...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Burgjet, pasqyra e shoqërive: Amerika kryeson botën neoliberale

Në përgjithësi në Amerikë ka tani më shumë njerëz nën “mbikëqyrje korrektuese” - më shumë se 6 milionë – se sa ishin në Arkipelagun e Gulagëve në shkallën më të lartë të Stalinit’. Fakti është se skllavërimi ishte fakt që në vitin 1850.

Ylli Përmeti

08/06/2020 - 13:21

Shtetet moderne kanë krijuar burgje në të cilët izolohen miliona njerëz si asnjëherë në historinë njerëzore. Elitat moderne i quajnë burgjet eufemisht qendra “rehabilitimi”. Por ata s’kanë qenë, s’janë, dhe nuk mund të jenë të tillë përsa kohë që shoqëritë janë të mbyllura intelektualisht. Kështu, në vend të kuptohen shkaqet se përse njerëzit shkaktojnë krime dhe të parandalohen, shtetet moderne dhe elitat që i administrojnë ata, kanë krijuar burgje ku vetëm “rehabilitim” nuk synohet. Burgjet, në të vërtetë, janë përdorur që në kohët e lashta, zakonisht, si një formë dënimi kundrejt një dëmi që shkaktonte një njeri. Mbyllja e njerëzve problematikë në qeli shihësh si rrugë-zgjidhje e përkohshme dhe kurrë nuk u institucionalizua si praktikë e përhershme siç ndodh në modernitet.

Historia njerëzore ka përdorur edhe masa të ndryshme kundrejt keqbërësve: dëbimi nga një qytet; internimi jashtë një qyteti etj. Nuk është e rastit që burgjet kanë filluar në shekullin 19-të, në Angli. Përgjithësisht, fundi i Mesjetës dhe ngritja e shtetit modern, shënon edhe fillimin ngritjes masive të burgjeve. Fryrjen dhe shfryrjen e burgjeve e përcakton kuadri i përgjithshëm institucional: sa më pasiv intelektualisht dhe sa më i pabarabartë të jetë një popull (në nivel politik, ekonomik dhe social) aq më shumë krime do të ketë. Karakteristika bazë e shoqërive moderne është pasiviteti intelektual i qytetarëve gjithashtu dhe pabarazia ekstreme. Si pasojë, Anglia e globalizmit neoliberal është kthyer në një shtet totalitar dhe tashmë arreston, përgjon dhe gjymton popullin e vet. Në të vërtetë, gjendja ka filluar të përkeqësohet shumë më herët:

Në Britani krimi u dyfishua nga 1 milionë incidente në vitin 1950-të në 2.2 milionë në vitin 1979-të. Në vitin 1980-të shkalla e krimit ka kaluar dyfishin dhe ajo arriti 5 milionë në vitin 1990-të për të arritur në 6 milionë aktualisht! Elitat sunduese i përgjigjen shpërthimit të krimeve duke ndërtuar burgje të reja. Kështu, popullimi i burgjeve në Angli dhe Uells u rrit nga 64,000 në fillim të dekadës, në 77,000 dy vjet më parë dhe pothuajse 82,000 në fund të vitit 2007-të, ndërsa projeksionet e fundit të Ministrisë së Brendshme parashikojnë një popullatë burgjesh më shumë se 90,000 deri në vitin 2010-të. Njëlloj, SHBA-së i mori 200 vjet që të rriste popullatën e burgjeve në një milionë, ndaj vetëm në dhjetë vitet e fundit e çoi atë në më shumë se dy milionë. Sipas vlerësimeve të fundit, numri i të burgosurve në burgjet federale dhe lokale u rrit në 2.3. milionë nga popullsia e të rriturve prej 229.8 milionë, me Kinën të vijë e dyta me 1.5 milionë burgje nga një popullatë e cila është 5.5 herë më e lartë se SHBA. Kjo do të thotë se një në 99 të rritur është pas hekurave në SHBA, duke e kthyer “tokën e lirisë” shumë shpejt në tokën me më shumë burgje mbi Tokë, me 750 nga 100,000 rezidentët e saj, të burgosur![1]

Gjatë periudhës të kursimit për...sektorin publik, në Britani gjendja e burgjeve u përkeqësua: mes viteve 2010 dhe 2015, vitet kulminante të kursimeve, shërbimi i burgjeve humbi një të katërtën e buxhetit dhe thuajse 30 për qind të nëpunësve të tij. Megjithëse pas këtyre viteve qeveria britanike filloi të rrisë numrin e policëve gjendja në burgje është në krizë të thellë si mes policëve ashtu dhe mes të burgosurve. Për të njëjtën arsye, qeveria britanike kërkon të nxisë rezultatet e policëve me paga më të mira dhe të kthejë moshën e pensionit në 60 nga 68 vjeç aktualisht. Ndërsa për të parandaluar përdorimin e drogës në burgje nga të burgosurit kanë filluar përdorimin e teknologjisë (skanime trupi në hyrje të burgjeve si në aeroporte) dhe përdorimin e qenëve për të nuhatur. Por ndërsa këto masa gjykohen si të pamjaftueshme nga unioni i policëve të burgjeve, po shqyrtohet përdorimi i skanimeve për çdo të burgosur dhe teknologjia e bllokimit të sinjaleve të celularëve dhe aeroplanëve të telekomanduar (dronët). Në disa burgje të burgosurit lejohen të edukohen dhe punojnë por thuajse 40 për qind e tyre janë të mbyllur dhe janë pikërisht këta që nxisin përdorimin e drogës. Por çështje kryesor është popullata e lartë në burgje e cila është rritur dy dekadat e fundit dhe qendron mbi 83,000. Një arsye se pse buxheti i sektorit u pakësua ishte se ministri përkatës donte të ulte numrin e të burgosurve. Por jo vetëm që numrin nuk e uli por pasardhësit e tij as që e kanë në objektiv. Si pasojë, sektori administrohet me policë të korruptuar.

 

Kështu ndërsa dhuna mes të burgosurve dhe kundrejt policëve është rritur, gjendja e përgjithshme është në kaos.[2] Ndërsa gjendja e burgjeve në vendet perëndimore përshkruhet në grafikun e mësipërm dhe Amerika kryeson, gjendja në nivel botëror ndryshon paksa: sipas një studimi të kryer nga ‘International Center for Prison Studies at King’s College London’ në 2008, dhe publikuar në New York Times, ‘SHBA-ja ka më pak se 5 për qind të popullatës globale. Por ajo ka thuajse një të katërtën e të burgosurve global (...) ajo ka pas hekurave 2.3 milionë kriminelë më shumë se çdo komb tjetër (...). Kina, e cila është katër herë më e populluar se SHBA-ja, është larg dhe e dyta, me 1.6 milionë njerëz në burg (...) SHBA-ja ka 751 njerëz në burg për çdo 100,000 banorë (dhe nëse përllogarisim vetëm të rriturit një në 100 amerikanë është mbyllur brenda) (...). Ndërsa Rusia ka 627 të burgosur për çdo 100,000 njerëz. Përqindja e Britanisë është 151; e Gjermanisë është 88; dhe e Japonisë është 63. Mesatarja midis gjithë kombeve është rreth 125, thuajse një e gjashta e përqindjes amerikane. Evropa në përgjithësi dhe Franca në veçanti gjendet në fazën e konsiderimit të dënimve alternative sepse burgjet janë të mbipopulluar.[3] Nga viti 1925 deri në vitin 1975 përqindja ishte e njëjtë, rreth 100 njerëz në burg për 100,000 njerëz. Ajo u rrit menjëherë në fund të vitit 1970-të. Suedia burgos rreth 80 njerëz për çdo 100,000 banorë; Minesota rreth 300; Teksas rreth 1000. Maine ka përqindjen më të ulët në SHBA, me 273; dhe Luiziana më të lartin, me 1,138’.[4] Së fundmi, siç citon një studim në New York Times, e vitit 2012, ‘në përgjithësi në Amerikë ka tani më shumë njerëz nën “mbikëqyrje korrektuese” - më shumë se 6 milionë – se sa ishin në Arkipelagun e Gulagëve në shkallën më të lartë të Stalinit’. Fakti është se skllavërimi ishte fakt që në vitin 1850.

Shkaqet e kësaj gjendje, sipas studimit, janë profesionet proceduriale. Siç citon Adam Gopnik: ‘sa më i profesionalizuar dhe procedurial është një sistem, aq më shumë të izoluar bëhemi nga efektet e vërteta mbi njerëzit e vërtetë’.[5] Në të vërtetë, që nga viti 1970-të, koha në të cilën shpërtheu doktrina e globalizmit neoliberal, deri në vitin 2009-të, numri i të burgosurve është rritur me 772%.[6] Në fund të vitit 2013-të, 17 shtete amerikane kishin më shumë njerëz në burgje sesa kapaciteti i tyre. Burgu i Alabamës, për shembull, u hartua për 13,318 njerëz dhe tani strehon 32,000.[7] Kjo gjendje ka shkaktuar rritjen e shpenzimeve në burgje: nga$15 miliard në vitin 1982 në $53.5 miliard në vitin 2001.[8] Evropa e vitit 2018 ka rreth 1.5 milion të burgosur. Kjo dinamikë zhvillohet paralel me një tjetër...në “burgun” social: në Amerikë ka më shumë se 30,000 banda kriminale, përfshirë bandat e burgjeve, me më shumë se një milion anëtarë. Bandat janë përgjegjëse për gjysmën e vrasjeve në Çikago dhe Los Anxhelos dhe 13 për qind të vrasjeve në shkallë kombëtare.[9]

...

*Pjesë nga një studim më i gjerë me titull, Demokraci apo barbarizëm



[1]Global Capitalism and the Demise of the Left: Renewing Radicalism through Inclusive Democracy, ff, 241-42.

[2]Jailers and reformers at odds over cure for prison chaos, FT, 23 October, 2018.

[3]Mbipopullimi i burgjeve në Evropë, Voa, 10 prill, 2018.

[4]Inmate Count in U.S. Dwarfs Other Nations’, ADAM LIPTAK, New York Times, April 23, 2008.

[5]The Caging of America,Adam Gopnik,New York Times, January 30, 2012.

[6]Profit Driven Prison Industrial Complex: The Economics of Incarceration in the USA For every 100,000 Americans, 743 citizens sit behind bars,Global Research, February 6, 2012.

[7]Mass incarceration, Vera, Institute of Justice, November 2014, pdf, f, 2.

[8]Po aty, f, 4.

[9]Bandat kriminale në brendësi te qyteteve, Voa, 04, shtator, 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA