...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Papërputhshmëria vrastare e klasës politike, juridike dhe gazetareske në Shqipëri me parimet juridike: rasti i Saimir Tahirit

Rasti i ndjekjes penale të Saimir Tahirit, ish-ministrit të brendshëm dhe ish-deputetit të partisë “socialiste”, tregoi qartë gjendjen e keqe juridike jo vetëm të pushtetarëve politikë por veçanërisht të prokurorisë: pushtetit juridik. Si i tillë, ai shërben si një rast studimi për gjithë ata që pretendojnë se janë ose duan të jenë të ‘drejtë’.

Ylli Përmeti

04/05/2018 - 15:56

Papërputhshmëria e prokurorisë së krimeve të rënda me parimet juridike 

Rasti i ndjekjes penale të Saimir Tahirit, ish-ministrit të brendshëm dhe ish-deputetit të partisë “socialiste”, tregoi qartë gjendjen e keqe juridike jo vetëm të pushtetarëve politikë por veçanërisht të prokurorisë: pushtetit juridik. Si i tillë, ai shërben si një rast studimi për gjithë ata që pretendojnë se janë ose duan të jenë të ‘drejtë’. Kujtoj, edhe një herë, se ndjekja penale e Saimirit u nxitë nga e ashtu quajtura “opozitë” përgjatë gjithë periudhës së tij si ministër. Dhe jo pa arsye: sepse Saimiri shkatërroi monopolin e drogës që kontrollonte partia “demokratike” dhe burimin kryesor të saj financiar dhe krijoi oligopolet përkatëse. Nëse Saimiri s’do të kishte krijuar oligopolet në fjalë – “opozita” e Bashës nuk do të kishte të drejtë të kërkonte ndjekjen penale. Në të vërtetë, “opozita” s’ka të drejtë të kërkojë asnjë ndjekje penale nëse gjykojmë nga krimet që ka shkaktuar kur administronte pushtetin politik si qeveri.

Sidoqoftë, fakti që është votëbesuar nga një numër i konsiderueshëm njerëzish, s’kemi rrugë tjetër veç të respektojmë rolin e saj si “opozitë”. Kujtoj, gjithashtu, se partia “socialiste” erdhi në pushtet duke premtuar, mes të tjerash, dënimin e shkaktarëve të krimeve kryesore politike që janë shkaktuar nga krerët e partisë “demokratike” dhe jo vetëm. Në mandatin e parë nuk e realizoi dot këtë premtim sepse qeveria ishte e përbërë nga dy parti: PS dhe LSI. Kjo e fundit luante me të dyja partitë dhe mbështeste partinë “demokratike” kryesisht për shkak të synimit të reformës në drejtësi.

Sidoqoftë, partia “demokratike” kishte mundësi që akuzat e saj kundrejt Tahirit t’i mbështeste me fakte/prova kur dihet se sektori juridik është i përbërë nga njerëz të lidhur me të: prokuroria e krimeve të rënda, për shembull, është e përbërë nga njerëz të afërt të Berishës. Por ajo nuk veproi kështu: priti të përmendësh emri i tij nga prokuroria italiane në raportin e saj kur kjo e fundit arrestoi bandën “Habilaj”!

Gjykuar nga veprimet e prokurorisë —veproi pasi u njoftua nga masmedia lajmi se banda në fjalë u kap dhe në raportin e prokurorisë italiane përmendësh emri i Saimirit dhe pasi partia “demokratike” kërkoi arrestimin e tij— mund të themi se ajo u ekspozua dy herë: një herë kur priti njoftimin nga masmedia dhe një herë kur iu përgjigj thirrjes së partisë “demokratike” dhe “opozitës” së bashkuar! Nuk duhet të lëmë pa shqyrtuar një aspekt shumë të nëndësishëm në këtë proces: se bisedat e përgjimeve të prokurorëve italianë përdornin nofka dhe gjuhë të maskuar ndërsa përmendnin me emër Saimirin! Kush? Kushërinjtë e tij të cilët supozohet se duhet ta mbronin. Kujtoj se ditët e para të shtatorit, Ilir Meta shkoi në Itali për një vizitë. Kujtoj, gjithashtu, se Meta luftoi ashpër në Vorë në zgjedhjet e fundit dhe partia e tij i shpalli luftë Saimirit duke e akuzuar se ai po blinte vota. Kështuqë një lloj armiqësie mes tyre është krijuar.

Sidoqoftë, çështja këtu është se biseda e tregëtarëve të drogës përmend me emër Saimirin: të hamendësosh se tregëtarët nuk e dinë se përgjohen do të ishte gabim përsa kohë që ata përdornin një gjuhë të maskuar në biseda ndërsa përmendnin me emër Saimirin. Kështuqë ata ishin në djeni se përgjoheshin. Ndryshe nuk do të përdornin gjuhë me kode. Kështu, nëse hamendësojmë se ata ndanin fitimet me Saimirin, siç pretendon dhe “opozita”, pse e përmendin emrin e tij? Hamendësisht për t’i dhënë punës së tyre karakter ‘paprekshmërie’. Por kjo qasje implikon “mbrojtësin” e tyre dhe ata ishin në djeni për këtë rezultat. Çfarë mbetet nga kjo histori është se ata ose ishin naivë lidhur me ‘implikimin’ e Saimirit ose prokurorët italianë janë shitur/blerë nga Meta kur ishte në Itali. Të dy këta hamendësime mund të hetohen nga prokuroria jonë. Për shembull, duke kërkuar regjistrimet (përgjimet) e prokurorisë italiane për të ‘dëgjuar’ ata vetë se në bisedë përmendet Saimiri me emër. Pas këtij hetimi, mund të shkonin të hetonin të arrestuarit. Por ata nuk vepruan kështu! Si të tillë, ata kanë vepruar gabim (ose joprofesionalisht), disa herë: një herë kur na thanë se Saimiri ishte i përfshirë në tregëtinë përkatëse me automjetin e tij që në fillim të punës së tij si ministër; një herë kur u mjaftua me ‘përfshirjen në fjalë’, e cila, sërish, buroi nga masmedia dhe jo nga hetimi i saj; një herë kur kërkoi arrestimin e tij duke u bazuar në njoftimin e masmedias për “habilajt”; dhe një herë, në fund, kur paraqiti ‘indikacionet’ si ‘prova’! Ndoshta donte të përdorte konceptin juridik të “res ipsa loquitur” — se “veprimtaria e të akuzuarit flet vetë”...

Sidoqoftë, është e qartë se prokuroria u paraqit në akuzën e saj pa hetim të sajin: u mjaftua me njoftimet e masmedias dhe hetimin e prokurorëve italianë! Por në sytë e drejtësisë këto nuk janë prova. Por indikacione. Të hamendësosh se prokuroria nuk dallon dot ‘indikacionet’ nga ‘provat’ do të ishte spekulim: sepse pavarësisht lidhjes së saj të ngushtë me Berishën, ajo mund të kundërshtonte kërkimin nga Berisha për të kërkuar arrestimin e Saimirit thjesht duke i thënë se ato janë indikacione jo prova në sytë e drejtësisë. Kështuqë gjasat janë se ose vërtet prokuroria jonë nuk dallon dot ‘indikacionet’ nga ‘provat’ ose iu nënshtrua urdhërit të Berishës për të krijuar tymnajën e radhës. Mirëpo, ajo ekspozoi veten dhe kështu humbi besimin se mund t’i shërbejë shtetit.

Nga ana tjetër, nëse supozojmë se gjithë kjo histori është sajuar nga Berisha dhe Meta, për arsyet e tyre, ata, gjithashtu, kanë ekspozuar veten: sepse që të sajosh një histori të tillë ose s’ke mësuar dallimin mes ‘indikacioneve’ dhe ‘provave’ ose thjesht kërkon të krijosh një tymnajë tjetër, si gjithë të tjerat. Por nga ekspozimi në fjalë, kostua politike është e madhe: sepse tregon, edhe një herë, se jo vetëm virtytin e drejtësisë s’e ke zhvilluar dhe si i tillë nuk mund të emërosh njerëz me virtytin e drejtësisë (sepse virtyti kupton virtytin) në sistemin e drejtësisë...por e pengon atë.

Saimiri, në anën tjetër, gjatë zhvillimit të ngjarjes, tregoi se ishte i paaftë të mbronte veten: jo vetëm që ishte kontradiktor (i papërputhshëm) me ç’ka thoshte dhe ç’ka ka thënë por ishte përfshirë në frikën e arrestimit. Në të vërtetë, frika në vetë-vete shkakton pështjellim. Sidoqoftë, Saimiri nuk i kontrollon dot emocionet. Kur një njeri nuk kontrollon dot meocionet tregon se arsyen (mendjen) e ka të dobët: sepse është arsyetimi (mendja) që kontrollon emocionet. Gjatë zhvillimit të ngjarjes u tregua e dobët edhe partia “socialiste”: si fillim u duk se do ta lejonte arrestimin e Saimirit pa kërkuar hetim. Vetëm pasi filloi kritika mbi prokurorinë ajo veproi dhe mbajti qendrim! Kjo tregon se sa e dobët juridikisht është si parti.

Implikimet juridike që mund të shkaktonte prokuroria dhe miratimi i arrestimit të Saimirit pa prova janë tejet të mëdha. Kujtoj se prokuroria nuk përdori vetëm ‘indikacionet’ si ‘porva’ por edhe një koncept juridik të cilin asnjëri s’e sfidon: “dyshimin e arsyeshëm’! Në sytë e drejtësisë ‘dyshimi i arsyeshëm” nuk përbën predikament ose premisë për të ngritur një akuzë me karakter politik: por ‘dyshimi i arsyeshëm’ duhet të jetë ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’: sepse vetëm kur prokuroria tregon përpara gjykatës se një i akuzuar për krim qendron ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’, ajo mund të ngrejë akuzë për arrestim. Nëse, për shembull, gjykata ka një ‘dyshim të arsyeshëm’ për fajësinë e të akuzuarit, nuk mund të themi se është fajtor. Nëse gjykata nuk ka dyshime për fajësinë e të akuzuarit, ose nëse atje janë vetëm dyshime të paarsyetueshme, prokuroria ka provuar fajësinë e të akuzuarit dhe gjykata mund ta quajë fajtor. Mosdallimi mes të parit dhe të dytit, tregon se prokuroria jonë dhe të ashtuquajturit “juristë”, nuk kanë mësuar të shqyrtojnë dhe dallojnë konceptet juridike. Kështu, nëse Saimiri arrestohësh duke iu përmbajtur konceptit juridik që përmendi prokuroria —dyshimit të arsyeshëm—  do të hapësh kutia e pandorës për cilindo që shkaktonte ‘dyshim të arsyeshëm’ në sytë e prokurorisë dhe policisë.     

Tahiri si “viktimë” i mëkateve të klasës politike

Më shumë se gjithçka tjetër ne duhet të na shqetësojë virtyti i drejtësisë, sepse është virtyti më i nevojshëm në jetën njerëzore zhvillimi i të cilit do të sillte begati në një popull dhe shoqëri - rëndësinë dhe kuptimin e tij e ka paraqitur dhe shqyrtuar më shumë se kushdo tjetër, Aristoteli, ndryshe nga “filozofët” e modernitetit të cilët na tregojnë ideologjinë si udhërrëfyesin e shoqërive! Kuptimin e drejtësisë së Aristotelit e kam shqyrtuar në vend tjetër dhe e kam zgjeruar.[1] Këtu nuk do të shtoj ndonjë aspekt. Por do të shqyrtoj, edhe një herë, rastin e Saimir Tahirit, pasi ai la mandatin e deputetit për t’u gjykuar nga drejtësia. Do të tregoj se në cilën gjendje juridike është vendi ynë, pse është ashtu siç është dhe si jetët e njerëzve mund të shkatërrohen.

Së pari, “demokracia” përfaqësuese, ku supozohet se shqyrtohen dhe miratohen ligjet, nuk e zhvillon virtytin e drejtësisë  së deputetëve në mënyrën se si operon jo vetëm kuvendi por edhe emërimi i kandidatëve nga partitë përgjatë fushatës zgjedhore: ata emërohen nga kryetarët e partive (Berisha-Basha, Rama, Meta etj.) të cilët nuk e kanë zhvilluar virtytin e drejtësisë, gjithashtu. Qartësisht, një njeri pa virtytin e drejtesisë s’ka se si të zgjedhë një njeri me virtytin e drejtësisë. Si të tillë, njerëzit që zgjidhen deputet, përzgjidhen nga një njeri që nuk ka zhvilluar virtytin e drejtësisë dhe pasi zgjidhen, vetë pushteti i deputetit, i pasivizon në kureshtje...dhe pavarësisht se shqyrtojnë dhe miratojnë ligje, ata më shumë votojnë se sa shqyrtojnë. Ky lloj votimi është tërësisht iluziv: sepse nuk kuptohen aspektet dhe efektet e tij përmes shqyrtimit nga ata që i votojnë. Pa folur për qytetarët spektatorë që janë tërësisht inaktivë në këtë proces. Kujtoj se sistemi parlamentar britanik ka dekada që është orientuar drejt përfshirjes në kuvend kryesisht të njerëzve me dije juridike dhe pavarësisht këtij fakti ata u mashtruan nga Toni Bler kur ai u thoshte se Sadami kishte armë të shkatërrimit në masë! Dhe Bleri nuk mashtroi vetëm parlamentin britanik por thuajse gjithë parlamentet perëndimore. Qartësisht, ky është është një lloj besimi i verbër dhe i dëmshëm. Kjo është arsyeja pse themi se njerëzit me dije juridike besojnë përmes hetimit, shqyrtimit dhe kundrimit. Pa zhvillimin e hetimit (mënyrat e veprimit), shqyrtimit (procesi logjik) dhe kundrimit (kontradiktat) një njeri juridik nuk mund të besojë.     

Së dyti, dhe pikërisht për këto arsye, Saimiri kur u bë deputet dhe më pas ministër i brendshëm, më shumë ishte iluziv në raport me ligjet dhe institucionet se sa kishte krijuar ndonjë ‘bindje’ rezultati i së cilës buron nga studimi. Kështu keqadministrimi i ministrisë së brendshme dhe çdo ministrie është rezultat kryesisht i këtij procesi —nga partitë dhe kuvendi— dhe i mungesës së virtytit të drejtësisë së njerëzve që propozojnë partitë dhe voton populli. Për të njëjtën arsye, Saimiri mund të konsiderohet pjesërisht “viktimë” i procesit institucional dhe pjesërisht “viktimë” i klasës politike: sepse edhe nëse ai nuk realizoi dot ‘pastrimin’ e Shqipërisë nga droga – kjo e fundit kishte vite që ishte zhvilluar dhe ishte pasojë e shkatërrimit të socializmit marksist për të cilin është përgjegjëse gjithë klasa politike.

Së treti, Saimiri akuzohet për implikim në tregëtinë e drogës pa prova nga prokuroria. Prokuroria është kontradiktore kryesisht sepse është krijuar nga njerëz pa virtytin e drejtësisë: njerëzit pa virtytin e drejtësisë s’kanë se si krijojnë njerëz me virtyte. Sidoqoftë, njerëzit që përshihen në institucionet e drejtësisë janë kualifikuar në shkollat juridike dhe supozohet se e kanë zhvilluar virtytin e drejtësisë. Por ata emërohen nga njerëzit e pushtetit politik dhe jo nga pushteti juridik përmes të cilit sigurohet një përqindje e madhe pavarësie. Për të njëjtën arsye, edhe nëse virtyti i drejtësisë është zhvilluar pjesërisht mes anëtarëve të juridiksionit dhe supozohet se do të zhvillohet me përvojën në institucione, kur ata emërohen nga pushteti politik, në vend ta zhvillojnë atë më tej, mjaftohen me aq dhe përfundojnë si prokuroria jonë, e cila akuzon, duke ndjekur afshin e “opozitës”, pa hetim dhe pa prova!               

Së katërti, nga këndvështrimi juridik, Saimiri nuk ka vepruar mirë me dorëheqjen e tij; sepse prokuroria nuk ka prova. Por nga këndvështrimi etikë, në kuptimin e karakterizimit të tij si pengesë për integrimin e vendit në BE, ka vepruar mirë.   

Së fundmi, Saimiri “hetohet” dhe nga gazetarët e oligarkisë, të cilët paraqiten thuajse si prokurorët dhe politikanët profesionistë. Kështu, pas dorëheqjes Saimiri u ftua në një televizion të oligarkisë vendore dhe u “hetua” nga gazetarët. Këta të fundit e kanë këtë të drejtë. Por që të hetohet një institucionalist - gazetari duhet të ketë proceduar përmes procesit që përmenda më lartë: hetimit, shqyrtimit dhe kundrimit. Gazetari, në fjalë të tjera, nuk qendron në dijen e tij më lartë se njeriu që heton por edhe mbi ata që e kanë ose supozohet se e kanë hetuar: prokurorët. Në rastin në fjalë, dhe si në çdo rast tjetër, gazetarët jo vetëm që nuk e kishin hetuar rastin “Tahiri” por “bindjet” e tyre buronin nga përshtypjet! Kujtoj se Saimiri u “hetua” nga gazetarë të tipit “opinionist”. Se si i nxjerrin përfundimet këta të fundit kuptohet kur ata fillojnë “analizën” e tyre: “kam përshtypjen se...”. ‘Përshtypja’, kam shqyrtuar në vend tjetër,[2] përdor kryesisht shqisat, siç edhe fjala nënkupton: për...shtypen shqisat nga faktet që qarkullojnë rreth nesh. Nuk është e rastit që një mjeshtër i madh i veglave teorike, Aristoteli, na tregon me të drejtë se opinioni nënkupton një “fakt” që perceptohet me shqisa jo me mendje: sepse mendja shqyrton fakte përtej shqisave. Arsyeja kryesore pse paraqiten të padijësuar gazetarët është se ata kualifikohen nga shkolla gazetareske që nuk përqendrohen te hetimi por te lajmi; një arsye e dytë, është se ata emërohen nga pronarë që virtytin e drejtësisë nuk e kanë zhvilluar ose e kanë pjesërisht të zhvilluar: poshtë nivelit mesatar; dhe një e tretë, është se pronarët (përfshirë dhe drejtorët e televizionit publik: tvsh) nuk synojnë zhvillimin e virtytit të drejtësisë (këtë mund ta synojë vetëm një njeri që ka kuptuar natyrën dhe rëndësinë e këtij lloj virtyti) por të rrisin audiencën: dhe audienca nuk rritet kur synohet edukimi i popullit por kur synohet sherrnaja, tensioni dhe cingërisja.

Për të njëjtat arsye, dhe meqënse Saimiri u paraqit më pak kontradiktor dhe më i vendosur në betejën e tij, pas dorëheqjes, ai dhe çdo “saimir” tjetër, nuk duhet të pranojë të hetohet nga insititucione të tillë: sepse edhe nëse supozohet se është i pafajshëm apo deri diku i fajshëm - me njerëz të tillë që nuk dallojnë dot indikacionet nga provat dhe aspekte të tjerë juridikë, mund të “nxihet” edhe më shumë. Njërëz të tillë, të keqedukuar, në të vërtetë, mund të përballen vetëm nga njerëz me dije të plotë juridike. Këta mund t’i shfuqizojnë dhe t’i tregojnë lakurq - se nuk i shërbejnë të vërtetës dhe popullit por (vetë)mashtrimit dhe oligarkisë. Nuk është e rastit që gazetarët e oligarkisë na thonë se Saimiri nuk është mbrojtur nga asnjë gazetar...kur dihet se që të mbrohet Saimiri nga gazetarët, këta të fundit duhet të mbrojnë drejtësinë dhe që të mbrojnë drejtësinë duhet të kenë zhvilluar virtytin e drejtësisë: pa këtë virtyt s’ka se si të mbrojnë një njeri nga padrejtësia.      



[1]Administrimi publik: nga kaosi i elitave modern në rend demokratik.

[2]Natyra njerëzore.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA