen në G7. Kjo nënkupton gjithashtu krijimin e një despoti tjetër: despotin e G/N. Dhe ‘despot’, në kuptimin që Amerika është edhe gjykatës edhe xhelat. Domethënë, ajo ndërhyn aty ku ka interes gjeopolitik dhe ushtron dhunë “ligjore”. Dhe ‘interesi gjeopolitik’ i saj është të instalojë qeveri klienteliste rreth botës kundrejt Uashingtonit. Qeveritë e vendeve të integruar në BE, ose ato që aspirojnë të integrohen në BE, nuk është e nevojshme të ndryshohen, përsa kohë që ato janë të orientuara drejt integrimit në BE. Sepse orientimi në vetë-vete i bënë qeveritë e vendeve në fjalë, klienteliste së pari kundrejt Uashingtonit. Por në rastin e Rusisë ajo nuk mund ta justifikojë ndërhyrjen e saj: sepse në Rusi mungon despotizmi – pa përmendur faktin që Putini gëzon mbështetje nga populli i republikës thuajse dyfish më shumë se udhëheqësit perëndimorë.

Sidoqoftë, dekada e parë (1990-) kaloi pa armiq konkret. Dekada e dytë dhe dekada e mijëvjeçarit të tretë, bashkë me ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, krijoi një armik të ri: ‘terrorizmin’. Kjo nënkupton se të gjithë ata, siç shprehet nga ligjëratat e proponentëve amerikanë (Dick Cheney etj.) dhe legjislacionet që ka miratuar Kongresi Amerikan —duke u ndjekur nga Parlamenti Britanik— që sfidojnë Amerikën, konsiderohen ‘terroristë’! Kështu, terroristët dhe “qeveritë joklienteliste” ndaj Uashingtonit do të ishin “armiqt” e rinj të hegjemonisë amerikane, dhe rrjedhimisht, të NATO-s. Kjo është arsyeja që Lindja e Mesme zien nga luftrat: sepse atje ka patur dhe vazhdon të ketë qeveri joklienteliste, siç qe, Gadafi në Libi, Sadami në Irak, dhe siç është, Asadi në Siri dhe Putini në Rusi. Qëllimi është kontrolli i rajonit përmes qeverive marjoneta nga Uashingtoni. Por Euroazia nuk mund të kontrollohet duke kontrolluar Lindjen e Mesme. Kjo është arsyeja që Brzezinski sugjeron kontrollin e Ukrainës, me qëllim që të kontrollohet nga Uashingtoni qoftë Rusia qoftë Euroazia. Por me fuqizimin e ekonomisë ruse dhe krijimin e Bashkimit Euroaziatik, bllokut të ri ekonomik, që ndryshon nga blloku perëndimor kryesisht në politikat proteksioniste, Amerika përballet me një “armik” të ri: sërish me Rusinë.[3]

Përcaktimi i Rasmussen nënkupton gjithashtu se NATO-ja, megjithëse Brzezinski e citon mjaft qartë më lart, kur thotë se vendet që kanë një orientim global janë vendet e mëdha dhe me ato duhet politika e jashtme amerikane të bashkëpunojë më shumë...jo vetëm që vendeve të vogla nuk u shërben, por ajo kthehet automatikisht në një ushtri private ose administratë që operon larg vendimeve demokratike, syrit, veshit dhe kundrimit të një populli. Për më shumë, kuotat që paguajnë vendet anëtare për të mbajtur ushtrinë gjigande të NATO-s, me ushtarë dhe teknologji, frymë dhe luftë, përbëjnë një ndihmë të konsiderueshme për korporatat botërore. Fundja, ato janë të vetmet që do të shtrijnë krahët përtej shtrirjes që kanë realizuar, sepse vetëm ato zotërojnë kapitalin e mundshëm për të blerë kombet. Vende si Shqipëria thjesht shoqërojnë marrëzinë e pushtetit mbikombëtar ose të përfituesve të vërtetë nga kjo aleancë. Argumenti se ne kërcënohemi nga ‘terrorizmi’ dhe për këtë na duhet NATO-ja, nuk qendron, sepse shkaku kryesor i terrorizmit rreth botës ose dhunës sistemike është vetë Elita Mbikombëtare (E/M). As qendron argumenti se ne mund të sulmohemi nga fqinjët kur të gjithë fqinjët pretendojnë të integrohet në NATO dhe G/N ku pushteti e korporatave dhe bankave ndërkombëtare mund të kërcënojë çdo shtet me largim të bankave dhe shumë-kombsheve. As mund të justifikohet mbështetja jonë ‘solemne’ me argumentin se NATO-ja na ndihmoi në luftën Serbi-Kosovë. Sepse ky është një argument që shpërnjeh qëllimin e E/M: shpërbërjen e konfederatave socialiste me qëllim që të bënte të mundur vërshimin e kapitalit perëndimor.

Nuk është e rastit që intesifikimi i luftës për pavarësi në Kosovë filloi pas vitit 1991. Në këtë konflikt, E/M shfrytëzoi dëshirën e shumicës së popullit të Kosovës (dhe jo vetëm) për pavarësi dhe e mbështeti atë, bashkë me ndihmën e Shqipërisë, me armë, strategji politiko-ushtarake dhe propagandë, meqënse agresioni i Serbisë nuk vonoi. Nëse krahasojmë Kosovën me Lindjen e Ukrainës, ne duhet të marrim në konsideratë, ab initio, shkakun fillestar të ngjarjeve. Në Kosovë, E/M mbrojti pakicën e konfederatës, jo sepse iu këput barku por sepse shkaktar i ‘agresionit shtetëror’ ishte Milosheviçi. Ajo priti, në të vërtetë, të krijoheshin kushtet subjektive dhe objektive për luftë. Për shembull, komandoja e NATO-s e dinte se Milosheviçi kishte hartuar “planin patkua” për Kosovën por nuk lajmëroi Shqipërinë se si do të zhvilloheshin ngjarjet! Në Ukrainë, mbrojti qeverinë e Poroshenkos dhe krimet e saj, sepse shkaktar i agresionit është vetë E/M. Në të dy rastet, E/M kërkon të realizojë shumë qëllime: jo vetëm të instalojë qeveri klienteliste kundrejt Uashingtonit por edhe instalimin e filialeve të korporatave dhe bankave amerikane në këto vende. Lidhur me qëndrimin “armiqësor” të Rusisë kundrejt pavarësisë së Kosovës, dy janë arsyet kryesore: njëra lidhet me pakicat kombëtare që jetojnë në Rusi, (jetojnë më shumë se 185 grupe kombëtare) dhe tjetra lidhet ngushtë me “vëllazërinë historike” Ruso-Serbe (doktrina e sllavizmit). Arsyeja e parë është më e rëndësishme se e dyta, sepse nëse kryengrihen disa grupe për pavarësi brenda Rusisë do të destabilizohet gjithë Rusia dhe këtë do ta shfrytëzonte E/M. Sidoqoftë, sot, Putini e ka pranuar pavarësinë e Kosovës qoftë edhe jozyrtarisht meqënse kaq vite asnjë kryengritje e armatosur nuk u ndërmorr brenda Rusisë (përjashto, rastin e Gjeorgjisë etj.) dhe meqënse Krimea iu bashkangjit Rusisë. Për këto arsye, E/M paraqitet me dy standarte dhe shkel të drejtën ndërkomëbtare me të dyja këmbët. Siç citon Seumas Milne, një komentator i ndershëm:

Sekretari i përgjithshëm e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen – ndihmoi si kryeministër Danez në vitin 2003 duke argumentuar se “Iraku ka armë të shkatërrimit në masë...ne e dimë këtë” – ka publikuar fotografi satelitore që supozohet se tregojnë se Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë. Duke tejkaluar këtë qendrim kryeministri Britanik e krahasoi Vladimir Putinin me Hitlerin...zakonisht pretendohet se aleanca ruajti paqen në Europë për 40 vjet, kur në të vërtetë atje s’ka as edhe një fakt të vetëm se Bashkimi Sovjetik synonte ndonjë sulm...Nëse synohësh paqja, ajo mund të kthehësh në një siguri kolektive duke përfshirë edhe Rusinë, nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara. Në vend të kësaj, ajo i dha vetes një mandat të ri “jashtë zonës” për të paguar luftën unilaterale, nga Jugosllavia në Afganistan dhe Libi, si garda e përparuar e rendit të ri botëror të dominuar nga SHBA-ja. Në Europë ajo shtroi planet për luftë në Ukrainë duke shkelur një zotim të SHBA-së kundrejt Moskës dhe pa u zbutur u shtri drejt Lindjes: si fillim në shtetet e ish-Paktit të Varshavës dhe më vonë drejt vetë ish Bashkimit Sovjetik...NATO-s i pëlqen ta shikojë veten si komunitet ndërkombëtar. Në të vërtetë ajo ëshë një klub intervencionist dhe ekspansionist i shteteve të pasura botërore dhe satelitëve të tyre që përdoren për të përparuar interesat strategjike ekonomike të perëndimit. Siç na tregon rasti i Ukrainës, Nato-ja jo vetëm që nuk ruan paqen ndërkombëtare por ajo e kërcënon atë.[4] 

Pikërisht për këtë arsye, OSCE, ndryshe nga propaganda e E/M, argumentoi se “nuk ka dëshmuar trupa ushtarake, armatime dhe armë që të kenë kaluar kufirin e Rusisë dhe Ukrainës dy javët e fundit” në Ukrainë.[5] Ndërsa Putini hartoi plane paqeje dhe armëpushimi hyri në fuqi, E/M dhe aleatët e saj, “paqëruajtësit”, përgjigjen me armë, me ushtri “heshtore”[6] dhe sanksione të tjera.[7] Sigurisht, pas “diplomacisë” armëkërkuese të Poroshenkos në “samit”.[8] Të gjitha këto, në kohën kur Amerika është në prag të depresionit ekonomik (sigurisht për shtresat e ulëta të shoqërisë) dhe kontributi i saj në NATO është shtuar krahasuar me shpenzimet e saj në kulmin e luftës së ftohtë (50%). Sot ajo shpenzon rreth 75 për qind të shpenzimve të NATO-s kur NATO-ja është më e madhe se tridhjetë vjet më parë. Në vitin 2016-të, nga 28 anëtarë, vetëm SHBA-ja, Britania, Greqia dhe Estonia plotësuan kushtet e aleancës për të kontribuar me 2% të PBB-së. Por ndërsa E/M në një Kardif të rrethuar me policë, agjentë dhe ushtarë, planifikoi se si do të nënshtrojë drejtpërdrejt popullin e Ukrainës Lindore të cilit i imponohet me një juntë parlamentare, dhe tërthorazi edhe Popullin rus, i cili në shumicën e tij mbështet betejën e tyre, vetë elita Ruse përballet me një zgjidhje kritike: integrimin e mëtejshëm në G/N apo zhvillimin e pavarësisë ekonomike dhe rrjedhimisht dhe politike përmes Bashkimit Euroaziatik. Përpjekjet aktuale janë për pavarësi ekonomiko-politike.[9] Është e tepërt të shtosh se e ‘drejta ndërkombëtare’ (një eufemizëm që përdoret nga elita mbikombëtare dhe akademitë perëndimore në vend të ‘imperializmit’) paracakton ligje se si vriten “armiqtë” ose vendet e pushtuara. Për shembull, sipas një raporti,[10] Britania rrezikon të dënohet në sajë të përfshirjes së saj në furnizimin me informacion për një “listë vrasjesh” që ndërmerren nga NATO-ja në Afganistan dhe vende të tjerë, pasi, sipas avokatëve, ajo me organizatën që përfaqëson është subjekt ligjor pasi paska “shqetësime” në rritje ndërkombëtare rreth goditjeve të synuara kundër kryengritësve të dyshuar dhe tregtarëve kontrabandistë.

Në të vërtetë, me ngritjen e pushtetit ekonomik në nivel global u ngrit dhe e “drejta” ndërkombëtare. Kjo nënkupton se e “drejta” ndërkombëtare, përtej Konventës së Gjenevës,[11] shoqëron pushtetin ekonomik dhe përcaktohet nga pushteti politik. Nuk është e rastit që Konventa e Gjenevës është krijuar përgjatë ngritjes së shtetit modern. Ajo nënkupton ekzistencën e luftës, meqënse krijon ligje për “rregullimin” e luftës! Sidoqoftë, E/M krijoi një institucion në Britaninë e Madhe që quhet ‘Serious Organised Crime Agency’ (“Soca”).[12] Ky institucion në bashkëpunim me NATO-n, kur kjo e fundit sulmon objektiva të veçantë, ndjek principin që vijon: ‘çdokush që shoqëron një grup të organizuar që nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftime “mbetet civil që prezumohet si veprim ndihmës” dhe afërsia (“proximity”) në një objektiv të listuar është nga vetvetja, e mjaftueshme për t’u konsideruar një objektiv i ligjshëm për sulm’. Soca (bashkë me agjenci “inteligjente” të tjera amerikane) krijon listën, ndërsa NATO-ja gjuan dhe ata që dëmtohen nga sulmet e saj kanë mundësi të ndërmarrin procese ligjore. Soca, për arsye “sigurie” operacionale refuzon të diskutojë me masmedian hollësitë rreth ‘listave’ të vdekjes. Kjo nënkupton se ajo vendos rregullat dhe objektivat dhe ngarkon operacione mbi NATO-n në emër të aleancës! Duhet thënë këtu se e “drejta” ndërkombëtare, përtej karakterit eufemistik të saj, ndryshe nga drejtësia e kombeve, është një e “drejtë” e pa themeluar gjëkundi (“ungrounded law”). Për shembull, nëse juridiksionin anglo-sakson e karakterizon autoriteti i precedentëve —domethënë, ndryshe nga e drejta zakonore që zbatohet te të gjithë “njëlloj” dhe që ka karakter të përgjithshëm— një gjykatë kur ndeshet me një rast të veçantë krahasuar me raste të mëparshëm, mund të krijojë një precedent që mund të përdoret në raste analoge në bazë të të njëjtit vendim brenda hapësirës së një shteti. Sa më e lartë të jetë shkalla e gjykatës, aq më i madh dhe i gjerë është efekti detyrues mbi një popullatë. Kjo nënkupton se vendimi i gjykatës përbën njëherësh ligj dhe themel për një popullatë. Ndryshe nga ky proces, e “drejta” ndërkombëtare, siç është Konventa Europiane për të Drejtat Njerëzore, bashkë me Gjykatën Europiane të të Drejtave Njerëzore (EctHR), që është gjykata më e lartë ku mund të dëgjohen raste nëse të drejtat (pasive) shkelen, nuk ka asnjë themel dhe zakonisht vendosin në fuqi një paketë të drejtash (pasive) me efekt të përgjithshëm, dhe nëse vendimet e gjykatave nuk përputhen me të drejtatqë ravijëzojnë Traktatet, detyron legjislativin dhe gjykatat e një shteti për ‘interpretim’ për t’u ‘bindur’ nën efektin e ligjeve që kjo konventë citon. Fjala “kyç” këtu është ‘bindje’: ajo zëvendëson ‘detyrimin’. Kjo është arsyeja që e “drejta” ndërkombëtare jo vetëm që është pa asnjë themel por ajo ka efekt detyrues mbi anëtarët e një konglomerati, siç karakterizohet Eurozona, pavarësisht se në Traktate citohet disi e kundërta.

Ndërsa ky është karakteri kaotik i juridiksionit ndërkombëtar, për NATO-n vendimet dhe kriteret për sulme ndërmerren në nivel sekret dhe nga një grup i ngushtë njerëzish: sepse ndërsa NATO-ja furnizohet nga Soca dhe shërbime të tjera “inteligjente” për hollësi rreth sulmeve që pasojnë, Soca dominohet përgjithësisht nga vendimet e Bilderberg dhe G7-tës. Ky triumvirat konsiderohetnga klasa jonë politike“demokraci” dhe arritja më e madhe e shekullit! Nuk do të ishte e çuditshme që klasa jonë politike në asamblenë e NATO-s të vitit 2016-të, në Tiranë— të shtirësh tre herë: një herë kur e konsideroi  “privilegj” mbledhjen në fjalë: sepse, sipas saj, ajo rritë ‘sigurinë’ tonë — hamendësisht nga fqinjët dhe veçanërisht nga Ballkani Perëndimor! Në të vërtetë, asambleja rikonfirmoi qasjen e përgjithshme të aleancës për Mbledhjen (“Samitin“) e Varshavës në korrik të vitit 2016-të: se NATO-ja do të jetë e gatshme për luftë me Rusinë! Mbështetja e anëtarësisë së Malit të Zi, në anën tjetër, lidhet me qasjen e politikës së jashtme ruse: ajo tashmë ka hequr dorë nga çlirimi i popujve të Europës Lindore, ose vendeve që çliroi shekullin e kaluar nga nazizmi gjerman, dhe do të përqendrohet kryesisht në Ballkan për bashkëpunim ekonomik. Është pikërisht kjo qasje që shkaktoi mbledhjen në Tiranë të NATO-s: për të integruar Malin e Zi përpara se ai të orientohet drejt Rusisë. Hipokrizia e dytë lidhet me mbështetjen e qasjes luftarake të krerëve kryesorë të aleancës, se gjoja ne kërcënohemi nga Rusia. Dhe e treta, kur nuk u përmend nga asnjëra palë, dhe veçanërisht nga pala jonë, bashkimi ynë kombëtar! Të gjitha këto, në ditën kur Putini rikonfirmoi se “vendi i tij nuk do të tregëtojë sovranitetin e tij pavarësisht se Rusia mund të mbetet mbrapa në disa aspekte dhe se ai do të mbrojë sovranitetin e Rusisë deri në fund të jetës së tij”. Se çfarë nënkupton aleanca më tej është krijimi i tensioneve në vendet Balltike ku banojnë pakica rusofone dhe nxitja e Rusisë që të përfshihet, edhe një herë, në mbrojtje të popullit të saj. Ndryshe nga Ukraina, i cila kur u përfshi në luftë civile nuk ishte anëtare e NATO-s, vendet Balltike —Lituania, Estonia dhe Latvia, dhe ndoshta së shpejti do të nxisë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës— duke përdorur të njëjtën propagandë, se ato kërcënohen nga Rusia, dhe do të nënkuptonte, më tej, përdorimin e Artikullit 5 të aleancës: domethënë luftë të hapur me Rusinë! Së fundmi, NATO-ja ka përparuar projektin e saj “Allied Ground Surveillance” (“AGS”), me avion të tipit “Fajkua Global” (“Global Hawk”) që prodhohen nga korporata amerikane“Northrop-Grumman”, të cilët do të stacionohen në Sigonella të Siçilisë, operacioni i të cilëve fillon në vitin 2017-të, një projekt që synon vrojtimin e Europës ose të vendeve anëtare dhe përgjithësisht të gjithë globit, me pjesëmarrjen e 14 shteteve, për të cilin Gjermania bëri naze se do të qëndrojë jashtë këtij projekti dhe në favor të programit kombëtar, por në fund jo vetëm që është pjesë e tij por paguan dhe kuotën përkatëse.[13]

Çdo të ndodhë nëse NATO-ja administrohet nga elita europiane?

Pas zgjedhjes së Trampit dhe qendrimit të tij jo shumë të qartë lidhur me NATO-n, dhe pështjellimit të vetë NATO-s lidhur me paqendrueshëritë politike të Trampit, Europa mund të realizojë një “pakt” të ri për mbrojtjen. Propozimet nuk mungojnë. Siç citon një profesor i institutit LSE për çështjet botërore:

Britania, bashkë me Francën, Gjermaninë dhe të tjerë—ndoshta duke përfshirë shtete joanëtare të NATO-s si Suedia— duhet të qarkullojë një pakt të ri që reflekton realitetin politik. Në fjalë të tjera, fuqitë udhëheqëse të mbrojtjes së Europës duhet të krijojnë një organizatë që përputhet me NATO-n, por gjithashtu fillon dhe përgatitet me gjakftohtësi për ditën kur ombrella e sigurisë së SHBA-së mund të tërhiqet…një organizatë e re mund të përfshijë armatime të reja të mëdha, të ndarë mes vendeve. Ajo mund të përfshijë një Ushtri Europiane, të modeluar sipas Ushtrisë së Jashtme Franceze, e cila mund të lejojë belgët, çekët dhe të tjerë me ushtri të vogla, mundësinë për t’u bërë pjesë e ushtrisë së madhe.[14] 

Mbledhja e G7 në Siçili të Italisë në të vërtetë solli dhe krisjen e parë mes Trampit dhe Merkelit: sepse Trampi nuk qartësoi angazhimin e Amerikës në mbrojtjen e ndërsjellë. Si rezultat, Brukseli pas pak ditësh përgatiti planin për NATO-n dhe ftoi anëtarët e unionit për intesifikimin e bashkëpunimit meqënse, sipas tij, kërcënimet nga grupet terroriste, konfliktet rajonale dhe influenca ruse, po shumëfishohen. Në këtë plan të ri blloku do të administrojë —përmes një komande qendrore europiane dhe një fondi të veçantë për mbrojtjen dhe, për herë të parë— NATO-n me komandën e re.[15] Plani nënkupton se Gjermania dhe Franca do të zhvillojnë edhe më shumë industrinë ushtarake për të “modernizuar” NATO-n. Nënkupton, gjithashtu, se Turqia do të dalë nga NATO-ja: sepse marrëdhëniet e kësaj të fundit me Brukselin dhe Berlinin janë përkeqësuar.

Përfundimi i të gjitha këtyre është se NATO-ja tre dakadat e fundit nuk ka qenë një organizatë demokratike, siç na e paraqesin elitat kombëtare. As mund të jetë në kushtet e reja që janë krijuar: sepse ajo do të jetë gjithnjë subjekt i vendeve metropole të Europës (Gjermani etj.). Dhe as i shërben sigurisë së popujve të aleancës. Por vetëm elitave që administrojnë RRB të G/N. Por me një ndryshim nga e kaluara: se NATO-ja pa Amerikën do t’i shërbejë kryesisht elitës europiane. Në rast se Trampi vazhdon të jetë i paqëndrueshëm lidhur me të ardhmen e NATO-s mbetet për t’u parë qëndrimi i elitës europiane lidhur me Rusinë: sepse me largimin e Amerikës nga NATO-ja – kjo e fundit dobësohet dhe raportet e fuqisë ushtarake të saj –tashmë në duart e europianëve- me Rusinë dobësohen. Për të njëjtën arsye një marrëveshje e re mes establishmentit politik europian dhe rus mund të realizohet...    

*Ky studim është shkëputur nga një studim më i gjerë i autorit 


[1]“Smart Defence can help nations to build greater security with fewer resources but more coordination and coherence”Secretary General NATO, Anders Fogh Rasmussen,(Speech at the Munic Security Conference 2011).

[2]Shih, për më shumë, FMN dhe Banka Botërore: organe të globalizmit neoliberal dhe juntave parlamentare.

[3]Shih për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e kombeve, pjesa e parë.

[4]Far from keeping the peace, Nato is a threat to it, Seumas Milne, The Guardian, 3 September 2014.

[5]Obama is a Liar. Fake NATO Evidence. OSCE Confirms that No Russian Troops, No Tanks, have Crossed the Russia-Ukraine Border, By Prof Michel Chossudovsky, Global Research, September 04, 2014.

[6]Kështu e quajti, —‘spearhead’, misionin e saj të ri NATO në Wales!

[7]NATO to give Ukraine 15mn euros, lethal and non-lethal military supplies from members, RT, September 04, 2014.

[8]Nato leaders cautiously welcome Ukraine ceasefire agreement, The Guardian, 4 September 2014. Poroshenko caught Nato officials off-guard with the disclosure. He did not name the country involved but only a relatively small number of countries, such as the US, Poland or even Britain, have both the necessary equipment and the sympathy for the Ukrainian cause.

[9]Shih për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.

[10]Britain faces legal challenge over secret US 'kill list' in Afghanistan, Nick Hopkins, The Guardian, 9 August 2012.

[11]Konventa e Gjenevës është e përbërë nga disa konventa rreth ligjeve të luftës. Ligji i parë u formulua në Gjenevë në vitin 1864. Kjo konventë dhe konventa e vitit 1906 ruajnë ushtarë të sëmurë dhe të plagosur. Protokolli i Gjenevës i vitit 1925 ndalon përdorimin e gazit dhe metodat bakteriologjike të luftës dhe u vrojtua nga gjermanët përgjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithëse më vonë është shkelur nga shtete të tjera. Konventat e vitit 1949 shqyrton me radhë: (i) të plagosur dhe të sëmurë në forcat ushtarake në fushë; (ii) të plagosur, të sëmurë dhe të rrënuar në fuqitë ushtarake në det; (iii) burgjet e luftës; (iv) qytetarë. Akti i Konventës së Gjenevës të vitit 1957 jep fuqi direkte te Konventa e vitit 1949; shkelje varresh që ushtrohen në çdo vend janë të gjykueshëm në Britani dhe të dënueshëm me burgosje të përjetshme. Konventat janë pajisur me dy protokolle në vitin 1977; i pari i të cilëve lidhet me ruajtjen e viktimave të konflikteve ndërkombëtare ushtarake dhe imponon një detyrim që të ndajë midis popullatës civile dhe luftëtarëve dhe kështu ndalon sulme pa dallime.

[12]Serious Organised Crime Agency (SOCA), është krijuar nën Krimin Serioz dhe të Organizuar dhe Aktit Policor 2005. Ajo është një trup korporativ e cila zëvendësoi Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës për Krimin dhe Skuadrën Kombëtare të Krimit në Britani.

[13]NATO vazhdon programin e saj Global Hawk, DW, 25.05.2013.

[14]Europe needs a new defence pact — and Britain can lead it, FT, 14 February 2017.

[15]Brussels calls for standalone deence capability, FT, 06 June 2017.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA