...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krimi social-ekonomik i qeverisë së Kosovës me sigurimet shoqërore të shtetasve shqiptarë në Zvicër

Qeveritë e Zvicrës dhe Kosovës ka tetë vite që vazhdojnë të shpërnjohin gjendjen e rëndë të shtetasve të Kosovës me banim në Zvicër - përfituesve të pensioneve nga Sigurimet Shoqërore të Zvicrës bazuar në Marrëveshjen ndërshtetërore.

O. Osmani

08/02/2018 - 09:08

Ndër arsyet e ndryshme dhe të shumta për mos vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes në fjalë është theksuar dhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme të institucioneve shtetërore të Kosovës...Jo rrallë dhe varësisht nga kush si fajtorë është emërtuar neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve qeveritar dhe institucional të Kosovës. Gjatë këtij procesi ka pasur edhe keqkuptime komunikuese, papërgjegjësie, kompleksiteti specifik në Kosovë me disa pushtete, që si rrjedhojë ka pasur lëshimin e dokumentacionit të ndryshëm për një çështje e për një person të prekur, e diku edhe mungesa e profesionalizmit dhe mbështetjes në partner të besueshëm. Si përfundim del se padrejtësia dhe diskriminimi është rezultat edhe i mungesës së gatishmërisë dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve për të gjetur zgjidhjen e drejtë dhe më të mirë të mundshme në këto rrethana.   

Heronjtë e vërtetë të Kosovës dhe Zvcirës dhe dënimi kolektiv i tyre

Në vend se parregullsitë– qoftë edhe për shkelje ligjore, keqpërdoruesit e mundshëm, apo për moszbatimin e procedurave ndërshtetërore  - të zgjidhen në përputhje me marrëveshjen ekzistuese, ndodh e kundërta: sanksionohen, dënohen e dëmtohen në të drejtat e tyre elementare kolektivisht, pikërisht njerëzit që nuk kanë asnjë faj, – një dënimi kolektiv-  që është në kundërshtim edhe me shtetin ligjor. Ata që kanë kontribuar më së shumti për të dyja vendet dhe shoqëritë – punëtorët nga Kosova në Zvicër, të cilët njëherazi janë edhe heronjtë e vërtetë të punës, kontribuesit e zhvillimit, sigurimit të ekzistencës familjare e shoqërore në Kosovë dhe kontribuuesit e ndërtimit e zhvillimit ekonomik si dhe konsolidimin e arkave të sigurisë shoqërore në Zvicër. Pra heronjtë e vërtetë e të drejtpërdrejtë dhe zabtuesit e vlerave  të solidaritetit dhe ndërtuesit e urave të mirëfillta të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

Maratona  e padrejtësisë dhe diskriminimit ekskluziv për shtetasit e Kosovës që ka filluar me 1 prill 2010 vazhdon deri sa të hyjë në fuqi marrëveshja e arritur më 1 qershor 2017.

Menjëherë pas arritjes së nënshkrimit të marrëveshjes teknike e adminsitrative për Marrëveshjen e re ndërshtetërore, ne, në pjesën e dytë të vitit të kaluar, kemi takuar përgjejgësit e Zvicrës, të cilët kanë reflektuar gadishmëri për të ndërmarrë hapat konkret drejt ratifikimit të Marrëvshjes në fjalë. Në këto 8 vite neve na është dashur thuajse gjithmonë të jemi aktiv veçanërisht në drejtim të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, të cilat i kemi bezdisur duke ua prishur rehatinë dhe gjumin, për të kryer detyrat dhe ushtruar funksionet në përputhje me madatet që bartin.

Për të mos ngecur procesi dhe për të përshpejtuar fuqizimin e marrëveshjes në fjalë, me çka shpresojmë se do të përfundojë padrejtësia e diskriminimi si dhe dënimi kolektiv, më 2 dhe 3 shkurt 2018 në Kosovë qëndroi dhe zhvilloi disa aktivitete një delegacion sindikalist e politik nga Zvicra i përbërë nga: Deputetja dhe anëtarja e komisionit për politika sociale të parlamentit federal të Zvicrës, njëherazi edhe nënkryetare e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës,  Barbara Gysi; Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i sigurimeve shoqërore të Zvicrës dhe nga unë (O. Osmani) në cilësinë e sekretarit të sindikatës më të madhe të Zvicrës Unia, i ngarkuar me dosjen e Marrëveshjes në fjalë. Ne fillimisht kishim një takimin me përgjegjësen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ndërsa më pas ishim të ftuar edhe në mbledhjen e radhës të Komisionin për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në ditën e dytë më 3 shkurt u prononcuam edhe për mediat e interesuara për këtë çështje me interes të përgjithshëm shoqëror dhe (ndër)shtetëror.

Si qëndron puna dhe ku ka ngecur procesi?!

Të prekurit dhe familjarët e tyre, qytetar/e dhe shtetas/e të Republikës së Kosovës deri më tani asnjëherë nuk janë dijësuar nga qeveria e tyre dhe ministria për punë e mirëqenie sociale, për aktualitetin dhe gjendjen sa i përket marrëveshjes në fjalë. Zvicra, me dorën në zemër, e ka bërë informimin e nevojshëm edhe me kërkesën dhe bashkëveprimin tonë këmbëngulëse edhe në gjuhën shqipe. Përderisa në Zvicër janë dhënë versione të ndryshme mbi dështimin e kësaj marrëveshjeje, duke e arsyetuar këtë herë me keqpërdorim të pensioneve të invaliditetit, herë me mungesë të dokumentacionit unik të besueshmërisë e autoriteteve zbatuese në Kosovë, të formuluar herë si mos vazhdim e herë si prishje, etj., ndërsa nga Kosova deri më tani mjerisht  ka munguar qëndrimi dhe informimi mbi veprimet dhe deklaratatpretenduese si dhe mbi arsyet e mundshme të vërteta të dështimit të kësaj marrëveshjeje, përkundër faktit të nënshkrimit të marrëveshjeve  të tjera të reja ndërshtetërore me Zvicrën edhe pas dështimit të kësaj në fjalë.

Por le të kthehemi tek aktivitetet e fundit në Kosovë rreth marrëveshjes në fjalë. Edhe kësaj radhe shumë pyetje të delegacionit tonë mbetën pa përgjigje. Disa kryesoret nga to janë:

  • Pse autoritet zyrtare e përgjegjëse të Kosovës deri më tani nuk kanë informuar qoftë edhe njëherë të vetme të prekurit, familjarët e tyre dhe opinionin publik në lidhje me Marrëveshjen në fjalë?
  • Çfarë masash do të ndërmarrë qeveria, ministria përkatëse edhe institucionet tjera përgjegjëse për të informuar shtetasit e vet të prekur dhe familjarët e tyre, si dhe në cilat raste duhet vepruar apo mos vepruar në lidhje me gjendjen e krijuar në mungesë të zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore në fjalë?
  • Pse ministria përkatëse nuk komunikon me ministrinë homologe të Zvicrës por i drejtohet ambasadës së Zvicrës, çdo javë siç shprehet ministri, për të shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes?
  • Pse qeveria e Kosovës nuk e miraton formalisht marrëveshjen për të sinjalizuar gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes e pastaj për të hapur shtegun e ratifikimit.
  • Pse qeveria e Kosovës dhe ministria përkatëse nuk është angazhuar seriozisht për të kërkuar zgjidhje për periudhën kohore prej tetë vitesh pa përfitime, duke marrë parasysh se marrëveshja e re e arritur më 1. qershor 2017 parasheh mundësinë e përfitimit vetëm nga momenti i hyrjes në fuqi, megjithë kërkesën e vazhdueshme dhe këmbëngulësinë  e vazhdueshme dhe përpilimin e kërkesës me shkrim nga ne.

Ministri Reçica dhe ekipi i tij në vend të kryejnë detyrat e veta dhe të veprojë aktivisht në drejtim të zyrtarëve homolog zviceranë për ta përshpejtuar fuqizimin e marrëveshjes së munguar që 8 vite si dhe të tregojë hapur se çka do të ndërmarrë tani për të plotësuar zbrazëtinë e madhe informuese për shtetasit e prekur dhe familjarët e tyre, çuditërisht nuk bëjnë asnjë veprim të duhur, që e kanë edhe si detyrim zyrtar e shtetëror, por  premtojnë sikur paraardhësit e tyre, se do të bëjnë edhe “të pamundurën“ dhe  se “porsa të fuqizohet marrëveshja do të fillojnë një fushatë informuese“.

Ministri paraprak Abrashi qe krekosur dhe zbukuruar me vetë-lëvdata se më 1 qershor 2017 arriti të nënshkruajë marrëveshjen ndërshtetërore për sigurimet shoqërore me Zvicrën duke deklaruar se kjo ishte punë e kryer sikur të ishte meritë ekskluzive të tij. Në mungesë të angazhimit të domosdoshëm, sot në shkurt të vitit 2018, realitetit dëshmon një gjendje tjetër.

Përfundimet dhe kërkesat tona – si më tej?!

Ajo çka ne mund tu themi bashkëkombëseve të shumtë të prekur dhe familjarëve të tyre është se: tani jemi në shkurt të vitit 2018 dhe nga ajo që mësuam gjatë vizitës së fundit të punës së delegacionit tonë ishte se:  marrëveshja teknike dhe administrative e nënshkruar mes ekipeve për negociata ndërshtetërore më 1 qershor 2017, kërkon të nënshkruhet formalisht edhe në nivel ministrash qeverish të të dyja shteteve në fund të muajit mars 2018, për të kaluar pastaj nëpër proceduarat e tjera ratifikuese. Ndërsa përfitimi në pensione mund të realizohet  vetëm nga data e hyrjes në fuqi.

Ajo çka mungon dhe mbetet për të dëshiruar është nevoja e të qenit aktiv nga ana e qeverisë së Kosovës, duke bërë miratimin formal në nivel të qeverisë duke shprehur kështu gatishmërinë për nënshkrimin formal në nivel ministrash të dy vendeve duke i dërguar kështu sinjalin e qartë autoriteteve zvicerane që edhe ata të finalizojnë konsultimin në departamentet e qeverisë së tyre me qëllim të hapjes së shtegut për ratifikimin parlamentar të marrëveshjes. Duke marrë parasysh moshën e shtetasve nga Kosova dhe gjendjen e tyre të rëndë duhet marrë të gjithë hapat në përputhje me procedurat formale për të mundësuar sa më shpejt hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje të domosdoshme për eksportimin e përfitimeve në Kosovë:

Kërkohet nga qeveria e Kosovës të miratojë sa më shpejt marrëveshjen e arritur më 1. aershor 2017, duke sinjalizuar kështu si tek autoritetet zvicerane ashtu edhe te shtetasit e prekur, gatishmërinë e saj për nënshkrimin në nivel ministrash të marrëveshjes. Ky veprim është urgjent dhe i domosdoshëm për nënshkrimin formal dhe kalimin në fazën e ratifikimit. Ky veprim do të hapte rrugën dhe përfundonte sa më të shpejtë këtë padrejtësi shumëvjeçare.

Në mungesë të përfilljes së tyre shtetasit e prekur të Republikës së Kosovës duhet të kërkojnë të drejtat e tyre me të gjitha mjetet demokratike, duke mos përjashtuar këtu edhe aksionet e manifestimet protestuese në drejtim të të dyja qeverive. Për të mbështetur e për tu solidarizuar konkretisht me të prekurit nga padrejtësia e diskriminimi janë të sfiduar dhe vihen në sprovë edhe shoqëria civile, OJQ-të e politikanët e të të dyja vendeve.

 

Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër

Osman Osmani, Sekretar nacional nësindikatën Unia i ngarkuar me dosjen e Marrëveshjes në fjalë   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA