Efektet katastrofike për perëndimin me refuzimin e propozimit franko-gjerman

Në vijim do të tregoj efektet e kërcënimit perëndimor mbi Serbinë dhe Kosovën; efektet e refuzimit të propozimit franko-gjerman; mundësinë e Serbisë për të sfiduar perëndimin; dhe qorrsokakun me të cilin përballemi ne shqiptarët.
Ylli Përmeti
26/02/2023 - 13:40
Shqyrtimi dhe kuptimi i kësaj çështje bëhet e domosdoshme sepse s`është kuptuar rëndësia e saj as nga Kurti, as nga populli shqiptar, as edhe, në fund, nga perëndimorët!
“Protokolli” që ndiqet zakonisht nga Brukseli për Kurtin dhe Vuçiçin është si vijon: si fillim takohen me ndërmjetësuesit veçmas pastaj shkojnë në një dhomë të gjithë dhe bisedojnë. Në varësi të procesit, ata diktojnë dhe përmbajtjen e “bisedimeve”. Në takimin e javës tjetër me shumë gjasa burokratët e Brukselit do ta porosisin si vijon Kurtin: “nëse ti nuk e nënshkruan propozimin ne nuk do të ndërmjetësojmë kur ti të shkaktosh tensione; nuk do të mobilizojmë KFOR-in në rast se kërcënon me luftë Serbia; dhe do të përdorim sanksionet ekonomike ndaj qeverisë tënde”.
Me këto tre kërcënime me siguri Kurti do të nënshkruajë propozimin ose do t`u kërkojë atyre pak kohë për ta menduar “më mirë” dhe për ta “pjekur” në popull; ose do ta refuzojë dhe do të këmbngulë në qasjen e tij (me gjashtë kushtet). Nëse vepron kështu, mbetet të përdoren nga Brukseli kërcënimet që përmenda, megjithëse ata mund të tërhiqen nga kërcënimet dhe t`i përdorin ata sa për të detyruar Kurtin ta nënshkruajë. Në rast se ata tërhiqen, ata do të detyrohen të kërkojnë nga Serbia të hedhë hapin e parë: të njohë Kosovën.
Në rast të tillë, ata do ta kërcënojnë atë me sanksione siç e kanë kërcënuar. Në varësi të besimit të Vuçiçit, ata mund të blofojnë, sepse Vuçiçi mund të mos e nënshkruajë propozimin dhe t`u thojë sanksioneve “mirësetëvini”, duke përgatitur popullin për t`u integruar në bllokun ekonomik të eurazisë.
Por burokatët e Brukselit mund të përdorin dhe një kërcënim tjetër ndaj Kurtit: se nëse ai nuk e nënshkruan atë dhe i detyron ata të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë dhe ajo i sfidon ata duke braktisur orientimin e saj dhe duke shkuar në bllokun ekonomik të eurazisë, ata do t`i thonë Kurtit, se ti do të jesh shkaktari dhe për pasojë ti do të bartësh pasojat për shqendrueshmërinë e rajonit: sepse kështu do ta paraqesin nëse Serbia i sfidon dhe shkon drejt Lindjes.
Në fakt, Serbia mund të shkrepë një efekt tjetër me sfidën e saj: të nxisë elitat e tjera të Ballkanit dhe Evropës Lindore, sidomos të Hungarisë dhe Polonisë, të orientohen drejt lindjes. Kjo nxitje do të ishte katastrofike për planet e Uashingtonit dhe Brukselit. Kështu, një luftë e re, me pasoja të rënda ekonomike, do të fillonte nga qendrat përkatëse, për t`i detyruar ato të ndryshojnë orientim.
Thënë, në fjalë të tjera, bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiçit mund të shkojnë “mirë”, në kuptimin se çfarë synon Uashingtoni dhe Brukseli, por mund të shkojnë dhe “keq”, në po të njëjtin kuptim. Dhe ngaqë Kurti nuk besoj se e ka kuptuar rëndësinë e marrëveshjes dhe efektet që mund të shkaktojë ajo, nëse ai e refuzon atë (sqaroj edhe një herë këtu se unë nuk do ta nënshkruaja, sepse ka shumë padrejtësi ndaj popullit shqiptar dhe shtron rrugën për shqendrueshmëri në afatgjatë) do të ishte e dobishme të kuptojmë mundësinë e orientimit të Serbisë drejt lindjes dhe ndikimi i saj në të ardhmen tonë.
Sa mundësi ka Serbia të refuzojë propozimin dhe më pas integrimin në BE-Eurozonë nëse kërcënohet me sanksione dhe të shkojë drejt bllokut euraziatik (EAEU) të nisur nga Rusia, Bjellorusia, Kazakistani që në 20 maj të vitit 2014, pas aneksimit të Krimesë dhe sanksioneve të para të perëndimit, të cilit më pas iu bashkua Kirgistani dhe së fundmi Kina, Irani, dhe vende të tjerë?
Së pari, ajo mund ta refuzojë atë vetëm në rastin kur Kurti do të kërkonte njohjen e ndërsjell si fillim. Së dyti, ajo është anëtare e bllokut ekonomik euraziatik që në 25 tetor të vitit 2019, kur nënshkroi marrëveshjen për treg të lirë, në Kazakistan (Nur-Sultan). Kjo marrëveshje hyri në fuqi dy vjet më pas ndërsa nënshkrimi i prit me entuziazëm. Por për shkak të sanksioneve të BE-së mbi kalimin hekurudhor tregu nuk është zhvilluar shumë mes Serbisë dhe anëtarëve të tjerë. Sipas një raporti, volumi tregtar me BE-në në vitin 2021 ishte më shumë se 60% nga tërësia tregtare. Nga BE-ja, Gjermania dhe Italia janë shtetet kryesore që kanë shkëmbime më shumë ndërsa nga blloku euraziatik janë Kina dhe Rusia.
Megjithëse për bllokun në fjalë argumentohet se synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe konkurrencës mes anëtarëve dhe nxitjen e zhvillimit të qendrueshëm, ai është kryesisht projekt politik i Rusisë se sa ekonomik: vetë Putini ka argumentuar tre vjet përpara se të merrte udhë (2011) se unioni euraziatik “do të jetë një shoqëri mbikombëtare e aftë për t`u bërë një nga polet e botës moderne dhe për të shërbyer si një urë mes Evropës dhe dinamikës së rajonit aziatik-paqësor”. Që nga ajo kohë, blloku ka ndryshuar drejtim, me më kryesorin të nxisë pavarësinë ekonomike të anëtarëve ose siç e quajti Putini edhe një herë në fjalimin e fundit, zhvillimin e një “ekonomie të vetë-mjaftueshme”.
Vetë Serbia e ka parë bllokun në fjalë si një lloj zgjidhje tjetër (alternativë) kundrejt BE-së dhe vendin e saj si një “urë” lidhëse mes unionit evropian dhe euraziatik ndërsa Brukseli e sheh atë si mundësi të mirë për treg, me SHBA-në ta shohë atë si një union që duhet të ngadalësohet ose parandalohet.
Lidhur me këtë qëllim, qendrimi i ministres së jashtme amerikane, Hilari Klinton, në vitin 2012, kur blloku në fjalë s`kishte ende marrë udhë, është dëftues: “atje është një lëvizje për ri-sovjetizimin e rajonit. Nuk do të quhet ashtu. Do të quhet bashkim doganor, do të quhet Bashkimi Euarziatik dhe kjo është e tëra. Por të mos gabojmë. Ne e dimë se cili është synimi dhe ne po përpiqemi të kuptojmë mënyra efektive për ta ngadalësuar ose parandaluar atë”, tha ajo në atë kohë.
Filozofinë e eurazianizmit e kam shqyrtuar në vend tjetër. Këtu do të citoj ndryshimet kryesore strukturore mes tij dhe BE-së: kjo e fundit synon hapjen dhe liberalizimin e tregut ndërsa eurazianizmi jo (për të gjithë ata që s`i kuptojnë këto ngjizje...BE-ja kërkon jo vetëm katër liritë, për mallrat, kapitalin, shërbimet dhe punën por dhe privatizimin e sektorëve të ekonomisë); BE-ja ka nevojë për ligje dhe struktura mbikombëtare ndërsa eurazianizmi ka më pak nevojë; pikërisht për këtë arsye, blloku euraziatik nuk ka sistem juridik mbikombëtar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes anëtarëve dhe korporatave.
Për ka një gjykatë që ka për detyrë të zgjidh mosmarrëveshjet që lidhen me traktatet e nënshkruar nga unioni. Por ndryshimi më i madh është në nivel politik: eurazianizmi nuk kërkon nga anëtarët të delegojnë pushtetin politik në struktura politike mbikombëtare siç është Brukseli për BE-në. Ai ka vetëm një seli në Moskë, Këshillin, ku pushteti barasnadahet mes anëtarëve. Rusia, në fjalë të tjera, nuk ka më shumë pushtet se anëtarët e tjerë me votën e saj.
Një faktor tjetër është popullata e eurazisë: ajo nuk është më e madhe se e BE-së (mbi 180 milionë njerëz) por me Kinën dhe anëtarët e tjerë unioni ka popullatën më të madhe në planet. Krahas këtyre shteteve, pritet dhe anëtarësimi i Indisë. Kjo e fundit ka shprehur entuziazëm për të. Këto ndryshime strukturore dhe demografike e bëjnë atë më joshës se BE-ja dhe kjo e fundit është në dijeni të këtyre fakteve. Pikërisht për këto arsye dhe të ngjashme si këto, në BE janë shtuar zërat për ndryshimin e strukturës së saj.
Përfundime
Përfundimet e gjithë këtyre fakteve janë si vijon: Serbia mund ta sfidojë BE-në nëse kjo e fundit e ndëshkon atë me sanksione, sepse një pjesë të punës së saj për t`u mbrojtur nga lufta ekonomike perëndimore e ka bërë ndërsa ka mbështetje nga shumica e popullit (sondazhet tregojnë se shumica e popullit serb nuk e mbështet integrimin në BE). Por shkëputja e saj nga perëndimi ose nga marrëdhëniet tregtare (kryesisht me Gjermaninë dhe Italinë) nuk do të jetë e lehtë; as do të jetë tërësore.
Megjithëse perëndimi ka kërcënuar Serbinë se do të ndalonte investimet dhe do të tërhiqte ndërmarrjet e saj, ato mund të mos e ndërmarrin këtë veprim, meqënse interesat gjermane dhe italiane nuk janë të njëjta me interesat amerikane në rajon. Por edhe nëse vendet evropiane detyrohen nga Uashingtoni të tërhiqen, Serbia ka mundësi të balancojë tregun e saj ―në afatgjatë― në bllokun euraziatik. Për këtë fakt është në dijeni elita serbe. Ndaj ajo nuk do të ngurronte ta sfidonte perëndimin pavarësisht dëmeve në afatshkurtër. Me siguri ajo do të mendojë avantazhet që ka blloku euraziatik me disavantazhet e BE-së dhe do të zgjedhë të sakrifikojë.
Në fund të fundit, popujt kërkojnë lirinë dhe sigurinë e tyre. Nëse kërcënohen këto dy shtylla, ata do të luftojnë për t`u mbrojtur. Për mbështetësit e bllokut euraziatik në Serbi kërcënimet perëndimore do të ishin një “dhuratë” e dobishme, sepse do t`i shfrytëzojnë ato për të treguar se u kufizohet liria dhe u kërcënohet siguria. Kështu ata mund të fuqizojnë dinamikën “euroskeptike” atje dhe të kërkojnë lirinë dhe sigurinë e bllokut euraziatik duke patur në duar një “provë” të fortë kundër perëndimit.
Nëse Serbia orientohet drejt lindjes, perëndimi ose do të veprojë me sanksione të ashpra, me qëllim që ta dëmtojë atë fort, si “hakmarrje”, ose do ta zbusë qendrimin e tij por...në dëm të shqiptarëve: duke kërkuar krijimin e bashkësisë serbe por pa kërkuar paralelisht të njëjtën bashkësi për shqiptarët e Serbisë dhe pa siguruar paqen në afatgjatë (si mund të jetë e paqtë një pakicë kombëtare e cila ka luftuar për shfarrosjen e shqiptarëve, nuk ka kërkuar ndjesë dhe nuk kërkon të zbatojë të njëjtin parim për pakicat kombëtare në vendin e saj?!).
Por nëse Serbia nënshkruan propozimin, ajo prapë do të krijojë pengesa dhe pasiguri për Kosovën, pavarësisht se në marrëveshje thuhet se ajo i detyron palët ta zbatojnë atë. Pengesat për qeverisje, siguri dhe qendrueshmëri mund të fillojnë ose menjëherë, pasi të jetë krijuar bashkësia serbe, ose më pas, kur të ketë mbaruar lufta në Ukrainë, sidomos në kushte kur luftën e fiton Rusia.
Thënë, në fjalë të tjera, taktika perëndimore është e gabuar jo vetëm sepse kërkon të përparojë një projekt (BE-në) duke sakrifikuar shqiptarët por ajo rrezikon të mos realizojë asnjërën: sepse me siguri shqiptarët do të hidhen në protesta nëse krijohet bashkësia serbe pa kërkuar populli përkatës ndjesë për përfshirjen e tij në luftë kundër shqiptarëve dhe pa kërkuar barazi për pakicat kombëtare dhe për pasojë, do ta shohë perëndimin si “djallëzor” në mos si “armik” përsa kohë që ai kërkon të përparojë një projekt mbi “kurrizin” e shqiptarëve.
Ne do të jemi në “pozita” edhe më të vështira meqënse kemi pranuar në shumicën tonë (opozita e Kosovës dhe klasa politike në Tiranë) taktikën perëndimore (pa shqyrtuar pasojat e dëmshme!) dhe nuk kemi kërkuar zbatimin e të drejtës ndërkombëtare. Madje kemi treguar (me protagoniste Vjosa Osmanin) qendrime anti-ruse, duke përmbysur të vërtetën: se kërcënimet serbe nuk i nxit Beogradi por i nxit si fillim Moska dhe pastaj fqinji ynë!
Ky është një spekulim me pasoja të rënda për popullin tonë, sepse jo vetëm që nuk është i drejtë (sepse s`ka anjë fakt që tregon se kërcënimet ndaj nesh thuren në Moskë, përkundrazi, faktet tregojnë se është Beogradi “arktitekti” i politikave shoviniste, i cili kërkon t`i përparojë ato me ndihmën e Rusisë), por bëhet kundrejt një superfuqie që e kemi shumë pranë gjeografikisht dhe ka një peshë të madhe në komunitetin ndërkombëtar dhe në OKB.
Presidentja e Kosovës shkoi aq larg sa guxoi (edhe një herë) dhe na tha se Serbia po përgatitet për luftë hibride (të armatosur) me ndihmën e kontraktuesit rus, Wagner! Por u desh qendrimi i komandatit të KFOR-it për të na thënë se pretendimi i saj ishte një gënjeshtër e turpshme. Kështu për presidenten tonë dhe të ngjashmit e saj, nuk mjaftojnë politikat e padrejta të Serbisë por duhet të shpikim dhe ca të tjetra!
Për më shumë:
Mundësia e luftës mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe pasojat e saj
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 205 reads