...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Biljana nxjerr të palarat e Radoviçit: mitropoliti që mohonte qënien e C-19

Duke puthur arkën e të vdekurit, njëri pas tjetrit qindra njerëz përsëri vënë jetën e tyre të rendomtë më ulët se jeta e një kishtari të madh, prijësit të intolerancës etnike, mbrojtësit të vrasësve e të gjakpirësve, predikuesit të urrejtjes dhe të vdekjes së të gjithë atyre që janë të ndryshëm

Adil Fetahu

07/11/2020 - 08:54

Në 30 tetor, në një spital të Podgoricës vdiq mitropoliti dhe njeriu i dytë në hierarkinë e Kishës Ortodokse Serbe, Amfillohije Radoviç. Ai vdiq nga koronavirusi, për të cilin thoshte se nuk ekziston! Radoviçi ishte promotori i protestave të dhunshme të klerofashizmit serb, që me ndihmën e Serbisë dhe të Rusisë, rrëzoi pushtetin legjitim të Malit të Zi.

Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra qytetarë të Malit të Zi, të Serbisë dhe të serbëve të Bosnjes. Siç e kanë traditë kombëtare gënjeshtrën, serbët thurën gjithëfarë përrallash lidhur me aktin e varrimit të tij. Thanë se sipas amanetit që ka lënë, varrin ia kanë mbuluar me dheun e Jasenovcit, të Kosovës dhe të Malit të Zi (tri tokave serbe!). Gjithashtu thanë se në atë proces ndodhën edhe mrekulli: kur u hap kapaku i xhamit të arkëmortit, të pranishmit panë se brenda kishte një tufë trandafilash të bardha, të freskëta (sikur nuk kishte mundur dikush të linte tufën në arkivol, v.j!). Por mrekullia (dhe gënjeshtra,v.j.) më e madhe ishte ajo se kur e mbuluan në varr, vërejtën se në qiell u formua kryqi prej reve të bardha, dhe të gjithë brohoritën: arriti në qiell!

Në varrimin e Risto Radoviçit mori pjesë edhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Personalitete e media të ndryshme i thurën ode për cilësitë e larta njerëzore dhe meritat e Radoviçit. Por, njëra nga dramaturget serbe, Biljana Srblanoviç, në një rubrikë të saj, ia nxori edhe shumë të paralara mitropolitit që kishte bërë gjatë jetës së tij. Për më tepër, në vijim po paraqes (të përkthyer nga unë) tekstin e autores në fjalë:

“Rregulli i pashkruar se për njeriun e vdekur nuk duhet të flitet keq, kurrë nuk ka qenë një arsyetim më i mirë për qyqarllëkun dhe heshtjen e elitës intelektuale, se sot me rastin e vdekjes së mitropolitit Amfillohije Radoviç, i cili në këto momente kur po e shkruaj këtë rubrikë, është dita e dytë me radhë që është ekspozuar në arkën klimatike me kapak prej xhami, në manastirin e Cetinjës, rreth të cilit sillen dhe shtyhen dhe kapakun e papastruar e puthin qindra a mijëra besimtarë, dhe pak fjalë ka që nuk e madhërojnë të vdekurin.

Besim i kotë se ‘për të vdekurin, vetëm fjalët më të mira’ është karakteristikë e hipokrizisë dhe dëshirës së çmendur për t’i pëlqyer shumicës, është barra më e rëndë të cilën e bartë opinioni ynë intelektual. Nuk ka asnjë fjalë kritike, madje as të dhëna objektive nga jeta dhe vepra e Radoviçit, të cilat mund t’ia mbulojnë me hije tërbimin shkurtpamës të veprimit politik të prelatit më të fortë të Kishës Ortodokse Serbe. Të gjithë heshtin, fshihen pas moralit të rrejshëm të rregullës mikroborgjeze, se njeriu me vdekjen e tij e ka fshirë gjithë të kaluarën e tij të keqe, të gjitha mëkatet e bëra ndaj shoqërisë dhe mesit në të cilin me vite ka vepruar.

Radoviçi me angazhimin e tij të fundit u bë njëfarë simboli i luftës kundër pushtetit shumëvjeçar jo vetëm të Malit të Zi, por edhe  të Serbisë, njëfarë lideri opozitar shpirtëror, dhe arbitër i ngjarjeve më të mëdha politike. Të gjithë heshtin, sepse është i vdekur.

Risto Radoviçi nuk ka qenë njeri i mirë. Edhe si prift edhe si person fizik, tërë kohën ka vrapuar me ambicje për të udhëhequr edhe me kishën, edhe me shtetin edhe me njerëzit, edhe me kombet. Ajo ambicje ka qenë në mospajtim të thellë me kohën e re, me të drejtën e të gjithë njerëzve në jetën e tyre, në lirinë e mendimit dhe besimit, në të drejtën për identitet vetjak, qoftë gjinor, seksual, nacional, madje edhe fetar.

I udhëhequr nga ideja e “zhdukjes së turkoshakëve” (ideja e Njegoshit ne epin “Kunora e Maleve”,v.j.), i preokupuar në rrugën drejt “Flutrimi i ri”, i Malit të Zi dhe i Serbisë pa Boshnjakë, edhe pa vet Malazezët, Radoviçi kurrë nuk e ka fshehur urrejtjen e tij ndaj popujve të tjerë dhe feve të tjera, madje edhe më tepër se kaq. Muslimanët i quante “njerëz të rrejshëm, me fe të rrejshme”, dhe e shfajësonte gjenocidin në Srebrenicë. Do të mbetet në kujtesë, që si njeri i fesë e pranoi Arkanin dhe paramilitarët e tij në manastir, për “Petrovdan”, i bekoi para mësymjes në Kroaci. Do të mbahet mend se si publikisht ofroi fshehjen e Radovan Karaxhiçin, se si nënën e tij e shpalli të shenjtë, vetëm se pse e ka lindur atë (Karaxhiçin,v.j.) i cili i pastroi “tokat serbe nga muslimanët”.

Do të mbahet mend si njeri i cili publikisht qante për Millosheviçin, ndërsa mbi kufomën e Zoran Gjingjiqit, para nënës, gruas dhe fëmijëve të tij praktikisht e mallkoi kryeministrin. Atëherë nuk vlente parimi se “për të vdekurin vetëm fjalët më të mira”, përkundrazi para arkëmortit të njeriut të vrarë në pabesi, para më të afërmëve të tij, para [tërë vendit në të zi, i shfajësoi vrasësit e tij dhe aspak në mënyrë metaforike, veç drejtpërdrejt, duke thënë se kryeministri e mbaroi si të parët e tij politik, Obrenoviçët, sipas mendimit të mitropolitit, drejtësisht i prerë me shpatë të cilën e kishte rrekur tashëgimtari i politkës së armiqëve të serbizmit të Amfillohijes, i cili (Gjingjiçi, pra, v.j.) ia kishte shtrirë dorën Perënderimit, në vend se t’ia sakatonte.

Risto Radoviçi vdiq nga korona, për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga mosha e tij dhe moskuptimit të thellë prej disa dekadash të higjenës së jetës. Me muaj të tërë, të gjithë ne jemi bërë robër të kësaj pandemie, po i numërojmë të vdekurit të cilët as në momentet e fundit të jetës së tyre familjarët nuk po mund t’i shohin, e lere më t’i vorrosin trupat e tyre. Risto Radoviçi ishte i përjashtuar nga kjo vdekje e tmerrshme. Ka mundur dhe i ka pasur të gjitha, tërë kujdesin dhe praninë e të vetëve deri në frymën e fundit. Tash trupi i tij akoma me mundësi infektimi, jo vetëm se nuk është vorrosur në mënyrë higjenike, veçse është ekspozuar dhe u është ofruar për ta puthur e qëndruar pranë arkëmortit të mbuluar me xham, i  ballsamuar dhe i përgatitur për idhujtari!

Duke puthur arkën e të vdekurit, njëri pas tjetrit qindra njerëz përsëri vënë jetën e tyre të rendomtë më ulët se jeta e një kishtari të madh, prijësit të intolerancës etnike, mbrojtësit të vrasësve e të gjakpirësve, predikuesit të urrejtjes dhe të vdekjes së të gjithë atyre që janë të ndryshëm. Kur ka mbajtur liturgjinë për vdekjen e parlamentit dhe të Qeverisë së Serbisë, pikërisht ashtu siç i drejtonte mallkimin Beogradit “për kutërbimin e sodomisë” të cilën nuk po e pengon pushteti ynë, kur me ndihmën e ushtrisë e vuri kishën e aluminit në Rumijë, duke shkelur karakterin ekumenik shekullor të vendit të shejtë, kur bërtiste se korona nuk ekziston dhe se nuk duhet frikësuar prej saj,- ai nuk ka punuar për hir të popullit të vet. Tash kur është i shtrirë në arkën e klimatizuar, sikur po na përqeshë nga varri: i gëzuar që edhe i vdekur po arrinë të madhështojë urrejtjen, të frikësojë të dobëtit dhe të prodhojë qyqarllëk, heshtje dhe dështim gati për tërë inteligjencën tonë e cila friksohet ta thotë haptas se çfarë njeriu ka qenë Risto Radoviçi në të vërtetë”. (“Javni servis.net”).

Shënim: Biljana Srbljanoviç, e lindur më 1970 në Stokholm, si bijë e ambasadorit të Jugosllavisë atje,  është shkrimtare dramash dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve te Dramës në Universitetin e Beogradit. Është aktive në trajtimin e temave politike, duke përfaqësuar një qëndrim proevropian dhe botëkuptime liberale si përkrahëse e komunitetit LGBT.

                                          Shqipëroi dhe përgatiti: Adil FETAHU   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA