...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dështimi i “testim-gjurmimit” në Gjermani dhe e ardhmja e epidemisë në Shqipëri

Gjykuar nga efekti i epidemisë dhe rrugëve përmes të cilëve ajo përhapet, nga kushtet social-ekonomike perëndimore, dhe nga mungesa e kuptimit të shkaqeve sistemike mes “ekspertësh” dhe nga populli, virusi do të jetë mes nesh (sepse do të vazhdojmë të jemi të varur nga lëvizja e lirë e njerëzve, sepse ndryshe dëmtohen sektorët e ekonomisë si turizmi etj.) për shumë vjet derisa të vrasë gjithë të varfërit ndërsa do të lërë të pasurit të jetojnë edhe një herë mbi rrënojat e tyre!

Ylli Përmeti

03/11/2020 - 09:39

Në vijim do të tregoj arsyet se pse epidemia në Shqipëri do të jetë mes nesh për shumë vite duke filluar nga kuptimi i sistemit shëndetësor dhe duke e krahasuar me sistemin shëndetësor gjerman.

Në vitin 1992 Shqipëria kishte 160 spitale dhe 14,000 shtretër (4 shtretër për 1000 banorë). Në vitin 1999 u zvogëluan në 50 spitale dhe shtretrit shkuan 9,600! Në vitin 2018 numri i spitaleve shkoi 55, sepse u shtuan spitalet private. Aktualisht, 42 janë spitale shtetërore dhe 13 spitale private (Instat). Numri i shtretërve shkoi në 3 për 1,000 banorë. Sektori i shëndetësisë punësonte 28,721 punonjës në vitin 1995 (European observatory on Health Care Systems) ndërsa në vitin 2018 punësonte sa 1/7 e trashëgimisë socialiste: 4,289 (Opendata).

Në Shqipëri paga mesatare e mjekëve është 450 euro, afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale, ndërsa ka 1.2 mjekë për 1000 banorë—nivelin më të ulët në Evropë dhe 3.6 infermiere për po aq banorë kur Norvegjia, vendi me numrin më të lartë botëror, ka 4.82 mjekë dhe 17.81 infermierë për 1000 banorë! Por edhe ata që kemi nuk janë të gjithë të specializuar. Një raport i “Bankës Botërore-2017” citon se “35% e punonjësve në sektorin shëndetësor janë personel jomjekësor”! Në vend të tyre, spitalet janë mbushur me njerëz që nuk kanë lidhje me sektorin. Me siguri janë mbushur me militantë! Për pasojë, vendi ynë zë vendin e parë në rajon për përqindjen e lartë të njerëzve ‘partiak’ të punësuar në spitale. Vetë ministria e shëndetësisë drejtohet nga ministre partiake: militante e partisë në pushtet.

Partitë në pushtet, rrjedhimisht, nuk kanë shkatërruar vetëm infrastrukturën e shërbimit spitalor por edhe aftësinë mjekësore. Kjo është arsyeja se pse nuk ka punë kërkimore nga mjekët tanë. Përgjithësisht zbatojnë dijen e mjekëve të huaj, kryesisht amerikanë. Si të tillë, ata janë pasivë në dije. Dhe kjo është arsyeja se pse epidemiologët nuk kanë realizuar ndonjë studim lidhur me epidemitë dhe nuk kanë fituar dije për frenimin dhe kontrollin e tyre.

Dëftues është rrëfimi i një mjekjeje, kur i shkruan Silva Binos, shefes së Departamentit të Epidemilogjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, se nuk ishte hetuar “zinxhiri i infektimit” as në rastin e infektimit të saj. Në fakt, ajo citon se “zinxhiri i hetimit nuk u krye as në rastin tim”! Ngatërrimi i “hetimit të zinxhirit” me “zinxhirin e hetimit” tregon ose pështjellim ose pakuptimësi të mënyrës se si realizohen hetimet në gjendje epidemie.

Sidoqoftë, fakt është se mjekët tanë nuk kanë mësuar të hetojnë meqënse nuk kemi parë të publikohet as ndonjë hetim as edhe përmirësim të gjendjes. Kjo është arsyeja kryesore se pse epidemia u përkeqësua pas karantinës dhe jo, siç argumentojnë mjekët, sepse njerëzit janë të shkujdesur lidhur me masat. Kjo e fundit nuk përjashtohet nga shkaqet por nuk është shkaku kryesor: sepse kryesori lidhet me shtetin dhe shërbimin e tij spitalor, për të cilin mjekët nuk kanë zhvilluar asnjë betejë për përmirësimin e tij.

Një tjetër arsye është sistemi ynë shëndetësor: ai drejtohet nga një komitet qendror kur dihet se sistemet e qendërzuar shkaktojnë një sërë problemesh. Studimet tregojnë se sistemet e shqendërzuar janë më efektivë. Gjermania, për shembull, ka krijuar një sistem të shqendërzuar dhe me infrastrukturë bashkohore. Kjo është arsyeja kryesore se pse ajo, ndryshe nga shumë vende evropiane, e përballoi më mirë epideminë. Testimet dhe gjurmimet e të infektuarve realizohen më shpejtë sepse mjekët janë më pranë rajoneve dhe vendimet e tyre nuk varen nga qendra por nga vetë rajonet.

Por pavarësisht këtij fakti Gjermania dështoi me gjurmimet dhe në fillim të fazës së dytë të epidemisë —tetor: 2020— ndryshoi strategji: kërkoi përgjegjësinë nga qytetarët. Domethënë, qeveria imponon masa, sistemi shëndetësor teston dhe gjurmon dhe vetë qytetarët vendosen përpara përgjegjësisë në raport me masat e imponuara. Përmes kësaj qasje Gjermania synon të mbajë nën kontroll epideminë. Por është e sigurtë se edhe përmes kësaj qasje ajo do të dështojë pavarësisht faktit se populli gjerman, ndryshe nga shumë popuj europian, është më i disiplinuar në sjellje: sepse këto masa nuk paralelizohen me masa sistemike (kontrolle doganore etj.).              

Kështu, deri më 9 qershor në total u rregjistruan 35 vdekje dhe 1263 raste. Gjendja u përmbys në tre muajt që pasuan, me një shtim progresiv të viktimave, të të infektuarve si dhe të të shtruarve në spitale. Numri i vdekjeve thuajse u nëntëfishua duke shkuar mbi 320, ndërsa rastet e reja u rritën mbi 8 herë, duke kapur shifrën e mbi 10,600 të infektuarve. Gjendja u përkeqësua më shumë gjatë tetorit dhe do të përkeqësohet më shumë: sepse Shqipërisë —dhe gjithë vendeve të rajonit— i mungon sistemi i shqendërzuar shëndetësor, aftësia hetimore mes mjekësh dhe infrastruktura dhe kultura shoqërore për të kuptuar drejtë efektin e pandemive dhe rëndësinë e masave.

Gjatë muajve të parë të epidemisë (deri në fillim të gushtit) mungoi dhe vullnetarizmi i mjekëve shqiptarë të punësuar jashtë vendit për të frenuar përhapjen e infeksionit. Si pasojë, ndërhyri Banka Botërore me një ndihmë financiare për të mobilizuar 300 vetë për tre muaj duke mbuluar pagën mujore dhe duke shtuar dhe 32 ambulanca. Bashkë me këtë objektiv do të realizohet dhe trajinimi i 80 specialistëve për laboratorët. Kështu numri i tyre do të jetë 100 ndërsa do të rritet numri i shtretërve për kujdes intensiv: nga 18 në 58. Pas kësaj nisme ministrja argumentoi se rriti ekipet e terrenit të epidemiologëve: nga 54 në 70 bashkë me 12 njësi lëvizëse.

Gjykuar nga numri mesatar i të infektuarve që raportohen çdo ditë —rreth 140 në gusht dhe rreth 300 në tetor— dhe nga njerëzit e angazhuar në terren —70 ekipe, hamendësisht nga tre katër vetë ekipi dhe 300 vullnetarët e angazhaur nga BB— raporti mes të infektuarve çdo ditë dhe njerëzve dhe epidemiologëve në terren është i mjaftueshëm vetëm nëse dinë të hetojnë zinxhirin e përhapjes dhe zbatojnë ligjin mbi njerëzit e infektuar: i mbikqyrin ata dhe nuk i lënë të infektojnë të tjerët. Nëse hetojnë dhe mbikqyrin, me ndihmën e policisë, epidemia mund të frenohet brenda një muaji. Ndryshe, virusin do ta kemi nëpër këmbë për shumë vjet.

Kujtoj se gripi spanjoll i fillimshekullit të kaluar pati tre faza: faza e dytë e tij ishte disafish më vdekjeprurëse se faza e parë dhe më e gjatë në kohë. Masat që u përdorën në atë kohë nuk ndryshojnë shumë nga masat e ditëve tona (maska etj.). Por me një ndryshim të madh: në atë kohë ishte zhvilluar globalizmi ekonomik por ai ishte krejt ndryshe nga globalizmi i kohës sonë: ai ishte i bazuar në komb-shtete ose perandori (Britania, Rusia etj.) dhe jo në blloqe ekonomikë dhe institucione ndërkombëtare ku varësia mes shteteve është tejet e madhe. Kështu nëse komb-shtetet e shekullit të kaluar pësonin dëme nga shtetet e tjerë ata mbyllnin kufijtë dhe merrnin masa të brendshme.

Gripi spanjoll shpërtheu në një botë e cila sapo kishte dalë nga një luftë botërore me burimet e saj jetike të drejtuara në ushtri. Ideja e një sistemi publik shëndetësor ishte në fillimet e saj dhe në shumë vende vetëm klasa e lartë ose pasanikët mund të përballonin një vizitë te mjeku. Gripi vrau shumë në zona të varfëra ku kequshqyerja dhe mungesa e higjenës mbizotëronte dhe tek ata me sëmundje të tjara. Epidemia ndaloi një vit më pas jo vetëm sepse vrau ç`kishte për të vrarë por sepse shtetet ndaluan ndërveprimet tregëtare dhe me ndryshime zbatuan masat që dëshojmë sot. Kështu në vend që shoqëritë të nxjerrin mësime nga e kaluara janë zhytur në padije.

Në anët tona, për shembull, opozita e Bashës na tregon testimet dhe gjurmimet si rrugëzgjidhje pa kundruar fare për efektin e tyre në vende të tjerë ndërsa opozita e Kryemadhit refuzon të zbatojë masat si maskat! Por nëse Kryemadhi dhe lloji i saj edhe po të infektohet mund ta përballojë atë meqë është mirëushqyer dhe pasuruar kaq vjet, çfarë do të bëjë pjesa tjetër e shoqërisë që është e kequshqyer, e keqedukuar dhe e varfër?! Nuk mungojnë komplotistët që e shohin epideminë si “plandemi”! Ata refuzojnë ta njohin virusin pavarësisht se miliona po vdesin! Mjekët me të drejtë fajësojnë politikanët dhe shoqërinë: ‘politikanët’ sepse kanë shkatërruar sistemin shëndetësor; ‘qytetarët’ sepse nuk zbatojnë masat. Por nuk tregojnë veten si fajtor! Qeveria me të drejtë u thur lavde mjekëve (nëse nënkupton “kontributin e tyre për të qenë në frontin e “luftës” siç e quajnë pavarësisht se është detyra e tyre) por nuk tregon veten si fajtore sidomos lidhur me masat sistemike që duhet të kishte marrë që në janar. Qytetarët me të drejtë fajësojnë si qeverinë ashtu dhe mjekët por jo veten!

Studimin që publikova në fund të janarit dhe ku propozoja masa sistemike për të parandaluar epideminë e lexuan disa mijëra por nuk pashë ta përdornin si “presion” ndaj qeverisë për ta zbatuar ndërsa media dhe universitetet...mjekësore dhe jo mjekësore e çensuruan si gjithë studimet e tjerë! Një shoqëri vetëvrasëse është krijuar dhe asnjë shpresë nuk shoh në horizont.

Gjykuar nga efekti i epidemisë dhe rrugëve përmes të cilëve ajo përhapet, nga kushtet social-ekonomike perëndimore, dhe nga mungesa e kuptimit të shkaqeve sistemike mes “ekspertësh” dhe nga populli, virusi do të jetë mes nesh (sepse do të vazhdojmë të jemi të varur nga lëvizja e lirë e njerëzve, sepse ndryshe dëmtohen sektorët e ekonomisë si turizmi etj.) për shumë vjet derisa të vrasë gjithë të varfërit ndërsa do të lërë të pasurit të jetojnë edhe një herë mbi rrënojat e tyre!     

Koronavirusi (Covid: 2019) dhe pandemitë botërore: shkaqet dhe rreziqet për Shqipërinë

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA