Nga kriza politike në krizë shoqërore: depresioni, ndarjet, droga, vetmia...gjymtojnë shoqëritë*
Gjykuar nga fakti që shoqëritë moderne nuk ndërgjegjësojnë objektivat social-ekonomike të shoqërive përmes përfshirjes në vendim-marrje (në ushtrimin e pushtetit sesa në delegimin e tij) dhe popujt nuk kontrollojnë asnjë proces demokratik, përveç përfshirjes së tyre në votime një herë në katër apo më shumë vjet dhe në debate rrugësh, dhe nuk zhvillojnë mjaftueshëm asnjë virtyt etikë dhe intelektual, kriza politike dhe ekonomike ka çuar në një krizë të thellë sociale: depresioni, ndarjet, droga, vrasjet e të tjera si këto janë bërë pjesë e shoqërive moderne.
Ylli Përmeti
11/03/2018 - 15:13
Gjykuar nga fakti që shoqëritë moderne nuk ndërgjegjësojnë objektivat social-ekonomike të shoqërive përmes përfshirjes në vendim-marrje (në ushtrimin e pushtetit sesa në delegimin e tij) dhe popujt nuk kontrollojnë asnjë proces demokratik, përveç përfshirjes së tyre në votime një herë në katër apo më shumë vjet dhe në debate rrugësh, dhe nuk zhvillojnë mjaftueshëm asnjë virtyt etikë dhe intelektual, kriza politike dhe ekonomike ka çuar në një krizë të thellë sociale: depresioni, ndarjet, droga, vrasjet e të tjera si këto janë bërë pjesë e shoqërive moderne.
‘Ekonomia e rritjes’ ka krijuar tashmë një ‘shoqëri rritëse’ karakteristikat kryesore të së cilës janë konsumerizmi, privacia, tëhuajësimi dhe desintegrimi vijues i lidhjeve sociale. Shoqëria rritëse, me radhë, në mënyrë të pamëshirshme, çon drejt një ‘jo-shoqëri’, d.m.th zëvendësimi i familjeve atomike dhe individëve për shoqërinë - një hap vendimtar drejt barbarizmit.[1] Kriza sociale, me radhë, shkakton krizë te fëmijët.
Sipas një studimi,[2] numri i fëmijëve që vetë-dëmtohen (për shkak se vuajnë nga çrregullime ushqyese, nga depresioni dhe çrrekullime të tjera psikologjike) ka arritur një numër rekord krahasuar me një dekadë më parë. Përqindjet e depresionit dhe ankthit mes adoleshentëve janë rritur me 70 për qind 25 vitet e fundit.[3] Në Britaninë e Madhe, Kanada dhe Francë, adoleshentët mësojnë njëri-tjetrin se si të vetëvriten ose se si të eksitohen përmes çarjeve të fytit ose mbytjes së njëri-tjetrit. Edhe në këtë rast “ekspertët” e establishmentit nuk i kuptojnë dhe mjaftohen me qasjen e përgjithshme të “faktorëve të shumtë”![4]
Por dy janë shkaqet kryesore se pse adoleshentët vetë-vriten: së pari, gjëndja e përgjithshme shëndetësore mendore e shoqërive është përtokë dhe së dyti fëmijët bombardohen me filma monstruozë në kohën kur mungon jeta virtuoze (edukimi etj.). Lidhur me këtë dukuri, një studim i Universitetit tëCambridge-it konkludon se ‘një pakicë keqbërësish ka shkaktuar mesatarisht 86 krime pa arritur ende moshën 16 vjeç, me më pak se 4 për qind përgjegjës për thuajse të gjithë gjysmën e krimeve të adoleshentëve’.[5] Krimet kanë ndodhur kryesisht në qytetet e mëdhenj — ku ‘individualizmi’, ‘konkurrenca’ dhe ‘ndotja’ është më e madhe, ku getot dhe keqedukimi mbizotëron. Pa u çuditur, në vetë-vrasjen e fëmijëve kontribuon dhe teknologjia e madhe:Pinterest, Instagrami etj.
Këto media sociale nuk kanë kufizime lidhur me imazhet plotë dhimbje që publikojnë. Për pasojë, në Britani autoritetet janë alarmuar dhe kërkojnë nga korporatat e teknologjisë të filtrojnë si regjistrimin e fëmijëve ashtu dhe imazhet.[6] Me rrezikshmëri më të madhe paraqiten përdorimet (aplikacionet) elektronike që mundësojnë lidhjet mes njerëzve. Përgatitja e fëmijëve në internet nga pedofilët (“grooming”) dhe shfrytëzimi seksual është jashtë kontrollit në rrjete si “Tinder” dhe “Grindr”: sepse ata mundësojnë qasje pa pengesa për fëmijët.
Në një rast një djalë 13 vjeç i regjistruar në “Grindr” u përdhunua nga të paktën 21 meshkuj! Raportet zyrtare tregojnë 60 raste të tjerë me përdhunime fëmijësh të cilët janë mundësuar përmes internetit ndërsa fëmija më i ri që është përdhunuar ka qenë tetë vjeç! Për pasojë, qeveria britanike kërkon të “disiplinojë” faqet pornografike me verifikime me qëllim që të ndalojnë fëmijët poshtë moshës 18 vjeç në përdorimin e këtyre faqeve.[7]
Por është e qartë se fëmijët ndikohen së pari nga shoqëria, pjesë e së cilës është dhe familja dhe edukimi; së dyti, nga televizori; dhe së treti nga media sociale. Gjykuar nga akuzat e prindërve të viktimave —ata akuzojnë vetëm korporatat e teknologjisë si shkak i viktimizimit të fëmijëve të tyre!— dhe pamundësia e kontrollit të fëmijëve nga korporatat, mijëra fëmijë do të jenë viktima të kësaj gjendje.
Poshtërimi (bullizmi) i fëmijëve: nga buron dhe pse “ekspertët” tregojnë kodra pas bregut?
Sociologët dhe psikologët e establishmentit paraqiten padije edhe lidhur me poshtërimin e fëmijëve. Rasti i adoleshentit që vrau bashkënxënësit e tij në Teksas të Amerikës, mes shumë rasteve të tjerë, është një rast që tregoi shkallën e padijes. Sipas “eksprtëve”, arsyeja se pse i vrau ata ishte poshtërimi (“bulling” e quajnë psikologët dhe sociologët e anëve tona, duke ndjekur verbërisht kolegët e tyre dhe duke mos u përpjekur t’i japin kuptim në shqip dhe duke treguar pakuptimësi dhe përtaci qoftë edhe te fjalët!).
Por ai është fëmijë dhe hamendësohet se nuk i kupton shkaqet e vërtetë se pse i vrau dhe për të njëjtën arsye, “ekspertët” e establishmentit nuk duhet të mjaftoheshin me pohimin e tij dhe të na tregonin, edhe një herë, pohimin e adoleshentit si shkakun përfundimtar duke i shpallur luftë poshtërimit bashkë më mësuesit e shkollave ndërsa gazetarët e oligarkisë, të zhytur në padije, përsërisin si papagall “ekspertët”. Të njëjtën qasje kanë përqafuar dhe në Rusi: atje “ekspertët” shohin si shkak të sulmeve ndaj qytetarëve pikërisht poshtërimin. Si pasojë, shteti ka marrë masa për ta parandaluar. Një nga masat është matja e “treguesit shoqëror në shkolla” dhe kanë krijuar një aplikacion të posaçëm për të raportuar rastet ndërsa njerëzit me dije të posaçme (specialistët) po mësojnë si të punojnë me ndikim të frytshëm.
Kështu, së pari, që të poshtërojnë fëmijët njëri-tjetrin tregojnë se janë keqedukuar: sepse supozohet se fëmijët do të zhvillojnë dashurinë për njëri-tjetrin dhe jo poshtërimin. Së dyti, nga kush kanë mësuar fëmijët të poshtërojnë? Nuk kërkon shumë mend: nga shoqëria dhe veçanërisht nga politikanët profesionistë të cilët janë në një përpjekje të përhershme për të poshtëruar palën kundërshtare. Pse? Sepse duan të zotërojnë pushtetin e institucioneve që ka krijuar shoqëria (në fakt, vetë elitat, ndërsa shoqëria thjesht i ndjek). Për të poshtëruar palën kundërshtare ata përdorin shpifjet dhe mashtrimet dhe jo drejtësinë (parimet juridike etj.). Fëmijët mësojnë të poshtërojnë dhe nga prindërit kur shumë prej tyre poshtërojnë njëri-tjetrin në familje shkaqet të cilëve po i lë mënjanë këtu. Mësojnë dhe nga ndërveprimet sociale kur shumë përpiqen të poshtërojnë tjetrin shkaqet e të cilëve po i lë gjithashtu mënjanë këtu. Së treti, fëmija që nuk e pranon poshtërimin tregon se ka zhvilluar disa vlera —me një fjalë, dinjitetin, dhe nuk pranon ta poshtërojnë.
Në pamundësi për t’i rezistuar poshtërimit dhe nga urrejtja që zhvillon për njerëzit që e poshtërojnë dhe për shkak se zhvillimi intelektual është i pjesshëm në këtë moshë (zhvillimi intelektual mbetet i pjesshëm në të vërtetë, për të gjithë, për shkak të kuadrit institucional dhe njerëzve që e drejtojnë atë), sepse është mendja që kontrollon urrejtjen dhe pasionet e tjerë të njeriut...përfundon në hakmarrje duke përdorur armët e zjarrit. Në rastin konkret, adoleshenti kishte përdorur armën e babait. Nëse nuk do të kishte përdorur armën e babait me siguri do të gjente një armë tjetër.
Kështu në vend të kuptonin shkaqet e vërtetë “ekspertët” e establishmentit, na thanë se fajin e ka poshtërimi (bullizmi!); ca të tjerë se fajin e ka babai që mban armë në shtëpi dhe ca të tjerë se fajin e kishte një gocë që e refuzonte në kërkesat e tij! Se si parandalohet poshtërimi i fëmijëve, rrjedhimisht, dhe pasojat që ai shkakton, është e qartë: duke zhvilluar dashurinë dhe vetë-përmbajtjen. Por si mund të zhvillojmë dashurinë dhe vetë-përmbajtjen te fëmijët kur gjithë shoqëria është në konkurrencë për të përqendruar pushtet dhe konkurrenca vetëm dashuri dhe vetë-përmbajtje nuk zhvillon?
Qoftë edhe zhvillimi i dashurisë për njëri-tjetrin nuk mjafton për edukimin e fëmijëve: sepse dashuria për përpjekjet e njerëzve që kanë kontribuar për përparimin e vendit, për jetën dhe dijen, nevojitet të zhvillohet paralelisht. Por që të zhvillohen këto lloj dashurishë dhe dashuria për virtytet, të cilët supozohet se përmbajnë veprimet tona, nevojitet të ndryshojë dinamika e shoqërisë dhe të kontrollohen armët: sepse kur njerëzit nuk mirë-edukohen dhe nuk vetë-përmbahen në ndërveprimet sociale dhe kur armët janë kudo, ata bëhen tejet të rrëzikshëm për shoqërinë dhe jetën që na rrethon.
Shkatërrimi i familjes, virtyteve dhe shoqërizimit të njeriut, ka rritur numrin e pedofilëve. Tashmë ata shfrytëzojnë rrjetet sociale përmes të cilëve mashtrojnë fëmijët. Shkatërrimi i familjes ka çuar shumë nëna të kryejnë vrasje. Për shembull, në Britani ‘15 vitet e fundit, numri i Nënave në burgje është më shumë se dyfishuar. Si pasojë, 17, 240 fëmijë jetojnë larg Nënave’.[8] Papunësia dhe mungesa e virtyteteve krijon kushtet për krime: Anglia dhe Uellsi, për shembull, kanë përqindjen më të lartë të përdhunimeve, vjedhjeve dhe bastisjeve, midis shteteve të zhvilluara.[9] Masmedia ka parafabrikuar burimin e “lumturisë” për shumicën e popullatës: tashmë ajo buron nga parája![10]
Ndërsa vetmia ka marrë përmasa dramatike: në Britani, për shembull, rreth 2.5 milion njerëz ndiehen vetëm dhe më shumë se gjysma janë 75 vjeç ose më të moshuar.[11] Miliona nuk kanë asnjë shok të vetëm dhe një në pesë vetë ndiehet i padashuruar.[12] Më shumë se gjysma e popullatës së Britanisë është vetëm.[13] Vetmia kuptohet jo si mbetje ‘vetëm’ - pa njerëz. Por si ndjesi vetmie – ose shkëptuje nga bota e jashtme pavarësisht se ajo mund të gjendet rreth njeriut. Është ndjesia se asnjëri nuk të kupton dhe s’ke asnjë lidhje kuptimplotë me botën e jashtme.[14] Kjo lloj vetmie është si ndjesia e izolimit në mes të njerëzve. Nga një perspektivë historike, mes të moshuarve, vetmia ka mbetur thuajse në të njëjtën përqindje 70 vitet e fundit, me 6-13% të pohojnë se ndihen vetëm. Por psikologët, edhe në këtë rast, nuk japin dot përgjigje për shkaqet pse vetmia po rritet!
Nuk e kuptojnë lidhjen e ngushtë që ka sistemi dhe dinamika dominante e tij me ndjesinë e vetmisë. As kuptojnë faktin se pakuptimësia (e cila shkakton ndjesinë e vetmisë) mes njerëzish buron nga keqedukimi: në kuptimin se njerëzit nuk u qasen dukurive nga një qasje shkencore. Domethënë, shkakiste: se nga buron një dukuri.
Shkurt, është papërputhshmëria në virtyte që shkakton ndjesinë e vetmisë mes njerëzisht. Paralel me ‘vetminë’ është ngritur një industri “krushqish” e parregulluar me ligj që vlerësohet në miliona stërlina: sepse anëtarët e elitave përkatëse, në pamundësi për të gjetur njeriun e ‘duhur’, paguajnë mijëra stërlina tek agjentët e njohjeve. Kryeqyteti i të padashuruarve është Amerika. Sipas një raporti[15] rreth 50.2 për qind e amerikanëve të rritur mbi moshën 16 vjeç — mesatarisht 124.6 milion njerëz — ishin beqarë deri në mes të vitit 2014-të. Për krahasim, në vitin 1976-të, në prag të shpërthimit të globalizmit neoliberal, Amerikanët beqarë përbënin 37.4 përqind. Numri i njerëzve që nuk janë martuar kurrë u rrit në 30.4 për qind nga 22.1 për qind që ishte më shumë se tre dekada më parë. Amerikanët e ndarë tashmë përbëjnë 19.8 për qind të popullatës, krahasuar me 15.3 për qind. Familja shqiptare gjendet në krizë të thellë gjithashtu: ndarjet janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2007: nga 14.8 për qind në 31.2 për qind në vitin 2016-të![16]
Orët e gjata në punë janë një tjetër burim krize...pavarësisht zhvillimit ekonomik dhe tekno-industrial në Britani dhe Amerikë shekullin e kaluar —një zhvillim që sipas ekonomistëve të fund-shekullit 19-të dhe fillim shekullit të 20-të (nga Marksi deri tek Aleksei Gastev),[17] do të zvogëlonte orët e punës së punëtorëve dhe do të siguronte kohë të lirë për t’u shlodhur, zhvilluar intelektin dhe për t’u kënaqur më shumë— Perëndimi ka krijuar kushtet e kundërt: për shembull, Britania, sa i përket orëve të punës brenda një jave, gjendet në vendin e dytë pas SHBA-së’.[18] Dhe kur rriten orët në punë - kriza zemre dhe shumë sëmundje të tjera shkaktohen![19]
Amerika njihet si një “komb pa pushime”. Punëtorët me orar të plotë vendosin thuajse 30 për qind më shumë orë përgjatë një viti se sa Gjermanët, kryesisht sepse ata kanë vetëm gjysmën e javëve të paguara.[20] Vetëm Hollanda ka krijuar kushtet ku rreth 46.1 për qind e forcës punëtore punon me kohë të pjesshme. Si rezultat ata renditen në njerëzit më të lumtur në botë.[21] Mënyra e jetesës ka çuar në një problem tjetër: në dëmtimin e trurit. Sipas një studimi, kur njerëzit lexojnë “online” përmes aparateve elektronikë (celular, kompjuter etj.) — informacioni që lexohet me të vërtetë skanohet nga truri i njeriut por truri nuk procedon aq sa do të procedonte në praktikë![22] Orët e gjata në punë kanë çuar në braktisjen e shtëpive: tashmë ne jetojmë në to mesatarisht katër vjet më pak sesa në të kaluarën.[23]
Përdorimi i drogës veçanërisht nga të rinjtë është një tjetër pasojë i dhimbshme e sistemit aktual. Në Amerikë epidemia e drogës shkakton më shumë se 50,000 vdekje në vit (2015). Shumica nga opioidet dhe tejdoza.[24] Vetë-vrasjet dhe tejdoza çoi Amerikën vitin e kaluar (2017) të shënojë një numër rekord historik: në tërësi atje pati 2,8 milion vdekje ose thuajse 70,000 vetë më shumë se vitin e kaluar. Ky është numri më i madh që kur qeveria amerikane filloi të numëronte vdekjet më shumë se një shekull më parë. Ndërsa përparimet mjekësore bëjnë të mundur mjekimin e sëmundjeve, vetëm pacientët e pasur në Amerikë mund të përballojë ilaçet. Kështu përqindjet e infeksioneve janë tani më të larta në zonat e varfëra të jugut se sa në komunitetet e pasura të bregoqeanit. Sfida për t’u përballur me SIDA-n lidhet më shumë me varfërinë dhe qasjen në kujdesin shëndetësor se sa me luftrat kulturore (gej vs jogej). Vitet e fundit, epidemia e drogës është fshehur nga turpi. Dhe si SIDA atje ka qenë një përgjigje mjerisht e ngadaltë publike pavarësisht se rreth 64,000 njerëz mendohet se vdesin nga tejdoza e drogës në Amerikë (pak më shumë se vdekjet nga SIDA në kulmin e saj në mes të vitit 1990).[25]
Shqipëria ka rritur numrin e përdoruesve të drogës në më shumë se 40 mijë vetë (ndërsa në vitin 1995 flisnim për qindra raste, në vitin 2011-të u shtuan rreth 2.148 raste të reja).[26] Shqipëria ka përhapjen më të madhe në botë në përdorimin e kokainës. Pas saj qendron Amerika. Lidhur me këtë gjendje, ish-Ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Petrit Vasili propagandonte masat e homologëve të tij — domethënë, duke reduktuar sasinë e drogave që hyjnë në tregun e brendshëm dhe duke ndaluar kultivimin e saj në vend! Masën e fundit filloi ta konkretizonte qeveria “Rama”. Edhe në këtë rast, në vend të kuptonte shkaqet dhe t’i luftonte ata, tashmë ajo lufton kultivuesit (pasojat) - me policë e shërbime të tjera, si macja – miun.
Nuk mungojnë naivët që mbështesin lirinë e shitjes së marihuanës. Ndoshta gjykojnë nga Hollanda dhe Urugai: ky i fundit, në një përpjekje bombastike shtetëzoi industrinë e drogave – me qëllim që të eliminonte bandat gjithashtu dhe zvogëlimin e numrit të përdoruesve. Në Britani, një në dy persona përdorin drogra të ndryshme dhe vendet e tjera nuk shkojnë më mirë.[27] Vetëm fitimet nga krimi i organizuar ose nga grupet që kontrollojnë drogën (politikanët profesionistë, bankat tregëtare dhe korporatat), për 270 milionë njerëz, përllogaritet të jetë më shumë se $330 bilionë në vit.[28] Britania është gjithashtu kryeqyteti i Europës me numrin më të lartë të narkomanëve.[29]
Sidoqoftë, me rëndësi është të theksohet se narkomania është një fenomen i ri: ajo ka shpërthyer kryesisht katër dakadat e fundit. Në njërën anë, kemi rritjen e kërkesës në Veriun e “zhvilluar”, kryesisht për 2/3 e shoqërisë: kjo klasë shoqërore vuan nga papunësia dhe pasiguria në shkallë më të lartë se 1/3 e shoqërisë.[30]
Në anën tjetër, kemi Jugun, i cili është lënë në dinamikën e tregut dhe është ekspozuar paralelisht në kërkesën e Veriut. Se çfarë nënkupton kjo dinamikë është e qartë: se popujt e Jugut do të vazhdojnë të prodhojnë prodhime narkotike pavarësisht se elitat do të përpiqen gjoja ta pengojnë — sepse popujt e Veriut do të vazhdojnë të konsumojnë. Këtyre u shtohen edhe përdoruesit e popujve të Jugut — veçanërisht klasat e ulëta të shoqërisë. Dhe përsa kohë që kërkesa do të riprodhohet (në disa raste do të shtohet), për aq kohë industria e drogës do të jetë mes nesh dhe përsa kohë që papunësia dhe pasiguria që e shoqëron këtë proces do të jetë mes nesh për aq kohë përdoruesit e drogës dhe mbrojtësit politikë...do të jenë mes nesh. Ndryshe nga kjo qasje, qeveria “Rama” paraqiti një “strategji të re”: do të godasë qysh në fazat e hershme të mbjelljes së bimëve narkotike dhe do të kapë autorët duke bashkëpunuar më ngushtë me institucionet vendore, policore dhe inteligjencën (ose spiunët). Paralel më këtë objektiv ajo do të zbusë varfërinë në zonat e kultivimit të bimëve narkotike përmes projekteve të zhvillimit dhe kreditimeve për ngritjen e bizneseve të tjera agro-përpunuese!
Domethënë, do të financojë praktikat primitive të ndërmarrjeve bujqësore të kapitalizmit shqiptar kur dihet se sfidohen nga prodhimet e huaja. Goditja e prodhuesve me helikopterë ose mbikqyrje ajrore nga misioni italian i “Guardia di Finanza” —policia financiare e vendit— tregon pikërisht pamundësinë e qeverisë “Rama” për të përgatitur policë të ndershëm dhe të aftë për të goditur prodhuesit. Njësoj veproi edhe me mbrojtjen e kufijëve shtetërore: solli policët francezë.
Të gjitha këto, në kohën kur dihet se Shqipëria është “çerdhe” e kalimit të kokainës dhe heroinës dhe kur tregu i kontrabandës administrohet nga baronët lokalë të drogës që kanë lidhje me grupet kriminale të Amerikës Latine dhe Turqisë dhe, gëzojnë mbrojtje politike nga klasa jonë politike. Është e qartë se me këto masa, lidhje pushtetore dhe sisteme - aspirata e qeverisë “Rama 2” për të integruar vendin herët në vitin 2020-të në BE, ishte thjesht një tjetër haluçinacion e tij ashtu siç ishte “lufta” kundër prodhimit të drogës.
[1]Recent Theoretical Developments, IJID, Takis Fotopoulos.
[2]True scale of child mental health crisis uncovered, The Times, March 12 2015.
[3]Teenage mental-health crisis, The Independent, 27 February 2016.
[4]Teenagers risk death in internet strangling craze, The Independent,06, 01, 2010.Paedophiles blackmail thousands of UK teens into online sex acts, The Independent, 20 September 2013.
[5]The 16-year-olds who have committed 86 crimes each, The Independent,24 June 2012.
[6]Revealed: how Big Tech pushes teens like Molly Russell to suicide, The Times, January 27 2019.
[7]Revealed: the child victims of Tinder, Grindr and other dating apps, The Times, February 10 2029.
[8]Children in peril as women are jailed in record numbers, The Independent,17 September 2012.
[9]Crime rates in England and Wales 'worse than US',Press Association,3 August 2010.
[10]Happiness revisited: Does money make us happy after all?BBC, 28 January 2010.
[11]Lonely Britain: Tens of thousands of elderly men and women are left home and alone, The Independent, 29 June 2014.
[12]One in 10 do not have a close friend and even more feel unloved, survey finds, The Guardian, 12 August 2014.
[13]Single, dating and paying a very high price for ti, FT, March 11, 2016.
[14]Five myths about loneliness, BBC, 13 February 2018.
[15]Single Americans become majority for first time, RT,September 10, 2014.
[16]Lexo për shkaqet e ndarjeve, “Fëmija mes heteroseksualizmit dhe homoseksualizmit”.
[17]It's the 21st century – why are we working so much? The Guardian, 1 July 2012.
[18]Put down that tool, The Economist, Jan 8th 2004.
[19]We don't need this culture of overwork, Johann Hari, Britain now has the longest work hours in the developed world after the US, The Independent.Americans Work Too Much for Their Own Good: de Graaf and Batker,Bloomberg, Nov 4, 2011.
[20]The laziness dogma, Paul Krugman, N. Y. Times, July 13, 2015.
[21]How part-time work and exercise may explain why Holland is one of the happiest countries in the world, The Independent, 17/05/2015.
[22]The world in 2020: A glimpse into the future, The Independent.Shih, për më shumë, Nga keq-edukim në arsim demokratik.
[23]Po aty.
[24]The costs of the opioid epidemic, and the price of ending it, FT, 23 November, 2017.
[25]Elton John, the Oscars and why opioid crisis needs a celebrity, Gillian Tett, FT, 09 Feb, 2018.
[26]Gati strategjia, Vasili: Kemi 40 mije perdorues droge, Koha Jonë, 24 Qershor 2012.
[27]http://www.guardian.co.uk/society/datablog/video/2012/mar/15/drugs-use-animation-20-facts?INTCMP=ILCNETTXT3487 http://globaldrugsurvey.com/wp-content/uploads/GDSdmographic.pdf http://globaldrugsurvey.com/run-my-survey/2012-global-drug-survey
[28]The war on drugs has brought only casualties, The Guardian, 28 June 2012.
[29]UK is the 'addiction capital of Europe' report claims, The Independent, 01 September 2013.
[30]Lexo, për më shumë, Drugs: beyond Penalisation and Liberalisation, Takis Fotopoulos, Athens 1999.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 74 reads