...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kuba: mes revolucionarizimit të shoqërisë dhe sabotimit amerikan

Fakti që Kuba i ka rezistuar embargos amerikane për më shumë se gjashtë dekada dhe fakti që ajo vazhdon të ketë pavarësi të lartë ekonomike, dhe mbështetje nga vendet mike të saj—BE-ja dhe Kanadaja kanë një interes të shtuar të ruajnë të njëjtin regjim meqë sigurojnë një përqindje të lartë të ushqimeve me kosto të ulët— ajo do t`i rezistojë dhe kësaj krize.

Ylli Përmeti

13/07/2021 - 14:58

Kuba po kalon një fazë të vështirë të jetës së saj. Por do ta përballojë atë: më mirë se sabotatorët e saj. Kuba ka filluar të hapet ngadalë kundrejt dinamikës së re të krijuar tre-katër dekadat e fundit përmes globalizmit neoliberal, i cili krijon kushtet e varësisë së kombeve se sa pavarësinë e tyre dhe qeverisjen e tyre jo nga qeveri kombëtare por ndërkombëtare. Kryesisht si pasojë e embargos amerikane, Kuba socialiste filloi procesin hapjes së vendit kundrejt fajkojëve të huaj më shumë se dhjetë vjet më parë. Asambleja kombëtare e vitit 2011-të, për shembull, propozoi reforma për:

...të shkurtuar më shumë se 1 milionë vende pune në sektorin publik në një lëvizje që të reduktojë burokracinë masive të Kubës dhe reduktimin e rolit të shtetit në sektorë si agrikultura, tregu i pakicave dhe ndërtimit. Ndërkohë, tregtitë e vogla do të inkurajohen që të hyjnë në sektor për të mbushur hapësirën, ndërsa subvencionet e shtetit për artikujt dhe shërbimet do të eliminohen. Të gjitha këto, për të shmangur stanjacionin e ekonomisë... 

Dhjetë vjet më pas, Kuba njoftoi se do të lejonte bizneset e huaja të vepronin në shumicën e sektorëve të ekonomisë. Lista e veprimtarive të autorizuara u zgjerua nga 127 në më shumë se 2000. Vetëm një pakicë e sektorëve (124) do të ruhen për shtetin. Kjo hapje u detyrua nga pandemia dhe sanksionet e administratës së Trampit. Gjatë vitit 2020 ekonomia u tkurr me 11%, rënia më e madhe në thuajse tre dekada, dhe kubanezët po përballen me mangësi të mallrave bazë. Përjashto disa qindra mijëra ferma të vogla, sektori jo-shtetëror i Kubës përbëhet kryesisht nga biznese private të vogla që drejtohen nga artizanë, drejtues taksish dhe shitës. Rreth 600,000 njerëz, afërsisht 13% e fuqisë punëtore, iu bashkua sektorit privat kur u krijua mundësia. Një numër i madh i bizneseve private janë përfshirë në industrinë e turizmit i cili është goditur fortë nga pandemia dhe sanksionet.    

Ndërsa në nivel social, Kuba është në fazën e hapjes kundrejt besimeve fetare,  në asamblenë kombëtare të korrikut, 2016-të, Raul Kastro, për shkak të krizës së naftës që preku vendet ekportuese, veçanërisht Venezuelën, e cila kompensoi disi mungesën e ndihmës së qeverisë së Bashkimit Sovjetik, qartësoi shkallën e krizës duke cituar se “gjithë shpenzimet e domosdoshme do të ndalojnë”. Si rezultat, konsumi i nënprodhimeve të naftës është zvogëluar me 28 për qind, elektriciteti njëlloj dhe importet me 15 për qind, ose $2.5 miliard, ndërsa 17 përqind e çdo dollari të prodhimit ekonomik përbënte importet. Venezuaela ka furnizuar për 15 vjet sasi të paspecifikuara parásh dhe rreth 90,000 fuçi nafte për çdo ditë—gjysmën e nevojave energjitike të Kubës.

Në shkëmbim, Havana i ka shitur Karakasit shërbime mjekësore dhe shërbime për profesione të tjerë. Kuba mbështetet kryesisht në turizëm, pjesa më e madhe e të cilëve presin hotele me energji elektrike dhe ajër të kondicionuar. Mbi 580,000 punëtorë ose 10 për qind e fuqisë punëtore punësohen në restorante, bujtinari dhe biznese që janë zhvilluar së fundmi, të cilat kanë nevojë për energji. Në vitin 2014-të shërbimet mjekësore i sollën Kubës rreth 8 miliard dollarë, ose 40 për qind të eksporteve. Shumica e familjeve varen shumë nga rrogat shtetërore — që tani kanë një të tretën e vlerës që kishin në vitin 1989 në terma realë. 

Si rezultat, ekonomia e Kubës është më e vogël se ekonomia e viteve 1985: sa një e treta. Pabarazia po zgjerohet. Gjendja e varfër e ekonomisë është keqësuar nga rrogat e shtetit me vlerë vetëm 20 dollarë në muaj gjithashtu dhe nga shkurtimet në subvencione dhe pensione. Megjithëse turizimi është dyfishuar në 10 vjet, importet janë tkurrur nga 15 miliard dollarë në vitin 2013-të në 10 miliard në vitin 2016-të, duke rritur pamjaftueshmërinë edhe më shumë. Kriza ekonomike është zbutur nga remitancat e kubanezëve që jetojnë jashtë Kubës (rreth 2 milion nga 11 milion që është popullsia e saj): emigrantët dërgojnë më shumë se 3 miliard dollarë në vit te njerëzit e tyre në Kubë. Shumica e emigrantëve kubanezë që jetonë në SHBA (Florida), mbështesin embargon ndaj Kubës: 66% në fillim të vitit 2021 përkundër 36% në vitin 2015.  

Shkurtimet kanë prekur dhe sistemin edukativ dhe shërbimet publike: sektori është tkurrur me 8 për qind që nga viti 2008. Por që nga viti 1960-të vdekshmëria e fëmijëve ra pranë zeros dhe jetëgjatësia në Kubë është më e gjata në botë.  Kjo e fundit, do të rrisë kostot në afatgjatë. Presidenti i ri, truproja i dy vëllezërve Kastro, Diaz Canel, dhe ish ministër i arsimit të lartë, është edhe më “liberal”: mbështet veshjen e zakonshme, çiklizmin dhe të drejtat e homoseksualëve. Ai e quan veten një reformist dhe do të zbusë zotërimin e fortë të shtetit mbi ndërmarrjet private — por ngadalë dhe me kujdes. Por pushtetet kyç do të vazhdojnë të jenë në duart e Raulit sepse ka integruar në pushtetin politik fëmijët dhe njerëz të tjerë të fisit të tij.

Ndryshe nga Obama, i cili donte të normalizonte marrëdhëniet me Kubën, Trampi përdori politika që synonin të rrudhosnin turizmin në siujdhesë, të kufizonin veprimet me ushtrinë kubaneze dhe të detyronin Havanën të ndryshonte mënyrat e saj ‘represive’. Ai shtoi më shumë se 200 sanksione të cilët synojnë sabotimin e ekonomisë së Kubës dhe nxitjen e pakënaqësive. Bajdeni nuk i preku politikat e Trampit. Si rezultat, gjatë korrikut (2021) shpërthyen disa protesta me disa qindra protestues. Disa media thanë “mijëra”. Kërkesa e tyre: ndryshim qeverie; zgjedhje shumëpartiake dhe fund komunizmit.

Por qeveria thirri revolucionarët e vendit, gjithë komunistët, të dilnin në rrugë dhe të kontrollonin protestat. Mbledhjet e pa autorizuara në Kubë janë të jashtëligjshme. Mbështetësit e qeverisë i quajtën protestuesit anti-qeveritarë mercenarë të paguar nga SHBA-ja. Kjo e fundit shpenzon afërsisht 20 milionë dollarë në vit për “nxitjen e demokracisë” në siujdhesë. Protestat u mbështetën nga administrata e Bajdenit. Ky i fundit i bëri thirrje qeverisë —pas një ligjërate të presidentit kubanez në televizion— të “dëgjonte zërin e qartë të qytetarëve për liri”. Qeveria kubaneze duhet t`i japë përparësi “mbulimit të nevojave të popullit se sa të pasurojnë veten. Ne mbështesim popullin kubanez dhe thirrjen e tyre të qartë për liri dhe çlirim nga kapja tragjike e pandemisë dhe nga vuajtjet e represionit prej dekadash dhe vuajtjet ekonomike në të cilat ata janë nënshtruar nga regjimi autoritar i Kubës”. 

Ngaqë pjesëmarrja në protesta ishte e vogël dhe u përqendruan në bashkitë më të varfëra të Havanës ato u shuan për një kohë të shkurtër. Protestat filluan në qytetin e San Antonios de los Banos, në jug-perëndim të Havanës, dhe më pas u përhapën në gjithë vendin. Ato u ndihmuan nga media sociale ndërsa protestuesit transmetonin veprimet e tyre drejtpërdrejt duke thirrur kundër qeverisë dhe presidentit, Diaz-Canel. Ky i fundit i quajti protestat pjesë të komplotit amerikan për të nxitur pakënaqësi dhe përmbysur regjimin kubanez. Ai pranoi se protestuesit kishin shqetësime të drejta për mungesat ushqimore dhe mungesën e energjisë ndërsa fajësoi për ato sanksionet e SHBA-së. Rogelio Polanco Fuentes, një zyrtar i lartë në departamentin e ideologjisë komuniste, i quajti protestat “luftë jokonvencionale”: “Ne po jetojmë përmes kapitujve të rinj të luftës jo-konvencionale...në vende të tjerë ato janë quajtur Revolucione Pranverore...ose grushte të butë”, tha ai. Protestuesit nuk e pranuan akuzën e qeverisë: mercenarë kundër-revolucionarë. Disa besojnë se vendi nuk mund të jetë më siç ka qenë në të kaluarën. Ata shpresojnë të krijojnë një parti të re.

Përpjekjen e qeverisë kubaneze—për një “zgjidhje të paqtë dhe pa dhunë”— e mbështeti presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, duke përmendur faktin se Kuba është një vend i lirë, i pavarur dhe sovran dhe se atje s`duhet të ketë ndërhyrje të jashtme ndërsa ministria e jashtme ruse paralajmëroi kundër “ndërhyrjeve të jashtme” që kërkojnë të “inkurajojnë destabilizimin” e ishullit komunist. Presidenti i Meksikës i bëri thirrje SHBA-së t`i japë fund embargos prej dekadash nëse kërkon vërtet të ndihmojë ndërsa shprehu solidaritet me popullin kubanez duke thënë se Meksika është e gatshme të ndihmojë me ushqim dhe furnizime mjekësore nëse nevojitet. Policia përdori spërkatëse me spec dhe shkopinj gome kundër protestuesve në Havana dhe nuk u përballë me ta drejtpërdrejt ndërsa s`pati raporte për dhunë serioze. Protestat i mbështetën kubanezët e Floridas në Miami duke vërshur në rrugët e qytetit si shenjë mbështetje — të mbështetur nga governatori republikan Ron DeSantis ndërsa shumë anëtarë të Kongresit shprehën gjithashtu mbështetje për protestuesit, duke përfshirë Marco Rubion, senatorin republikan nga Florida i cili ka prejardhje kubaneze.  

Sheqeri, shumica e të cilit eksportohet, është dëmtuar më shumë se sa pritësh. Azcuba, ndërmarrja kubanze shtetërore e sheqerit, tha se prodhimi ishte i dobët në shumë fabrika, duke përfshirë mungesën e energjisë dhe prishjen e makinerive, duke e bërë vjeljen të vështirë ndërsa lagështia në fusha ka kontribuar në prishjen e prodhimit. Bashkë me të, epidemia ka dëmtuar turizmin, sektorin kryesor të fitimeve. Shpresat se administrata e Bajdenit do të ndryshonte qendrim, u shuan. Si rezultat, rezervat e qeverisë në valutë të huaj janë shteruar dhe nuk mund të blejë mallra të importit për të zbutur mungesat. Qeveria e Diaz-Canel përdori disa reforma ekonomike në fillim të vitit, duke zhvlerësuar shumë peson dhe duke lejuar më shumë liri për sektorin privat. Por përpjekjet kanë patur pak efekt.   

Kuba —në dijeni të krizës energjitike— filloi procesin e integrimit të qyteteve në natyrë duke konsideruar seriozisht mungesën e naftës dhe duke prodhuar në mungesë të saj.  Ky proces ka filluar që nga koha kur Rusia socialiste ndërpreu ndihmat që i dërgonte Kubës. Praktika e shfrytëzimit të tokës prodhuese në çdo hapësisë, brenda dhe jashtë qyteteve, dhe punësimi i punëtorëve në sektorin e bujqësisë, është përhapur gjithandej. Më shumë se 90% e frutave dhe perimeve prodhohet në vend. Por ajo importon rreth 60-80 për qind të ushqimit (drithit) që konsumon kryesisht nga Vietnami dhe Brazili. Gruri nuk rritet mirë në klimën tropikale dhe kështu ai importohet nga Amerika.

Industria e sheqerit në Kubë po transformohet: nga një industri që mbështetësh në pesticide dhe plehra kimikë dhe mekanizëm të rëndë për të prodhuar më shumë se 8.4 milion tonë sheqer –në kulmin e prodhimit të vitit 1990— i cili eksportohësh thuajse i gjithë në ish-vendet socialiste, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, dhe burim i rëndësishëm të ardhurash për vendin, është duke krijuar ferma organike në fshatra, me të korra kryesore në ferma që janë pranë banorëve dhe zakonisht më të vogla se 40 ha. Shtytja aktuale drejt prodhimeve organike është planifikuar dhe nxitur mbi rrënojat e ekonomisë industriale të sheqerit. Në përgjigje të varësisë që është krijuar zyrtarët po nxisin fermat e vogla lokale me qëllim që vendi të ushqejë veten. Por shumica e fermerëve vazhdon të përdorë pesticide dhe plehra kimikë. Pavarësisht përpjekjeve, ‘standartet’ se cili prodhim mund të konsiderohet ‘organik’, nuk njihen mirë. Qeveria ka dhënë tituj fermash për 223,917 fermerë tre vitet e fundit. Toka pronësohet nga shteti. Fermerët kanë të drejtë vetëm ta punojnë tokën në përjetësi.

Në këtë drejtim ka ndihmuar vendimtarisht një program për risi lokale të agrikulturës (Pial) që financohet nga fondacione europiane dhe kanadeze dhe rregullohet nga ministria e agrikulturës së Kubës. Pial-i ndihmon fermerët e vegjël  me dije, i furnizon me fara me cilësi të mirë dhe i lidh me blerësit. Aktualisht rreth 250 ferma kooperativa ose rreth 50,000 fermerë janë regjistruar në program. Çdo kooperativë mund të përfshijë nga gjysmë dyzina deri në qindra ferma të vogla. Por ata përballen me rendiment të vogël dhe rrjedhimisht me pak fitime për drithërat dhe gjedhët e tyre. Nga ky numër fermash rreth gjysma e tyre janë organike. Por prodhimi nuk është rritur pavarësisht nxitjes së qeverisë për rritjen e tij. Prodhimet organike janë frymëzuar nga një familje kubaneze. Ata kanë shkruajtur dhe folur me dashuri për mos përdorimin e plehrave kimike dhe heqjen dorë nga monokultura e sheqerit që kishte zhvilluar Kuba e shekullit të kaluar: drithra qarkullues në vend të kallamit të sheqerit vjetor, është koncepti i ri që po përparon.  Shumë nga ç’po realizon Kuba, në të vërtetë, janë realizuar përgjatë socializmit në Shqipëri. Por me shumë probleme në prodhim sidomos lidhur me përdorimin e kimikateve dhe shpërndarjen e prodhimit në popull.

Përfundime

Përmblethtas, Kuba ka krijuar pavarësi të lartë ekonomike pavarësisht krizës aktuale ndërsa shumica e popullit vazhdon të mbështesë qeverinë komuniste. Një sondazh që u zhvillua në vitin 2014, për shembull, kur ishte Obama në qeverinë amerikane dhe Raul Kastrua në Kubë, gjeti se “65 përqind e amerikanëve ishin të pakënaqur me qeverisjen e tij ndërsa në Kubë ishte më e ulët, 52 për qind por më shumë se dy e treta e kubanezëve —68 për qind— janë të kënaqur me sistemin shëndetësor—çka nënkupton se mbështetja është e lartë përsa kohë që sistemi shëndetësor është krijesë e të njëjtës qeveri. Qoftë edhe nëse konsiderojmë faktin se kriza ekonomike ka rritur pakënaqësitë në Kubë, është e qartë se ato nuk mund të bien shumë. Ndaj ajo mund t`i rezistojë sabotimit amerikan ndërsa Bajdeni mund të ndryshojë qendrim, kryesisht sepse shumica e amerikano-kubanezëve mbështesin republikanët.

Por në Uashington kryesia e komitetit të fuqishëm të senatit për marrëdhënie me jashtë mbetet në duart e amerikano-kubanezëve: në zgjedhjet e fundit të Kongresit ajo kaloi nga republikani Marco Rubio në demokratin Robert Menendez. Bajdeni i frikësohet një mundje tjetër në zgjedhjet e ardhshme në Florida nga latinot anti-koministë të cilit i kushtuan dy ndenjëse në Kongres vitin e kaluar. Ndoshta ai mund të përballet me lobin kubano-amerikan dhe të lehtësojë kufizimet mbi dërgesat nga jashtë (remitancat) dhe fluturimet e drejtëpërdrejta. Me hapjen e saj kundrejt kapitalit të huaj mund t`i shtojë problemet. Por pas pak ditësh Kuba zgjodhi të lejonte udhëtarët që shkonin në të për të çuar ushqim, ilaçe dhe nevoja të tjera të domosdoshme, pa paguar detyrime në dogana. 

Nëse protestat vazhdojnë dhe krijohen kushtet për një regjim shumë-partiak, partia rivale e qeverisë aktuale, do të hartohet dhe krijohet nga amerikanët: tashmë individët dhe komuniteti kubanez në Amerikë është në veprim. Fakti që Kuba i ka rezistuar embargos amerikane për më shumë se gjashtë dekada dhe fakti që ajo vazhdon të ketë pavarësi të lartë ekonomike, dhe mbështetje nga vendet mike të saj—BE-ja dhe Kandaja kanë një interes të shtuar të ruajnë të njëjtin regjim meqë sigurojnë një përqindje të lartë të ushqimeve me kosto të ulët— ajo do t`i rezistojë dhe kësaj krize. Madje më mirë se shtetet e tjerë përfshirë dhe Amerikën. Kujtoj se kjo është protesta e parë pas tre dekadash kur në Amerikë protestat janë thuajse të përditshme.                           

*Referencat mund të gjenden vetëm në origjinal.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA