Ideologjia e re e elitës politike serbe dhe kriza sistemike në rajon

Të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje, të provokohen paknaqësi e trazira të brendshme, me qëllim që të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë
Adil Fetahu
11/05/2023 - 18:31
Gjeneratat e mëheshme e mbajnë mend reagimin e butë kundër Memorandumit të parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (ASHAS), të cilin e publikoi gazeta “Vecenje Novosti” në datën 24 e 25 shtator 1986, gazetari dhe redaktori i asaj gazete Aleksandër Gjukanoviç. Atë Memorandum e kishin hartuar një grup akademikësh të ASHAS-së, dhe nënshkruar 16 akademikë të atij laboratori të programeve strategjike për Serbinë e Madhe (Pavle Iviq, Antonije Isakoviç, Dushan Kanazir, Mihajllo Markoviç, Millosh Macura, Dejan Medakoviç, Mirosllav Pantiq, Nikolla Pantiq, Ljubisha Rakiq, Radovan Samarxhiq, Miomir Vukobratoviç, Vasillije Krestiq, Ivan Maksimoviç, Kosta Mihajlloviç, Stojan Qelliq dhe Nikolla Qobelliq).
Edhe pse emri i tij nuk figuronte në regjistrin e Komisionit, të cilin e kishte formuar Akademia për hartimin e Memorandumit, më i zëshmi dhe më aktivi me idetë e tij në punën e Komisionit ishte “babai i kombit”, Dobrica Qosiq, shkrimtar, politikan dhe “disident” kundërthënës i rafinuar. Memorandumi ishte program nacionalist serb, në të cilin ishin artikuluar idetë dhe synimet e nacionalizmit serb, për centralizimin e pushtetit të Jugosllavisë, me dominim absolut të Republikës së Serbisë. Në atë Memorandum flitej për krizën ekonomike dhe shoqërore të Jugosllavisë dhe Serbisë, ndërsa pjesa dërrmuese i kushtohej pozitës dhe statusit të pazgjidhur të popullit serb në Jugosllavi, për shkak të ekzistimit të krahinave (Kosovës dhe Vojvodinës) në kuadrin e saj.
Të përmbledhura në katër kapituj kryesor, ankesat e Memorandumit 1 (1986) ishin:
1) Kufijtë e Serbisë nuk janë në përputhje me përbërjen etnike dhe ato duhet të ricaktohen, sepse Kushtetuta e vitit 1974 i ka shkaktuar dëm të madh Serbisë, duke krijuar krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës, duke shkapërderdhur federatën dhe caktuar kufijë administrativë, të cilët nuk paraqesin figurën e vërtetë;
2) Rrezikimi i kombit serb nga kombet e tjera brenda Jugosllavisë: asimilimi, shfrytëzimi, keqtrajtimi, përzënia, pamundësia e hulumtimeve, skajimi në sferën politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore;
3) Fuqizimi i forcave antiserbe (Kroate dhe Shqiptare) brënda Jugosllavisë; dhe
4) Nevoja për aksion të shpejtë në pengimin e shkatërrimit të Serbisë dhe të kombit seb.
Këto ishin premisa të cilat shteti i Serbisë, me të gjitha strukturat e shoqërisë serbe i zbatoi deri në fund të shekullit të kaluar (1999) dhe pasojat dihen.
Memorandumi 2
Por shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë nuk i bëri më të matur hartuesit e ASHAS, prandaj hartuan Memorandumin 2, si një program i ri i veprimit të zyrtarëve dhe organeve të pushtetit të Serbisë, me metoda veprimi përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja. Ndërsa Memorandumi 1, kishte të bënte me veprimin brendapërbrenda Jugosllavisë, Memorandumi 2 ka të bëjë me veprimin e strukturave të shtetit të Serbisë në shtetet fqinje.
Bartës kryesor të Memorandumit 2, ishin Dobrica Qosiq e Luba Tadiq, me një mori të akademikëve të tjerë. Është hartuar dhe u është dërguar (2011) vetëm një numër i caktuar zyrtarëve, anëtarëve të qeverisë dhe përfaqësuesve të besueshëm të subjekteve politike, me siglën: “Lexoni e mos e përhapni”, dmth. të mbahet e fshehtë por të veprohet haptas sipas tij. Por siç thotë një urti, se “fshehtësia e tre vetëve ruhet vetëm nëse dy prej tyre vdesin”, edhe ky program famëkeq nuk mundi të mbahet i fshehtë, sepse ka rrjedhë nëpër kanale të caktuara, konkretisht ka dalë nga vet kabineti i ish-kryeministrit të Serbisë, Cvetkoviç, dhe e publikoi gazeta boshnjake “Sllobodna Bosna” në mars të vitit 2011.
Memorandumi 2, që tashmë nuk është kurrësesi i fshehtë, por që Akademia dhe zyrtarët shtetëror në Serbi nuk e përmendin as e pranojnë si dokument të tyre, ndësa veprojnë me të madhe sipas tij, është një program strategjik për finalizimin e Serbisë së Madhe në kushte të reja, në kohë paqeje realtive.
Akademiku e shkrimtari Dobrica Qosiq e ka përhapur teorinë e tij se “Serbia atë që e ka fituar në luftë, e ka humbur në paqe”, prandaj, sipas tij, tash duhet ta zbatojmë një politikë tjetër, “atë që e kemi humbur në katër luftërat e fundit (1992-1999), duhet ta fitojmë në paqe, sepse humbjet serbe nuk janë përfundimtare”. Edhe “pajdashi” i tij, njëri nga intelektualët më në zë të Serbisë, me prejardhje malazeze, Luba Tadiq, babai i ish-kryetarit të Serbisë Borisav Tadiq, gjithnjë e ka theksuar mendimin se “Humbjet ushtarake të Krajinës Serbe dhe të vendeve sllave në Kroaci, ku Serbët ishin shumicë, nuk guxojmë kurrë t’i pranojmë si humbje definitive.
As gjermanët nuk e konsideronin të humbur përfundimisht Gjermaninë Lindore, madje as në kushtetutën e tyre”. (Me këtë shpresë, edhe Kushtetuta e Serbisë e mbanë “Kosovë-Metohinë” si krahinë të saj, sic!).
Pas publikimit të Memorandumit 2, në gazetën “Sllobodna Bosna” (2011), politikani i atjeshëm Bogiq Bogiçeviç, ka thënë se ai dokument paraqet problem të rrezikshëm shtetëror për Bosnjën, ndërsa lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, shfrytëzon çdo situatë për të realizuar udhëzimet e “babait të kombit”, se si ta kthejmë në fitore gjithë atë që kemi humbur në luftë!
Memorandumi propozon hapur të ndihmohet shkëputja e Republika Srpska-s nga Federata e BH dhe bashkimi me Serbinë (pika 7).
Një ndër hapat e rëndësishëm politik dhe diplomatik që duhet të ndërmerret, sipas autorëve të Memorandumit 2, është lufta për pozitën e serbëve si popull konshtetues në Kroaci e Mal të Zi, e menjëherë pastaj të kërkohet autonomi territoriale për Serbët në ato shtete.
Në Kosovë është në veprim ky koncept i Memorandumit 2, përmes formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, si parakusht për shkëputje nga Kosova, me të cilën, përveç marrjes së një territori strategjik, do të arrihej qëllimi që të shkëputet lidhja e Kosovës me Sanxhakun e Novi Pazarit, me të cilin Kosova ka qenë e lidhur tërë kohën.
Memorandumi 2 i ASHAS-së është strukturuar në 9 kapituj (9 pika kryesore), të cilat janë:
1. Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, me qëllim që me akuza dhe fletarreste e me procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, të Kroacisë dhe të Kosovës, të vihet në pozitë të barabartë (të fajsësisë, v.j.) me shtetet përreth;
2. Të shmanget vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara kundër pjesëtarëve të kreut politik, informativ dhe ushtarak të Serbisë dhe të kreut politik dhe ushtarak të Republika Srpska-s, të cilët po gjykohen në Tribunalin e Hagës;
3. Shtetet fqinje, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova, të vihen në pozitë që të heqin dorë nga paditë e paralajmëruara në gjykatat ndërkombëtare;
4. Me aksione të pendesës, të vihet Serbia në pozitë të njëjtë me shtetet viktima e të dëmtuara fqinje;
5. Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës, në mënyrë që gjykimi i Ratko Mlladiçit të bëhet në gjykatat vendore;
6. Të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje, të provokohen paknaqësi e trazira të brendshme, me qëllim që të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë;
7. Të ndihmohet shkëputja e Republika Srpska-s;
8. Të këmbngulet në fitimin e statusit konshtetues të Serbëve në Koraci, Mal të Zi dhe në Kosovë, dhe të bëhet tranzicioni i bashkësive serbe të shteteve të rajonit në një Bashkësi unike gjithëserbe; dhe
9. Të ndalet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i mëtejshëm i Serbisë dhe të dobësohet veprimi i Bashkësisë Islame të Sanxhakut.
Çdokush që mban mend ngjarjet e periudhës 2012 deri më sot, mund të gjejë zbatimin praktik të shumicës së pikave të Memorandumit 2, sidomos në Bosnje-Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë.
Në BH sabotohet çdo ligj apo vendim me karakter qendror të Federatës, e bëhet gjithçka që të pavarësohet krijesa gjenocidale, e quajtur Republika Srpska. Kjo bëhet me ndihmën e hapur e të fshehtë të Serbisë, jo vetëm në aspektin politik e diplomatik, por akoma më tepër me lidhjet ekonomike dhe infrastrukturore. Në Mal të Zi, pas dështimit të grushtetit (2016) të nxitur nga Serbia e Rusia, përmes Kishës Ortodokse Serbe shkaktuan trazira derisa e rrëzuan pushtetin legjitim dhe e morën në dorë forcat proserbe. Në Kosovë mbahet gjendja e tensionuar, me kërcënim me luftë, me gënjeshtrat për rrezikimin e serbëve, të cilët gëzojnë privilegje që nuk i ka asnjë minoritet në botë.
Që 10 vjet insistohet në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si trampolinë për autonomi politike-territoriale, me mundësi të shkëputjes nga Kosova e bashkimit me Serbinë.
Të gjitha veprimet për destabilizimin e Kosovës mbështetën në gënjeshtra për rrezikimin e minoritetit serb, i cili përveçse është i përfaqësur në të gjitha organet dhe institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë, shumëfish më tepër se i takon në përpjestim me numrin e pjesëtarëve të atij minoriteti, ata në anën tjetër nuk e njohin as nuk e respektojnë shtetin, kushtetutën, ligjet, organet e institucionet e Kosovës, në të cilat edhe vet zënë pozita të larta -- sepse kështu kërkon pushteti i Beogradit, e në rast se ndonjë serb pranon bashkëpunimin me pushtetin e Kosovës, ata etiketohen si tradhtarë, burgosen në Serbi ose vriten a rrihen nga bandat kriminale të cilat i mbështetë Serbia!
Vetëm në Kroaci Memorandumi 2 i ASHAS, nuk po “jep fryte”, sepse atje po iu thyhen dhëmbët.
Memorandumi 2 i ASHAS është platformë politike në strategjinë e qeverisë së Serbisë, për qëllime të Serbisë së Madhe. Është vazhdim i Memoandumit 1 të asaj Akademie, i përshtatur kohës, kushteve dhe rrethanave të reja; është doracak për pushtetarët e Serbisë dhe për përfaqësuesit e serbëve në shtetet fqinje. Rol të veçantë në zbatimin e atij Memorandumi ka marrë Kisha Ortodokse Serbe, fakt që u vërtetua në Mal të Zi.
Gjykuar nga çka dikton memorandumi dhe veprimet konkrete të elitës politike beogradase që nga koha e hartimit të tij, çuditem se si udhëheqësit e organeve dhe institucioneve të Kosovës (por dhe Tiranës), të cilët dialogojnë me homologët serbë dhe me ndërmjetësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nuk kanë gjetur kohë për ta përkthyer në disa gjuhë (anglisht, gjermanisht, frengjisht, por pse jo dhe në spanjisht, rumanisht, sllovakisht, dhe greqisht) tekstin autentik të Memorandumit, për t’i dijësuar ata që e përkrahin Serbinë, se çfarë synime e çfarë veprime ndërmerr ajo për destabilizimimin e vendeve fqinje, Ballkanit dhe Evropës ndërsa lavdërohet se angazhohet për paqe dhe stabilitet në Ballkan!
Shënim: Revista gjermane për Studime Krahasuese dhe Evropiane Juglindore ka publikuar një analizë më të gjatë dy vjet më parë rreth kësaj çështje; ajo e tregon gjendjen mjaft serioze, sepse memoradumet e akademisë së shkencave serbe kanë zëvendësuar ideologjinë komuniste të shekullit të kaluar për elitën politike të Beogradit, kanë fituar terren në institucionet shkencore në Serbi dhe kanë përligjur politikat e Beogradit pas vitit 1990, duke përdorur krysisht Kosovën si mjet ideologjik. Ndaj dhe titulli i kësaj analize lidhet me memorandumet që janë kthyer një ideologji e re për klasën politike serbe.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads