...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Hakif Bajrami godet thekshëm reaksionarin Berisha për akuzat e tij ndaj Enver Hoxhës: kush e tradhëtoi Kosovën?

Përgjigje akuzave të Sali Berishës në TV Dukagjini se Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e kanë shitur Kosovën. Fakte dhe dëshmi historike që publikohen për herë të parë nga historiani i njohur kosovar. Reagimi i Enverit dhe Titos për vendimet e Konferencës së Bujanit dhe e vërteta për masakrën e Tivarit. Sfida e historianit: a dalim ballë për ballë Sali për gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtë tankeve të Milloshit?

Hakif Bajrami

26/08/2018 - 14:09

Sali Berisha, e akuzove Enver Hoxhën dhe Fadil Hoxhën se e “paskan tradhtuar- shitur Kosovën”. Ore burrë, me sa e dijmë ne Ju jeni mjek. Ku e keni gjetë atë dokument të pazarit të “shekullit” për Shqipërinë Kontinentale (Kosovën dhe viset e tjera të robëruara…). Trego he burrë? Po bëhen 45 vjet që hulumtoj nëpër arkiva dhe një dokument të tillë nuk e kam hasë. E besa, më duhet të mos jem modest se jam punonjësi  shkencor për historinë e trojeve shqiptare ma i informuari shqiptar, specialist për kohën sa ishin gjallë të dy politikanët HOXHA, njeri me funksion e me pushtet të plotë, e tjetri me funksion e pa pushtet. JO! Dr Sali Berisha, duhet t’i kërkosh falje publike popullit, të cilin po e rren, si dhe atyre që i akuzon. Nuk po të jap këshilla; mati argumentet. Po ti, nëse ke bërë pazare me Milloshin, dhe e ke bërë, qe besa, tani për tani po të “kursejmë”, sepse dihen të gjitha, por po të betohem në FLAMUR, se fytyra jote do të mbetet e ZEZË, si katrani. Ja ku jam, po ta them publikisht. Unë nuk të urrej, të respektoj si mjek e njnri, plus që je Tropojan i vendlindjes së Gjereal Tahir Sinanit (dëshmor i UÇK). Marre more burrë, Ti lëre që po e komprometon veten, por po i korit edhe të tjerët, se Tropoja është Kosovë, ore mjek, mjek që ke harruar si vërtetohet diagnoza e të sëmurit. Lexoje Hipokratin.

  1. Foli Dr Sali Berisha në TV Dukagjini, me atë temperamentin politik të bulevardit-mitingashi, por la një përshtypje, se akuzon kuturu, se kinse Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e “paskan shitë Kosovën”! Menjëherë më duhet t`i them doktorit se kur dhe ku u organizua ai Pazar?! Dhe, po të kishte qenë ndonjë personalitet, që ka pasë funksion por edhe pushtet, atëherë shtrohet pyetja krahasuese kush të pengoi Ty, z.Sali Berisha kur e more pushtetin, e ta vejshe në kufi ushtrinë për çlirimin e Kosovës, besa edhe të Çamërisë, sepse i ke pasë 240 aeroplanë luftarakë, mbi 5000 oficera të lartë të shkolluar kualitativë e nja 230 diplomatë karriere me njohuri shumë profesionale, me mijëra tanke e artileri të të gjitha llojeve, disa uzina për prodhim armësh e municione, e gjithsej gati 1.000.000 popull-ushtar nën armë të organizuar në mbi 20 divizione. Po neve që merremi me të kaluarën, lexojmë në dokumente se ushtarët e Shqipërisë Bregdetare t’i vrante greku e sllavi në kufi e Ti heshtje. Sali, Ti vetëm se bëre një listë sesi ta zhbëje diplomacinë e ushtrinë, si të bëje fajdet, me tentim ta shkatrrojshe Shqipërinë Bregdetare, sikundër e realizove më 1997. Fare nuk mendove apo “mendove”, në mënyrë që të hapje shanset për Milloshin, ta shfaroste Kosovën pa problem, sepse Shqipëria mbaroi (mars 1997). Kjo nuk ishte shitje e drejtëpërdrejtë, por gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtë tankeve të Milloshit, të thërrasin trishtueshëm: Mbylle gojën! O Sali, kena me i botu edhe fotogarfitë e gypave, kur Serbia ishte nën embargo, e dënuar unanimisht nga KS OKB-së. Fol, a dalim ballë për ballë?

***

Tash po të tregoj se ku ishte me kuadro Enver Hoxha që për 45 vjet, me funksion dhe pushtet absolut-totalitar, dhe ku ishte Fadil Hoxha që kishte funksion lokal deri më 1968, e pastaj edhe më lartë, por kurrën e kurrës nuk ka pasë pushtet.

Enver Hoxha e mori drejtimin politik të majtë në Shqipërinë Bregdetare më 8 XI 1941. Aty ishin dy shqiptarë të Kosovës: Ramadan Çitaku dhe Elhami Nimani. Kjo prani tregon diçka, edhe pse ishin dy malazezë “kominternas”, sepse ishte zakon i kohës jo vetëm për shqiptarët, sikurse princat, krajlët e mbretëritë në mesjetë që i kurorëzonte dikush. E ti nuk i njeh ligjet politike të Kominternit, që ishte organizata më proshqiptare (me i zbardh plagët e Kosovës dhe me ia bashkua Shqipërisë-Lexo Rezolutën e Kongresit IV PKJ në Drezden më 1928; lexo Rezolutën e KQ PKJ në Zagreb më 17 tetor 1940, ku thuhet se Kosova duhet të avansohet në Republikë sovjetike. Dhe disa shqiptarë idealistë, duke e parë se Evropa na TRADHTOI në Berlin (1878), në Londër (1913), në Versajë (1919), u kthyen kah politika majtiste). I lexo dokuementet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në çdo program figuron simpatia për SHBA (Amerikën), në anën tjetër, edhe ajo deri më 1999 nuk shkrepi në dobi të luftës së drejtë që bënë shqiptarët për çlirim dhe bashkim.

Enver Hoxha ngadalë u avansua në prijës meritor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe këtë fakt nuk ka fuqi që e abrogon. Konferenca e Pezës këtë rreshtim e argumenton. E vërteton edhe letra e Koço Tashkos drejtuar Kominternit, ku Kosova është çështje shumë e theksuar, se duhet t`i bashkohet Shqipërisë. Salo!, unë kurrë nuk e kam denigruar Ballin Kombëtar si historian, por me rastin e themelimit dhe më vonë kishte në Kryesi shqiptarë nga Kosova. Mos të flasim për Legalitetin e mercenarëve.

Doktor Salo, më 20 tetor 1942 Fadil Hoxha themeloi Shtabin e Përkohshëm të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. Po në këtë kohë e themelon Aradhën e parë shqiptare “Zenel Hajdini”; themelon në vijim: Aradhën “Emin Duraku”, “Bajram Curri”, “Kosova”, dhe më 15 prill 1943 themelon Shtabin Kryesor të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. (Shtab Kryesor kishin të gjitha ish republikat tjera të Jugosllavisë), kurse, Jugosllavia kishte Shtab Suprem. Në këto rrethana, në viset shqiptare i pari do të gjindet ekipi Bill Maklinit (anglez), që do të njihet me luftën antifashiste. Pra, nuk ishin rusët fare në dijeni për këtë realitet antifashist shqiptar. Ky realitet në kushte të okupimit nazifashist që e kishte mbyllur Evropën në zi, nuk mund të injorohet. Po, edhe Enveri edhe Fadili e TRADHTUAN Fashizmin, nuk i sherbyen si të tjerët që të pranojnë pushtet kuisling dhe të rrijnë gju më gju apo në një qytet dhe të lëvizin lirshëm, e roli i atyre që rrinin midis Tirane dhe Prishtine e Mitrovice me oficerët nazifashistë dihet. Shkojmë më tutje, ende nuk kemi pikë kritike se kah duhet të shkojë Shqipëria Kontinentale-pra Kosova, e cila nuk ishte në “Pazar” të askujt, por të okupatorëve po. Pra, intermedialisht ishte në “Pazar” tinzar të çetnikëve, sllavokomunistëve, por ec e lexoi mendimet e tyre meskine. Plus kur dihet niveli i arsimimit politik, mozaiku i “pazarit” vejn e bëhet edhe më llotari se llotaria. Po ku je ti sot, pse nuk po i përmirson gabimet me tërë këta intelektualë dhe bajraktarë mëhallash politikë djathtistë dhe patriotë me llafe.

Më 10 korrik 1943 formohet Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH; më 15 gusht 1943 formohet Brigada e Parë Sulmuese. Pason ardhja e Misionit Amerikan i drejtuar nga Tomas Stefani (lexoi raportet e tij të pabotuara kurrë në AK-hb, ore i gjorë, po çfarë shitje, po çfarë tradhtie… !). Pason mbajtja e Konferencës së Bujanit, që ishte inicuar nga Fadil Hoxha, më 6 XI 1943 në Sharr (Konsulta e Komitetit Krahinor: lexo se çfar vendimesh u muarën kryekëput kundër politikës serbomadhe, çetniko fashite –hb).

Po, mbasi është fjala për Kosovën, më 11/12 janar 1944 Fadil Hoxha një dosje të Bujanit ia dërgon Enver Hoxhës në gjuhën shqipe, një dosje ia dërgon Titos në gjuhën serbishte. Enver Hoxha dhe Shtabi i tij politik dhe ushtrak komplet i pranojnë vendimet e Bujanit, marrë më 2 janar 1944. Tito, Rankoviç dhe Gjillas, përmes një letre, që mban datën 28 mars 1944, e që e nënshkruan ky i funidit, e refuzojnë kategoriksiht çdo frymë liridashëse në Rezolutën e Bujanit, duke theksuar, se Kuvedi i Buajnit “nuk mundet të jetë institucion ligjëbërës”. Ku e dinte Fadil Hoxha me shkollë mësuesie se çka mshifet nga kjo kërkesë çvleftsuese e Kuvendit të Bujanit. E nëse një kuvend nuk prodhon ligje, atëherë çka është ai. Letra e M. Gjillasit me të gjitha kërcënimet dhe shantazhet shqyrtohet më 16. VI.1944 në Kolosian. Para dite debaton Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë, i kryesuar nga Pavle Joviqeviqi, mbas darke, po në Kolosian, në odë të Bajraktarit, debaton Kuvendi i dalur nga Bujani, nën drejtimin e Mehmet Hoxhës. E pranojnë “kritikën partiake” të Gjilasit në tërësi. Në këtë pranim reagon te Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha shumë ashpër. Ruhen reagimet në A. CKSKJ/44.

Për ta amortizuar masakrën e shkurtit 1944, që bëri Regjimenti “Kosova” në Tiranë, drejtuar nga Xhafer Deva dhe Shmit Huberi, me kërkesë të Fadil Hoxhës, Shtabi Suprem i Jugosllavisë dhe Shtabi Kryesor i Kosovës do të KËRKOJNË që Shtabi i Përgjishëm i UNÇ të Shqipërisë t`i dërgojë forcat e veta respektive në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Kjo kërkesë do të shqyrtohet drejtëpërdrejt nga 16 deri 26 gusht 1944 në ishullin VIS, ku ishte paria politike antifashiste Jugosllave dhe përfaqësuesit e Luftës Antifashiste të Shqipërisë bregdetare si: Ramadan Çitaku (nga Drenica), Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu nga (Shqipëria Bregdetare, sikundër thuhet në dokument). Biseda që shtruan delegatët e Enver Hoxhës nga 16-26 gusht 1944 është kjo: Pasi që e prezantojnë (Ramadan Çitaku) “Memorandumin e Komisionit shqiptar nga Qeveria Kombëtare e Vlorës, nënshkruar nga: Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga më 2 janar 1913 me plotësim, sidomos të asaj pjese të Memorandumit të 25 janarit 1913 në Londër, (lexo në: AQSH. Fondi: Kryesia e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, Dosja 19, frengjisht), ku kërkohen viset e Shqipërisë Kontinetale (dok. e ka botuar edhe Arben Puto, në librin dokumetar “Çështja…II”, Tiranë 1997, dok 3 dhe 7; dokumenti grek, nr. 4, i 3 janarit 1913 ; dok. Serb nr.5, i 8 janarit 1913).

Si pasojë e këtyre fakteve A. Rankoviç largohet nga bisedimet. Por Tito, Kardeli dhe Gjillas bashkë me delegacionin e Enverit  marrin vendim: “Nëse Shqipëria Bregdetare ndërton sistem socialist, Kosova shkon me Shqipëri; nëse Shqipëria nderton sistem kapitalist, Kosova shkon me Jugosllavinë”. Nuk duhet përjashtuar edhe fakti, se para kësaj kohe do të kërkohet nga një komunist malazez që Kosova të drejtohet nga Shtabi i Enverit në Luftën Antifashite. Faktet janë të njohura dhe këto i kemi prezentuar nepër tubime shkencore për 25 vjet.

Dihet çfarë sistemi ndërtoi Shqipëria më 1945 e tutje. Por, pas largimit të Delegacionit shqiptar nga ujdhesa e Visit më 26 gusht 1944, J. B. Titos i afrohet A. Rankoviç dhe e pyet: “Sa vlen kjo Marrëveshje? Tito i përgjigjet: Derisa të largohet delegcioni shqiptar nga ujdhesa”!!! Çka ngjan? Pas 6 (gjashtë) ditësh, më 2 shtator 1944, J. B. Tito e DEGRADON ( e ul) Shtabin Kryesor të UNÇ Kosovës në Shtab Operativ, nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë. Kjo do të thotë, se titistët më 2 shtator 1944, pa e ditur fare as Enveri e as Fadili, e defaktoriuzuan ushtrakisht Kosovën, edhe pse deri në këtë kohë Fadil Hoxha i drejtonte gjashtë brigada dhe 3 aradha me 4 batalone antifashiste nga Kosova me 38 000 luftëtarë antifashistë.

Në përgjigje të këtij degradimi ushtark që iu bë Kosovës, Enver Hoxha do të përgjigjet më 12 shtator 1944, (pra dhjetë ditë pas degradimit-hb), duke dërguar në Kosovë dy Divizione të UNÇ Shqiptare. Historikisht këto dy divizione e kanë shpëtuar Kosovën, popullin shqiptar nga shfarosja, sepse më 3 XI 1944, Vasa Çubrilloviç përpiloi Elaboratin për t`i shfarosë shqiptarët, “deri sa të zgjasin operacionet ushtarke”. 

Në frymën e këtij elaborati, më 21 XI 1944 Kryesia e Avnoj-it i AMNISTOI të gjitha njësitet çetnike, të cilat më 22 nëntor u konvertuan në “partizanë” dhe kështu do të vijojë “kënga” nacional- shoviniste dhe klero-fashiste çetniko-serbiane për ta shfarrosur popullin shqiptar në Jugosllavi, në frymën e Konventës Jugosllavo-Turke, për DEPORTIMIN e shqiptarëve në Anadolli më 1938-1944. Ata çetnikë që kishin deklaruar “Do të jemi fatlum kur Drazha Mihajloviq do të na japi urdhër, Llapi dhe Sitnica do të bartin koka dhe plisa të shqiptarëve dy muaj”, u bënë partizanë dhe vendosën pushtet neokolonial. Ku t’i mësonin Enveri dhe Fadili këto thika pas shpine të Serbianëve me grada gjeneralësh me ndihma nga Çerçilli, Ruzvellti dhe Stalini?

Mos harro Dr Sali Berisha, se: Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini, muarën vendimin unanim në fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: “Ata popuj që kanë bashkpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t’i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet”. Fol doktor, si të luftojnë kundër: SHBA, Anglisë dhe BRSSS, një grusht shqiptarësh, duke llogaritur këtu edhe ata shqiptarë që ishin me Hitlerin si mishi e kocka. Lehtë e ke tash me shitë zbuluar “pazare”, që nuk t’i blen njeri i shkolluar dhe i informuar drejtë. Po shkenca e historisë nuk është shfaqje teatrale, kur kritiku jep vlerësim që kurrë nuk e ka lexuar as tekstin, madje nuk e ka parë as shfaqjen. I tillë je Ti Salo në këtë punën e “pazarit”, sepse edhe kur fol para opinonit në televizion, mendon se je në një tubim parazgjedhor politik, sepse me profesion je mjek, e ata që t’i servojnë dokumentet e kanë treguar vetëm me publikimin totalitar ku ia kthejnë pushkën veti-popullit që i takojnë, për hir të ideologjisë vetvrasëse qoftë ajo e majtë apo e djathtë kur është në pyetje fati i Kombit.

Me iniciativë të Enver Hoxhës (edhe pse jugosllavët sabotonin si pasojë e deshtimit të Misionit zionist të Tempos më 1943-hb), më 22 tetor 1944  KANÇSH kthehet në Qeveri Demokratike, me çka Shqipëria Bregdetare ndahet nga kurthat sllavokomuniste për ta coptuar (lexo Propozimin e Çerçillit në një pako cigare ku jipet përqindja e se kush e kujtë do t’i takon, dhe aty mungon Shqipëria!). Po, Salo i nderuar, Enver Hoxha është i vetmi shqiptar që komunikon në rolin e Kryetarit të Qeverisë Demokratike me autorin e librit: “Albanines Golgotha 1913” Ëiena-Leo Freundlinch, ku shpalosen palgët e viseve të rirobëruara shqiptare më 1912/1913.

Salo, në vend që t’zhvillosh komunikimet me burrat e njohur që ishin pro DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE, që Kosova ta fitojë statusin e Republikës, të paktën nën Jugosllavinë, që e ushtronte si çmim të fundit LDK (jo të gjithë por sidomos Fehmi Agani, në varrimin e të cilit ishin Adem Demaçi dhe Sami Peja, për të tjerë nuk di, po që Fadil Hoxha shprehu ngushllime të sinqerta), Ti bëje pallën e safas në Tiranë, madje sa ishe në pushtet i burgose: Zahir Pajazitin dy herë, Adem Jashrain dhe tri trima të tjerë, madje burgose edhe legjenden femer Xhevë Krasniqin-Lladrovcin me gjithë Gjeneral Fehmiun. Nuk po flasim për naftën tranzit dhe tregtinë ilegale që e ke lejuar me Milloshin, e je bërë që nuk po sheh! Fol he burrë Tropoje. Jo, Bajram Curri dhe Tahir Sinani nuk do ta falin kurrë, e po të ishin gjallë nuk do të lenin as vend për varr aty!.

Shkojmë më tej. Në sajë të kërkesës së major Pera Brajeviçit dhe Pavle Joviqeviçit, më 26 XII 1944, drejtohet Kërkesa që Shtabi Suprem i Jugoslloavisë të vendosë Diktaturë ushtarake në Kosovë, e cila u vendos më 8 shkurt 1945. Ky atentat politik dhe ushtarako-konstitucional vihet për ta DEFAKTORIZUAR Kosovën pa asnjë argument, sepse në Kosovë në këtë kohë ishin njësitet e UNÇ të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit 56.000 ushtarë të sistemuar në 9 brigada, që arrinin nivelin e një Korpusi respektiv. Por, për të gjetur hapësirë për krime mbi shqiptarët, Shtabi Suprem i Jugosllavisë në formim, drejtuar nga Tito, do të merr vendim për shprazjen e Kosovës nga partizanët shqiptarë dhe sjelljen e brigadave dhe divizioneve slave. Dhe ashtu ndodhi. Rasti i partitotit Shaban Polluzha flet për një skenar mizerabël, kundër të cilit me kohë reagoi FADIL HOXHA më 16 janar 1945. Do të reagon edhe Miladin Popoviç pas dy ditësh, por mbi të gjitha do të REAGONTE ashpër edhe ENVER HOXHA më 20 janar 1945, duke theksuar se do t’i dërgojë edhe katër brigada shqiptare, për ta ruajtur qetësinë dhe popullin shqiptar, që i ishte ekspozuar neofashizmit sllavokomunist Serbian, malazez dhe maqedon. Këto fakte Dr Salo ne i kemi botuar dhe i kemi theksuar nëpër simpoziume edhe para vitit 1985/9. Ku ishe ti si patriot dhe ata historianët e tu që falsifikojnë dokumente sikur të ishin dardha “ujce” atëbotë kur ne ndrydheshim, por zëri i reagimit politik të ENVERIT ishte në nivel dhe Kosova këtë nuk e harron.

Lexojeni dokumetin e botuar në “Osnivaçki kongres KPJ za Serbijua 1945”, çka thotë Aleksander Rankoviçi për tragjedinë në Tivar 31 mars 1945, për të cilën kam shkruar për herë të parë, bazuar në dokumenete të serbëve, më 1985;1986;1986, ku janë botuar mbi 650 dokumenta. A. Rankoviçi, duke reaguar ndaj diskutimit të Dushan Mugoshës në Kongres (15 maj 1945) se: “nuk mundemi në Kosovë t’i zbatojmë dy porcione-dy gjuhësinë”, Rankoviçi i thotë: “Ja shovinisti në vepër. Në krahasim me gjermanin që për një ushtar nazist okupatori na i ka vrarë 100, ne si antifashitë për 1 ushtar sllav’ i kemi vrarë 300 ushtarë shqiptarë në Tivar”! E disa kapso historianë të Tiranës dalin e ia kthejnë pushkën vetit, për hir të ideologjisë tënde të sëmurë: “në Tivar, ka vrarë Enver Hoxha”. E besa, po ai A. Rankoviçi, pastaj do të plasoi në AVIIB dokumenta të fabrikuar se në “Tivar shqiptarët i ka vrarë Fadil Hoxha”. O mores, o tempora!, mos ia kthe pushkën vetit, o shqiptar i mjerë, me tru pocerke.   

Vijmë te Mbledhja e Prizrenit, më 10 korrik 1945

Është e vërtetë se në Prizren, më 10 korrik 1945, ishte delegat edhe Fadil Hoxha. Po, ishte edhe delegati nga Tirana. Por mos të largohemi. Enver Hoxha më 12 korrik 1945, i dërgon letër Titos që: “në Prizren ka vendos fryma serbomadhe”. Letrën në origjinal e ke në A. CK SKJ/45/12/VII. Po Sali, aty janë edhe reagimet e Enver Hoxhës, dërguar Titos për sabotimet që i bënin misionarët e PKJ-së, në të gjitha fushat, sidomos në ushtri dhe financa, për shkak të “unionit monetar” që ishte jolegal dhe për shkak se oficerët serbianë titistë kishin planifikuar të zbarkonin në Korçë, qysh në mars 1945. Edhe për këtë ka dokumente.

Erdhi viti 1946, kur Enver Hoxha ia tha troç Titos midis Beogradit se: Kosova dhe viset e tjera shqiptare duhet t`i takojnë Shqipërisë (Shqipëria Bregdetare), për të cilën kemi marrë informacion nga Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, në Vis më 25 gusht 1944 dhe ju e keni premtuar. Dihet se Tito, si një dinak e përsëriti atë që ia tha Foreign Ofisit, më 1944 (korrik), se Kosova do t` i takojë Shqipërisë, por reaksioni çetnik është shumë i egër.

Madje, delegacionit shqiptar, që i printe Mehmet Hoxha më 9 prill 1945, Tito, për hatër të serbianëve dhe foteljes së premtuar, do t’u thotë: “Ju shqiptarët, 90% keni qenë me okupatorin”. Kjo do të thotë se kam të drejtë t’iu shfaros kur të dojë dhe atë detyrë kurrë nuk e ndali, siç dihet. Po Salo, Jugosllavia Mbretrore i deportoi më 1918-1941 në Anadoll 250 000 shqiptarë, ndërsa Tito si krimineli numër dy i totalitarizmit komunist gjatë viteve 1950-1966, i deportoi (pra edhe me kërkesë të Turqisë, sipas konventës 1938, e kam botuar tekstualisht më 1980-hb), 415 000 shqiptarë dhe boshnjakë në Anadolli, gjatë viteve 1950-1966. Kush reagoi për këtë tragjedi të Shqipërisë Kontinentale? Askush, përveç Enver Hoxhës dhe “Lidhjes Kosovare”. Të tjerët, detyrë primare e kishin ndërrimin e regjimit në Tiranë. Bile, janë shumë të sigurta informatat që i kam se kush sajonte komplote në Kretë dhe në Trieste, më 1949-1957, me përkrahje të Komitetit të Prizrenit, jo për ta rrëzuar Qeverinë legjitime në Tiranë, por për ta bërë pazar e për ta ndarë Shqipërinë Bregdetare, me Greqinë. Salo, fjetur je?! Nuk ka pasë qare Enver Hoxha pa iu “lëpi Stalinit”, sepse askush në Perëndim nuk e donte Enverin si komunist.

Shiko Salo, vetëm luftën zioniste kundër Shqipërisë Bregdetare në Konferencën e Parisit më 1946, me të vetmin qëllim, që çështja e Kosovës dhe Çamërisë mos të vihej në rend dite, me mjeshtëri e kryenin Moshe Pijade e disa të tjerë aty, kinse po e mbrojmë regjimin në Tiranë, e pas shpinës tirrnin plane për të zbarkuar “Divizioni i Kuporeshaninit” në Korçë. Këto makinacione jugosllave dihen, por faje ka edhe pushteti në Tiranë, si jo? Objektivizoje me argumente që janë argumente, Salo, e jo me fraza të mitingjeve.

Letra e Enver Hoxhës dërguar Stalinit, më 2 shtator 1949

Në vjeshtë të vitit 1949, ishin themeluar dy qeveri marioneta, për ta rrëzuar atë në Tiranë: Një në Prizren dhe Shkup, e tjetra në Nju Jork. Enver Hoxha nuk merret fort me këto qeveri, edhe pse e dinte në detaje se ku peshojnë dhe cili ishte rroli i UDB-së jugosllave në to. Pasi “qeveria” e Prizrenit dhe Shkupit (kryeqeveritar Apostol Tanefi…) dhe ajo e Nju Jorkut (kryeqeveritar Mit’hat Frashëri, të cilin kur e kuptuan se është patriot, e helmosën) nuk “janë në nivel të detyrës”, vlerësohet nga punëdhënësi, fillon epoka triviale kundër tërë Shqipërisë. Atë tredimensionalitet makiavelist e përbëjnë; Jugosllavia, Greqia, dhe Turqia me Paktin e tyre ushtarak, deri në fillim të vitit 1954. I tërë aktiviteti në mes këtyre shteteve do të realizohet në dy rrafshe: Me e nda Shqipërinë në mes Jugosllavisë dhe Greqisë, me kufi në Shkumbin. (Lexo vizitën e Titos në Athinë-e kam botuar atë Pazar-hb); me e shfarosë popullsinë shqiptare në Shqipërinë Kontinentale (Kosovën…), që ishte e okupuar nga Jugosllavia. Dhe, Tito, sikur e gjeti çelësin, duke bërë Marrëveshje Xhentelmene me Turqinë në Split, duke aktualizuar Konventën e vitit 1938, për deportimin e të gjithë shqiptarëve në Anadoll. (lexo nenin 2 të Konventës, se cilat vise ishin të parapara të shfarosen deri më 1944, fakt ky që e prollongoi Lufta e Dytë Botërore). Por, tash Tito mori nga Fuat Kyprili afat më të gjatë, që shpërngulja e shqiptarëve në Anadolli, sipas një varianti, të përfundojë më 1959; ose deri më 1969. Enver Hoxha dhe pushteti i tij e demaskon dhe e kritikon si politikë neofashiste tentimin e deportimit të shqiptarëve në Anadoll. Pra, Enveri tjetër vlerë ka në Shqipërinë Bregdetare, e tjetër vlerë ka në Shqipërinë Kontinentale (Kosovë). Rezultati i pazarit Tito-Kyprli, më 1953, është 415.000 të shpërngulur deri më 1966. (Lexoni Fondin e “vesikave” në ish-DASIP-Pasoshko Odeljenje 1950-1966).

Për ta mbrojtur lëkurën-shtetin dhe Kombin shqiptar me lutje, Shqipëria në maj 1955 do të pranohet në Paktin e Varshavës; më 20 shtator 1955 Shqipëria do të pranohet në OKB. Tash ma nuk flitet për ndarje të Shqipërisë, por Tito edhe më me intensitet shpërngul shqiptarë në Anadoll, që do të thotë se ishte iniciatori kryesor për t`ia plotësuar A. Rankoviçit planet për shfarosjen e shqiptarëve. Aq më parë kur Nikita Hrushovi peshqeshin ma të madh ia solli Titos, kur e vizitoi Beogradin (1955), duke ia sjellë letrën e Enver Hoxhës dërguar Stalinit më 2 shtator 1949, ku thuhet tekstualisht në serbisht dhe shqip, (I përktheu Gjeto Leka-hb), se nëse “eskalon dhuna mbi shqiptarë, unë do ta sulmoj Jugosllavinë”. A nuk veproi Enveri ngjajshëm edhe më 28 XI 1968, edhe më 8 prill 1981. Ti Salo, ato dokumente ose i ke mshefë ose për to nuk di fare. Rri pra mjek, e mos u përziej në histori, se është oqean i pafund.

Tash, pas viti 1955, Tito do të përkujdeset që Panajot Plaku, më 1957, të arratiset në Jugosllavi, për të treguar se kundër Tiranës janë Lindja dhe Perëndimi. Por më 1958, Enver Hoxha do të dërgojë PROTESTË në ASAMBLENË E OKB, kundër terrorit jugosllav, për shpërngulje të shqiptarëve në Anadolli, për padrejtësi në shkollim, për padrejtësi në administratë, për procese të montuara gjyqësore dhe për aksione barbare, kinse një popull duarthatë po e çarmatosin (1955-1958). Pikërisht për këto mizori jugosllave, do ta fillojë epokën e burgjeve Baca Adem Demaçi, për 28 vjet më 1958.

Më 1959 do të fillojë puna për ta aprovuar Rezolutën e KS OKB, mbi DEKOLONIZIMIN e botës. Kjo Rezolutë aprovohet më 1960. Pikërisht në këtë kohë, Enver Hoxha do ta largojë Shqipërinë de-fakto nga Pakti i Varshavës. Pas largimit të Hrushovit nga pushteti, në tetor 1964, fillon në BRSS Epoka e “Sovranitetit të kufizuar”, e përkrahur nga të gjitha partitë e llagërit komunist, me përjashtim të hapur të Enver Hoxhës-Shqipërisë. Nuk ka qenë e lehtë ajo rrugë, Salo.

Enver Hoxha do ta përkrahë lëvizjen revolucionare në Evropë më 1968, e posaçërisht atë në Kosovë, për avancimin e saj në Republikë të shtatë. (lexoni: KQ PPSH/68/XI/27/XII/14-18; lexoni se si oficeri Serbian pa leje të komandës supreme jugosllave, i lëvizi tanket nga Shkupi, për ta rrethuar Prishtinën/68/27/27/01 në Arkivin KQ LKJ/68/1/04…..). Në frymën e kësaj politike të drejtë ndërkombëtare, pushteti i Tiranës do ta dënojë fuqishëm intervenimin rus në Çekosllovaki, më 1968.

Eurokomunizmi në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX, do të avancohet në modë ideologjike. E vetmja parti që e sulmonte këtë orientim totalitar ishte PPSH dhe Enver Hoxha. Në frymën e këtij totalitarizmi do të pasojnë parimet e Helsinkit më 1975, si një kopje e Kartës së Atlantikut (Çërçill-Ruzvelt, mbi mosndryshimin e kufijve në Europë, para Luftës së Dytë Botërore). I vetmi, Enver Hoxha, më 1975, nuk do ta pranojë Helsinkin, sepse çështjen e kufijve shqiptaro-shqiptar e kishte në fokus të politikës dhe strategjisë kombëtare, fakt ky që ishte plotësisht i drejtë.

Tani po bëj një digrecion:

Më 1946, Enver Hoxhës në Beograd, Tito do t’i thotë se “reaksioni Serbian është shumë i fortë dhe Çështja e Kosovës nuk mund të lëvizet tash; se këtë qëndrim politika serbiane e mbështet në Kartën e Atlantikut. Atëherë (jemi në 1946 në Beograd), Enver Hoxha do ta pyeste nikoqirin: “Po si është e mundur atëherë që Ju u zgjeruat në Istër e Zarë, duke ia marrë ato vise që i kishte Italia, në bazë të Konferencës sekrete të Londrës, nga 26 prilli 1915, e mos të vlejë i njëjti parim që ju të na i ktheni viset tona shqiptare, pra Kosovën, e viset në Maqedoni dhe Mal të Zi, që janë tani të okupuara?”. Tito përgjigjet: “Mos e theksoni fjalën OKUPIM”. Enveri, sipas Mosha Pijadës: “Sa kritere vlejnë për juve: për Istër nuk vlen Karta e Atlantikut, e dihet që ato vise janë kroate, e tjetër kriter për Kosovën, ku për këto vlen Karta e Atlantikut, e kjo trevë dhe jo vetëm kjo ishte, është dhe do jetë shqiptare, sepse aty kemi popullsi shqiptare nga 75-92%”. Tito nuk i përgjigjet fare. (Lexo: V. Dedier, Dokumente të gjetura në makinën e larjes së rrobave, në Banesën e Jovanka Brozit./1978/79/V/N. Lubiqiq etj….).

Enver Hoxha e urdhëron ushtrinë të intervenojë në Kosovë, më 2 prill 1981, nëse situata përshkallëzonte me mizori mbi popull. E ndal aksionin pas vlerësimit se, “në Kosovë ende nuk ka vetëdije për kryengritje; se populli është mishëruar me demonstrata dhe urrejtja ndaj Titos dhe regjimit të tij do të rritet me shpejtësi marramendëse. Rinia dhe populli i Kosovës do të fitojë”. Mbetet Dosja e hapur. Ajo u hap tek më 1991, kur filloi Epoka e UÇK-së, por Enveri tash nuk ishte në skenë, po ja që dole ti Salo dhe e luftove UÇK-në, qysh në embrion. Fajet e tua i disponojmë detajisht. Unë jam historian, nuk merrem me mjekësi.

Kush ishte Fadil Hoxha? Tradhtar -sipas Sali Berishës-, apo vizionar i çështjes kombëtare sipas argumenteve sekrete që mund të publikohen pjesërisht shumë shpejtë? Fadil Hoxha e mori timonin e drejtimit të shqiptarëve kah politikës antifashiste më 1939/41, pa asnjë dilemë. Bajraktarët e tjerë politikë që njiheshin shumë ma të “popullarizuar”, iu afruan Herman Nojbajherit dhe dhëndrit të Musolinit, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë e Mitrovicë.

Së pari, Fadil Hoxha më 1941 u bë mësues. Në vijim, duke u brumosur me politikë majtiste atifashiste, filloi t`i afrohet internacionalisht PKJ-ës, e cila atëbotë kishte qëndrim parimor për çështjen nacionale, duam apo nuk duam. Fadil Hoxha sikur u ngjiz me këtë politikë “vllazrore” ideologjike, pa e harruar të kaluarën që e kishte përjetuar vetë, duke mos pasur të drejtë as të shkollohet në gjuhën amtare. Për këtë arsye shkollimin Fadili e ka venë në plan të parë, sidomos në emancipimin arsimor të mashkullit e të femrës, nga viti 1944, duke siguruar benefite për këtë të fundit, duke luftuar edhe kundër zokoneve prapanike dhe për arsimim të saj.

Me propozim të Fadil Hoxhës, më 6 XI 1943, në Sharr, fjala “Metohi” u pranua të “zëvendësohet me termin Rrafshi i Dukagjinit, sepse është fjalë më e vjetër shqiptare”. Fadil Hoxha do të reagojë kundër degradimit të Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës, në Shtab Operativ nga ana e Titos, më 2 shtator 1944; Fadil Hoxha do të reagojë kundër mizorive që bënin në popull divizonet serbiane, brigada maqedonase dhe një njësi malazeze me Urdhëresë nr. 3. Ja teksti integral: “Kanë ngja në shumë raste që ushtarët dhe rojet partizane, me rastin e kontrollimit të fshatrave, si dhe në disa konteste me popull, i kanë RRAHË disa persona, kështu që kanë shkaktuar reagimin e të gjitha fshatrave. Sjelljet e këtilla e kompromentojnë luftën tonë dhe ushtrinë tonë në përgjithësi. Si po veprohet kështu, po barazohet ushtria jonë dhe lufta jonë me ushtrinë dhe xhandarmërinë e ish-Jugosllavisë. Në këtë mënyrë ua tërheq vërejtjen shtabeve dhe komandave të sektoreve, si dhe rojeve partizane, që ndaj seicilit veprim kriminal, do të mirren masat më të rrepta ushtarake. Urdhëresa t`u lexohet ushtarëve dhe rojeve partizane, kudo që veprojnë. Komandanti i Shtabit UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjiit, Fadil Hoxha”. (Dok. Gjindet në AVIIB. E kam botuar në original në “Vjetari”, organ i A. Kosovës, më 1986/7 integral).

Rasti vijues, meqë diktatura ushtarake vendoset në Kosovë pa dijen e Shtabit UNÇ të Kosovës, më 8 shkurt 1945, si rrjedhojë Fadil Hoxha dhe Miladin Popoviçi do të shkojnë në Beograd më 19 shkurt 1945, për të PROTESTUAR te J. B. Tito. Në vend të Titos, Fadilin dhe Miladinin do t` i pranonte Millovan Gjillasi. Me të hyrë, M. Gjillas nuk do t`u thotë as uluni, por do t’i drejtohet Miladinit: “Ejani shoku Miladin, ta ndajmë Kosovën sikurse do ta ndajmë Sanxhakun; ta ndajmë Kosovën në mes Serbisë dhe Malit Zi, sikurse më 1913!”. Milladini do të përgjigjet me: “Ne mozhe, oba kralja su van snage, sada gradimo novo drustvo!”. Këtë Miladini e bëri duke menduar se po bën shaka, por pa një pa dy Gjillasi i largon nga zyra Fadilin dhe Miladinin! Edhe ky incident me drejtuesit e neokralevinës Jugosllavi do të përfundojë me reagimin e Fadil Hoxhës, sepse Miladini do të smuret papitmas! Pas 8 shkurtit 1945, Fadil Hoxha nuk kishte as pushtet dhe as funksion, edhe pse figuron se ishte “nënkomandant”.

Lidhur me Shaban Polluzhën, kur është vrarë më 20/21 shkurt 1945, Fadili ishte në Beograd, për reagim kundër diktaturës ushtarake. Dhe nga ajo kohë, e deri më 1966, ishte “I hetuar” në heshtje.

Ç’ka i tha Fadil Hoxha Eduard Kardelit më 21 shkurt 1945 në Beograd

Ky guxim dhe rreshtin, Dr Sali Berisha, nuk është tradhti, por tradhti është puna jote se tërë kohën i ke burgosë çlirimtarët dhe i ke shitë naftë Milloshit, edhe pse kishte embargo për të, kuptohet sa ishe në pushtet që mbaroi me një bizari ala 1997!!!. Turp të qoftë! Po ç’ka i tha E. Kardeli Fadil Hoxhës: “Për këtë çështje nuk mund të vendosin “Leka” (Rankoviçi) e Gjidi (Gjillasi). Kjo çështje tani për tani bije mbi Kryesinë e AVNOJ-it dhe Polit Byros KQ PKJ-ës, pasi ende nuk kemi parlament. Do të insitoj që edhe kolonët sllavë që janë uzurpatorë të tokave shqiptare mos të kthehen në Kosmet”. (Është botuar në: H. Bajrami, Si e okupoi Kosovën Jugosllavia Federative 1944-1999, Prishtinë 2015, f.79/80 gjërësisht-hb). Meqë Miladini për shkak të poshtërimit të tillë nga ana e M. Gjilasit do të përjetojë stres nervor, drejtimin e ankesave do ta marrë Fadil Hoxha. Ja teksti integral E. Kardel-Fadil Hoxha i datës 21 shkurt 1945, Beograd: “Nëse pyetet ai dhe populli i Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit, kjo trevë gjithmonë shqiptare dhe meqë ishte dëshmuar me prova se ka dhënë kontribut në Luftën Atifashiste, krah për krah me popujt e Jugosllavisë dhe popullin e Shqipërisë, kjo trevë gjithmonë shqiptare duhet t’i takon Shqipërisë, pa pasur ndonjë barrierë që vëllazërisht të bashkëpunohet dhe bashkëjetohet me pakicat që jetojnë në Kosovë”.

Ja teksti i reagimit nga Fadil Hoxha drejtuar Mosha Pijades më 21 shkurt 1945, në Beograd.

Fadili: Unë për popullin e Kosovës them që dëshiron t`i bashkohet Shqipërisë. Do të ishte një përmirësim i një padrejtësie që ka ngja më 1878, 1913, më 1919 dhe 1941. Trojet shqiptare janë coptuar dhe tash duhet të ndodhë drejtësia”.

Mosha Pijade: “Pajtohem plotësisht me këtë nëse Shqipëria ndërton sistem socialist dhe Kosova kuptohet që do të ishte një republikë ashtu siç kam thënë më 1940 në Zagreb. Ne, shoku Fadil, do ta ftojmë një delegacion të shqiptarëve që të takohen me Titon në Beograd”.(shiko: H. Bajarmi, Si e okupoi Jugosllavia Kosovën 1944-1999 Prishtinë…f. 80-84 detajisht).

Delegacioni shqiptar nga Kosova e viziton J. B. Titon më 8-9 prill 1945 në Beograd

Delegacionit i printe Mehmet Hoxha. Në delegacion ishte Dushan Mugosha, në cilësinë e “përkthyesit”. Në delegacion nuk ishte Fadil Hoxha, sepse ishte kuptuar çfarë i ka thënë E. Kardelit dhe M. Pijadës, dhe ishte nën hetime partiake dhe UDBESKE. Me rastin e pranimit të Delegaionit, Tito do ta pyet D. Mugoshën: “A ka filluar kthimi i kolonistëve, duke i injoruar shqiptarët me cinizëm”. Dushani: “Po, për kolonistë do t’i ndërtojmë 10 000 shtëpi. Në ndërtimin e shtëpive do të marrin pjesë kryesisht shqiptarët me detyrim”.

Ky tekst nuk është përkthyer fare në gjuhën shqipe. Do ta kuptojnë të gjithë të tjerët me përjashtim të Mehmet Hoxhës. Në vijim, që meriton të përmendet, Tito do t’i drejtohet M. Hoxhës. “E dimë se ke qenë prefekt, e dimë që populli që e përfaqësoni 90% ka bashkëpunuar me fashizmin?”. Tërë kohën pa e kuptuar se për çka po flitet M. Hoxha, do të thotë vetëm: “DA” (Po-hb). Shprehja 90% me okupatorin do të thotë se sipas vendimit Çurçill, Ruzvelt, Stalin, kam të drejtë t’ju likujdoj. Pas 15 minutave fjalën do ta merr Halim Spahiu dhe do t’i thotë Titos troç: “Ju zotëri, si duket jeni qysh në fillim në garë me ia kalu Krajlit Serbian me kërcënime, me kolonizim dhe dhunë. Mos u bëni merak se atje dhuna ka kaluar çdo normë njerëzore, dhe ajo po shkruhet në konton e juej. Te të gjithë Serbianët, çetnikë e komunistë janë në një front kundër shqiptarëve duarthatë e që po luftojnë nga Sremi e deri në Adriatik kundër hordhive nazifashiste. Besa në dorën tuej po masakrohen partizanët shqiptarë”. E kam fjalën për Tivar, Dubrovnik, Trogir e Srem, po edhe për Ferizaj, Gjilan dhe Drenicë. Po një punë duhet ta dini se NE Shqiptarët atje nuk jemi pocerka, po jemi lisa dhe aty jemi sovran. Ju mundeni të na detyroni të ndërtojmë shtëpia për kolonistët përsëri, por ta dini se kompatriotët e mi po thonë në atë hagari duke “biseduar” me bagëtinë e tyre: “HAJT MURROJ, HAJT MURROJ, SE VJEN KOHA E PRAP I RRXOJ”-shtëpiat e kolonistëve barbarë të Miliq Krstës, Pashiçit, Ceroviçit e Popoviçit! Mjerisht të tillët ishin vënë në aksion me uniforma partizane. Dhe vetëm falë atyre partizanëve shqiptarë të Fadil Hoxhës, Mustafë Hoxhës dhe Enver Hoxhës, kasaphanë ma të madhe nuk pati siç pati në Gjilan dhe Drenicë. Në Llap, (thonë dokumentet Titos): kanë mbetë vetëm 4 plaka, por Mustafë Hoxha po e kthen popullin me urgjencë në shtëpitë e veta sepse e ka përkrahjen e Fadil Hoxhës”.

Pasi e mëson këtë bisedë, Fadil Hoxha do ta ftojë Zekeria Rexhen që të nisen për Tiranë për t’u takuar me Enver Hoxhën për me i qajt hallet e Kosovës. Takimi do të mbahet në nivel vllazëror. Mikpritësi do t`i pyet: “Çfarë i duhet Kosovës tani për tani?” Fadili: “Shoku Enver, neve na duhet nja 300 mësues që t`i hapim shkollat tona të vërteta, të cilat do ta rreshtojnë Kosovën drejtë bashkimit me NËNËN SHQIPNI. Na duhet edhe një shtypshkronjë shqip”. Të dy premtimet do të plotësohen. Mësuesit do ta mbulojnë tërë hapësirën shqiptare, ndërsa me shtypshkronjën do të fillojë gazetaria shqiptare “RILINDJA” etj.

Fadil Hoxha do të protestojë më 2 shtator 1945 kur Kryesia e AVNOS-it e aprovoi një Statut me 12 nene për Kosovën. Me këtë u pa se Kosova ishte vërtetë e okupuar, do të shprehet Fadili në prezencën e Adem Demaçit, kur u pajtuan me njeri tjetrin. Këtë fakt Kosova e di dhe po të ishte bindja se Fadili është “tradhtar”, mendon ti Salo se Demaçi do t’ia shtrinte dorën? Jo more, jo, Demaçi nuk ishte inferior me Hollbrukun e lere ma me një Fadil Hoxhë që e kishte marrë ashtu si ishte Kosovën me 98% analfabet dhe e kishte sjellë deri në Universitet dhe Akademi. Nuk e japim ne Hoxhën tonë, Salo. Ne para juve i kemi thënë komunizmit: në berllog, por Fadili ishte nacionalsit e jo komunist, do të thotë HYSEN TERPEZA me rastin e pajtimit të tyre, edhe pse kishin luftuar njeri tjetrin. Ne jemi në detyra tjera, Salo, e jo të shpikim “tradhti”, falë të qofshin.

Fadil Hoxha më 1948, do të hamendet për 48 orë: me Stalini apo me Titon, si dhe: “ME SHQIPNIË APO ME TITON”. Duke pasë për bazë faktin se çka kishte ndodhë në Prizren më 10 korrik 1945, do të përcaktohet “me Titon”, për ta shpëtuar popullin, me të cilin realitet do të fillojë rruga e gjatë, por që nuk do të sillet në rreth të thatë. Fadil Hoxha do ta sjellë Kosovën me njëmijë rrëxuarje e ngritje prej shkollës fillore e deri në Universitet. Dhe pasi u themelua Komisioni i Historisë më 1974, autorit të këtij shkrimi do t’i thotë troç: “Tani JU dhe UNIVERSITETI e keni fjalën. E bartëni çështjen deri te synimet tueja”. Prof. Dr. ALI HADRI do të fillojë të lotojë, edhe Tahir Abdyli. Unë: “Shoku Fadil për kenë keni luftuar?” Fadili: “E kam filluar luftën e dyfishtë: kundër okupatorit nazifashit, kundër shtypjes, kolonizimit sllav dhe riokupimit të mundshëm jugosllav. Kam Luftuar për NANEN SHQIPNI, se për Jugosllavi një plumb nuk e kisha shprasë”. Na bëri të gjithëve të dënesim. “Jam me juve. Ndigjojeni Ali Hadrin, Ky din fare mirë me ju drejtue”. Po, Fadil Hoxha ka folë, dhe pushteti ka bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve, por aty e kemi vrejtë se Ky personalitet ka pasë FUNKSION, por NUK KA PASË KURRË PUSHTET të vërtetë.

Pas vdekjes së Stalinit, më 5 mars 1953, J. B. Tito do të lidhë Marrëveshje Xhentëlmenë me Turqinë për deportimin e shqiptarëve në Anadoll. Më 28 II ishte lidh Pakti Ballkanik Jugosllavi-Turqi-Greqi. Por me 28 III 1953 Fadil Hoxha me Ismet Shaqirin, do të shkojnë në Split, për të reaguar te Tito kundër shpërnguljes shqiptarëve. Siç kemi shkruar më parë Tito do ta mbajë anën e Rankoviçit, Llukiçit etj. Tërë kjo tregti me një popull do të dekonspirohet në Plenumin e Brioneve dhe Fadil Hoxha më 1967, do ta organizojë fushatën që Kosova për t’i shpëtuar terrorit Serbian me të drejtë duhet përparohet në Republikë të shtatë.

Ç’ka i tha Fadil Hoxha tradhtarit Panjot Plaku në Germi, më 15 maj 1960?

Fadil Hoxha në shumë paraqitje ishte aq guximtar sa që në disa raste “dëshmohet” si person që është ‘naiv’ dhe sulmon si i teket. Por, jo, Fadil Hoxha ishte gjatë gjithë jetës shqiptar i vërtetë që deshi arsimin dhe e dinte shumë mirë historinë faktike të Shqiptarisë Veriore.

Në Germi ku ishte kohë pas kohe Panjot Plaku (Zv.Ministër i Mbrojtjes që u arratis në Jugosllavi si agjent i saj-hb) më 15 maj 1960, do të takohen me Fadil Hoxhën. Në pyetjen e parë, si na është rrëfyer Xhavit Nimani dhe si na e ka vërtetuar pastaj Fadil Hoxha, ky i fundit do ta pyet renegatin Panajot: “Pse u arratise dhe e tradhtove Shqipërinë. Ti mendon se ne ham bar dhe nuk e dimë se me çfarë misioni janë arratisë ata të viteve 1949/52. Ata nuk ishin ballistë fare, por ishin mercenarë që i kishte rekrutuar UDB-a e Rankoviçit. Deklaratat e tyre në Nish janë lëshuar Dushan Mugoshës, një udbash dhe armik i popullit shqiptar, i cili ka shkuar me detyrë në Shqipëri. Dhe pas ardhjes së tij në Kosovë, nuk ka lëshuar mundësi pa thurë intriga kundër udhëheqësive shqiptarë, sdidomos në lëminë e arsimit. Ti Panajot je një monstrum dhe duhet të turprohesh pse je arratisë.” Këtë sulm Panjoti, sipas Hasan Mekullit, (një arsmitar patriot i të gjitha kohërave-hb), do ta kuptojë se Fadili ishte nën ndikimin e alkoholit. Por jo, Fadili kurrë nuk ka konsumuar alkohol që të moskontrollohet. Fjalët e Fadilit do të vërtetohen më 12 VI 1966 se kemi të bëjmë me një agjent të UDB-ës, të cilin, Panajotin, e likuduan disa ditë pas Plenumit Brioneve, vet ata që e kishin rekrutuar.

Fakti tjetër, Fadil Hoxha pas Plenumit Brioneve më 1966, do të shkojë në çdo komunë duke kërkuar që të zbardhen krimet mosntruoze të UDB-ës dhe rankoviçizmit. Madje, më 1974 do të kërcënohet aty ku duhet: “Ose KUSHTETUTË, ose ne dimë si të sillemi, dhe një kërkesë duhet të thuhet se në Preambull duhet të figurojë si e drejtë demokratike VETVENDOSJA.”

Çfarë tradhtie është kjo ore Dr Sali Berisha që jeni kah e degradoni çdo sjellje njerëzore?!

Fadil Hoxha do të qëndroje më 1981 kur u bë pyetje: “Demonstrantët a e kanë marrë Kuvendin, Komitetin, Këshillin Ekzekutiv, RTP, Radio Prishtinën, Rilindjen, ndonjë pushtet në ndonjë komunë-JO. Për çfarë kontra-revolucioni është atëherë fjala. Keni ndonjë njohuri teorike çka është Revolucioni e çka Kontrarevolucioni?. Madje asnjë parullë nuk është bërë se duam ta ndrrojmë sietemin? I pari do të pajtohet Pavle Joviqeviçi, e pas tij do të flasi Fadil Hoxha. Ne dikur fjalës amendament i kemi thënë “aman aman”, e pajtohem plotësisht me argumentin që u plasua këtu, por politikisht jemi në hall nga Dy matrapazë që po aspirojnë ta marrin pozitatat në Kryesi të shtetit dhe të partisë”. Opinioni i Kosovës e dijnë mirë cilët profesorë të Universitetit ishin ata, janë ata që edhe më 1989 thonin se: “Me ndryshimet kushtetuese nuk humbim asgjë”.

Fadil Hoxha, pasi u pensionua, erdhi në Institutin e Historisë dhe u rrefye së bashku me Xhavit Nimanin: “Edhe ne kemi kërkuar Republikë. Urdhëroni e hapni rrugë”. E lexo “Shkëndinë” e asaj kohe Salo. Mos intrigo kur gjërat nuk i njeh. Nuk është ADEM DEMAÇI naiv që ia shtriu dorën e PAJTIMIT FADIL HOXHËS dhe Xhavit Nimanit. Fadili me lot në sy do t’i drejtohet Baca Adem Deamçit. “Kam qenë antifashist, tash jam me UÇK-në e Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit”. Kjo do të thotë se e dinte fare mirë që ka UÇK, e kjo ka ngja para 28 XI 1997. Fol Sali Betisha he, të ndihmoftë Zoti se çka ke bërë ti më 1995-1997, nuk të lanë as deti. Sa janë mbytë në det e në përleshje në mars 1997, dhe faji është i Juej, për fajde dhe humbje shprese që ta paraqiten agjentët e S. Millosheviçit, për të luajtur pastaj me Kosovën, si e kishte planifikuar.

Dr Sali Berisha më duhet të rrëfehem se jam përjashtuar nga shkolla fillore pse e kam vizatuar Shqiponjën pa e ditur si duket. Jam njeri nder ata nxënës që Pertoviq Strahinjen e kemi larguar nga mësimi sepse na ka fyer në baza kombëtare më 1962. Më 1966 si gjimnazist nuk kam lënë lokalitet në Llap po i denoncuar udbashët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Jam ai që e kam mbajtur FLAMURIN më 27 XI 1968 në Prishtinë deri sa janë lexuar kërkeast tona (studentëve dhe rinisë e popullit). Do ta dorëzojë Doktoratën e mbrojtur, së pari intern më 27 XI 1978, e publikisht më 15 janar 1979. Jam njëri ndër përpiluesit e Rezolutës për bashkim kombëtar në tubimin historik në Tetovë, mbajtur më 1992. Jam autor i LIBRIT BARDHË më 1992. Rezolutën e Tetovës e kemi përpiluar: Mr Mahmut Bakalli, Mr Ukshin Hoti, Prof Dr Juristi e quanim, prof dr Hakif Bajrami dhe një intelektual shumë i aftë nga Shqipëria. Rezoluta është aprovuar pas dy tubimeve. Por, PD (jote) dhe LDK e minuan pastaj në Tiranë më 1993. Të dy tubimet janë mbajtur me organizim të Halil Alidemës.

Lidhur me këtë, si nën pyetje, a të ka kushtuar zemra ndonjëherë të shkojsh te varret e atyre që i ke burgosë si: Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Xhevë Krasniqi-Lladrofci, Fehmi Lladrofci etj? Nuk po i përmed të gjallët që duhet edhe këtyre t’u kërkosh falje. E di, se edhe Ti, ashtu si i “drogari” yt në Kosovë“, jeni forcuar kur heronjt e sipërpërmendur janë vrarë mizorisht. Kaq kësaj radhe për tradhtinë tënde, Implicite dhe “avisatio de perjurio vitando”.

Fjala e Hysen Terpezës

“Ndigjoni djemt e mi, Muhamet Pirrakut dhe Hakif Bajramit: “Enver Hoxha kurrë nuk ka qenë tradhtar. Dihet historia jeme, dihet se për çka kam luftuar më 1944/5, por Enveri e kam kuptuar se ka qenë nacionalistë i papërmirësueshëm. Tejtër çështje është faji i ushtrimit pushtetit, por tradhtar nuk mund t’i thuhet.”

Sa i takon Fadil Hoxhës, më duhet të deklarohem para juve si historian se Fadili ka “notuar” shumë mirë me kend ka pasë punë dhe çfarë kuadrosh ka pasë në disponim, plus naiviteti idealist në Tiranë dhe Prishtinë. Po, unë me Fadilin në një moment kemi luftuar kundër njëri tjetrit, por tash jemi pajtuar sepse Fadili edhe atëherë po edhe tash ka mbetë luftëtar për bashkim kombëtar. Bile më ka thenë: “Më kanë ranue vjetët se do të dalësha me armë me këta djemt e UÇK-ës, për ta luftuar okupimin Serbian të Kosovës”.

Dr Sali Berisha shumë ngjarje historike si historian që jam ende nuk i di sa duhet, sepse shumë dokumente me shenja sekrete janë të panjohura. Po Ti duhet të na tregosh, si mjek që je, ku mundesh ta dijsh më mirë “tardhtinë” e dy Hoxhëve, (i Tiranës dhe i Prishtinës), ku e kanë ba pazarin dhe çfarë dokumenti është ai. Trego more burrë, se rren me turp të turpit. Salo, ne në Kosovë, si njerëz të arsimit, politikanët dhe njerëzit e hasmuar kemi luftuar me orientimin që t’i pajtojmë edhe pse e kemi pasë në dijeni peshën e fajeve të pozitës tyre. Pra në Shqipërinë Kontinetale kemi të bëjmë (jo me të gjithë), me një kastë personalitetesh që kanë pasë pozitë por jo pushtet, kurrë. Në Shqipëri është fjala për pozitë dhe pushtet. Dhe çështja është paksa më e komplikuar, por nuk kemi të bëjmë me tradhti. Nëse e matim me kutin e juej “tradhtinë”, atëherë del se TI Salo je pesë herë më tradhtar se Enver Hoxha, sepse ke vepruar në kushte jashtë Luftës Ftoftë, ke pasë kuadro, ke pasë pushtet e pozitë, që ta përmirësoish “tradhtinë”, kush të ka penguar. Por nuk ke bërë asgjë, ama vetëm sa ke krijuar plus plagë, drogë, anarki dhe pasiguri, sa që sot, në saje të “demokarcisë” suej fiktive, nja një milion e gjysëm shqiptarë janë hyzmeqarë nepër botë. Plus vendin e ke kthye në kultivues droge dhe fajde ilegale më e rrezikshme se ideologjia totalitare e Enverit dhe Fadilit.

Në Llap, kur duan me nem një njeri thonë: T’u rritët mendja. Nuk po të them, por po e mbylli me thënien në fillim: mos blej e as mos shitë kuturu padituri sepse, nëse betohesh rrejshëm, pazari i tradhtisë nuk të shpëton, me sa shpëtoi Esat Pashën. Për fatet e pazareve të Esat Pashës gjeneratat tona po paguajnë haraç ende. Dhe mos u frigo se Avni Rustemin e vranë pikërisht ata që as sojin e Bajram Currit dhe Tahir Sinanit nuk do ta shkollonin fare. E, mos mendo se Avni Rustemat kanë pas vdekë më 1945-1999, të paktën në Shqipërinë Kontinetale, se për bregdetaren, aty ku ta ka lanë Enveri, besa nuk e ke ditë as atë me ruajtë. Shikohu në pasqyrë njëherë e mirë se shumë akuzë të rendë ke bërë, sepse ke qenë shef shteti e nëse mendon se Ti din çdo gjë, dihet se kurrë nuk ke ditë as definicionin ma të thjeshtë të politikës. Për politikë çdo njeri që sharron në të, vet tregon se kush është. Mos mendo se kam qenë Enverist me ideologji, Jo por njeri i shpresës në NËNËN SHQIPËRI gjithmonë, pa marrë parasysh se kush është në fronin e Tiranës. Unë nuk e kam pasë ideal këngëtarin Bregoviq, por Dervish Shaqën. E kush i ka kënduar Enverit dhe ka qenë sekretar partie dihet, por Sami Frashërin, Ymer Prizrenin e Sulejman Vokshin, Bajo Topullin, Bajram Currin, Haxhi Sadrinë, Luigj Gurakuqin dhe At Fishtën, Murat Xhakën me Hasan Prishtinën, me Adem Demaçin dhe Adem Jasharin-Legjendarin, në ballë i kam pasë ideal dhe do t`i kam tërë jetën.

Fund

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA