...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dita: pse duhet hequr skulptura e Zogut?

Pajtohemi me Dita-n por jo në tërësinë e saj: sepse qasja e saj nuk është sistemike dhe shkakiste. Nuk përmend, për shembull, bashkimet juridike që realizoi Zogu në atë kohë të cilat s'ndryshojnë shumë nga bashkimet e kohëve tona...

Dita

08/08/2017 - 20:50

Më 7 prill 2014 statuja e Ahmet Zogut në Tiranë u gdhi me një litar (kavo) çeliku rreth saj, por e padëmtuar. Personalisht besova se ky ishte një akt simbolik, me të cilin autori/ët donin të tregonin, në 75 vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, se në këtë vend nuk mund të lartësohen ata shqiptarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesit apo që i kanë kthyer shpinën atdheut kur ai kishte më shumë nevojë për ta.

Pas disa ditësh, një parti komuniste mori përsipër aktin dhe pretendoi se iu kishte dështuar tentativa për ta rrëzuar statujën në fjalë. Akoma vazhdoj të mos e besoj pretendimin e këtyre komunistëve pasi bindja ime është se po të donin vërtetë ta rrëzonin, do iu kishte mjaftuar një pako C4.

Jam kundër rrëzimit të kësaj statuje me këto metoda dhe mjete, ashtu siç jam kundër ekzistencës së statujës në atë vend. Jam kundër një akti të tillë ashtu siç kam qenë kundër rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës me këto mjete në vitin 1991, por jam vendosmërisht edhe kundër ekzistencës apo rivendosjes së një statuje të tillë të Enverit në kryeqytet. Bindjen time e përcaktojnë parimet e mija morale dhe njohuritë e mija modeste në fushën e historisë.

I kujt është Zogu?

Berisha duke përuruar përmendoren e Ahmet Zogut në Tiranë në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Berisha duke përuruar përmendoren e Ahmet Zogut në Tiranë në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Përgjigjja më e shpejtë dhe më e shkurtër do të ishte: I Legalitetit. Ndërsa mendimi im është se Ahmet Zogu, ashtu si gjithë figurat e tjera politike të Shqipërisë, të gjallë apo të vdekur, na përket të gjithëve. Nuk kemi nga e çojmë. Gjithë çështja është si e vlerësojmë dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj tij.

Çudia qëndron në faktin se protagoniste e “mbrojtjes” së Zogut dhe trashëgimisë së sundimit të tij monarkist bëhet një parti e vetëshpallur republikane si PD-ja. Një parti që shpall dhe pretendon se i përmbahet parimit të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me votën e lirë dhe mundësisë së dorëzimit të pushtetit paqësisht tek kundërshtari, bëhet zëdhënëse, lartësuese dhe gardiane e një individi politik që pushtetin personal dhe fisnor e kishte ligjëruar si të trashëgueshëm dhe të përjetshëm.

Për PD-në dhe Sali Berishën, Ahmet Zogu nuk është asnjëherë ai që ishte në të vërtetë. Në vitin 1992 Sali Berisha e konsideronte Zogun “një injorant që sundoi 15 vjet” (sipas Frrok Çupit). Në vitin 1993, për pushtetin e PD-së, familja e Zogut ishte pasardhësja e një mbreti ilegjitim që s’duhej lejuar (dhe nuk lejoi) të kthehej në Shqipëri. Në vitin 1994, për Sali Berishën, ardhja e Ahmet Zogut në pushtet në vitin 1924 ishte “një dhjetor i zi për Shqipërinë dhe për shqiptarët”. Në vitin 1997 e lejoi ardhjen e familjes së Zogut me qëllim që ta keqpërdorte (siç e keqpërdori) të birin për qëllime politike. Më vonë, kur filloi të besonte se i nevojiteshin edhe votat e admiruesve të monarkisë, filloi ta lartësojë deri në marrëzi të tilla, të shprehura në formë delirante antihistorike si, “Shteti shqiptar ka lindur në Burgajet….”, apo “Ahmet Zogu qëndroi gjithmonë në anën e drejtë të historisë”.

Gjatë sundimit të Saliut të Dytë pushteti politik shkoi edhe më tutje me himnizimin e Ahmet Zogut. Pasardhësve të tij iu dhanë prona që nuk kishin qenë kurrë të familjes Zogolli dhe vetë Zogut iu ngrit shtatorja në fjalë, në krye të bulevardit me të njëjtin emër. Ndërkohë, nipi i tij, megjithëse pa kurrfarë shkollimi dhe kulture politike, u punësua si këshilltar politik i ish-Presidentit të një Republike, ndërsa ishte pasardhësi i vetëm dhe pretendenti i vetëm i monarkisë.

Ku e ka vendin Zogu?

Ahmet Zogu e ka vendin në analet e historisë. Aty gjenden veprat dhe antiveprat e tyre, vlerat dhe antivlerat, arritjet dhe dështimet, fajet, gabimet si dhe krimet e kryera. Mbetet në kulturën dhe moralin e secilit shqiptar që t’i çmojë jetën dhe veprimtarinë e secilit prej tyre.

Mendjet normale dhe ndërgjegjet e painfektuara do të konkludonin seshtatorja e Ahmet Zogut nuk ka vend në Tiranë. Nëse shkohet me mendësi të tjera do të kemi, pas pak kohësh, edhe shtatore të Berishës, Nanos e kështu me radhë. Jo! Sheshet, rrugët dhe Bulevardet e kryeqytetit duhet të jenë vende shëtitjeje, takimi dhe bashkimi për shqiptarët e të gjitha përkatësive krahinore, fetare, politike dhe ideologjike. Bustet dhe shtatoret e politikanëve mund të ngrihen në vendlindjet e tyre, në Burgajet, Viçidol e kështu me radhë. Bashkia e Tiranës dhe Partia e Legalitetit do të bënin mirë ta lëviznin shtatoren e Zogut dhe ta dërgonin në vendlindjen e tij.

Kur i ngrihet shtatore dikujt apo emri i tij iu vihet rrugëve apo objekteve, ky akt ka dy qëllime: Së pari, nderimin dhe përjetësimin e jetës dhe veprës së figurës historike. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, frymëzimin e brezave të ardhshëm me shembullin e atij individi.

Çfarë mesazhesh dhe vlerash iu transmeton brezit të sotëm dhe atyre të ardhshëm figura e Ahmet Zogut? Atë të njeriut të ditur e të kulturuar (me gjithë zgjuarsinë natyrale, kishte vetëm 6 klasë shkollë në osmanishte dhe as historianët ithtarë të tij nuk po arrijnë të gjejnë ndonjë faqe letre të shkruar në shqip prej tij)? Atë të politikanit që duhet të vijë në pushtet me vullnetin e popullit të vet (Zogu erdhi në pushtet me ushtarët dhe armët e huaja) dhe që është i gatshëm ta dorëzojë pushtetin kur ashtu e gjykon populli i tij (Zogu e shpalli veten mbret me pushtet të trashëgueshëm)? Atë të politikanit që e respekton kundërshtarin politik (Zogu i burgosi, internoi, syrgjynosi dhe vrau kundërshtarët politikë) Atë të politikanit dhe burrit të shtetit që sakrifikon edhe jetën për atdheun (Zogu e braktisi vendin e vet kur ai kishte më shumë nevojë për të)? Atë të qytetarit dhe politikanit që jeton për atdheun dhe popullin dhe mbron nderin dhe pasurinë e tyre (Zogu mori me vete në ekzil gati dy kuintal ar nga pasuria kombëtare e shqiptarëve të varfër dhe, jo vetëm s’e ktheu kurrë, por pasardhësit e tij përvetësuan vitet e fundit disa prona publike në Shqipëri)?

Jo! Ahmet Zogu nuk ka qenë as simbol dhe as mishërim i asnjërit prej tipareve të mësipërme. Adhuruesit dhe avokatët e tij na thonë se Zogu krijoi shtet modern. Kjo është një përrallë dhe gënjeshtër shumë e madhe. Ne duhet t’ia njohim meritat dhe përpjekjet e tij për ndërtimin e shtetit, për krijimin e një shteti laik, për hedhjen e bazave të arsimimit, për njëfarë emancipimi të femrës etj, por të pretendosh se miratimi i nja tri kodeve (Penal, Civil e Tregtar) sipas eksperiencës së vendeve perëndimore dhe prania e disa këshilltarëve ushtarakë e policor në administratën shqiptare janë baras me shtetin modern, kjo tingëllon qesharake.

Një shtet modern është shtet dinjitoz dhe kur sulmohet një shtet dinjitoz shumica e shteteve të tjera reagojnë dhe kundërshtojnë, qoftë dhe diplomatikisht. Pushtimi i Shqipërisë kaloi në heshtje ose miratim nga “vendet demokratike”. Ne, madje, do të tregoheshim të padrejtë me Ahmet Zogun, po ta mbanim përgjegjës për mosndërtimin e shtetit modern. As ai dhe askush tjetër nuk do të kishin mundur ta bënin një gjë të tillë në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Ne kemi një çerek shekulli që ia kemi përshtatur legjislacionin shqiptar tërësisht atij perëndimor dhe, me mijëra specialistë e këshilltarë nga vendet perëndimore ndihmojnë dikasteret tona e, megjithatë, jemi larg shtetit modern. Shakatë me gjërat më serioze si kjo e shtetit, janë me zarar.

Zogu mbetet edhe tjetërsues i territorit shqiptar, grabitës i pasurisë kombëtare për nevoja personale e familjare dhe tradhtar i interesit më të lartë kombëtar- sigurimit të lirisë kombëtare. Ahmet Zogu i caktoi vetes një pagë marramendëse për kohën dhe gjendjen e Shqipërisë (500.000 franga ari në vit, ose më shumë se buxheti vjetor i disa dikastereve qeveritare) dhe përdori paratë publike për të mbajtur konkjubinat e tij (disa kërcimtare dhe striptiste nga Viena e Parisi që i mbajti si dashnore në Tiranë).

Ai s’bëri kurrë zgjedhje të rregullta politike dhe shumica e kundërshtarëve të tij politikë, ose u burgosën e asgjësuan nga regjimi, ose u arratisën nëpër botë. Ai, me statut, e shpalli veten “të pacenueshëm dhe të papërgjegjshëm” para ligjit (neni 72). Ai e përfundoi sundimin e tij, jo thjeshtë si braktisës i fatit të atdheut, por edhe si shkelës i Statutit dhe betimit të vet.

Disa individë janë përpjekur të argumentojnë se Zogu nuk kishte rrugë tjetër veç ikjes dhe se këtë e bëri për të mos lejuar që shqiptarët të vriteshin kot përballë një fuqie shumë herë më të madhe. Kjo është një alibi që rrëzohet po aq lehtë sa gjethet e thata të pemëve nga erërat e vjeshtës. Nëse shkojmë me mendimin se po u sulmua vendi nga një fuqi më e madhe nuk duhet të rezistojmë, atëherë shumica dërmuese e shteteve të botës nuk duhet të mbajnë fare ushtri dhe fondet përkatëse duhet t’i përdorin për qëllime të tjera sociale. Unë nuk njoh ndonjë vend në botë që nuk ka ushtri. Fakti që Ahmet Zogu kishte më të madhe xhandarmërinë se ushtrinë tregon se ai kujdesej më shumë për fatin e pushtetit të tij se për fatin e vendit.

Si argument të dytë po përmend faktin e njohur, se disa shqiptarë të armatosur, por pa kurrfarë përgatitjeje ushtarake, e patën hedhur në det ushtrinë italiane në Vlorë në vitin 1920. Nga ana tjetër, komandanti i forcave pushtuese italiane të 7 prillit 1939, në kujtimet e tij, thotë se sikur shqiptarët të na rezistonin me vetëm dy brigada ushtarake do të na kishin hedhur në det. Shembulli i Greqisë është shumë domethënës në këtë aspekt.

Së treti, Ahmet Zogut dhe pushtetit të tij, që e kishin detyrë kushtetuese (statutore) nuk i kërkohej të bënin më shumë se ç’bëri Fronti NÇ dhe drejtuesit e tij, të shtyrë thjeshtë nga detyrimi moral dhe atdhetar.

Së katërti, dhe që është më kryesore, një Ahmet Zog që ishte i gatshëm të sakrifikonte shqiptarët, duke i vënë të vriteshin me njëri-tjetrin në dhjetor 1924 për ta sjellë atë në pushtet, që i vrau më vonë me gjyq e pa gjyq për të mbajtur pushtetin personal dhe që, pas 1944, në bashkëpunim me të tjerët, i dërgoi në Shqipëri të vriteshin mes vetes për të mundësuar kthimin e tij në pushtet, nuk ka pasur kurrsesi si motiv ruajtjen e jetës së shqiptarëve në prill 1939 kur nuk shpalli gjendjen e luftës dhe nuk mobilizoi dhe udhëhoqi forcat ushtarake kundër pushtuesit të atdheut. Ai që nuk i kursen jetët e popullit të vet për pushtetin e tij por “i ruan” ato kur rrezikohet liria kombëtare është një individ dhe figurë historike për të cilin atdheu nuk është asgjë përpara pushtetit politik.

Kush e vuri Zogun në Tiranë dhe pse

Fakti që PD-ja gati u vetëshpall pasardhëse e Zogut nuk nxitet vetëm nga vështirësia e saj për të gjetur një figurë politike të djathtë me kontribute madhore kombëtare por, më së shumti, nga fakti se berishizmi, si model dominues i sjelljes politike të kësaj partie, ka shumë pika të përbashkëta me zogizmin. Në të vërtetë, qëndrimi ndaj figurave dhe ngjarjeve politike përcaktohet nga sistemi i vlerave morale që udhëheqin një individ apo grup individësh.

Këtu fshihet arsyeja pse pasardhësit e Ahmet Zogut qenë fatlumë, ndryshe nga pasardhësit e Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit. Këtu po hap një parantezë për të sqaruar të përbashkëtën e Zogut me të Emanuelit dhe fatet e ndryshëm, jo thjesht të eshtrave, por të pasardhësve përkatës. Emanueli që për ironi, apo “tersllëk” mbante edhe kurorën e Zogut, të dhuruar nga të ngjashmit e tij (bashkëpunëtorë dhe “armiq” të orëve të fundit). Kur aleatët (anglo-amerikanët) po zbarkonin në Itali, mbreti ia mbathi dhe gjeti strehë në vendet arabe.

Partitë politike, shoqëria italiane, rrjedhimisht, edhe institucionet e shtetit e dënuan tradhtinë e tij dhe pasardhësve u ndalohej kthimi në Itali. Ata u lejuan të ktheheshin në Itali vetëm pak vite më parë, por pasi hoqën dorë nga titujt dhe e drejta për të kërkuar pasuritë e familjes mbretërore.

Dallimi është i qartë, prandaj le të vazhdojmë më tej. Berishizmi nuk e mbron statujën e Zogut sepse është kundër cenimit të këtyre objekteve dhe as shprehet kundër komunizmit sepse është kundër dhunës dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë. Berishizmi ka qenë, prej 24 vitesh, frymëzuesi, nxitësi dhe avokati i shkatërrimit të çdo lloj simboli apo objekti që personifikon sakrificat për liri dhe, nga ana tjetër, ka qenë dhe është avokati i vrasësve të luftëtarëve të lirisë, avokati i tradhtarëve dhe spiunëve të të huajve dhe, vetë berishizmi është dhunues dhe vrasës i kundërshtarëve politikë.

Vetëm armiqtë e të vërtetës dhe të së drejtës, vetëm armiqtë e virtytit dhe moralit, vetëm armiqtë e lirisë kombëtare dhe të dinjitetit njerëzor mund të përbuzin, fyejnë dhe poshtërojnë ata që sakrifikojnë jetën për atdheun dhe, nga ana tjetër, të lartësojnë e glorifikojnë ata që mbushin arkat me arin e popullit dhe ia mbathin kur rrezikohet atdheu apo, edhe më keq, të rehabilitojnë dhe vënë në piedestal individët që u rreshtuan vullnetarisht dhe me pasion në skalionet e pushtuesve.

Morali i berishizmit, tash 24 vjet, ka zëvendësuar: respektin për njeriun e punës me kultin e të pasuruarit pa punë, respektin për atë që sakrifikon për popullin dhe atdheun me kultin e atij që sakrifikon vendin dhe popullin për interesat e vet private, nderimin për atë që ka dhënë jetën për mbrojtjen e pasurisë nga zjarri me shpërblimin e atyre që i vunë zjarrin Shqipërisë nën maskën e luftës kundër komunizmit, nderimin për figurën e mësuesit që sakrifikon edhe jetën gjatë rrugës për të dhënë mësim në fshatrat më të thella me lartësimin e atyre që japin diploma false kundrejt parave të fituara në rrugë kriminale, respektin dhe nderimin për ushtarakun që shërben në mbrojtjen e kufijve dhe integritetit territorial të Shqipërisë me glorifikimin e individit shqiptar që, për një grusht para, shkon dhe lufton si mercenar në shkretëtirat e Azisë kundër popujve dhe shteteve që, historikisht, nuk na kanë asnjë borxh.

Është në të drejtën e çdo shqiptari të zgjedhë se cilin moral politik të përqafojë dhe me çfarë parimesh morale të edukojë pasardhësit e vet. Por, nga morali që do të zgjedhë shumica e popullit sot do të varet edhe fytyra e Shqipërisë së ardhshme. Duke perifrazuar Maks Ëeber, do të thosha se nëse dëshiron të njohësh moralin e një shoqërie shiko se cila kategori individësh lartësohet dhe admirohet më shumë.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA