Fermat e blektorisë po falimentojnë dhe tregojnë shkaqet
Fermat e mëdha blegtorale në vend kanë hyrë në një cikël të vështirë mbijetese, teksa falimentet janë shtuar, për shkak se prodhimet e tyre nuk janë konkurruese me tregun e zi dhe importet. Kostot e larta të bazës ushqimore, nga njëra anë, dhe informaliteti i lartë në treg, nga ana tjetër, i nxjerrin prodhimet e fermave me çmime 35% më të larta se importi. Nga 16 fermat e mëdha blegtorale aktualisht kanë mbetur vetëm 4. Numri i krerëve të gjedhit në vitin 2016 ishte 35% më i ulët se në vitin 2001. Në rënie janë edhe dhitë dhe delet. Blegtorët japin arsyet e krizës dhe propozimet për daljen nga situata
Blerina Hoxha (Monitor)
27/05/2018 - 15:14
Fermat blegtorale, që pas krizës së vitit 2008, u panë një zgjidhje e mirë për diversifikimin e investimeve për disa biznese që tradicionalisht ishin të lidhura me aktivitetin e ndërtimit dhe tregtisë, sot po rezultojnë një zhgënjim. Jo vetëm ato, por i gjithë sektori i organizuar në ferma blegtorale, ka hyrë në një cikël falimentimi për shkak të kostove të larta që ka krijuar mungesa e ekonomisë së shkallës, nga njëra anë, dhe informaliteti i lartë, nga ana tjetër. Operatorët pohojnë se nga 16 fermat e mëdha të gjedhit, vetëm 4 prej tyre janë me të njëjtët pronarë, teksa të tjerat janë shitur ose kanë falimentuar.
Edhe pse investimet në sektor janë shtuar, numri i bagëtive, sidomos për gjedhin, ka pësuar rënie krahasuar me një dekadë më parë. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT shihet se numri i krerëve të gjedhit më 2016 ka rënë me 30% në krahasim me vitin 2001; numri i dhive ka rënë me 8% dhe gjithashtu në rënie të lehtë është edhe numri i deleve.
Osman Haliti, blegtor në zonën e Fierit, një vit më parë mbylli fermën e tij me 1000 krerë gjedhë. Humbjet vjetore ishin më shumë se 160 mijë euro, tha ai, duke e bërë të pamundur vijimësinë e aktivitetit.
Zinxhirit, i cili do të mund të siguronte suksesin në blegtori, i mungon hallka kryesore: lënda e parë që, në këtë rast është ushqimi për bagëtitë. Copëzimi i tokës nuk po i lejon blegtorët të kenë në zotërim sipërfaqe të mëdha, ose të lidhin kontrata për sigurimin në vend të bazës ushqimore. Për pasojë, fermat me më shumë se 60-70 krerë lopë, ose me mbi 200 dele, do të duhet të importojnë ushqimin. Të dhënat nga bilanci i fermës Impuls, një nga më të mëdhatë në vend, tregojnë se 84% e të ardhurave shkojnë për blerjen e bazës ushqimore. Pak a shumë, të njëjtën masë, shpenzimet për lëndën e parë zunë edhe tek ferma Agrotal, që nxjerr në treg prodhimet Natyral.
Kjo mënyrë operimi i bën me kosto të larta prodhimet blegtorale, të cilat më pas konkurrohen nga importi dhe prodhimet nga ekonomitë familjare që mbajnë nga dy-tre krerë lopë dhe prodhimet e tyre i shesin në tregun e zi. Një studim i Këshillit të Investimeve tregon se 65% e qumështit grumbullohet dhe tregtohet në të zezë.
Nga 450 baxho dhe fabrika, vetëm 150 janë të regjistruara. Petrit Ago, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Doganave në vitet 2000, zotërues i një prej fermave blegtorale që në vitin 2007, thotë se situata në sektor është alarmante. Të paktën 10 operatorë me aktivitet në fermë blegtorale në të gjithë vendin pohuan një situatë të vështirë dhe se kanë nxjerrë aktivitetin në shitje.
Në vështirësi edhe stallat me cikël të mbyllur
Florin Mandreu prej vitesh ka investuar në rrethinat e Lezhës në një fermë blegtorale me cikël të mbyllur. Ai kishte në zotërim 1000 hektarë tokë, gjysma e të cilave ishin pronat e familjes dhe të tjerat i siguroi nëpërmjet qirasë. Në anë të fermës me 300 krerë gjedhë, vëllezërit Mandreu ngritën edhe fabrikën e përpunimit të qumështit dhe paketimit të djathit. Mirëpo prodhimet e fermës Flori, kur u bënë gati për treg, u konkurruan nga tregu informal. “Një kilogram djathë në tregun e Lezhës, por edhe në qytetet e tjera shitet me vetëm 300 lekë.
Por kjo nuk ka se si të ndodhë, nëse nuk bëhen manipulime me cilësinë. Prodhimet tona dolën në treg me kosto më të lartë, sidomos djathi, për shkak se prodhimi i tij kalonte në parametrat bashkëkohorë të normave dhe të cilësisë dhe e kishim të pamundur të konkurronim me tregun e zi”, pohoi administratori i fermës. Për pasojë, kompania mbylli vitin e kaluar fabrikën e përpunimit të qumështit dhe tani ka në zotërim vetëm bagëtitë, për mbajtjen e të cilave po hasin vështirësi. Vitin e kaluar, toka ku rritet ushqimi, u përmbyt pasi ishin bllokuar kanalet e kullimit dhe mbështetja me subvencion mungon totalisht. Vëllezërit Mandreu do të vijojnë të mbarështojnë bagëtitë, por janë të zhgënjyer nga investimi. Të ardhurat nuk po e justifikojnë investimin, teksa shprehen se sektori nuk mund të zhvillohet pa subvencione nga shteti, ashtu si ndodh në të gjithë botën.
Në situatë të vështirë është edhe blegtori Bedri Dema në Kashar. Ai mbarështon 500 krerë gjedhë dhe me profesion është agronom. “Para se të bëja kompleksin, kam vizituar shumë ferma në Europë për të parë fizibilitetin e këtij biznesi. Me profesion jam agronom dhe pasioni im janë fermat – shtoi ai. Në kërkimet që bëra, fitimet e fermave të lopëve në Europë ishin rreth 1500-1600 euro për kokë. Në llogaritë e mia mendova të fitoja së paku 500 euro për kokë dhe do të isha në rregull. Kështu e nisa aktivitetin dhe nga viti në vit, në vend të fitimeve kam vetëm humbje. Për shkak se çmimet e imputeve bujqësore janë të shtrenjta dhe copëzimi i tokës me Ligjin 7501 e bën të shtrenjtë bazën ushqimore”, – shprehet zoti Dema. Dema, i cili po përjeton humbje të mëdha nga aktiviteti në mbarështimin e lopëve, tha se, është gati të shesë aktivitetin nëse do të kishte një blerës.
Mungon hallka e parë e zinxhirit
Sipas të dhënave të fundit të Censusit së bujqësisë të vitit 2013, mesatarja e fermave bujqësore nuk është më shumë se 1 hektar. Ndërsa sipërfaqet e mbjella me një kulturë nuk janë më shumë se 0.2 hektarë. Fermerët dhe ekspertët e sektorit të bujqësisë bëjnë shkaktarë për copëzimin e lartë të tokës, Ligjin 7501, i cili ua shpërndau tokën e ish-pronarëve në zotërim nga kooperativat bujqësore për frymë banorëve që jetonin në atë moment në fshat.
Me kalimin e kohës, në mënyrë të kundërligjshme një pjesë e këtyre tokave u tregtuan duke krijuar një kaos me statusin e pronësisë së tyre. Kjo situatë ka lënë peng zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Fermat e organizuara blegtorale kërkojnë sipërfaqe të mëdha në dispozicion që të furnizojnë me ushqim kafshët. Petrit Ago, i cili ka në zotërim një fermë të madhe me 13 stalla, me rreth 2500 krerë, dhi, dele dhe lopë e ka të vështirë të gjejë furnizime të mjaftueshme në tregun vendas. Të njëjtin problem kanë edhe blegtorët e tjerë. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive. Për pasojë, shpesh furnizimet më të mëdha vijnë nga Spanja e largët me traget e më pas me kamionë. Kosto e bazës ushqimore, sidomos jonxhës, shkon 30 lekë për kilogram. Dhe më e keqja është se, edhe sikur të mos ishte problemi i copëzimit të tokës, produkti nuk mund të prodhohet në Shqipëri, për shkak të lagështirës së madhe. Jonxha shqiptare krijon myk, që është i dëmshëm dhe për pasojë nuk është në preferencat e fermës së Agos. Më së shumti, në Shqipëri, sigurohet bari dhe gjithashtu përgatitet silazhi, që zë edhe 35% të bazës ushqimore. Mungesa e hallkës së parë të zinxhirit, sigurimi i lëndës së parë në vend, po i krijon kosto.
Sipas studimeve të Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen së paku 20 hektarë. Ligji 7501 dhe mungesa e certifikatave të pronësisë dhe planeve rregulluese kanë deformuar tregun e tokës bujqësore. Aktualisht, Shqipëria ka çmimin më të lartë të tokës bujqësore në Europë. Për pasojë, çmimi i qumështit në fermat shqiptare është më i larti në rajon, që varion nga 44 lekë deri në 58 lekë për litër, ndërsa në Hungari, çmimi i qumështit shkon edhe 28 cent për litër.
Bujqësia shqiptare, edhe pse kontribuon me rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe mbi 40% në punësim, është një sektor në faza primitive të zhvillimit të saj, me mungesë mekanizimi, copëzim të theksuar të tokës dhe në këtë situatë, blegtorët janë duke eksperimentuar me disa raca jo tradicionale, që kanë kosto të lartë dhe nuk i përshtaten shumë terrenit dhe klimës. Në Shqipërinë e Mesme janë ngritur dhjetëra ferma me dhi alpine, e cila për vetë emrin nuk përshtatet në terrene të tilla me klimë të ngrohtë.
Informaliteti, dëmton hallkën e fundit, tregun
Këshilli i Investimeve evidentoi nëpërmjet një studimi një vit më parë se nga 450 njësi (njësi të vogla përpunimi, ose “Baxho” dhe fabrika) rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Për pasojë, 65% e qumështit tregtohet në të zezë.
Emërim Koçi, blegtor, i cili mbarështon 150 krerë dhi në zonën e Selitë Mal në rrethinat e Tiranës, tha se e ka të pamundur të vijojë aktivitetin kryesisht prej konkurrencës që vjen nga tregu i zi. “Në dimër kam humbje të mëdha, pasi baza ushqimore kushton, ndërsa në periudhën e verës jam zero-zero. Fermën e kam të regjistruar në QKB dhe paguaj taksa rregullisht. Tani në pranverë, për shkak të furnizimit të bollshëm nga tregu i zi, çmimi i bulmetit dhe mishit është në nivele shumë të ulëta. Shpesh më duhet të shes nën kosto. Një kilogram kec e shes tek tregtarët me vetëm 350 lekë, teksa çmimet e bulmetrave janë përtokë”. Në këto kushte jam i destinuar të falimentoj, shprehet ai. Çmimet e prodhimeve të fermave që punojnë me standard dhe kanë të përfshira brenda taksat po konkurrohen nga tregu i zi, i cili furnizon pjesën dërrmuese të tregut, tha ai.
Fermat nuk mbijetojnë pa subvencione
Informaliteti i lartë në bujqësi është bërë shkak për deformimin e subvencionimeve. Dominimi i fermave të vogla deri në 5 krerë lopë dhe pak të imta, të cilat nuk janë të regjistruara gjithnjë ka vështirësuar skemën e mbështetjes financiare në sektorin e blegtorisë, i cili në kuadër të integrimit në BE ka mbështetje të lakmueshme nga fondet e Komisionit Europën. Mirëpo pamundësia për të zbatuar kriteret që BE ka vënë për shpërndarjen e fondeve nuk arrijnë të shkojnë në destinacionin përkatës. Të paktën 10 ferma të mëdha të kontaktuar nga “Monitor”, pohuan se mungesa e subvencioneve është një problem madhor i aktivitetit. Blegtori Bedri Mema tha se është njohur me shumë modele fermash në Europë, por pothuajse i gjithë fitimi i tyre është i subvencionuar nga shteti. Ai vuri në dukje se edhe Mali i Zi, që ka shumë më pak krerë bagëtish se Shqipëria, ka subvencionuar me mbi 50 milionë euro, ndërsa në Shqipëri nuk janë dhënë as 4 milionë euro ndaj blegtorisë, për të cilat ka pak informacion se kush i ka marrë.
Blegtorët thanë se në Shqipëri ka shumë ferma me kushte moderne, që janë të formalizuara dhe plotësojnë standardet për subvencione, por mekanizmi burokratik i institucioneve nuk po e mundëson këtë mbështetje. Të njëjtin shqetësim ka edhe ferma Flori në zonën e Lezhës. Ai tha se, subvencionet janë jetike për sektorin e blegtorisë, pasi këtë praktikë e zbaton e gjithë bota. Por, nga ana tjetër, kërkoi më shumë vëmendje nga qeveria për të mundësuar mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit, në mënyrë që kullotat të mos përmbyten edhe kur ka reshje normale.
Më herët këtë vit, në një dalje për mediat, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, tha se, në total financimi që do të shkojë për bujqësinë është 94 milionë euro, nga të cilat 71 milionë janë nga Bashkimi Europian dhe 23 nga qeveria shqiptare të vlefshme deri në vitin 2020. Sipas skemës së subvencionit, për vitin 2018, përfitojnë mbështetje financiare fermat me 500 lekë/krerë të imta, me 2 000/lekë për krerë viça të lindur të matrikuluar. Skema përfshin edhe blerjen e enëve të certifikuara për transportin e qumështit nga ferma në pikat e grumbullimit dhe përpunimit deri në 70% të vlerës për njësi, por jo më shumë se 2 500 lekë/njësi. Mbështetje financiare jepet edhe 10 lekë/litër për dorëzimin e qumështit si lëndë e parë, që plotëson standardet në fuqi, në pikat e përpunimit. Mbështetja përfshin 50% të vlerës së investimit për ndërtimin e thertoreve, fabrikave të përpunimit të produkteve blegtorale dhe pajisjeve të nevojshme në to, jo më shumë se 20,000,000 lekë për subjekt, dhe për rikonstruksion/pajisje në thertoret ekzistuese për plotësimin e standardeve të legjislacionit në fuqi, jo më shumë se 10,000,000 lekë për subjekt.
Mbështetje me 50% të vlerës së investimit, për ndërtimin e pikave të reja të grumbullimit të qumështit dhe pajisjeve të nevojshme në to, jo më shumë se 3,000,000 lekë për subjekt. Mbështetje me 50% të vlerës, por jo më shumë se 15,000,000 lekë për subjekt, për ndërtimin e ambienteve, për mbarështimin e kafshëve, stabilimenteve për rritjen e shpendëve, si dhe makineri dhe pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale. Mbështetje me 50% të vlerës për blerjen e sistemeve ftohëse të qumështit për pikat e grumbullimit dhe/ose përpunimit, jo më shumë se 1,000,000 lekë për subjekt. Mbështetje me 50% të vlerës për përmirësimin e infrastrukturës së tregjeve të kafshëve, jo më shumë se 4,000,000 lekë për treg.
Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se, në kuadër të programit IPARD-Like, janë realizuar 3 fushata mbarëkombëtare, me më shumë se 3000 pjesëmarrës, që përfshijnë bujqësinë dhe blegtorinë. Janë trajnuar më shumë se 120 këshilltarë, për aplikimet si dhe procedurat e pagesave. Vetëm për skemat e mbështetjes në kuadër të IPARD-Like kanë mbërritur 255 aplikime. Vlera totale e aplikimeve për investime ka arritur në 45.83 milionë euro, ndërkohë që shuma e granteve ka arritur shifrën 23.8 milionë euro. Norma e suksesit ka qenë 35%, teksa janë firmosur 88 kontrata për grante. 89% e investimeve janë realizuar me grantet e paguara, në vlerën 4.5 milionë euro. Kjo shumë është më e ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Petrit Ago, ish-drejtor i përgjithshëm i Doganave, tani zotërues i një prej fermave më të mëdha blegtorale, thotë se qeveria shqiptare nuk e njeh fare gjendjen e blegtorisë në vend. Ai tha se sektori bujqësor dhe blegtoria nuk janë konkurruese për shkak të kostove të lartë te imputeve bujqësore, nga njëra anë, dhe informalitetit të lartë, nga ana tjetër. Për pasojë prodhimet tona blegtorale dalin me kosto 35-40% më të larta se në vendet fqinjë, të cilat aplikojnë politika agresive subvencionimi. Ago rendit disa arsye pse i kanë bërë prodhimet tona blegtorale jo konkurruese. Karburanti është më i shtrenjtë që nga viti 2013 dhe akciza e tij nuk rimbursohet. TVSH për lëndët e para nuk rimbursohet, mungojnë subvencionet, informaliteti në tregun e prodhimeve është i lartë nga prodhuesit e vegjël. Nga ana tjetër, sipërfaqet e vogla të ngastrave nuk sigurojnë bazën ushqimore që i duhet fermave të mëdha blegtorale. Lënda ushqimore, në një masë të madhe, importohet duke rritur kostot e prodhimit të mallrave finale, – shpjegoi ai. Kjo situatë, sipas Agos, po shpjegon edhe falimentimet e mëdha që po ndodhin në sektor. “Së fundmi kanë falimentuar ferma në Sarandë, Fier, Lushnjë, Shijak etj., por dua shtoj se të gjitha fermat që ushtrojnë aktivitet nëpërmjet regjimit intensiv në stallë janë të destinuara të falimentojnë”.
Ago thotë se kostot e mëdha vijnë nga lëndët e para në bujqësi. Sipërfaqet e vogla të ngastrave të krijuara nga Ligji 7501 janë shkaktari kryesor i deformimit të ekonomisë së shkallës, pasi është shumë e vështirë të lidhësh kontrata të mëdha për prodhim të bazës ushqimore. Gjithashtu mungesa e sistemeve të ujitjeve dhe të kullimit është një faktor tjetër madhor që nuk krijon kushtet për prodhim të bazës ushqimore. Ka plot raste që për mungesë të kanaleve kulluese janë përmbytur parcelat me bazë ushqimore, madje edhe stallat blegtorale.
Gjithashtu, çmimi i plehrave kimike është i lartë dhe në shumë raste, cilësia nuk i përgjigjet çmimit që paguajnë fermerët. Çmimi i naftës është po ashtu i lartë, për shkak të politikave që ka ndjekur qeveria për rritjen e barrës fiskale te karburantet. Mosrimbursimi i akcizës së naftës për bujqësinë është një tjetër element që rrit kostot në sektor. Për të gjitha këto arsye, fermat blegtorale me regjim intensiv stallor detyrohen të importojnë nga jashtë jonxhën, panxharin, kashtën, elbin, misrin etj. Transporti nga jashtë vendit i bazës ushqimore kushton shumë dhe është shkaktari kryesor i kostos së lartë të prodhimeve blegtorale. Nga ana tjetër, tregu është në presion, pasi rritja e taksave ka zbehur konsumin dhe ka varfëruar shtresën e mesme. Të gjitha taksat janë rritur që nga viti 2013. Nga taksat lokale janë rritur taksa e pronës, ajo e parkimit, tabelave, është vënë një tarifë e re për arsimin, është rritur taksa e pastrimit etj. Nga taksat qendrore është rritur akciza, taksa e qarkullimit mbi karburantin, tatimi mbi dividendin, tatimi mbi pagat, tatimi mbi qiranë dhe referencat e apartamenteve. Të gjithë këto taksa janë transferuar në çmime dhe për rrjedhojë, kanë ushtruar presion në të gjithë konsumin e popullatës. Të gjithë këta faktorë, – thotë Ago – i bëjnë prodhimet tona jo konkurruese me importin. Ai këshillon se për të zgjidhur situatën, sa nuk është vonë, duhet një revolucion në sektor. “Unë mendoj se fermat mbi 60-70 krerë lopë, 200 krerë dhe 150 krerë dhi nuk kanë leverdi. Duhet një ndërthurje ndërmjet bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit, – tha ai, si modeli më i mirë për rritjen e vlerës së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Bujqësia dhe blegtoria janë në agoni dhe nëse vijohet kështu, sektori do të përballet me një katastrofë.
MODELET E FERMAVE
Dojaka i Natyral, modeli i suksesit në blegtori, ja “receta”
Kur vendosi të zhvillojë një fermë blegtorale me gjedhë, Artur Dojaka, i cili tregton prodhimet e bulmetit Natyral, zotëronte njohuri të thelluara në sektorin e blegtorisë. Me një trashëgimi të pasur nga familja me tradita në bujqësi dhe blegtori, ai kishte fituar përvojë të çmuar nga puna vullnetare në komunitetet bujqësore (Kibbutz) në Izrael. Me profesion ekonomist dhe me një pasion që trashëgoi për bujqësinë, ai nisi aktivitetin për krijimin e një ferme blegtorale në Ndroq, një fshat në rrethinat e Tiranës, ku ngriti edhe një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Edhe pse politikat në Shqipëri nuk janë favorizuese për bujqësinë, zoti Dojaka duket se ka arritur të krijojë një biznes të suksesshëm, edhe pse investimet e tij pothuajse u shuan nga përmbytja e vitit 2016. Deri më tani, ai nuk ka marrë asnjë mbështetje institucionale, as për dëmin e krijuar nga përmbytjet dhe as ndonjë subvencion. Dojaka shpjegon se, prodhimi organik me cilësi të lartë ishte çelësi i suksesit. Ashtu si në vendet e zhvilluara, edhe në Shqipëri interesi për ushqime të shëndetshme është në rritje. Ndaj për prodhimet Natyral, kërkesa do të jetë në një trend afatgjatë rritës, pohon ai. Targeti i tij i tregut është Tirana dhe ai segment i shoqërisë që ka mundësitë dhe vlerëson ushqimin e shëndetshëm. Shitjet janë rritur me mbi 25%, shprehet sipërmarrësi, i cili këshillon se suksesi i investimeve në bujqësi kërkon përgatitje profesionale dhe menaxheriale të larta. Nuk mundet që blegtori të ketë sukses nëse mendon se investimet e tij do të kthehen në pak vite dhe nëse nuk ka pasionin e duhur për këtë lloj biznesi.
Edhe pas 18 vitesh aktivitet me vështirësi, zoti Dojaka ende e do fort punën që bën dhe pret një perspektivë më inkurajuese, edhe pse më 2016 përmbytjet i krijuan 4 milionë euro dëme në gjedhë dhe në fabrika. Ai tha se në stadin e zhvillimit aktual, bizneset në bujqësi dhe blegtori kanë kosto të lartë, për shkak të mungesës së zinxhirit, ku baza ushqimore është e shtrenjtë, mekanika, gjenetika etj. Të gjitha këto rrisin kostot e prodhimeve, të cilat mund të konkurrojnë në tregje vetëm duke ruajtur standarde dhe cilësi të lartë, shprehet ai. Mirëpo Dojaka tha se bujqësia aktualisht është si një shtëpi pa çati, pasi institucionet shtetërore ende nuk kanë gjetur rrugën e duhur për të krijuar një model të suksesshëm. Politikat duhet të funksionojnë në sistem, që i gjithë sektori të zhvillohet. Ai tha se për të nxitur ekonominë e shkallës, duhet që bujqësia të organizohet në modelin e kooperativave bujqësore.
Mandreu: Realizova ciklin e mbyllur, por dështova
Ferma Flori sh.p.k. në zonën e Lezhës është duke kaluar të njëjtat vështirësi si të gjitha fermat e tjera blegtorale në vend. Por ndryshe nga shumë ferma të tjera, Florin Mandreu, kishte ndërtuar ciklin e mbyllur në aktivitet, pasi zotëronte sipërfaqe të mëdha toke për kullotat dhe kishte mundur të investonte edhe në një fabrikë për përpunimin e qumështit dhe paketimin e djathit. Ferma nisi aktivitetin në vitin 2016 dhe kur prodhimet e fermës Flori dolën në treg u konkurruan nga produktet me çmime të ulëta të tregut të zi.
Ai tha se, në tregjet e Lezhës, një kilogram djathë kushton vetëm 3000 lekë, por nëse respektohen standardet e cilësisë dhe prodhimit, kjo është e pamundur. Fuqia e blerëse në Shqipëri dhe sidomos në rrethe, është shumë e ulët ndaj prodhimet me standard që kanë çmime më të larta se tregu i zi. nuk shiten. Të gjendur para kësaj situate, drejtuesit e fermës Flori vitin e kaluar mbyllën fabrikën e përpunimit të bulmetit. Tani qumështin e shesin te përpunuesit e mëdhenj dhe pohojnë se të ardhurat nga aktiviteti i mbarështimit të lopëve nuk i justifikojnë investimet e bëra në fermë, duke lënë të kuptohet se aktiviteti është me humbje.
Flori thotë se biznesi blegtoral në të gjithë vendet e zhvilluara, por edhe në rajon, që kanë pak a shumë kushte të njëjta zhvillimi me Shqipërisë, sektori subvencionohet se ndryshe nuk ka fizibilitet. Mirëpo institucionet tona, sipas tij, nuk janë duke bërë as disa detyra më të thjeshta. Mospastrimi i kanaleve të kullimit është bërë shkak që kullotat e fermës Flori të përmbyten disa herë. Dëme për shkak të përmbytjeve nga bllokimi i kanaleve të kullimit kanë pësuar edhe qindra ferma të tjera në vend gjatë vitit të fundit. Flori shprehet se edhe blegtorët e tjerë janë në të njëjtat vështirësi. “Imagjino që edhe unë që ndërtova ciklin e mbyllur nuk ia dola, çfarë problemesh mund të kenë të tjerët”, përfundoi ai.
Ferma Koçi: Në dimër jam me humbje, në verë zero-zero
Emërim Koçi zotëron një tufë me 150 dhi në Selitë mal në afërsi të Tiranës. Ka vetëm katër vite që ka investuar në një fermë blegtorale me 300 kokë dele, por pas dy vitesh me vështirësi dhe humbje, ai vendosi ta shndërrojë në fermë dhish. Tani mbarështon 15 të tilla dhe është në kërkim të një blerësi të bagëtisë.
“Nuk ka aspak leverdi. E kam të bazuar aktivitetin në mbarështim në natyrë, më së shumti dhe vetëm dimrit i ushqej në stallë. Në dimër kam humbje të mëdha, pasi baza ushqimore kushton, ndërsa në periudhën e verës jam zero-zero. Zoti Koçi e ka të regjistruar fermën e tij modeste në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe paguan taksa rregullisht. Tani në pranverë, për shkak të furnizimit të bollshëm nga ekonomitë familjare, çmimi i bulmetit dhe mishit është në nivele më të ulëta.
“Shpesh më duhet të shes nën kosto, thotë Emërimi. Një kilogram kec e shes tek tregtarët me vetëm 350 lekë, teksa çmimet e bulmetrave janë përtokë”. Koçi thotë se mbijetesa pa subvencione është e vështirë. Sektori i prodhimit ushqimor subvencionohet në të gjithë botën, sidomos blegtoria, tha ai, ndaj nëse shteti nuk na mbështet financiarisht jemi të destinuar të falimentojnë. “Pak kohë më parë, një miku im në Lundër e mbyllim fermën me mbi 800 krerë, pasi pësoi humbje të mëdha. Në këtë rrugë jemi të gjithë”, përfundoi ai.
Bedri Dema: Jam me humbje, dua ta shes, por nuk ka blerës
Bedri Dema, zotërues i një ferme në zonën e Kasharit në Tiranë, thotë se investimet në fermat blegtorale në kushtet sot në Shqipëri nuk ia vlejnë. “Aktualisht, mbarështoj rreth 500 lopë. Para se të bëja kompleksin, kam vizituar shumë ferma në Europë për të parë fizibilitetin e këtij biznesi. Jam me profesion agronom dhe pasioni im janë fermat, shtoi ai. Në kërkimet që bëra, fitimet e fermave të lopëve në Europë ishin rreth 1500-1600 euro për kokë. Në llogaritë e mia mendova të fitoja së paku 500 euro për kohë dhe do të isha në rregull. Kështu e nisa aktivitetin dhe nga viti në vit, në vend të fitimeve kam vetëm humbje.
Çmimet e imputeve bujqësore janë të shtrenjta dhe copëzimi i tokës me Ligjin 7501 e bën të shtrenjtë bazën ushqimore. Për shkak të situatës në të cilën gjendemi, unë dhe kolegët e mi jemi në një dilemë të madhe për vijimësinë e aktivitetit. Na vjen keq për investimet, po sa për bagëtitë hajde se i therim dhe i shesim për mish”, shprehet zoti Dema i cili po përjeton humbje të mëdha nga aktiviteti në mbarështimin e lopëve. Është një biznes me shumë sakrifica, duhet të jesh çdo moment i përkushtuar. Qoftë dhe një ditë jashtë vëmendjes, kafshët nuk e marrin veten edhe për një javë dhe humbin rendimentin. Nëse qeveria nuk e ndryshon politikën e subvencioneve dhe vizionin për zhvillimin e blegtorisë jam i bindur se si edhe gjithë kolegët e mi në sektor, do të mbyllim aktivitetin. Edhe Serbia, as në kohën e luftës, nuk e ka ndaluar mbështetjen financiare për bujqësinë dhe blegtorinë.
Halit Osmani: E mbylla, kisha 160 mijë euro humbje në vit
Halit Osmani, një ish-blegtor në Qarkun e Fierit, tha se e ka mbyllur fermën me 100 krerë gjedhë që vitin e kaluar. “Nuk mund të vazhdoja më. Humbjet arritën 160 mijë euro në vit”. Arsyet e humbjes lidhen me kostot e larta të aktivitetit nga mungesa e ekonomisë së shkallës dhe informaliteti i lartë në treg, pohoi ai.
Gjeta: Ferma me ecuri të mirë, për 10 vjet më kthehet investimi
Osli Gjeta, si shumë të rinj të shkolluar jashtë, ka vendosur t’i hyjë biznesit të blegtorisë tre vite më parë. Ai ka ngritur një fermë në zonën e Fushë-Krujës, me rreth 800 dhi të racës siriane. Gjeta thotë se deri tani, të ardhurat po justifikojnë investimin dhe për 10 vjet, vlera e investuar pritet të shlyhet tërësisht. Ai tha se biznesi i tij ka një zgjerim vertikal, ku shumë prej çështjeve që lidhen me funksionimin e zinxhirit të furnizimit i ka zgjidhur para se ferma të vihej në punë. Gjeta është optimist për biznesin dhe në fillim ka bërë një plan biznesi të saktë që, në tre vitet e para duket se ka ecur sipas parashikimeve.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 415 reads