...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dështimi rus për “asgjësimin” e Kosovës në KS dhe fshikullimi i ambasadorit gjerman ndaj Serbisë

Seanca virtuale e KS ka filluar punën me gjysëm ore vonesë, për shkak se ambasadori rus, Vassily Nebenzia, i cili këtë muaj i kryeson mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, kërkoi largimin e simboleve (Flamurit) dhe të përfaqësueses së Kosovës nga platforma e Seancës

Adil Fetahu

29/10/2020 - 16:56

Në video-seancën virtuale të Këshillit të Sigurimitt të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt më 21 tetor, në të cilën u shqyrtua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm, Guteresh, për punën e Misionit të KB (UNMIK) në Kosovë në periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2020,-  për t’u mbajtur mend ishte një kritikë e ashpër e ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë ndaj ministrit të Serbisë, por edhe ndaj ambasadorit të Rusisë, i cili këtë muaj ishte kryesues i Këshillit të Sigurimit.

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në stilin e tij të gënjeshtrave e falsifikimeve, bëri një varg akuzash kundër Kosovës, duke theksuar se “Prishtina” po e mashtron Serbinë dhe BE-në që shtatë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e nuk e ka themeluar akoma atë bashkësi.

Daçiçi u qa edhe për shumë çështje tjera: se KFOR-i po bashkëpunon dhe po patrullon rreth “linjës administrative” bashkë me policinë e Kosovës; se zyrtarët “e Prishtinës” kanë paralajmëruar zbatimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej tre muajsh, gjë që është për t’u brengosur dhe është në kundërshtim të Rezolutën 1244, pasi vetëm KFOR-i është strukturë legjitime ushtarake në “Krahinë”;  se “Prishtina” po vazhdon fushatën e lobimit për njohje, përkundër marrëveshjes për moratorium një vjeçar që u nënshkrua në  Uashington më 4 shtator; se ka rritje të numrit të incidenteve kundër serbëve dhe personat e zhvendosur nuk janë duke u kthyer në Kosovë “e Metohi”; se “Prishtina” po synon rishikimin e historisë, duke u përpjekur të përvetësojë kishat ortodokse,- tha Daçiçi, që është paraqitja e tij e fundit nga funksioni i diplomatit, pasi tash, pas zgjedhjeve të fundit në Serbi, ai është zgjedhur kryesues i Kuvendit të Serbisë.

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanini, ka folur për problemin e pandemisë Covid-19 dhe ndihmat që ka marrë Kosova për përballjen e kësaj pandemie. Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi që po zhvillohet në Bruksel dhe për rezultatin e arritur në Uashington.

Seanca virtuale e KS ka filluar punën me gjysëm ore vonesë, për shkak se ambasadori rus, Vassily Nebenzia, i cili këtë muaj i kryeson mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, kërkoi largimin e simboleve (Flamurit) dhe të përfaqësueses së Kosovës nga platforma e Seancës.

Megjithatë, përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë në seancën virtuale dhe që në fillim theksoi se duhet kuptuar se Kosova është një shtet krejtësisht i pavarur dhe sovran, aspak më ndryshe se shtetet e tjera dhe se ky realitet duhet të pranohet, sepse kjo është bazë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo foli edhe për krimet e forcave jugosllave-serbe dhe spastrimin etnik dhe theksoi se populli i Kosovës kërkon drejtësi, kurse Serbia refuzon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për të luftuar krimin, për t’i  gjykuar kriminelët dhe për t’i gjetur të zhdukurit. Serbia po vazhdon fushatën kundër njohjes së Kosovës dhe po e keqpërdor kishën ortodokse për të krijuar destabilitet, tha ministrja e Kosoves për punë të jashtme dhe diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Kryesuesi ia ndërpreu fjalën përfaqësueses së Kosovës pa e përfunduar

Më i drejtpërdrejtë dhe më i ashpër në diskutimin e tij ka qenë ministri i jashtëm i Gjermanisë Kristof Heusgen (Cristoph Heusgen). Ai në fillim i bëri vërejtje kritike kryesusit të seancës, ambasadorit rus Nebenzia, se pse ia ndërpreu fjalën përfaqësueses së Kosovës. Jepni mundësinë ta përfundojë fjalën e saj, kundërshtoi ambasadori gjerman. Për  këtë vërejtje, kryesuesi i seancës “u arsyetua” se ka menduar që ajo e kishte përfunduar fjalën e saj dhe se ekrani “ishte ngrirë”. Pas fjalimit të ambasadorit gjerman, kryesuesi i seancës ia mundësoi përfaqësueses së Kosovës vazhdimin e fjalës së saj. Ambasadori gjerman e kritikoi kryesuesin aktual të Këshillit të Sigurimit edhe për faktin se nuk e lejoi përfaqësuesin special të BE-së në procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, që t’i drejtohet KS me një fjalë rasti për këtë proces.

Duke reaguar ndaj fjalimit të Daçiçit, ambasadori gjerman u shpreh se: “Përfaqësusit e Serbisë flasin shumë për krimet e shqiptarëve, por kurrë nuk kam dëgjaur prej tyre të flasin  për krimet që janë kryer kundër shqiptarëve në vitin 1998 dhe 1999, kur bënë pastrimin etnik dhe deportimin masiv  të shqiptarëve. Kur dëgjoj fjalimin e përfaqësuesit të Serbisë, kam përshtypjen se është “copy paste” (kopje-ngjitje) e fjalimit të tij të mëparshëm”. Duke folur për fushatën serbe kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ambasadori gjerman tha: “Miqtë tanë serbë po qëllojnë veten në këmbë. Sepse, nëse ata duan të hyjnë në Bashkimin Europian, duhet (madje edhe vet, v.j.) të mundohen që Kosova të njihet prej të tjerëve dhe vet ata ta njohin, sepse njohja e Kosovës është kusht që Serbia të pranohet në BE. Moszgjidhja e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet burim tensioni jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin”, theksoi ambasadori gjerman, Kristof. Ai foli edhe për Gjykatën Speciale, si segment i rëndësishëm i sundimit të së drejtës dhe përfundimit të mosndëshkimit, dhe përshëndeti vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, nën patronazhin e BE-së.

Në të njëjtën seancë virtuale të Këshillit të Sigurimit është folur edhe për çështje tjera, me theks të veçantë për problemin e pandemicë Covid-19, por edhe për Kosovën dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, Thomas Phipps, kërkoi të rishqyrtohet roli i UNMIK-ut në Kosovë, sepse gjendja tash është krejt ndryshe kundrejt asaj të vitit 1999, kur filloi mandatin. Ai përkrahu vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, nën patronazhin e BE-së dhe e ka përshëndetur përparimin e  të dy palëve, të arritur në Vashington. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për stabilitet dhe përparim, tha përfaqësuesi britanik dhe kërkoi që zyrtarët e të dy palëve të përmbahen nga retorika e cila i fyen familjet e viktimave të luftës. Ai përkrahu fuqishëm sundimin e së drejtës dhe punën e Gjykatës Speciale.

Përfaqësuesja e SHBA-ve, zëvendësja e ambasadorit amerikan në SHBA, Çerit Norman e vlerësoi si ditë historike kur kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, dhe kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiç,  nënshkruan në Uashington marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe i lavdëroi të dy për guximin e treguar. Ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë t’i inkurajojnë të dy palët që të arrijnë marrëveshjen për stabilizimin e marrëdhënieve, që është me rëndësi kyçe për rajonin. Normalizimi i plotë i marredhënieve është  qëllim i përbashkët i SHBA-ve dhe BE-së. Ka shprehur besim të plotë ndaj Gjykatës Speciale. Ndërsa për UNMIK-u, tha se e ka kaluar rolin e tij origjinal si mision i ruajtjes së paqes në Kosovë dhe në rajon dhe i ka propozuar Këshillit të Sigurimit ta rishqyrtojë atë dhe burimet e kufizuara paqëruajtëse t’i orientojë atje ku janë më të nevojshme. Ajo gjithashtu bëri apel që Këshilli i Sigurimit ta rishqyrtojë rolin e UNMK-ut në Kosovë dhe të marrë hapa në këtë drejtim.

Edhe ambasadorja e Francës vlerësoi se një nga sfidat kryesore të Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare dhe gjithpërfshirëse, juridikisht e detyrueshme, është parakusht që Serbia dhe Kosova t’i bashkangjiten BE-së. Ajo e ka përshëndetur vazhdimin e dialogut midis Prishtinës e Beogradit, me porosinë se Franca është e bindur se  të dy palët kanë të ardhme të përbashkët europiane.

Përfaqësuesi i Rusisë dhe ai i Kinës konsideruan se roli i UNMIK-ut për ruajtjen e paqes në Kosovë është i pazëvendësueshëm! Kështu, gjatë muajit që Këshillin e Sigurimit  e kryesoi përfaqësuesi i Rusisë, Daçiçi për herë të fundit në atë forum shfryu kundër Kosovës dhe shqiptarëve, por u fshikullua nga ambasadori gjerman, Heusgen, që do ta mbajë mend për një kohë të gjatë.

Ne mediat serbe komentues të shumtë shprehen në mënyrën më vulgare dhe fyese edhe kundër ambasadorit gjerman, por më tepër kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Bie në sy, se jo vetem mediat dhe komenteuesit e shumtë, por edhe vet zyrtarët e Serbisë, kur flasin për Kosovën, kurrë nuk përmendin termat e mirënjohur por përdorin: “Prishtina”, “Krahina”, “Kosovë e Metohia”, “e ashtuquajtura Kosova”, e të tjera si këto, nga frika se po ta quanin Kosovën me emrin e saj zyrtar, të njohur ndërkombëtarisht, do ta pranojnë si shtet!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA