...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kërcënimi i hegjemonisë amerikane nga bashkëpunimi ruso-kinez dhe “fati” i Shqipërisë (dhe Kosovës)

Goditja më e madhe për perëndimin do të vijë pas mbarimit të luftës, kur të shpallet fitimtari.

Ylli Përmeti

23/03/2023 - 08:45

Komentatori i Financial Times mbi gjeopolitikat, Rachman, rrëfeu një të vërtetë tjetër lidhur me strategjistët amerikanë, në prag të vizitës së Shisë në Moskë: sipas tij “ata shpresojnë se një ditë do të jenë të aftë të thurin një ndarje të dytë mes Moskës dhe Pekinit ― si ajo që çoi në afrimin SHBA-Kinë në vitin 1970”. Në analizën e tij ai e shikon përpjekjen ruse dhe kineze si një sfidë të madhe për hegjemoninë amerikane në botë por më pak të rrezikshme se Bashkimi Sovjetik dhe Kina e viteve 1970 kur Maoceduni kërcënonte SHBA-në me shfarrosje bërthamore dhe bashkë me të dhe imperializmin e shekullit të kaluar dhe vendosjen e socializmit marksist kudo në botë.

Por ai s`tregon arsyet se pse Kina është më pak e rrezikshme: sepse Kina e Shisë nuk është Kina e Maocedunit, kur gëzonte pavarësi ekonomike dhe kur veprimtaria e saj ishte përqendruar në atdhe. Kina e dy-tre dekadave të fundit është e varur ekonomikisht dhe jo e pavarur. Kjo është arsyeja se pse ajo është më pak e rrezikshme për amerikanët.

Por fakti që bashkëpunimi mes Rusisë dhe Kinës po rritet dhe ato po fuqizohen më shumë, ndërsa perëndimi është përfshirë në një krizë të re ―bankare― nuk po frikëson vetëm amerikanët por dhe rrëfenja e tyre ―se Lindja është në ngritje ndërsa Perëndimi në rënie― ndihmohet dhe bashkë me të dhe prirja e popujve.

Rusia dhe Kina qendrojnë në anën e drejtë të historisë

Rusia dhe Kina udhëhiqen nga parimet e Kartës së OKB-së dhe vendet qendrojnë në anën e drejtë të historisë, deklaruan dy udhëheqësit ditën e dytë të vizitës së Shisë në Moskë. Kjo e fundit paralajmëroi Britaninë, e cila kishte shprehur më herët se do të funizonte Ukrainën me municione me uranium të papasuruar në isotope ― se do të detyrohet të përgjigjet. “Rusia do të detyrohet të përgjigjet përputhshëm, duke marrë parasysh se perëndimi si i tërë ka filluar të përdorë armë me një lëndë bërthamore”, tha Putini. Madje, nëse perëndimi kërcënon sigurinë e shteteve të tjerë, të dy vendet do të përgjigjen ashpër. 

Dy udhëheqësit u shprehën se nënshkruan një sërë marrëveshjesh me rëndësi strategjike, me kryesoret krijimin e linjave hekurudhore mes dy vendeve dhe linjave të gazit dhe naftës. Një linjë e re, me emrin “Fuqia e Siberisë”, u shtrua për diskutim në bisedime ndërsa do të ndërtohet një impiant bërthamor në Kinë me ndihmën e Rusisë. “Ne po diskutonim një projekt të mirë, Fuqinë e re të linjës së Siberisë 2 përmes Mongolisë. Praktikisht gjithë parametrat e marrëveshjes kanë përfunduar” i tha Putini presidentit kinez në fillim të bisedimeve.

Linja nuk është miratuar zyrtarisht por pritet të vendoset në punë deri në vitin 2030, kur, siç tha Putini, Rusia do të furnizojë me të paktën 98 miliardë metra kubë gazi dhe 100 milionë tonë gas të lëngshëm Kinën. Putini tha, gjithashtu, se Rusia është e gatshme të ndihmojë ndërmarrjet kineze për të zëvendësuar perëndimoret të cilat braktisën vendin për shkak të luftës në Ukrainë. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kapën një shifër rekord gjatë vitit 2022: ato u rritën me 30% dhe shkuan në 190 miliardë dollarë ndërsa pritet të arrijnë 200 miliardë dollarë gjatë vitit 2023. Rreth dy të tretat e shumës në fjalë janë në juanë dhe rubla, për shkak të braktisjes së dollarit nga të dy vendet.

Dy udhëheqësit diskutuan më shumë se katër orë ditën e parë planin e Kinës për paqe në bisedime jozyrtare për të cilin SHBA-ja ka thënë se ai përligj pushtimin e Rusisë në Ukrainë ndërsa i jep asaj kohë të rimbush forcat e saj ushtarake me sulm të ri ndërsa Ukraina ka qenë ngurruese për ta kritikuar përpara një taktimi që pritet të zhvillohet mes Zelenskit dhe Shisë pas vizitës së tij në Moskë.

Shija e mbështeti qendrimin e Putinit në Ukrainë. Ata nënshkruan një qendrim të përbashkët ku lavdërohet “roli pozitiv” i Kinës dhe “qendrimi objektiv dhe i paanshëm” i saj për luftën e Rusisë në Ukrainë. Më herët, kreu i Nato-s, Stoltenbergu, në raportin e tij vjetor të vitit 2022, theksoi edhe një herë se “varen nga Ukraina se cilët janë kushtet e pranueshme për ndonjë zgjidhje paqësore” ndërsa ftoi Kinën të kuptojë shqetësimet e saj dhe të angazhohet me Zelenskin drejtpërdrejt nëse ajo kërkon të jetë serioze ndaj paqes.

Për bashkëpunimin ushtarak Putini tha se ai është i një niveli më të lartë se gjatë kohës së luftës së ftohtë: sepse nuk janë me natyrë “konfrontuese”. Të dyja qeveritë u pajtuan të vazhdojnë provat ushtarake të përbashkëta në dete. Qëllimi është të rritet bisimi i ndërsjellë ushtarak dhe t`i tregojnë SHBA-së se disa dete tregtare mbikqyren edhe nga ata.

Megjithatë, profesori rus, Dmitry Trenin, në Universitetin e Lartë të Ekonomisë dhe drejtues i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe anëtar i Këshillit rus të Çështjeve Ndërkombëtare, hedh më shumë dritë lidhur me vizitën e Shisë në Rusi. Sipas tij, vizita e tij nuk është thjesht simbolike por ajo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të kontekstit më të gjerë të gjendjes botërore: ajo thërret për bashkëpunim të mëtejshëm të marrëdhënieve sino-ruse për t`u përballur me sfidat e jashtme.

Udhëheqësit përkatës e kuptojnë, sipas tij, se ata “duhet të shkatërrojnë planin e Uashingtonit për të mundur Moskën si fillim dhe më pas t`i kthehen Pekinit”. “Ndërsa Kina me siguri shqetësohet për tregjet e SHBA-së dhe BE-së për mallrat dhe shërbimet e saj, ajo pyet se nëse ajo vërtet mund t`i besojë Uashingtonit dhe aleatëve të tij, duke ditur përvojën e Moskës me marrëveshjen e Minskut mbi Donbasin e cila, siç kanë pranuar ish udhëheqësit gjerman dhe francez, s`ishin gjë tjetër veç një komplot për të fituar kohë”.

Për të njëjtën arsye ai pret më shumë bashkërendim mes Moskës dhe Pekinit, jo duke krijuar një bllok të ri ushtarak, por një përpjekje më të madhe për të ndihmuar botën të lëvizë më shpejtë drejt shumëpolaritetit, cili nënkupton fundin e hegjemonisë botërore amerikane.

Një mënyrë për të realizuar këtë qëllim është braktisja e dollarit; një tjetër është ngitja e një rendi të ri botëror përmes BRICS dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, përmes të cilëve të hartohet plani për botën në fusha si teknologjia, energjia, klima, dhe siguria ndërkombëtare. Në nivel ushtarak, ata mund të bashkëpunojnë të shkurajojnë Uashingtonin me veprime jo vetëm me fjalë, për të përshkallëzuar luftën e ndërmjetme kundër Rusisë në Ukrainë dhe të provokojë Pekinin mbi Tajvanin.

Në fund, ai këshillon Kinën dhe Rusinë të zhvillojnë dialog mbi politikat bërthamore dhe të parashtrojnë kushte për një përballje të fuqive të mëdha dhe konflikteve atkuale. Qoftë edhe nëse ata punojnë për një të ardhme shumëpolare, argumenton ai, ata kanë një përgjegjësi të madhe për të siguruar se asnjë e shtënë nuk do të ndodhë mes superfuqive. Bashkëpunimi i Kinës dhe Rusisë do ta bënte kalimin në rendin e ri më të sigurtë”. 

Rendin në fjalë e kam sqaruar në vend tjetër: ai ka disa avantazhe që sfidojnë rendin botëror të globalizmit neoliberal të udhëhequr nga SHBA-ja ku përfshihet dhe BE-ja. Por dhe BE-ja ka disa avantazhe që nuk i gëzon aktualisht rendi ruso-kinez. Por avantazhet më të rëndësishme i gëzon blloku lindor―sidomos lidhur me lirinë politike ose sovranitetin politik të shteteve: në BE- dhe “rendin” botëror të globalizmit neoliberal sovraniteti i popujve delegohet në struktura mbikombëtare ndërsa në bllokun euraziatik jo. Avantazhet e blloqeve përkatëse kanë filluar t`i shqyrtojnë elitat anti-amerikane sidomos në Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Në këtë prirje nuk mungojnë dhe elitat evropiane. Kjo dinamikë do të vazhdojë dhe do të rritet sa më shumë t`i afrohemi fundit të luftës në Ukrainë.

Por goditja më e madhe për perëndimin do të vijë pas mbarimit të luftës, kur të shpallet fitimtari. Unë e kam parashikuar luftën pa filluar: se atë e fiton Rusia. Ndaj e kam e quajtur “dhurata e madhe” e Uashingtonit ndaj Rusisë, ku me “dhuratë” kuptoj pjesët e pushtuara ose të çliruara nëse e shohim nga perspektiva e banorëve përkatës dhe ushtrisë ruse. Por dhurata e Uashingtonit ndaj Rusisë në Ukrainë është shumë e vogël krahasuar me “dhuratën” që po bën ai me rendin e ri botëror të eurazisë: sepse anti-amerikanizmi është në rritje dhe në kushte “anti-amerikane” popujt priren të orientohen drejt blloqeve të tjerë gjeopolitikë.

Në anët tona kjo prirje është duke u rritur. Elita serbe është kryesorja, megjithëse ajo i përgjigjet dinamikës popullore: dëshirës së tij për të qenë më pranë Rusisë dhe më larg perëndimit. Kjo është arsyeja kryesore se pse elita serbe “luan” fort me elitat perëndimore lidhur me Kosovën: sepse elita serbe me siguri pret përfundimin e luftës në Ukrainë (vetë Vuçiçi ka pranuar se ai ―me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë―është në anën e drejtë të historisë, megjithëse shpesh here tregon pështjellim në qendrimet e tij).

Me mbarimin e saj ajo do të “rikalibrojë” politikat e saj. Me siguri ajo do të refuzojë “përkëdheljet” perëndimore dhe do të bëhet armiqësore ndaj tij. Vetë fakti se shumica e popullit serb është armiqësor ndaj perëndimit e ndihmon atë të jetë e tillë pas luftës; madje, këtë prirje do ta ndihmojë dhe qartësimi i karakterit të luftës në Ukrainë, për të cilin Rusia dhe Kina, tani, thonë se ajo është një luftë e drejtë, sepse, sipas tyre, lufta nuk ka filluar me “aneksimin e Krimesë” siç argumentojnë shumica e elitave perëndimore por me grushtin e shtetit në Kiev.

Kjo është arsyjea se pse elitat perëndimore nuk reaguan ndaj qendrimit të Vuçiçit pas qendrimit të tij lidhur me marrëveshjen e Ohrit, ndaj të cilit Kurti kërkon denim. Gjasat janë se ato nuk do të reagojnë përsa kohë që ato kanë frikë se Vuçiçi i sfidon ndërsa nuk kanë frikë nga Kurti: sepse, mendojnë ato, “njërin e kemi në xhep pavarësisht se e poshtërojmë si popull, ndërsa tjetrin jo”. Por edhe mund të reagojnë dhe të fillojnë luftën ekonomike ose sanksionet.

Në rast tillë, elitat perëndimore e dinë se fillimi i sanksioneve do të jetë fundi i shpresës për ta mbajtur Serbinë të orientuar në BE. Por kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë: sepse, besoj, elitat perëndimore e dinë, gjithashtu, se pas Serbisë vende të tjerë (si Hungaria, Austria etj.) do të kundërshtojnë politikën e jashtme të BE-së në raport me Rusinë. Kjo është një arsye tjetër se pse ato ngurrojnë të “dënojnë” Serbinë edhe pse ajo po “tall menderen” me ta dhe Kurti “belbëzon”.

Në këtë dinamikë ―mes krijimit të blloqeve gjeopolitikë dhe prirjeve të popujve― pozita e Kosovës dhe e Shqipërisë në tërësi, është mjaft e brishtë: sepse elitat tona janë përputhur me politikën e jashtme të BE-së (e cila diktohet në përqindje të lartë nga Uashingtoni) dhe kanë qenë armiqësore ndaj Rusisë, me Prishtinën më armiqësore, ku protagoniste ka qenë Osmani (presidentja).

Ky fakt do të përdoret nga Moska, sidomos pas mbarimit të luftës.

Madje dhe nga Kina, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por fakti që superfuqitë përkatëse mbeten të përkushtura ndaj Kartës së OKB-së, ne kemi mundësi ta kthejmë “rrotën” e historisë, këtë herë jo duke pranuar verbërisht politikën e jashtme të BE-së por duke përdorur të drejtën ndërkombëtare. Por atë nuk mund ta përdorin elitat që nuk e kanë përdorur vitet e fundit dhe për më tepër kanë qenë armiqësore me Rusinë, një pjesë (me Ngjelën në krye) duke besuar se lufta në Ukrainë do të sillte dhe fundin e Rusisë dhe bashkë me të dhe fundin e Serbisë!

Këtë dinamikë do ta shfrytëzojnë ―siç po e shfrytëzojnë― forcat reaksionare në vendin tonë, me në krye Berishën dhe Ramën: ata nuk do të ngurrojnë të armiqësohen më shumë me Amerikën dhe të orientohen drejt lindjes. Nuk kanë qenë të paktë qendrimet për një fakt të tillë: Rama, për shembull, ka “kërcënuar” Uashingtonin disa herë me orientimin lindor të qeverisë së tij ndërsa Berisha po “luan” me kartën e pro-amerikanit por kundër sorositëve. Por kur të shpaloset dinamika që përshkrova, ata mund të bashkohen në orientimin e tyre gjeopolitik dhe kështu, të shpëtojnë nga drejtësia amerikane dhe bashkë me të, të shpëtojnë partitë që drejtojnë dhe të pengojnë drejtësinë për vite me radhë.   

...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA