...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krimet masive në rrugë dhe familje dhe udhëkryqi i madh i policisë dhe shoqërisë shqiptare

Një ndër arsyet kryesore se pse armatosen njerëzit, është pasuria: ata vënë shumë pasuri dhe ngaqë pasuria e tyre lakmohet, ata detyrohen të blejnë armë për ta mbrojtur atë. Ka dhe nga ata që e blejnë armën për të “bërë të fortin”. Këta jetojnë me mendësinë e të fortit ose të njeriut që realizon qëllimet e tij duke bërë të fortin ose duke përdorur dhunën. Krahas këtyre, qendrojnë organizatat kriminale: këta pa armë nuk zhvillojnë dot as një lloj veprimtarie kriminale.

Ylli Përmeti

09/07/2021 - 15:28

Qeveria “Rama” nuk mësoi as nga vrasja e Klodianit. Ajo u mjaftua me zëvendësimin ministrit të brendshëm: Lleshajn me Çuçin (ose priftin me hoxhën). Njësoj veproi pas vrasjeve në Velipojë ku u vranë katër njerëz për shtrirset (“shezlong” quhen përgjithësisht nga gazetarët dhe hotelet duke ndjekur fjalën e ndërkombëtarizuar franceze “chaise longue”) të ranishteve të bregdetit dhe aksidentit rrugor në autostradën Fier-Vlorë ku u shua një familje me katër anëtarë (dy fëmijë dhe dy prindërit) si pasojë e shpejtësisë marramendëse të një 22 vjeçari me automjet luksoz. Ajo paralajmëroi ndryshime në polici...ndërsa bleu aeroplanë pa pilotë (ose “dronë super-inteligjentë”, sipas ministrit) nga Turqia për të mbikqyrur (“monitoruar” tha ministri!) rrugët dhe gjobitur shkelësit e kufijëve të shpejtësisë.

Nuk harroi të përmendte dhe përgjegjësinë e gjykatave të cilat veprojnë (“operojnë” tha ministri!) sipas parimit “kap ça të kapësh”, një slogan i përdorur nga Rama...të cilat nuk dënojnë shkelësit e ligjit. Për të parandaluar vrasjet në ranishte (“plazhe” tha ministri!) përmendi procedurat “transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania”, sepse, sipas tij, “policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare”. Duke mos përjashtuar të metat e policisë por pa i përmendur ato, ministri tha për ata që “flasin me të madhe për rritje të kriminalitetit apo të fataliteteve në qarkullim”, se është e “pavërtetë” meqë “shifrat pohojnë krejt të kundërtën”.   

Siç paraljamëroi pas mbrojtjes së tij publike ashtu ndodhi pas më shumë se një jave: rokadoi “titullarët e strukturave të policisë [14 prej tyre] në nivel qarku” duke e shtrirë ndryshimin “hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Shqipërisë”. Më tej ministri argumentoi se qeveria ku ai bën pjesë, do të krijojë një kuadër rregullator të ri për të futur në praktikat e hetimit “të ardhurat e drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtja ligjore në qarkullim” ndërsa “do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi”, meqë “komisariati dixhital” tha minsitri, “po forcohet nga pikëpamja teknologjike dhe operative”. Nga qendrimi i tij minsitri theksoi që në fillim se “policia e shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve”.

Pas tij doli dhe foli për mediat dhe Rama. Ky përsëriti faktin se krimi nuk por rritet dhe për të njëjtën arsye ai ka “zero shqetësim”! Pas katër ditësh Rama kërkoi nga drejtuesit e rinj në një takim me ta që policia “t`i japë fund pa-ndëshkueshmërisë në radhët e saj”. “Në radhët e forcave të rendit”, tha ai, “nuk mund të ketë më bashkëpunëtorë të krimit, që korruptohen nga kriminelët dhe lejojnë të shkelen ligjet në kurriz të qytetarëve” ndërsa kërkoi nga policia që “brenda 100 ditëve të riorganizojë punën përballë kërkesave në rritje të opinionit publik për shërbime me standarte europiane”. Ai shtoi “se është i patolerueshëm korruptimi dhe bashkëpunimi i policëve me njerëz që shkelin ligjet e ndërtimit, kërkimi i rryshfeteve shoferëve në rrugë, apo indiferenca ndaj dhunës në familje”. Sipas tij arsyeja e vetme i gjendjes së krijuar në policinë e shtetit është korruptimi i punonjësve të policisë duke përmendur dhe paketën përforcuese që kaloi në kuvend muajët e fundit. Në fjalë e tij:

“Për cilën arsye në botë, ne duhet të kemi akoma shfaqje, sado sporadike, të ndërtimeve pa leje? Për cilën arsye në botë? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit. Asnjë arsye tjetër nuk ka, bashkëpunimi në krim, ndërkohë që në Parlament, në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët shqiptar nuk kanë arsye të paguajnë për to”.

Nuk harroi të përmendte se qytetarët duhet të trajtohen të barabartë në shkeljet dhe të drejtat e tyre ndërsa forcat e rendit i kanë të gjitha mundësitë —fuqitë njerëzore dhe pajisjet elektronike— që të kontrollojnë territorin dhe të ndëshkojnë shkelësit e ligjit. Atje ku policia nuk ndërhyn “është e qartë se e kanë kompromentuar ata që shkelin ligjin nga lokalet e bregdetit e deri te betonieret nëpër ndërtime të paligjshme”.

Shtoi në fund shqetësimin tjetër lidhur me shoqërinë tonë: dhunën në familje dhe kërkoi nga policia që mos ta nënvlerësojë atë dhe kërkoi që çdo strukturë policore të përcaktojë një njësi të posaçme për të ndërhyrë në sinjalizimet për dhunë në familje, të mbrojë gratë e fëmijët dhe të mundësojë nxjerrjen para ligjit me prova dhunuese [të shkaktarëve] e jo të shpëtojnë të nesërmen dhe t`i kthehen sërish dhunës në familje.

Arsyetimi që vijon buron nga gjithë studimi:

Padija e establishmentit akademik dhe politik dhe nevoja e ri-edukimit të policisë

Qartësisht, Rama, ministri i tij dhe vartësit e tjerë të ministrive, s`e kanë të qartë as krizën në polici (sepse për krizë bëhet fjalë) as krizën në shoqëri. Për krizën në polici ai nuk duhet të mjaftohësh as me zëvendësimin e ministrit Lleshaj me Çuçin pas ngjarjes së parë as me rokadën e drejtorëve të policisë pas ngjarjes së dytë. Por duhet të synonte pikë së pari zvogëlimin e numrit të policisë meqë është shumë më i lartë se mesatarja evropiane dhe rikonceptimin e saj duke rikualifikuar policët. Për të zvogëluar numrin e policëve dhe rrjedhimisht koston që paguajmë për kualifikimin dhe për strukturat policore, nevojitet punësimi i të papunëve ndërsa paralelisht ri-konceptohet arsimi përmes të cilit synohet zhvillimi i virtyteve etike krahas virtyteve intelektuale.

Qeveria “Rama” ka vendosur si objektiv punësimin e të papunëve por jo punësim të plotë. Ndaj dhe ka punësuar disa qindra të papunë - një përqindje e të cilëve janë punësuar në administratën publike. Ndaj dhe e lë policinë të përballet me një masë të madhe njerëzish jo vetëm të papunë por dhe pa virtyte (njeriu pa virtyte dhe i papunë gjithnjë do të përfshihet në krim). Dhe jo vetëm me “këtë masë” njerëzish por dhe përballë një “mase” tjetër: armët që qarkullojnë lirshëm në popull falë globalizmit neoliberal ose lirisë së lëvizjes së njerëzve mes shtetesh. Edhe nëse policia kontrollon, për shembull, doganat dhe çarmatos tërësisht njerëzit brenda shtetit tonë, ajo s`ka asnjë mundësi të kontrollojë tregëtimin e armëve përmes pikave të tjera kufitare as ka mundësi të shuajë “etjen” e njerëzve për t`u armatosur brenda vendit.

Një ndër arsyet kryesore se pse armatosen njerëzit, është pasuria: ata vënë shumë pasuri dhe ngaqë pasuria e tyre lakmohet, ata detyrohen të blejnë armë për ta mbrojtur atë. Ka dhe nga ata që e blejnë armën për të “bërë të fortin”. Këta jetojnë me mendësinë e të fortit ose të njeriut që realizon qëllimet e tij duke bërë të fortin ose duke përdorur dhunën. Krahas këtyre, qendrojnë organizatat kriminale: këta pa armë nuk zhvillojnë dot as një lloj veprimtarie kriminale.

Në kontigjentin e parë —të njerëzve që blejnë armë për të mbrojtur pasurinë— bënë pjesë shumica e shqiptarëve. Këta vënë pasuri të madhe kryesisht sepse jetojnë pa parime dhe imitojnë të tjerët: sepse përmes pasurisë mund të realizojnë synime të tjerë shoqëror (të duken të zotë; të mashtrojnë ndonjë femër etj.). Parimi, të cilin e citoj dhe në studime të tjerë, se “pasuria që lakmohet është e rrezikshme ndërsa ajo që dyshohet nuk është e ndershme”, as është kuptuar e as do të kuptohet ndonjë herë nga shoqëria jonë nëse puna përkatëse nuk bëhet pjesë didaktike shkollore dhe shoqërore: sepse ky është vetëm një parim nga shumë parime të tjerë që duhet të zhvillojë një shoqëri që të zvogëlojë krizat.

Në kontigjentin e dytë —të njerëzve që jetojnë me mendësinë e të fortit— është gjithashtu një përqindje e madhe e popullit tonë meqë këtë lloj mendësie e kemi trashëguar brez pas brezi dhe nuk është zhvilluar mendësia tjetër që qendron kundër saj: e të qenit virtuoz. Kjo lloj mendësie zhvillohet vetëm kur në arsim dhe shoqëri synohet zhvillimi i njerëzve virtuozë.

Në të tretin —kontigjentin e organizatave kriminale— bën pjesë një pakicë e popullit. Ky kontegjent është pasojë kryesisht e braktisjes së anagazhimit për punësim të plotë nga partitë politike. Për sa kohë, rrjedhimisht, do të kemi të njëjtat parti në pushtet, por dhe parti apo lëvizje të tjera politike që nuk janë në pushtet dhe nuk synojnë punësim të plotë, për aq kohë do të krijohen organizata kriminale. Dhe për sa kohë që në arsim dhe shoqëri nuk synohet zhvillimi i vityteve etikë —siç nuk synohet— për aq kohë do të kemi njerëz që do të blejnë armë dhe do të jetojnë me mendësinë e të fortit, sidomos në kushte kur dihet se policia nuk mund të kontrollojë dot —edhe nëse dyfishohet numri i policëve— as kërkesën e as ofertën. Këtë të fundit mund ta kontrollojmë vetëm kur në arsim dhe shoqëri zhvillohen virtytet etike.

Dukuria e krimeve në rrugë dhe familje nuk ndryshon shumë në Amerikë: atje jetohet, gjithashtu, me mendësinë e të fortit dhe mendësinë e të qenit pasanik. Ndryshimi kryesor që kemi me amerikanët, të cilët shumë prej popullit tonë i admirojnë, është se atje lejohet armëmbajta. Ndaj themi se atje policia përballet me një popull të keqedukuar dhe me një det armësh. Në vendin tonë policia nuk përballet me një “det” armësh si atje por sërish përballet me njerëz të armatosur, të cilët edhe nëse çarmatosen të gjithë, me dinamikën e krijuar —mendësinë e të fortit dhe mendësinë e pasanikut— ata do të armatosen shumë shpejt. Ja pse them se çështja e krimeve në rrugë dhe familje nuk mund të zgjidhet nga policia por nga një forcë politike që ka dijen e drejtimit të shtetit.                        

Një ndryshim tjetër me amerikanët është punësimi: elita atje synon punësim të plotë, të cilin e ka realizuar deri diku përmes politikave monetare meqë politikat social-demokrate nuk mund t`i përdor në kuadër të politikave të globalizmit neoliberal. Kjo është ndër arsyet kryesore se pse krimet atje luhaten 30 vitet e fundit: duke qendruar në përqindje thuajse konstante por vazhdon të jetë e lartë. Lexo, për më shumë:                      

Lufta e përhershme në Amerikë dhe ‘terrorizmi’ vendor

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA