...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse vazhdoj t’u flasë studentëve të mi për Lenin?

Piro Milkani (Dita)

02/04/2017 - 18:07

Përveç punës time si operator, bashkëskenarist a regjisor në shumë filma të prodhuar në këto 60 vitet e fundit, kam pasur dhe një hobi: T’u mësoj atyre që aspirojnë të bëhen kineastë edhe Historinë dhe Estetikën e filmit.

E quaj hobi, sepse asnjëherë nuk kam qenë i angazhuar plotësisht apo (full time)- si i thonë anglezët.

Nga viti 1957 punova si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, për të vazhduar me kursin 6 mujor me korrespondentët e rretheve për RTSH-në, e më pas me Magjinë e Artit të Shtatë në ciklin e TVSH që zgjati plot 13 javë dhe sot vazhdoj “t’u shes mend” studentëve të Akademisë ‘Marubi’.

Duke përsëritur për gjysmë shekulli të njëjtat gjëra asnjëherë nuk u mërzita. Se puna me të rinjtë të mban shpirtin e ri. Si në 57-ën ashtu dhe në 2017-ën asgjë nuk ka ndryshuar në konceptin e mësimdhënies. Dua të them se gjithmonë në ciklin e mësimeve u flas atyre si për Ajnzenshtajnin ashtu dhe për Leni Rifenshtalin.

***

Ainzejnshtajni, lavdi Zotit, na ka lënë jo vetëm filma te përsosur po dhe gjashte vëllime me mendimet estetike dhe filozofike për Artin e kinemasë qe kishte lindur vetëm dhjete vjet para ardhjes fatlume te tij ne këtë botë. Nga librat e tij nuk u përgatitën vetëm ata që studiuan në Institutin e parë të kinematografisë në botë, në VGIK-un e Moskës në 1925.

Të gjitha shkollat e filmit që linden më pas morën për bazë mësimet teorike të Ajnzenshtajnit. Besoj se edhe Bergmani, Felini, Rene Cleri, Mikelanxhelo Antonioni po edhe Spilbergu i madh kanë pirë ujë të kristaltë nga librat e tij.

Sa me fat kanë qenë Viktor Stratoberda, Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Todi Bozo, Marianthi Qemo, Grigor Ikonomi apo Shyqyri Sako që patën fatin ta pinin atë ujë direkt nga burimi i Ajnzenshtajnit. Po edhe Kristaq Dhamo në Hungari, Gëzim Erebara, Hysen Hakani, Saim Kokona e Piro Milkani në Çeki, Apo Kujtim Çashku, Spartak Pecani e Vladimir Kasa në Rumani po të njëjtin ushqim morën.

Ndaj nuk ndjej ndroje e as dyshim kur guxoj t’i pyes spektatorët sinefile italiane në Casa del Cinema në zemër të Romës, që pasi kanë parë nja 5-6 filma shqiptarë, thonë:

– Hë! Si mendoni, a është kinemaja shqiptare një kinema provinciale apo është pjesë e Ballkanit dhe Europës?…

Përgjigja që unë pres vjen dhe me duartrokitje.

Filmi bardh e zi dhe pa zë në atë vit të largët të 1925-ës tronditi universin kinematografik. Sekuencat e tij janë studiuar e vazhdojnë të studiohen kuadër pas kuadri e vit pas viti në mijëra shkolla kinemaje kudo në botë. Ne që merremi një jetë me këtë profesion e dimë se vetëm në Amerikë çdo vit studiojnë për kinema mbi 300 000 djem e vajza e ata padyshim që i dine këto që po iu them unë.

Filmi ‘Koracata Potjemkin” i kapërceu pa vështirësi kufijtë e Bashkimit Sovjetik dhe u shfaq në gjithë botën. Ky prodhim i mrekullueshëm kinematografik nuk mungoi as në sallat e Gjermanisë ku kish filluar të ulej këmbëkryq nazizmi.

Duket se nuk mungoi ta shikonte këtë film edhe ideologu i nazizmit Gebelsi. Që ishte kriminel në shpirt ajo u kuptua që në fillim, por ishte dhe tepër i zgjuar. Çalamani Gebels pëlqente ta tradhtonte herë pas here gruan e tij, nënë e pesë fëmijëve, me aktoret me te bukura te filmit. Po përveç grave ai dashuronte dhe filmin. Ndaj e pa Potjemkinin. Dihet botërisht se ç’tha sapo doli nga kinemaja: “Më mirë të kishin ardhur në Gjermani dhjetë regjimente të Ushtrisë së Kuqe se sa ky film…”

U tërbua. Po nuk dha urdhër të ndalohej. Jo se nuk donte, por nuk mundej. Atëherë u bind më shumë se kurrë për fuqinë e madhe të filmit.

Në fushën e filmit gjerman, një grua e re, me emrin Leni Reinfenshtajn po dukej se kishte mjaft talent. Për më tepër i përkiste racës ariane dhe adhuronte Mein Kampf-in e Hitlerit. Në mos një regjisor filmi artistik të paktën një regjisore dokumentariste që i afrohej talentit të atij hebreut rus Einzejshtejn.

Gebelsi i krijoi kushte të jashtëzakonshme dhe Leni ia shpërbleu me filmat dokumentarë “Triumfi i Vullnetit” dhe “Lojërat Olimpike të Mynihut në 1936”. Në këtë të dytin, si profesioniste që ishte nuk e eliminoi atletin zezak amerikan Xhesi Ouens që theu dy rekorde Botërore dhe ngriti flamurin amerikan në zemër të Gjermanisë. Për hir të së vërtetës e fiksoi Ouensin nga këndmarrje tepër të veçanta. Naziste, naziste,  po filmin e bëri model se si duhet bërë një dokumentar i mirë.

Ndaj si në 57-ën ashtu edhe sot kam folur dhe u flas studentëve për Lenin. Natyrisht kur Hitleri i vuri zjarrin botës, kur vihej në dilemë e ardhmja e njerëzimit, jo Einzenshtejni po as Çaplini apo artistë të tjerë të filmit nuk mund të shfaqeshin në ekranet e kinemave, jo në Gjermani po kudo ku kishte shkelur çizmja e tyre.

Sot Bota është vërtet e trazuar e Ballkani nuk po kalon muajin e mjaltit po lavdi Zotit nuk kemi shkuar aq larg sa të lindi nevoja që të vendosim censurë. Jemi në shekullin e 21-të.

Për mua më mirë do ishte që t’i propozojmë Parlamentit që të forcoje ligjet që të ndalohet (censurohet) importi i mishit të kalbur nga Brazili, tregtimi i fruta zarzavateve të mbytura nga kimikatet e dëmshme etj., etj.

Shënim

Jo pa qëllim nuk e titullova këtë shkrim “Einzejnshtejni i Stalinit dhe Leni e Gebelsit”. Eizenshtejni kishte të përbashkët vendin ku jetonte me Stalinin, por krijoi artin e madh për mbarë njerëzimin. Nga “Koracata Potjemkin” tek “Aleksandër Njevski” e deri tek “Ivani i tmerrshëm”, serinë e dytë të të cilit Stalini ia censuroi, pra ia bllokoi. Ndërsa Leni ishte e Gebelsit dhe Hitlerit në bindje. Mirë me filmat,  po për bindjet dhe veprimet e saj me të drejtë i meritonte disa vite burg pas fitores mbi nazizmin…

*****   

Për Thanas Gjikën e ca të tjerë si ai

Kur mbarë bota shqiptare u përkul me nderim në Lamtumirën e fundit për të madhin Dritëro Agolli, ishe i vetmi që shpërndave përmes e-mailit tënd një letër të kontaminuar me sharje të pafundme për atë që Rexhep Qosja e quajti: I fundmi i Rilindasve shqiptarë.

Duke mos t’u përgjigjur mendova se do ta kuptoje se ke gabuar rëndë. Por Jo. Nuk vonoi shumë po erdhi e-maili i dytë. Këtë herë për filmin shqiptar e sidomos për vëllain tënd që bëri aq shumë për ty. Po akoma më keq se herën e parë. I kërkove kryeredaktorit të Ditës që ta botonte atë shkrim në gazetë. Tani e morën vesh të gjithë se kush je edhe ata që nuk e dinin që ke për vëlla të shtrenjtin Viktor Gjika. Je bërë i njohur. Mos shkruaj më. Fundja dhe Neroni i vuri zjarrin Romës që të mos harrohej. Nga ajo letër më shkoi mendja te shprehja e lashtë greke:

“Ean i zilja na itan psora, the ejemize oli i hora”, që në shqip do të thotë: Sikur zilia të ishte zgjebe, shumë njerëz do ishin të sëmurë.

Sado tituj të vesh para emrit tënd kurrë nuk do t’i afrohesh vëllait tënd. Ai nuk kishte kaq tituj sa ti, e të jesh regjisor filmi nuk mund të mbrosh doktoraturën për të shtuar diçka. Po shqiptarët e mençur e thërrisnin atë: Profesor Viktori.

Të them të drejtën me këto hynere që po bën më kujtove legjendën biblike të Kainit që vrau vëllain e tij Abelin.

Nuk po kthehem në vitin 1985 për të të shkruar se çfarë shkruanin në një gazetë franceze për filmin “Rrugë të bardha”. Po të bëj me dije se çfarë u shkrua para dy vjetësh në Paris. Po t’i shkruaj këto se e di se me pavarësisht nga këto që do të them, ti prapë se prapë nuk ndryshon…

Viktor Gjika në xhirimet e “Nëntori i Dytë”

Në kuadër të festave të organizuara me rastin e Festes Kombëtare, shoqata “Albania” organizon një mbrëmje kushtuar prodhimit të filmave në kohen e regjimit komunist të ilustruar fillimisht nga filmi “Nëntori i dytë”(Le Deuxieme Novembre).

Në shoqëri me Ana Grgic Profesore e Universitetit ST. Andrew- Shkolla e Filmit, specialiste e antropologjisë dhe filozofisë së filmit dhe moderatore Evelin Nuage.

“Nëntori i Dytë”

Ky produksion, me një pjesëmarrje aktorësh të jashtëzakonshëm konsiderohet si filmi më i shquar i filmave historikë shqiptarë. I prodhuar në vitin 1982 nga studioja filmike “Shqipëria e Re”, rrëfen vështirësitë dhe etapat e vendit në udhëtimin drejt independecës së Shqipërisë deri në ditën e 28 nëntorit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, në ditën e Lirisë.

Realizuesi i këtij filmi, Viktor Gjika ( 1937-2009)me origjinë nga jugu i Shqipërisë, studioi për kinema në Institutin në vitet ‘50 VGIK të Moskës. Ka përshkuar një rruge prolifike me dokumentarët e tij. Filmat e tij glorifikojnë rezistencën e Shqipërisë gjatë luftës së dytë botërore “I teti në bronx”(1970), “Yjet e netëve të gjata”( 1973), “Rrugë të bardha”( 1974), pa neglizhuar poetikën në gjestin heroik.

Sipas sinefileve, filmat e tij më të mirë, pavarësisht politikës izolacioniste të regjimit, kanë qenë objekt diskutimi në festivalet që janë shfaqur. “Komisari i dritës” (1966) është një homazh për themeluesin e shumë shkollave në një zonë malore, i vrarë për shkak se donte t’u mësonte abc-në djemve dhe vajzave të asaj zone të zhytur në terr. “Horizonte të hapura”, tregon sakrifikimin e kotë të një punëtori për të shpëtuar një vinç gjatë një furtune. “Njeriu me Top”(1977), me aktore Elida Cangonjin, sipas romanit të Dritëro Agollit është një film për luftën antifashiste të përshkruar nga një lirizëm i hollë.

Skërnderbeu, prodhim i 1953

Për ata që duan t’i censurojnë filmat:

LE MONDE DIPLOMATIQUE –  Nga 6 deri 18 mars 1985, në sallën e Qendrës  Georges-Pompidou, Cinemateka franceze prezanton një panorame të prodhimeve kinematografike shqiptare të këtyre viteve të fundit. Mars 1985 – Faqe 24 – 25

Shqipëria, një realizëm socialist dhe…kritik

Nga Ignacio Ramonel

Në fillim: një shkretëtirë audiovizuale. Shtatëmbëdhjetë salla kinemaje, ekzaktësisht, në të gjithë Shqipërinë në 29 nëntor 1944, në mbarim të luftës. Pa asnjë kineast. Asnjë infrastrukturë teknike. Kurrë publiku shqiptar nuk kish dëgjuar ndonjë aktor të fliste shqip në ekran.

Në këtë fushë, ashtu si dhe në të tjerat, autoritetet ndërmarrin, një vrull të madh, për të kapërcyer prapambetjen. Objektivi: Ta bëjnë vendin sa më parë autonom në prodhimin e imazhit. Të instalojnë teknikën kinematografike. Studentët nisën të formohen në shkollat e vendeve miq, kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Qysh në 1947 filmi i parë dokumentar. I pari dokumentar puro shqiptar. Kinostudio shqiptare u ndërtua në vitin 1952 në periferi  të Tiranës në 1952.

Dhe me ndihmën e BS në vitin 1954 i pari film artistik me metrazh të gjatë i xhiruar dhe realizuar nga Sergej Jutkevici, bashkëpuntor i vjetër i Einzejnshtejnit, i kthyer tashmë në specialist të afreskeve të mëdha historike gjatë epokës staliniane. Ky film, “Skënderbeu”, është i gjithi një simbol: ai tregon jetën e Heroit Kombëtar që në shekullin e pesëmbëdhjetë i rezistoi invazionit otoman.

Nga viti 1957 (kështu më tregon Viktor Gjika), Shqipëria filloi të prodhojë rregullisht filma artistikë. Në thelb ato i kumtonin publikut një mesazh të thjeshtë: Kënaqësinë e të qenit shqiptar. Ata tregonin kuptimin e vërtetë të pavarësisë: mundësinë e të jetuarit plotësisht në gjirin e kulturës së vet. Dhe, në këtë kuptim, ata dëshmojnë rilindjen e Shqipërisë që në shekuj kish qenë e përbuzur, e fyer dhe e okupuar.

Përtej këtij aspekti thelbësor, filmat e kësaj periudhe të parë trajtojnë, në shumicë, dy subjekte kryesore: Luftën Çlirimtare, që mbështetet për shembull, në formën e një epopeje të madhe dhe temave të jetës së përditshme. Fenomenet negative thumbohen edhe në zhanrin e kinokomedisë që pëlqehet nga publiku. Model i punës sonë ka qenë avangarda sovjetike dhe neorealizmi italian. Filmat e mirë na bëjnë të kënaqur, por jemi ende larg të përsosurës…    

 

Ballë për Ballë, prodhim i 1979

“FACE A FACE” (Ballë për ballë) – Një film nga Kujtim Çashku dhe Piro Milkani

Nga Ignacio Ramonet

Pas prishjes me Jugosllavinë e Titos, Shqipëria u bë aleate me BRSS-në e Stalinit. Dhe përgjatë një dhjetëvjeçari (1949-1960), qindra e mijëra teknicienë sovjetikë u instaluan në vend, për të formuar kuadro, ndërtuar kombinate, rafineri, duke rindërtuar qytetet e portet. Bashkimi Sovjetik pajisi gjithashtu ushtrinë shqiptare, ndërkohë që flota detare u instalua përfundimisht në Bazën e madhe detare në Vlorë.

Në nëntor 1960, me rastin e konferencës së partive komuniste në Moskë, Z. Enver Hoxha ekspozoi divergjencat ideologjike me bashkimin Sovjetik duke e akuzuar për revizionizëm. Në atë kohë u hap një periudhë e një tensioni ekstrem ndërmjet dy shteteve deri në thyerjen e madhe në 1961. Nikita Hrushovi urdhëroi kthimin e gjithë teknicienëve dhe ndërpreu ndihmën ekonomike.

Është kjo periodë krize, që i parapriu prishjes, që Ismail Kadareja e përshkruan në Dimrin e Madh, të cilën kineastët Kujtim Çashku dhe Piro Milkani e adoptuan në ekran, në 1979, episodin e Pasha Limanit (një emër antik turk për  Bazën e Vlorës).

Në këtë bazë, në fakt, marinarët sovjetikë dhe shqiptarë, që deri atëherë punonin pranë e pranë bri për bri, u ndodhen befas ballë për ballë, me armë në dorë. Në pritje të urdhrave që do vinin nga lart.

Filmi –  që në këtë këndvështrim është një dokument –  nënvizon idenë e dyshimit të dyfishtë te shqiptarët:  që sovjetikët nuk do ta lëshojnë këtë bazë në Adriatik ose do të tentojnë ta rrembejnë gjithë materialin luftarak (veçanërisht nëndetëset) duke i lënë duarthatë aleatet e tyre të vjetër. Dyshues në lojën, se ndërkohë ky incident mund t’i jepte shkas sovjetikëve të kalonin në ofensive nën pretekstin e mbrojtjes legjitime. Autorët insistojnë në provën e forcës të ngjeshur që zhvillohet ndërmjet dy komandantëve të Bazës, shqiptarit e sovjetikut.

Imagjinoni këtë film dramatik, eksploziv, joshës, ta shohësh të realizuar, nisur nga i njëjti skenar, ta kishte në dorë ndonjë kineast hollivudian – Xhon Frankenheimer apo Sidnei Lymet, për shembull. Përkundrazi. K. Çashku dhe P.Milkani preferojnë ta qetësojnë lojën dhe të mos i shtojnë asnjë lloj histerie një situate që në vetvete është tepër e tendosur. Qetësinë e tyre, ata ia transferojnë komandantit shqiptar, që konservon gjatë gjithë kohës një qëndrim gjakftohtë përballë gjestikulacionit, gati karikaturesk, të homologut të tij sovjetik.

Filmi dëshmon – ashtu si në roman – as urrejtje e as përbuzje ndaj rusëve. Në disa momente, ai bile të bën të mendosh për një lloj keqardhjeje. Në çastin kur prishja u bë, disa sovjetikë nuk e kuptojnë atë, as nuk e aprovojnë. Përgjegjësia e një prishjeje të tillë bie plotësisht, sipas autorëve, mbi udhëheqjen sovjetike.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA