...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ç’do të “pjellë” dialogu i brendshëm në Serbi lidhur me Kosovën?

Adil Fetahu

15/11/2017 - 19:38

Me rastin e inaugirimit në postin e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fjalimin e tij paralajmëroi zhvillimin e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç thotë ai, zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Më 24 korrik 2017, Vuçiçi botoi një shkrim ekskluziv në gazetën “Blic”, me titull: “Zasto nam je potreban unutrasnji dijalog o Kosovu” (Përse na duhet dialogu i brendshëm për Kosovën). Letra përmban një ese të gjatë, me plot mjegullime,  kundërthënie e metafora, por këtu po shkëpusim tezën kryesore të saj.

“Është koha që si popull të mos e fusim kokën në rërë si struci, por të bëhemi realë, që të mos lejojmë ta humbim apo t’ia japim dikujt atë që kemi, po edhe të mos presim se do të na vijë në dorë ajo që e kemi humbur kaherë. Qysh prej Lidhjes së Prizrenit (1878), ne Serbët nuk kemi dashur të jemi mjaft të përgjegjshëm për të kuptuar forcën dhe dëshirën e Shqiptarëve, po edhe ata i kanë nënçmuar dhe nuk kanë pasur mirëkuptim për interesat shtetërore dhe nacionale serbe, veçse ka pasur përpjekje që ato të fshihen nën rrogoz, duke menduar se kjo është e mundur, me përkrahjen e fuqive të mëdha. Edhe pse Shqiptarët në realizimin e ideve të tyre e kanë përkrahjen e shumicës së vendeve perëndimore, nuk është Serbia për ta nënçmuar, sepse Serbia e sotme nuk është ajo e viteve 1999, 2004 e 2008, por as nuk guxon të jetë e pakujdesshme dhe arrogante sikur ka qenë jorrallë herë. Heshtja do të thotë se nuk kemi më çfarë të kërkojmë, se nuk ka më shpresë, se jemi të gatshëm për opsionin e fundit. Unë nuk dua të heshtë. Zgjidhja nuk qëndron në mitet tona dhe në konflikte, por as në mohimin dhe heqjen dorë nga interesat tona kombëtare e shtetërore. Prandaj, është e nevojshme, më tepër se asnjëherë deri më tash, që bashkarisht ta gjejmë zgjidhjen, e cila do të jetë e përhershme e që do ta evitojë konfliktin si opsion. Si kryetar i Serbisë, dua të përpiqemi t’i zgjidhim konfliktet tona njëherë e përgjithmonë, nëse është e mundur, e nëse jo, atëherë – asgjë, pork ky do të ishte një dështim yni dhe i Shqiptarëve. Nuk është e vërtetë se çka kemi fituar në luftë, e kemi humbur në paqe. Krejt çka kemi fituar, përsëri e kemi humbur duke luftuar e paguar çmimin më të lartë, me jetët tona e të fëmijëve tanë. Dhe kjo duhet të ndërpritet. Koha është që Sërbia të punojë, të mendojë, të fitojë, pa konflikte. Dhe unë  jam i bindur se këtë mund ta bëjmë. Të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe të zhvillimit ekonomik do të hapeshin për Serbinë, si dhe dyert e Bashkimit Evropian. Përndryshe, do ta ruanim konfliktin të ngrirë. Konsideroj se Serbisë i duhet një qasje serioze dhe e përgjegjëshme, e guximshme dhe reale, me shikim në të ardhmën. Nëse për asgjë tjetër, të paktën duhet të përpiqemi ta zgjidhim nyjen (gordiane) kosovare, e jo të fshihemi dhe barrën më të rëndë t’ua lëmë fëmijëve tanë. Jeta nënkupton ta duash vendin tënd, e jo vetëm të lavdërohesh me fitoret e gjyshërve”,- thotë ndër të tjera Vuçiçi në letrën e tij, me të cilën shpjegon përse ka nxitur dialogun e brendshëm.

Në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Beograd, më 13 tetor, duke iu përgigjur pyetjeve lidhur me dialogun e nxitur, Vuçiçi ka thënë se “zgjidhja qëndron diku në mesin e kompromiseve të Serbisë e të Shqiptarëve, dhe kjo nënkupton afrimin e dëshirave dhe realiteteteve të të dy palëve; zgjidhja as e bazuar në mite, as në konflikte, as në heqjen dorë nga të gjitha interesat tona nacionale e shtetërore”. Kështu e ka nisur dialogun e brendshëm Vuçiqçi, herë nxehtë, herë ftohtë.

Jehona e inisiativës së Vuçiçit

Sapo paralajmëroi në fjalimin inaugurues dhe në letrën e botuar në “Blic”, reagimet për këtë nismë ishin befasuese, të shpejta dhe të ndryshme. Brukseli dhe mediat gjermane, italiane dhe austriake e lavdëruan Vuçiçin për insiativën. Disa e cilësuan inisiativën si ngjarje historike, ndërsa Vuçiçin si vizionar. Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë dhënë gazetës serbe “Blic”, është shprehur në përkrahje të nismës së Vuçiçit. Në Serbi ndër të parët reagoi patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, me apel udhëheqësisë së shtetit, që të mos e japin pëlqimin për tëhuajsimin e Kosovës e Metohisë, duke shprehur besimin se Rusia nuk do të lejojë t’ua marrë dikush atë që gjithmonë ka qenë serbe. Vuçiçi i ka ftuar të gjithë institucionet shkencore e kulturore, kishën, shoqërinë civile dhe grupe të ndryshme qytetare, që të marrin pjesë në dialog dhe të japin kontributin e tyre, me mendime, ide, argumente, propozime, opsione.

Akademia e Shkencave, KOS, Universiteti dhe shoqëria civile janë deklaruar se do të marrin pjesë në dialog. Opozita, sidomos SDS (Partia Demokratike e Serbisë), DP (Drzavotvorni pokret/Lëvizja për Shtetndërtim) dhe PD (Pokret Dveri/Lëvizja Dveri) janë shprehur kategorikisht kundër dhe kanë paralajmëruar se ato nuk do të marrin pjesë në këtë dialog, duke thënë se dialogu duhet të zhvillohet në Kuvend, pasi kryetari t’ia paraqes mendimin dhe propozimin e tij se si mendon ta zgjidhë çështjen. Inisiativën e Vuçiçit ata e quajnë farsë, me të cilën Vuçiçi po kërkon alibi për kompromiset që po bënë në Bruksel në bisedimet me palën shqiptare (Shutanovac).  Kurse, Insiativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut ka thënë se hapi i parë i  këtij dialogu të vonuar duhet të jetë paraqitja e argumenteve dhe marrja e përgjegjësisë për politikën e gabuar të udhëhequr nga disa decenje më përpara, dhe krimet e kryera në Kosovë. Përfaqësuesit e pushtetit duhet të tregojnë se kush dhe përse zhvilloi kampanjën e përzënies dhe deportimit të popullsisë joserbe, prej janarit 1998 deri në qershor 1999. Serbia dhe Kosova duhet t’i procedojnë krimet e luftës. Kjo organizatë e të rinjëve e ka hartuar dhe publikuar një doracak (75 faqesh), me tema të shkoqitura në pika të shkurtra për zhvillimin e dialogut të brendshëm, në të cilin ka paraqitur shumë argumente për përgjegjësinë e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Qeveria e Serbisë më 16 tetor formoi Grupin Qeveritar, për organizimin, udhëheqjen, mbështetjen logjistike, administrative e informative të procesit të dialogut. Grupi përbëhet prej 13 anëtarësh, me mundësi të angazhimit edhe të anëtarëve të tjerë. Në grup përfaqësohen me anëtarët e tyre 9 ministri, Zyra e Kryetarit, Kabineti i Kryeministrit, Zyra e Qeverisë dhe Zyra për Kosovë e Metohi. Në mbledhjen që mbajti Grupi Punues më 20 tetor, zgjodhi  Marko Gjuriçin për kryetar të Grupit dhe përcaktoi format e organizimit të dialogut të brendshëm, që do të zhvillohet në: tryeza të rrumbullakta; konferenca; puntori; tribuna; shqyrtime profesionale. Orientimisht parashihet që procesi i dialogut  të zhvillohet disa muaj, të mblidhen  argumente, mendime, sugjerime, opsione, propozime dhe në mars të vitit 2018 Vuçiçi të dalë me propozimin e opsionit të tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës!

Variantet e tryezës: konfederatë; union real; status-quo; dhe union personal midis Serbisë e Kosovës

Tryeza e parë e dialogut të brendshëm u mbajt në Pallatin e Serbisë (ish Pallati i Federatës), më 31 tetor, në të cilën morën pjesë juristët më të njohur të universiteteve dhe fakulteteve juridike të Serbisë. Aty u paraqitën shumë mendime, ide, modele e propozime nga më të ndryshmet, se  si mendojnë ata që mund të zgjidhet çështja e Kosovës. Se sa ishin reale ato ide e propozime, gjykoni vet, pasi t’i lexoni. Por, si juristë të nivelit të lartë e me përvojë të gjatë, nuk iu kishte hije nga ana profesionale, që opsionet e tyre t’i bazonin në mite dhe në pretendimet për kishat dhe manastiret e Kosovës, apo në modele të organizimit dhe lidhjes së shteteve të kohës së monarkive feudale. Pretendonin, për shebull, që të kthehen dhe vijnë sa më shumë serbë në Kosovë, sepse numri i popullsisë është faktori kryesor për realizimin e synimeve. Universitetin serb në Kosovë e konsideronin si një hallkë të rëndësishme të Serbisë në Kosovë. Ata paraqitën edhe disa propozime konkrete për zgjidhjen juridiko-politike dhe organizativo-statutore të problemit të Kosovës.

Opsioni i parë ishte konfederata Serbi-Kosovë,  nën mbikëqyrjen e familjes evropjane, e duke i dhënë njëfarë autonomie Jugut të Serbisë dhe Veriut të Kosovës, sepse, sipas tyre lidhshmëria lokale përmes Bashkësisë së Komunave Serbe (“Zajednicës”) nuk është e mjaftueshme. Opsioni tjetër i paraqitur në tryezë ishte  unioni real, si një model i lidhjes së dy shteteve, që është lidhje më e lirshme se konfederata. Sipas mendimit të autorëve të këtij opsioni, ky model është më racional dhe nuk është emotiv. Kur e propozojnë këtë model, autorët kanë parasysh se Kosova nuk është më çështje e brëndshme e Serbisë, veç çështje juridike-ndërkombëtare, pa marrë parasysh se ç’ka shkruhet në Kushtetutën e Serbisë. Ata konsiderojnë se ky model është i pranueshëm (sic) për të dy palët, sepse me këtë as nuk humb, as nuk fiton asnjëra palë as bashkësia ndërkombëtare. U fol aty edhe për status quo-n. Sipas mendimit të ithtarëve të këtij opsioni, në 15 vjetët e ardhshme Prishtina nuk do të pranojë kurrëfarë kompromisi, sepse ka mbështetjen e mentorëve të jashtëm, dhe se kjo gjendje e pandryshuar, status-quo, i konvenon. Ndërkohë, Serbia nuk duhet të bëjë lëshime të reja në asnjë pikëpamje, as nuk duhet të hapë  fare çështjen e ndryshimit të kushtetutës. Sipas disave, në periudhën e ardhshme do të ndryshojë situata gjeopolitike dhe, me vërshimin e separatizmit në Europë (u përmend Katalonia), pavarësia e Kosovës nuk do të gëzojë përkrahje, kështuqë çështja mund të mbyllet sipas modelit: më tepër se autonomi,  më pak se pavarësi”.

Në pazarin  e juristëve serbë u shtrua edhe ideja e unionit personal midis Serbisë e Kosovës. U rishfaq edhe ideja e kahmotshme e federatës ballkanike. Rreth këtyre propozimeve e modeleve juristët e Serbisë zhvilluan diskutime të gjata dhe polemika, dhe nxorën përfundim se situata është e rëndë, por Kosova akoma nuk është e humbur. Sepse, Serbia akoma ka në Kosovë diçka të rëndësishme për shqiptarët. Madje, akoma është në fuqi Rezoluta 1244 e KS; Marrëveshja e Kumanovës; fusnota dhe asteriksi; statusi neutral i BE-së; gjë që tregon se akoma nuk është zgjidhur statusi ndërkombëtar i Kosovës. Edhe pse atje nuk e ka ushtrinë dhe policinë, Serbia në Kosovë e ka popullin e saj (120.000), e ka Universitetin, ka rrjetin e institucioneve arsimore, shëndetësore e sociale, të cilat funksionojnë normalisht, e të cilave Serbia duhet t’i ndihmojë edhe më tepër. Është një rrugë e gjatë e zgjidhjes, dhe nuk duhet ngutur e gabuar në hapa. Atë që ka mundur ta fitojë në kohën e Millosheviçit, nuk mund ta arrijë tani.

Është çudi, se këso propozime  i bënë juristë  të njohur, të cilët duhet ta dijnë se unionet reale a personale janë relike të së kaluarës  dhe sot nuk ka askund, përveç njëfarë unioni real i Emirateve të Bashkuara Arabe, apo njëfarë unioni personal i Komonveltit, që nuk mund ta aplikohen askund dhe për asgjë, e më së paku midis Kosovës e Serbisë.

Dialogu i hapur në Serbi për çështjen e Kosovës, vazhdon. Kosova po kthehet në fokus të politikës ditore të jetës politike të serbëve dhe të veprimit strategjik të Serbisë. Vetëm në dy raundet dhe tryezat e para të mbajtura më 31 tetor dhe 13 nëntor, më se 40 juristë më të njohur dhe më shumë se 50 punonjës shkencorë të 22 instituteve të shkencave shoqërore e humanitare, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, shpërfaqën mendimet, idetë, qëndrimet dhe propozimet të cilat do të shërbejnë për formulimin e platformës politike-strategjike dhe krijimin e konsensusit nacional serb për çështjen e Kosovës, të cilën e konsiderojnë çështjen më të rëndësishme kombëtare të Serbisë!

Të shohim se çfarë mendime, ide, argumente, mite, modele e propozime do të ofrojë edhe Kisha Ortodokse Serbe (ultranacionaliste), partitë politike me prefiks a sufiks demokratik, apo realisht fashiste, si ajo e Sheshelit etj.),  shoqëria civile (disa aq ekstremiste e terroriste),  dhe strukturat tjera të shoqërisë serbe. Gjasat janë se nga ky dialog i brendshëm do të “mbarset mali dhe do të pjellë një mi”!                                                                                                                                                                                                           

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA