...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Administrimi i ndërmarrjeve — cili është më i mirë: shtetëror apo privat?

Pse establishmenti politik mashtroi –edhe një herë- dhe pse naftëtarët (dhe jo vetëm) do të mashtrohen sërish, me sektorin e energjitikës?

18/03/2018 - 14:53

Shkaqet e shkatërrimit të sektorit të energjitikës dhe nevoja e krijimit të kushteve për një ‘revolucion energjitik’

Për t’iu përgjigjur pytjes që parashtrohet në titull mirë është që shqyrtimi të fillojë nga padija drejt dijes. Kështu, pasi u treguan, edhe një herë, pasojat si shkaqe për sektorin e energjitikës (korrupsioni etj.) nga klasa akademike dhe mediatike, pasuan disa propozime për të nxjerrë nga rrënimi sektorët e ekonomisë. Qarkulluan dhe vazhdojnë të qarkullojnë disa propozime: njëri është “shtetëzimi i sektorit”;[1] një tjetër është “përdorimi i ndërmarrjeve private shqiptare me specialistë shqiptarë“;[2] dhe një tjetër, me pak jehonë në masmedia, vetë-administrimi i sektorit nga puntorët. Por siç do të shqyrtoj këtu, të gjithë këto propozime janë tejet të pjesshëm: kryesisht sepse nuk procedojnë nga dëftimi i shkaqeve të vërtetë se pse sektorët strategjikë të ekonomisë u privatizuan dhe degjeneruan në gërmadha dhe puntorët dhe burimet ekonomike në pikë të hallit. Nuk tregojnë, në fjalë të tjera, kuadrin e ri institucional në të cilin është integruar pjesërisht Shqipëria: globalizmin neoliberal, politikat dhe mekanizmat e tij dhe, efektet që kanë të gjitha këto në politikat e qeverive tona.

Kështu, le ta fillojmë sërish shqyrtimin nga Britania: sepse ajo është vendi që filloi privatizimet e ndërmarrjeve publike shekullin e kaluar: kryesisht si pasojë e rënies së bllokut ekonomik socialist në Lindje dhe presionit nga poshtë të ndërmarrjeve private që bashkëjetuan me ndërmarrjet publike kundrejt qeverive. Pas referendumit për daljen nga BE-ja dhe krizës që vazhdon, kryesisht për klasat e ulëta të shoqërisë dhe ekosistemit, laburistët, me në krye Korbinin, sugjerojnë shtetëzimin e ndërmarrjeve që privatizoi klasa politike duke përfshirë dhe “laburistët” e tipit Bler. Qendrimin e Korbinit e mbështesin shumë të “majtë”. Si zakonisht, pa studiuar dhe rrjedhimisht pa kuptuar problematikën. Nuk mungojnë, sigurisht, kritikat kundër propozimeve të Korbinit. Ato vijnë kryesisht nga globalistët. Martin Wolf, komentatori qendror i FT, për shembull, argumenton se shtetëzimi i ndërmarrjeve nuk është zgjidhja. Shembulli i Britanisë, argumenton ai, në privatizime ishte përshpejtues (katalizator) për një rrëmet vendesh të zhvilluara dhe në zhvillim, duke përfshirë Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Industritë shtetërore, ndryshe ngasa i paraqet Korbini, nuk ishin në duart e popullit. Por në duart e ministrave dhe kuadrove që i kontrollonin ato dhe njerëzit që i përbënin. Ato ishin ngarkuar me shumë njerëz dhe ishin shumë të politizuara. Ato ose nëninvestonin ose merrnin vendime investimesh të varfëra. Jo më pak, ata i konsideronin përdoruesit me indiferencë. Unë isha mes përdoruesve. Kjo formë pronësie nuk u venit sepse funksiononte. Por sepse nuk funksiononte. Kërkime në përvojën botërore të viteve ‘80-’90 nxorrën përfundimin e qartë se biznesi privat ishte, në balancë, më efiçentë dhe gjithashtu më i investuar se ndërmarrja shtetërore.

Në një studim ende të papublikuar, William Megginson i Universitetit të Oklahomës argumenton se përvoja që nga viti 2000 nxjerr të njëjtin përfundim. Por teoria dhe përvoja tregon se privatizimi nuk është panace. Veçanërisht shqetësimet që ligjësojnë pronesinë publike — monopolin natyral (si me ujin), sigurinë e furnizimit (si me energjinë dhe ujin) dhe shtrirja e inovacionit dhe ciklit të investimeve (si me elektricitetin) – gjithashtu mundon administrimin dhe rregullimin e shërbimeve private. Por qoftë edhe në raste kundërthënës — dhe kundërthënie të tilla janë të pashmangshme dhe zakonisht me vend — privatizimi ka treguar një përmirësim. Në Britani, një nga rastet më kundërthënës është hekurudha. Hekurudha britanike ishte, vërtet, kronikisht  e nënfinancuar. Por ishte gjithashtu terrësisht e keqadministruar. Një studim i publikuar në vitin 2002 argumentonte se “efiçenca të mëdha janë realizuar” në hekurudhë. Faktet  mbështesin qendrimin se privatizimi ka krijuar përfitime për udhëtarët e hekurudhës, për mos të thënë dhe puntorëve. Mes vitit 1948 (kur hekurudha u shtetëzua) dhe 1993-94 (kur u privatizua) kilometrat tërësore të udhëtarëve ranë me 11 për qind. Mes 1993/94 dhe 2015/16 kilometrat e udhëtarëve u rritën me 128 për qind. Kundërshtia është mjaft e habitshme. Pa u habitur, tashmë rëndimi i qarkullimit është bërë një shqetësim. Por rritja në udhëtim është një tregues i fuqishëm suksesi. Kështu, argumenton autori, zhvendosja drejt shtetëzimit të ndërmarrjeve do të ishte pashmangshmërisht prishëse dhe rrugë pa krye.[3]

Qartësisht, qasja e Wolfit, nuk është sistemike. Nuk përfshin, në fjalë të tjera, karakterin e pushtetit politik dhe karakterin e ndërmarrjeve shtetërore shekullin e kaluar: se karakteri i shtetit social-demokrat ishte heteronomik dhe hierarkik dhe për të njëjtën arsye, ndërmarrjet shtetërore administroheshin nga ministrat dhe jo nga puntorët — me rregulla që vinin “nga lartë” dhe jo me rregulla që shqyrtoheshin dhe miratoheshin nga puntorët — “nga poshtë”. Ishte, domethënë, një administrim nga lartë-poshtë i sistemit ekonomik. Ky lloj administrimi përputhet me sistemin që është thememluar dy shekujt e fundit në perëndim: “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut. Në hapësirën e parë shqyrtohen dhe miratohen ligjet – qoftë edhe për ndërmarrjet— në të dytën, ekzekutohen pa shqyrtim dhe pa miratim. As konsideron ndryshimet strukturore që pësoi social-demokracia e shekullit të kaluar me sistemin neoliberal që është themeluar tre-katër dekadat e fundit. Dhe as konsideron shkaqet social-ekonomike kur përmend rënien dhe ngritjen e udhëtarëve me trena. Kur argumenton, për shembull, se numri i tyre ra përgjatë kohës kur hekurudha ishte shtetërore, nuk konsideron faktin se përgjatë tre dekadave të social-demokracisë në Britani dhe jo vetëm, u krijua “moda” e udhëtimit me automjet privat (faktorin social). Dhe, as konsideron faktin se rritja e udhëtimit me trena dekadat e fundit përputhet pikërisht me politikat neoliberale dhe rrënimin e klasave të ulëta të shoqërisë, të cilat, në pamundësi për të mbuluar shpenzimet me automjet privat, drejtohen drejt trenave (faktorin ekonomik)! Pa përmendur faktorët që do të shqyrtoj në vazhdim.                   

Kështu, sipas urtësisë konvencionale, ‘konkurrenca’ e ndërmarrjeve siguron çmime të ulët për konsumatorët (qytetarët) dhe konçesionarët (privatët) rrisin efiçencën. Paralel me këtë pretendim bështetet qasja se përmirësimi i ofertës krijon zhvillim ekonomik të shëndoshë. Ky pretendim e ka zanafillën në Britani. Siç argumenton Fotopouls: ministri i Ekonomisë N. Lawson argumentoi dikur se ‘zhvillimi i shëndoshë mund të mbështetet vetëm te përmirësimi i ofertës, në vend të politikës (Keinsiane) të gjallërimit të kërkesës. Që do të thotë se duhet t’u jepet mundësi tregjeve të funksionojnë më lirë... dhe një nga pengesat më të mëdha [sipas tij] është përqendrimi i stërmadh i ndërmarrjeve shtetërore. Në bazë të kësaj logjike, në Angli filloi në dekadën ‘80 një program i gjerë privatizimi i cili arriti brenda 10 vjetësh ulje drastike të përmasave të sektorit të ndërmarrjeve publike. Rezultati ishte se përqindja e PBB-së së dekadës së mëparshme ra thuajse te gjysma e vitit 1979-të deri në vitin 1989-të, dhe pjesëmarrja e elementëve pasuror publikë në kapacitetin kombëtar u zvogëlua nga 44% në vitin 1979-të në 31% në vitin 1989-të. Njëlloj ishte ritmi i zhvillimit të epokës thaçeriste 1970-79-të: zhvillimi kundrejt PBB-së ishte 2,2%; njëlloj ishte edhe në dekadën pas saj, 1980-90-të, dhe njëlloj ishte zhvillimi mesatar i gjithë komunitetit, por më i ulët se mesatarja e vendeve të klubit “OECD”. Ndërsa pretendimi i rritjes së prodhimit ishte vetëm 2,5% në vit përkundrejt 2% të dekadës social-demokrate. Një fakt që vërtetohet edhe nga një profesor i spikatur i Universitetit të Kembrixhit duke cituar se: ‘është e dukshme se nuk kishte përmirësim në prirjen bazë afatgjatë të prodhimit të punës 12 vitet e kaluar’.[4] Edhe dobitë pretenduese nga privatizimet për efiçencën ekonomike të ndërmarrjeve duket të jenë të njëjta.

Sipas neoliberalëve, privatizimet çojnë në përmirësim të efiçencës së ndërmarrjeve me rezultate qoftë në rritjen e përgjithshme të prodhimit të punës, qoftë edhe në përmirësimin e shërbimeve ofruese për konsumatorët. Privatizimet pretendohet se përmirësojnë qoftë efiçencën prodhuese (në kuptimin e minimizimit të kostos prodhuese), qoftë edhe efiçencën e shpërndarjes së të mirave materiale (në kuptimin e ndryshimit të çmimeve që reflektojnë koston e prodhimit). Por sikurse vrojtojnë dy specialistë (ortodoksë) se ‘nuk ka asnjë dominim vendor të privatëve përkundrejt ndërmarrjeve publike sa i përket efiçencës së tyre: ekzistojnë ndërmarrje publike efiçente dhe jo, siç edhe ekzistojnë ndërmarrje private... nuk është vetë prona, por ndërveprimi i pronës dhe konkurrencës që prodhon rezultatin. Sidoqoftë, sipas të njëjtit studim, rezultati i përgjithshëm është se nuk ekziston asnjë tregues se privatizimi në vetvete përmirëson efiçencën e ndërmarrjeve dhe shërbimet që rezultojnë nga ai. E drejta e privatizimit nuk mbështetet te joshja ekonomike e tij [...] është një ndryshim rrënjësor në strukturën institucionale [...] (që i jep të drejtë) lidhja e fortë midis pronës private, tregut dhe lirisë. Me fjalë të tjera, neoliberalët, duke shfrytëzuar gjendjen që krijoi ndërthurja e krizës së politikës fiskale nga zgjerimi i shtetit dekadën e mëparshme, të moskënaqjes së popullit për shërbimet që ofronin ndërmarrjet shtetërore, krizës së social-demokracisë dhe, së fundmi, të shkatërrimit të socializmit marksist (që ishte e dukshme që në atë kohë), gjetën rastin historik që të zhvendosin dinamikën qendrore të shoqërisë dhe ekonomisë drejt sektorit privat, i cili rrezikonte të binte në venitje. Në kundërshti me mitologjinë neoliberale, arsyet bazë që i dhanë të drejtë politikës së privatizimit janë politike dhe jo ekonomike. Njëlloj janë adoptimet e zgjedhjeve politike (modelet ekzistojnë) të organizimeve të reja të njësive prodhuese, përtej pseudo-kapitalizmit neoliberal dhe statizmit.[5]

Në kuadrin e ri institucional të globalizmit neoliberal pasuritë publike privatizohen edhe sepse besohet nga elitat politike dhe akademike (dhe ekonomike) se konkurrenca nuk çon vetëm në efiçencë por edhe në uljen çmimit të mallrave: sepse ulet kostua e prodhimit (kryesisht si pasojë e shfrytëzimit të rrogave mjerane të puntorëve dhe braktisjes së efekteve ekologjike). Nafta, për shembull, duhet të tregëtohet në tregun ndërkombëtar nga ndërmarrjet private. Për të ulur koston e ndërmarrjeve naftënxjerrëse (eksportin e naftës për ta rafineruar jashtë vendit) qeveritë ulin tarifat doganore. Për të rritur të ardhurat e qeverisë, ngrenë akcizën. Kjo është arsyeja pse çmimi i naftës shqiptare reflekton luhatjet e çmimit të naftës në nivel ndërkombëtar: sepse është shkatërruar njëra nga hallkat (rafineria) e zinxhirit të prodhimit të naftës që u krijua shekullin e kaluar dhe sepse ndërmarrjet naftënxjerrëse janë ndërkombëtarizuar. Kjo është qasja ortodokse (mbizotëruese) e kohëve tona. Rasti i Shqipërisë, në këtë drejtim, është dëftues: ndërmarrjet private kanë rrënuar jo vetëm strukturat ekonomike të shekullit të kaluar dhe puntorët por dhe burimet ekonomike. Nga ana tjetër, dija që u zhvillua shekullin e kaluar në këta sektorë nuk përdoret nga qeveritë: kryesisht sepse duke angazhuar ndërmarrje të huaja, të krijuara nga vetë ata —offshore— ata mund të pasurohen pa u diktuar nga specialistët – sepse prokurorët i kanë patur nën kontroll dhe nga hetimet e mundshme s’kanë patur frikë. Përfshirja e specialistëve tanë do t’i ekspozonte – megjithëse mund t’i blinin dhe ata siç kanë blerë shumë prejt tyre dhe t’u mbyllnin gojën. Janë, në fjalë të tjera, këto dy shkaqe —qasja mbizotëruese (kjo buron nga kuadri i ri institucional që është krijuar dekadat e fundit) dhe korruptimi i qeverive “Berisha-Rama”— që krijojnë kushtet për masakrim të mëtejshëm të ekonomisë.

Pse establishmenti politik mashtroi –edhe një herë- dhe pse naftëtarët (dhe jo vetëm) do të mashtrohen sërish, me sektorin e energjitikës?

Qartësisht, sektori i energjitikës është shkatërruar si gjithë sektorët e ekonomisë sonë, së pari, për shkak të klasës politike dhe së dyti, për shkak të popullit që e riprodhon atë. Së pari, nga klasa politike sepse supozohet se ajo ka dijen sistemike për të administruar shtetin modern të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut. Por supozimi me parakushtet që kërkohen për të administruar shtetin me virtytin etikë dhe intelektual ndryshojnë si nata me ditën. Nuk është e vështirë të kuptoshë se anëtarët e klasës politike nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të mjaftueshëm për të administruar shtetin, duke gjykuar jo vetëm nga ç‘ka kemi dëshmuar kaq vite ­­—tërësinë e politikave dhe qendrimeve të tyre– por dhe nga programet dhe studimet, të cilët janë parakushte të domosdoshëm për të treguar —në nivel teorik– se partitë në pushtet kanë zhvilluar dijen sitemike. Së pari, programet e tyre janë rezultat “plagjiature”: sepse parimet kryesore të tyre burojnë nga simotrat perëndimore. Së dyti, programet nuk përputhen me gjendjen aktuale të vendit. Gjykuar nga veprimet dhe mosveprimet në sektorin e hidrocentraleve dhe naftës, nga mendësia e qeverive tona —se privatizimet dhe konçesionet janë zgjidhja e vetme e zhvillimit ekonomik— dhe nga varësia e madhe kundrejt institucioneve ndërkombëtare që kanë krijuar dekadat e fundit, qoftë në nivel teorik (studimor) qoftë në nivel ekonomik (investitor), nga pakuptimësia e realitetit të popullit por dhe nga veprimtaria e lëvizjeve politike në raport me punëtorët e sektorëve përkatës, të cilët nuk shqyrtojnë asnjë studim me ta, për të kuptuar ndryshimet sistemike mes socializmit marksist kur ndërmarrjet tona të energjitikës (dhe jo vetëm) administroheshin nga qeveritë dhe institucionet përkatëse (universitete etj.) mund të nxjerrim përfundime se sektorët bazë të ekonomisë sonë (energjitika, bujqësia etj.) do të vazhdojnë të masakrohen bashkë me popullin dhe ekosistemin.

Pyetjes se cili administrim është më i mirë —publik apo privat— mund t’i përgjigjemi nëse kundrojmë se nga buron efiçenca dhe pse dëmtohet: dimë se ajo buron nga dija teorike dhe empirike dhe shkatërrohet nga pushteti politik sidomos nga pushteti i partive të tipit Berisha-Rama.

Dimë, gjithashtu, se në socializmin marksist kuadrot që drejtonin ndërmarrjet zhvillonin njëherësh: teorinë dhe praktikën. Ndërsa në tregun e marketingut drejtuesit zhvillojnë “dijen” kryesisht “duke parë e duke bërë”: sepse pak janë ata që marrin mësime teorike dhe i bashkërendojnë ato me praktikën. Por dimë, për më shumë, se ndërmarrjet socialiste operojnë nën diktatin e partisë në pushtet. Ndërsa ndërmarrjet në kapitalizëm janë të “lira” nga partia (qeveria) në pushtet. Si të tilla, ndërmarrjet socialiste dhe kapitaliste lidhen dy herë me partinë (qeverinë) në pushtet: një herë kur marrin udhëzime të përgjithshme nga partia dhe një herë kur raportojnë realizimet dhe dorëzojnë tepëricat; ndërsa ndërmarrjet kapitaliste një herë përmes taksave dhe një herë përmes ligjeve. Por pushteti ekonomik dhe social që zotërojnë kuadrot në socializmin marksist është më i madh se pushteti që zotërojnë drejtuesit e ndërmarrjeve kapitaliste: sepse ndërmarrjet socialiste punësojnë mijëra njerëz. Në globalizmin neoliberal, ky lloj pushteti është tejet më i madh në ndërmarrjet kapitaliste: sepse ndërmarrjet janë korporata dhe operojnë në shumë kombe. Në të dy rastet kërkohet virtyti i drejtësisë për miradministrimin e ndërmarrjes: jo vetëm në raport me prodhimim por dhe në raport me njerëzit që administrohen. Fakti që kuadrot e socializmit integrohen në sistem duke zhvilluar paralelisht teorinë dhe praktikën ndërsa shumica e drejtuesve të ndërmarrjeve kapitaliste integrohen pa dije teorike dhe shpesh edhe pa përvojë, në raport me mallin që tregëtojnë, kur paralel me ta operojnë ndërmarrje që kane fituar përvojë, është e qartë se ndërmarrjet kapitaliste çalojnë disa herë në administrimin e tyre: një herë kur drejtuesit nuk kanë dije teorike; një herë kur nuk kanë as përvojë dhe një herë kur nuk kanë zhvilluar as virtytin e drejtësisë në raport me njerëzit që administrojnë. Këtë të fundit —nevojën e virtytit të drejtësisë në raport me njerëzit— nuk e zhvillojnë as kuadrot e ndërmarrjeve socialiste: sepse Marksi nuk i ndihmon në këtë drejtim. Më shumë për këtë çështje shqyrtoj në kapitullin: Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik           

 


[1]Ekpertët: mos privatizoni Albpetrol, shtetëzoni ARMO-n, Monitor, 02/03/2018.

[2]Strategji për nxjerrjen e naftës nga kriza, Fatmir Shehu, Kadri Rama, Dita, 27 dhjetor, 2017.

[3]Nationalising utilities is the wrong answer to a real question, MARTIN WOLF, FT, JANUARY 11, 2018.

[4]ΤΑ ΟIΚΟΝΟΜIΚΑ ΑΠΟΤΕΛΕΣΜΑΤΑ ΤΟΥ ΝΕΟΦIΛΕΛΕΥΘΕΡIΣΜΟΥ ΚΑI ΟI ΜΥΘΟI ΤΩΝ IΔIΩΤIΚΟΠΟIΗΣΕΩΝ, ΚΕΦΑΛΑIΟ 4:Η ΝΕΟΦΙΛΕΛΕΥΘΕΡΗ ΣΥΝΑΙΝΕΣΗ ΚΑΙ Η ΚΡΙΣΗ ΤΗΣ ΟΙΚΟΝΟΜΙΑΣ ΑΝΑΠΤΥΞΗΣ (1993) ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ.

[5]Η ΕΛΛΑΔΑ ΩΣ ΠΡΟΤΕΚΤΟΡΑΤΟ ΤΗΣ ΥΠΕΡΕΘΝΙΚΗΣ ΕΛΙΤ, T. Fotopoulos, f, 226.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA