...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Faqja e zezë e “Akademisë së Shkencave”, çfarë i mungon asaj dhe pse u shkatërrua figura e Mësuesit?

Do të ishte e dobishme të shqyrtonim jo vetëm strukturën e Akademisë së Shkencave në raport me shoqërinë tonë dhe sistemet që krijojnë elitat politike por edhe dijen e mundshme që mund të kenë zhvilluar anëtarët e akademisë nga studimet e tyre akademike dhe, të nxjerrim përfundime.

Ylli Përmeti

07/01/2018 - 11:17

Do të ishte e dobishme të shqyrtonim jo vetëm strukturën e Akademisë së Shkencave në raport me shoqërinë tonë dhe sistemet që krijojnë elitat politike por edhe dijen e mundshme që mund të kenë zhvilluar anëtarët e akademisë nga studimet e tyre akademike dhe, të nxjerrim përfundime. Mendësinë e tyre e kuptojmë nga qendrimet akademike (libra etj.) dhe veprimtaria publike (në universitete etj.). Artan Fugën, filozofin e shqiptarëve të kohëve tona, e kam konsideruar në vend tjetër dhe kam treguar pakuptimësinë e tij lidhur me dijen, rolin e filozofisë dhe sistemet.[1] Këtu do të konsideroj një anëtar tjetër, të “spikatur” të akademisë sonë, Kosta Barjaba, i cili, në një intervistë në një të përditshme rrëfen shkaqet e krizës në vend - si duket, për të treguar se kanë punuar dhe meritojnë financim nga qeveria “Rama”. Ja cilët janë përfundimet e forumeve akademike:

Forumi i parë zbuloi se ndër shkaqet e varfërisë në Shqipëri janë mungesa e politikave zhvillimore adekuate, mbështetur në përparësitë konkurruese të vendit, për të cilat forumi rekomandoi ndërhyrje konkrete. Forumi i dytë zbuloi se zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit vuante nga disa asimetri zhvillimore, të cilat veprojnë edhe ato si një shkak për thellimin e varfërisë. Forumi rekomandoi politika e ndërhyrje për zbutjen e këtyre asimetrive. Forumi i tretë zbuloi se përveç politikave joadekuate dhe asimetrive, modeli i zhvillimit të Shqipërisë nuk mbështetet sa duhet në kontekstet lokale, në kulturën, psikologjinë dhe antropologjinë e shqiptarëve. Modelin ekonomik nuk e formojnë vetëm teoritë dhe pikëpamjet, por investimi i njerëzve, sipërmarrësve dhe qytetarëve, të cilët punojnë, prodhojnë, kontraktojnë, kooperojnë, shesin, blejnë, kursejnë, marrin ose japin kredi etj. Forumi sugjeroi masa konkrete sesi ky rezervuar kulturor, psikologjik, antropologjik dhe sociologjik i shqiptarëve mund të investohet në shërbim të rimodelimit të zhvillimit ekonomik të vendit.    

Mungesa e politikave adekuate e mbështetur në përparësitë konkurruese të vendit, asimetritë zhvillimore që veprojnë edhe ato si shkak për thellimin e varfërisë dhe modeli i zhvillimit të Shqipërisë që nuk mbështetet sa duhet në kontekstet lokale, në kulturën, psikologjinë dhe antropologjinë shqiptare, janë shkaqet kryesore, sipas përfundimeve të forumeve akademike, se pse Shqipëria, është në krizë! Së pari, dhe përtej faktit që përdor një fjalë të huaj –“adekuate”- akademiku ynë nuk na tregon përparësitë tona konkurruese në tregun ndërkombëtar. Siç duket, nuk i mjaftoi koha dhe kursimet e majme që i kemi siguruar atij dhe homologëve të tij për të kryer ndonjë studim dhe për të treguar “përparësitë tona konkurruese”. Në të vërtetë, nëse i përmbahemi literaturës “akademike” që qarkullon rreth nesh, dhe “rekomandimeve” të institucioneve ndërkombëtare (FMN etj.) ajo citon se që të jetë një vend “konkurrues” në tregun ndërkombëtar duhet të ketë taksa të ulëta për korporatat e huaja dhe rroga të ulëta për punëtorët që do të punojnë në korporatat përkatëse. Ky “rekomandim” nuk konsideron as strukturën ekonomike të një vendi as dijen e mundshme të kapitalistëve që do të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar të marketingut. Si i tillë, ai është një “rekomandim” për vendet që kanë shkatërruar strukturën dhe dijen ekonomike. Se cili vend në rajon ka shkatërruar më shumë ose plotësisht strukturën dhe dijen ekonomike, kuptohet jo vetëm nga studimet por edhe kur hedhim sytë vërdallë: Shqipëria është e para – ajo shkatërroi strukturën dhe dijen ekonomike që zhvilloi përgjatë socializmit me të cilën konkurronte denjësisht dhe ruante balancat e bilancit vjetor.

Së dyti, asimetritë zhvillimore nuk janë shkak në vetë-vete për varfërinë: sepse natyrshëm pyesim: po “asimetritë zhvillimore” kush i krijoi? Dimë se asimetritë i krijoi elita politike e dekadave të fundit me shkatërrimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe privatizimin e tyre për pesë qindarka për ortakët e saj, të brendshëm dhe të jashtëm. Kështuqë, asimetria u krijua nga elita politike ose pushteti politik, një proces që duhet ta kishin treguar akademikët përpara se të na tregonin pasojën si shkak! Mbështetja në kontekstet lokale —kulturën, psikologjinë dhe antropologjinë shqiptare— e cila mund të jetë një model i ri zhvillimor, sipas akademikëve, jo vetëm që shpërnjeh sistemin —domethënë, dinamikën e tij të përqendrimit të pushtetit në duart e elitave pas të cilit gjithë të tjerët rendin— por përfshin në modelin e ri zhvillimor dhe antropologjinë dhe ndan kulturën nga psikologjia sikur psikologjia mos të ishte pjesë e kulturës! Hamendësisht, këta “akadamikë” s’kanë kuptuar dallimin mes kulturës dhe psikologjisë — se cila është pjesë e tjetrës— e jo më të kuptojnë se ‘antropologjia’ si disiplinë nuk mund të përfshihet në ndonjë model zhvillimor ekonomik.             

Por le të shqyrtojmë sintezën disiplinore të akademisë në raport me veten dhe shoqërinë shqiptare. Nga letrat e “akademikëve” (Fuga etj.) që lexova kuptova se “akademikët” nuk dinin se ç’kërkonin. Kërkonin nga Rama që t’i reformonte pa i treguar se çfarë të “reformonte”! Dhe për t’i “reformuar” kërkonin të takoheshin dhe dialogonin. Mirëkuptimin tim se janë kërcënuar dhe çensuruar nga pushteti politik - e kanë. Por të mos kenë kuptuar kaq kohë se çfarë i duhet Akademisë – është e dhimbshme dhe e papranueshme. Dhe ja si mund të kthehet akademia në qendrën e shkencës së dëshiruar:

Së pari, duhet të kuptojmë se natyra e akademisë shekullin e kaluar ishte ‘natyraliste’. Domethënë, kishte marrë orientimin shkencor që mori sistemi: u përqendrua kryesisht (për mos të thënë tërësisht) në shkencat e natyrës. Vitet e “demokracisë” përfaqësuese dhe kapitalizmit ajo u përqendrua kryesisht në shkencat sociale. Kujtoj se historia –siç është konceptuar— nuk është shkencë. Por përshkrim i një dinamike (të një populli apo individi). Kështuqë historianët e akademisë nuk mund t’i klasifikojmë si “shkencëtarë”. As albanologjia ose gjuhësia në përgjithësi nuk është shkencë. Se cilat disiplina mund të konsiderohen shkencë dhe pse - e ka bërë të qartë babai i shkencës: Aristoteli. Mjafton ta studiojmë. Kështuqë studimet e shekullit të kaluar që kanë dalë nga akademia e shkencave (histori; agronomi etj.) nuk kanë patur karakter “shkencor” por “disiplinar”. Domethënë, kanë qenë studime të përqendruar në disiplina të veçanta dhe nuk kanë qenë sistemike — domethënë, një gërshetim i shkencave sociale me shkencat natyrale. Për shembull, të studiosh agronomi, pa studiuar sociologji dhe anasjelltas, është “dritë” e kufizuar. Shkurt, akademia operonte në një “eskstrem” disiplinor dhe shkoi në një “ekstrem” tjetër. Njerëzit që vlerësojnë dhe gjykojnë punët ‘shencore’ rrjedhimisht, janë me dije të pjesshme shkencore, sidomos në shkencat sociale. Si mund, fundja, të gjykojë drejtë një punë shkencore të shkencave sociale një njeri që është kualifikuar në shkencat e natyrës dhe anasjelltas? Qartësisht, Akademia e Shkencave duhet të krijojë një balancë mes studiuesve të shkencave të natyrës dhe shkencave sociale në punëtorinë e saj. Nga kjo ‘balancë’ mund të pretendohet një lloj objektiviteti në vlerësimin dhe akreditimin e punëve shkencore.

Së dyti, akademia e shkencave ka trashëguar një traditë organizative hierarkike dhe nuk do të ishte e çuditshme që ajo të kërkojë “reforminim” e saj nga Rama. Domethënë, kuadri operativ ka qenë gjithnjë i diktuar nga pushteti politik. Dihet se pushteti politik –sidomos pushtetet shumë dekadashe- kërkojnë një individ për t’u marrë vesh për orientimin e saj shkencor. Kështuqë kryetari i akademisë do të ishte me autonomi të cënuar pavarësisht se si mund të zgjidhësh: demokratikisht (nga punëtorët e akademisë) apo i emëruar nga pushteti politik. Zgjedhjet e fundit, për shembull, ishin jodemokratike: sepse u vetë-propozuan (në dijeninë time) krerët e akademisë për t’u rizgjedhur! Kjo është një praktikë që ndjekin dhe partitë. Por me disa ndryshime. Kryetari i një partie miraton kandidimin e një individi dhe populli voton. Apo rasti i krijimit të qeverisë “Rama2” ku Rama vetë i zgjodhi dhe vetë i emëroi...ministrat. Këto janë praktika ekstremisht jodemokratike dhe jopedagogjike: sepse që të sigurohet një shkallë e lartë ‘autonomie’ ose ‘pavarësie’ e institucioneve publike (dhe jo vetëm, por dhe të sigurohet meritokracia dhe drejtësia) kandidatët propozohen nga vetë trupa e institucionit përkatës, shqyrtohen nga vetë ata - kontributet, cilësitë ose virtytet e tyre dhe kështu kalojnë në votëbesim. Të hamendësosh se këtë praktikë nuk e njohin “akademikët” tanë, do të ishte spekulative. Por kur nuk e shikojmë të parashtruar në letrat e tyre përfundojmë se nuk e njohin. Këto praktika –në të vërtetë- njihen kryesisht nga filozofia politike. Akademisë sonë kjo disiplinë -tejet e nevojshme- i mungon. Shekullin e kaluar kishin Marksin. Mirëpo Marksi nuk i ndihon me literaturë organizative dhe demokratike. Kështuqë kanë mbetur “jetimë” dhe në duart e “reformave” të Ramës apo çdo “rame” që mund të vijë nesër!

Efekti që kishte Akademia e Shkencave në socializëm tek mësuesit ishte i madh; roli i saj ishte shkencor dhe nga ajo kërkohësh puna teorike për gjithë sistemin: edhe nëse mësuesit ‘çalonin” në shkencë, dinamika që krijonte Akademia në raport me sistemin ishte e tillë që të “shkencëronte” edhe mësuesit. Dihet se mësuesit e cikleve të ulët janë pasivë në dije — në kuptimin se roli i tyre është të transmetojnë dijen e librave që parashtronte akademia e shkencave. Në këtë kuptim ata me të vërtet nuk bëheshin dot aktivë — domethënë prodhues të dijes ose rishikues të saj por dinamika që krijohësh mes akademisë, mësuesve dhe sektorëve të ekonomisë, kishte efekt edukativ për mësuesit. Me prishjen e rolit të Akademisë së Shkencave, ose degjenerimit të saj në një institut pa identitet (orientim shkencor) dhe pa demokraci institucionale (vendime dhe zgjedhje demokratike dhe meritokratike), degjeneroi dhe figura e mësuesit: ata u bënë edhe më pasivë në dije. Rolin e akademikëve e morën ‘opinionistët’ e televizioneve private. Nuk është e rastit që mësuesit dhe më shumë pedagogët citojnë në mësimdhëniet dhe “doktoraturat” e tyre pikërisht opinionistët e tipit Bushati, Lubonja etj. Figura e mësuesit rrjedhimisht do të rifitonte autoritet vetëm nëse ata do të kishin një akademi shkencore të mirë-orientuar dhe mirë-administruar. Ndryshe, çdo lloj “reforme” në sistemin arsimor (duke hequr një prift dhe vendosur një hoxhë) do të ishte pa asnjë efekt qoftë për sjelljen e mësuesve dhe pedagogëve qoftë për shoqërinë.             

Përmblethtas, Akademia e Shkencave ka dy probleme kryesore: njëri buron nga orientimi i saj (përbërja e punëtorisë akademike nuk është në respekt të shkencave sociale dhe natyrës...të balancës së tyre) dhe tjetri nga mungesa e kuptimit të formës organizative të institucionit përkatës. Gjykuar nga kjo gjendje dhe nga mendësia e Ramës —në terma shkencorë dhe demokratikë Rama është më keq se akademikët— Akademia e Shkencave ka shumë pak mundësi për t’u përmirësuar dhe për të na sjellë punë të dobishme për popullin dhe jetën që na rrethon.        

Shënim: Kërkesat dhe qendrimet e akademikëve publikohen kryesisht në gazetën “Dita”. Kritikat dhe replikat e mija, kundër Fugës, Tarifës etj., gazeta në fjalë nuk i publikon! Sepse, hemendësisht, i dëmtoj synimin e saj për një shoqëri “socialiste” hierarkike ku ajo me simotrat e saj të majmet e të qendrojë në krye me partinë!



[1]Artan Fuga: në “madhështinë” e tij filozofike. Shqipëriajonë.org. http://www.shqiperiajone.org/analiza-filozofi/artan-fuga-ne-madheshtine-...  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA