...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti, SEFTA dhe “dy liritë” e globalizmit neoliberal*

Ka mundësi Kurti të “bashkëpunojë” me Ramën kur njëri është plotësisht i bindur se globalizmi neoliberal do ta bëjë Shqipërinë “baçe me lule” kur kombe të tërë po gjymtohen dhe jeta e planetit po shfarroset nga efektet e tij dhe tjetri është skeptik?

Ylli Përmeti

28/12/2021 - 09:25

Në datën 10 qershor u zhvillua mbledhja e radhës e gjashtë përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për përparimin e projektit të Berlinit. Në të, Kurti mori pjesë, ndryshe ngasa kishte thënë kur ishte në opozitë—se nisma nuk ishte në interes të Kosovës dhe për të njëjtën arsye mbështeste mospjesëmarrjen— duke propozuar një kornizë tjetër, ndryshe nga CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore), sepse kjo kornizë sipas tij e “trajton në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë” Kosovën dhe se ajo nuk mund ta përgatisë rajonin për anëtarësim në BE. Ndaj Kurti propozoi SEFTA-n që ta përmirësonte dhe përshpejtonte procesin. Në fjalët e Kurtit:

Në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, të gjitha iniciativat shndërrohen në mosmarrëveshje në lidhje me terminologjinë. Duke i pasur parasysh këto fakte, nuk mund të pretendojmë që iniciativat e ardhshme do t’i zgjidhin pengesat aktuale, përveç nëse e ndërrojmë kornizën aktuale të bashkëpunimit. Për më tepër, korniza aktuale nuk i adreson çështjet që ndërlidhen me pjesëmarrjen demokratike, ballafaqimin me të kaluarën, luftën kundër korrupsionit, llogaridhënien nga qeveria, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias... Për të ecur përpara na duhet një kornizë e re bashkëpunimi, e cila bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një zotim për një sërë parimesh thelbësore. Kjo kornizë e re do të quhej Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë - ose SEFTA [South-Eastern European Free Trade Agreement]. SEFTA do t’i përfshinte vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, bazuar në një marrëdhënie të veçantë me BE-në, të ngjashme me marrëveshjen e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA). Pas krijimit të SEFTA-s, BE-ja, përmes një marrëveshje me SEFTA-në, do të zgjerojë katër liritë e BE-së - lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit - në të gjithë vendet e SEFTA-s...Propozimi ynë është i guximshëm, por të tilla janë edhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Ne jemi të bindur që nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët.

Pesë ditë më pas, Kurti njoftoi se zhvilloi një takim me homologun e tij, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel. Në njoftimin e tij nuk u përmend ndonjë kusht siç kërkonte kur ishte në opozitë përveç faktit se pala shqiptare kishte një qendrim kritik për procesin e marrëveshjes ndërsa shprehu gadishmërinë për dialog dhe propozoi katër pika për bisedimet. Kurti kur ishte në opozitë parashtroi pesë kushte kontradiktore (Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë nga Kushtetuta e saj se Kosova është pjesë e Serbisë; të japë të dhëna dhe të kthejë 1,750 të pagjeturit e luftës; të dorëzojë kriminelët serbë të luftës për krimet që kanë bërë në Kosovë etj.) për t`u ulur me Serbinë për bisedime. Kushtet ngadalë u pakësuan deri sa u ul pa kushte por me propozime ndërsa ka quajtur ‘tradhëtarë’ pararendësit e tij që janë ulur pa kushte!

Kujtoj se Kurti në muajt e parë të qeverisjes së tij kishte thënë se bisedimet Kosovë-Serbi nuk ishin përparësi për të ndryshe ngasa kërkonte Uashingtoni dhe Brukseli. Por mesa duket, presioni nga qendrat përkatëse, bëri të vetën dhe detyruan Kurtin të ulësh për bisedime pa kushte! Në datën 22 qershor, qeveria “Kurti” miratoi mes të tjerash dhe formimin e grupit të punës ndërministror për bashkërendim (qeveria “patriote” e Kurtit përdori fjalën “koordinim” mes shumë fjalëve të tjera të huaja në njoftim!) rreth legjislacionit teknik për lëvizjen e lirë të mallrave dhe propozim-vendimin lidhur me programin për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.

Rreth 20 ditë më vonë, në 11 korrik, në ligjëratën e tij në një simpozium në Athinë të organizuar nga “Symi Symposium” dhe ish kryeministri grek Jorgos Papandreu, Kurti u përqendrua kryesisht te shqetësimet që lidhen me globalizmin neoliberal. Pasi uroi pavarësinë e Greqisë, por pa përmendur kontributin vendimtar të shqiptarëve në çlirimin e saj...citoi se “i dimë të gjithë katër liritë”. “Mirëpo”, pyet më pas Kurti, “importi i mallrave a i dëmton prodhuesit vendorë? Importi i punëtorëve, a i dëmton sindikatat dhe të drejtat e punëtorëve?

Këto janë pyetjet që po i shtron e djathta populiste, e ato shkojnë drejt e në zemër, kur dëgjohen nga punëtorët, bizneset e vogla, prodhuesit dhe njerëzit e papunë në shumë vende të botës. Çka duhet t’u themi këtyre njerëzve? Ne duhet t´i mbrojmë ata dhe të drejtat e tyre sindikale, e njëkohësisht duhet të promovojmë me zell tregtinë e drejtë, në forumet kombëtare e ndërkombëtare. Në një perspektivë më të gjerë, do të thosha se pandemia e ka dëshmuar tashmë se sa e rëndësishme është që ekonomitë të jenë të balancuara e të integruara, e që gjerësisht të jenë të vetë-qëndrueshme e jo shumë të varura prej zinxhirëve të ofertës me distancë të gjatë. Ky mësim mendoj se do ta bëjë investimin në vendet e afërta (nearshoring) shumë të rëndësishëm për Evropën, sa i përket prodhimit të të mirave e shërbimeve.

Ne duhet ta shpjegojmë saherë, se mërgimtarët nuk do t´i kishin lënë vendlindjet, nëse shtetet e tjera do të ishin sjellë në mënyrë të përgjegjshme me shtetet e tyre. Pabarazia nëpër botë, sot sa hap e mbyll sytë shndërrohet në pabarazi në vendin tënd. Nëse nuk gjejmë një mënyrë efikase për shpërndarje e rishpërndarje, përmes sistemeve ndërkombëtare të taksave por edhe përmes politikave ndërkombëtare të investimeve, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë proletarë nomadë, që arratisen prej vendeve të lënduara më rëndë nga krizat ekonomike e klimatike.

Kështu që, si përfundim, pabarazia do të vijë te ne, e bashkë më të do të vijë një hapësirë më e madhe rekrutuese për të djathtën ekstreme. Teksa qartësisht ne mund të debatojmë sa i përket dallimeve nuancore mes socialdemokracive, apo mes së majtës në përgjithësi, është vështirë nga cilido prej nesh ta teprojë në të qenit anti-fashist.

Nëse arrijmë që të zbatojmë programin tonë për punë e drejtësi në Kosovë, atëherë do t´ia dalim që t´i bindim qytetarët tanë që ta ndjekin lumturinë e tyre duke qëndruar në vendin e tyre. Shumica e qytetarëve tanë, jo ndryshe prej popujve të tjerë, do të dëshironin të rrinin në mëmëdhe, pranë familjeve e miqve, nëse do të mund të shihnin atje një perspektivë të mirë. Por që të arrihet kjo, duhet t’u ofrojmë atyre arsim cilësor për fëmijët dhe përkujdesje të mirë shëndetësore për këdo. Na duhet një sistem i fortë e i pavarur gjyqësor, me prokurorë aktivë dhe gjyqtarë efikasë. Na duhen më shumë investime që të krijojmë vende pune, na duhet të urëzojmë hendekun e aftësive duke e lidhur tregun e punës me edukimin profesional. Na duhet një shtet që mbron interesat e qytetarëve të tij dhe i jep një kuptim demokracisë.

Këto të gjitha nuk mund të bëhen vetëm. Na duhet ndihmë për të luftuar korrupsionin e krimin. Na duhen investues nga jashtë. Dhe na duhet dinjitet në skenën ndërkombëtare, që të trajtohemi si të barabartë mes shteteve e jo të poshtërohemi apo të na spërdredhin krahët për të na u imponuar, sepse ne dëshirojmë që njerëzit të mos jenë, dhe të besojnë që nuk janë pa të drejta, të zhveshur prej fuqisë demokratike që u takon, thjesht pse ka rastisur të lindin në një shtet të vogël e me mundësi të kufizuara ekonomike”.

Thelbi i ligjëratës së Kurtit lidhet kryesisht me “katër liritë” e globalizmit neoliberal. Ai globalizmin neoliberal nuk e njeh, sepse s`e ka treguar në teori. Se çfarë njeh ai nga ky “rend”, ia mëson Zizeku: sepse atë ka “mentor”. Ky i fundit, globalizmin neoliberal e quan ndryshe—kapitalizëm global—dhe shtrembëron si karakterin e tij ashtu dhe shkaqet e krijimit dhe efektet e tij, ndërsa ka kontribuar në krijimin e të “majtës” globaliste në Evropë (Podemos, Siriza etj.). Kjo lloj e “majte” financohet dhe nga Sorosi. Dihet pse: sepse kërkesat e saj përputhen me “shoqërinë e hapur” të tij! Ndaj ngre pyetje për lirinë e mallrave dhe lirinë e lëvizjes dhe nuk u jep përgjigje! Por i lidh ato me shqetësimet e “populistëve” të djathtë, biznesin e vogël dhe punëtorët, duke nënkuptuar se shqetësimet e tyre janë të drejta.

Kështu, së pari, Kurti përdor demagogjinë e të “majtës” globalsite: sepse ajo i quan të djathtët “populistë” duke shtremburuar dhe kuptimin fillestar të fjalës përkatëse ndërsa nuk tregon faktin kryesor se e djathta evropiane dhe amerikane është anti-globaliste. Së dyti, unë dhe shumë si unë, kemi vite që tregojmë se si dhe pse globalizmi neoliberal shkatërron jo vetëm biznesin e vogël dhe punëtorët, sidomos në BE/Eurozonë, por dhe ekosistemin dhe kombet. Por si duket Kurti dhe këshilltarët e tij, s`kanë kohë të lexojnë studimet tona meqë janë “magjepsur” pas Zizekut.

Së treti, dy liritë për të cilat flet Kurti—të mallrave dhe njerëzve— janë pjesë e katër lirive të BE-së dhe globalizmit neoliberal. Gjykuar nga shqetësimi i tij, ai kërkon (ose nënkupton) që këto “dy liri” të mos themelohen mes Kosovës dhe vendeve të rajonit dhe më tej me BE-në, me qëllim që të mbrojë si prodhuesit vendorë ashtu dhe punëtorët. Ky qëllim nuk është i padrejtë por Kurti paralelisht propagandon SEFTA-n, ose zonën e re për “tregëti të lirë”!

Duhet thënë se në simpoziumin e organizuar nga Jorgos Papandreu, në rezortin e madh të Lagonisit, Kurti ishte përfshirë në listën e të ftuarve ndëra Rama jo! Ky i fundit u shfaq dy ditë më pas. Në ligjëratën e tij, e cila është publikuar në faqen e kryeministrisë, kryfjala janë “katër liritë”. Rama i mbrojti ato, edhe një herë, si zgjidhja e vetme për të ndryshuar rajonin! Kështu ndryshe nga Kurti, i cili është skeptik për “dy liritë” e BE-së dhe globalizmit neoliberal, Rama nuk është skeptik fare! Madje ai i mbron ato me argumente qesharake. Për shembull, thotë se falë “lirisë së mallrave” koha e pritjes në dogana është ulur ndjeshëm sipas “ekonomistëve” të tij: “1100 vite në një vit”. Kështu “kamionat”, sipas tij, “presin 1100 vjet në kufi vetëm për të kaluar pengesat jo-tarifore dhe të paraqesin dyfish ose qoftë edhe trefish dokumente për çështjet fitosanitare. Gjetja e një zgjidhje për këtë do të çlironte një mundësi të stërmadhe dhe nëse ne arrijmë ta bëjmë këtë, efekti në PPB-në tonë do të jetë shumë i rëndësishëm, vetëm me këtë, pa ndonjë investim, por thjesht duke hequr pengesat jo-tarifore në rajon”.

Në fakt, këtë çështje e ka zgjidhur Banka Botërore qoftë me përmirësimin e kushteve në dogana qoftë me financimin e tyre. Ndërsa nuk shprehu se nuk i pëlqente emërtimi “minishengen” sepse është shumë i gjatë t`i pëlqejnë gjërat e vogla, nuk harroi të kritikonte mos-pjesëmarrjen e Kosovës dhe Bosnje-Herzegovinës, duke pyetur: “pse? Si ka mundësi që ju nuk dëshironi diçka që të çliron?”!

Por gafa më e madhe e tij ishte kur tha se Kosovën e çliruan “demokracitë perëndimore” ndërsa tani nuk e “lejojnë të udhëtojë pa viza”. Në rastin e çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb, Rama nuk e konsideron fare kontributin e shqiptarëve në çlirimin e vetes, kur dihet se luftën e filluan shqiptarët dhe kur dihet se asnjë luftë nuk është fituar pa luftë në terren, ndërsa përdor një argument qesharak lidhur me udhëtimin pa viza: sepse vërtet udhëtimi pa viza ua lehtëson jetën qytetarëve por udhëtimi në fjalë, jo vetëm që është pasojë e politikave neoliberale të Ramës dhe të ngjashmëve të tij (kryesisht brakstisjes së angazhvimit për punësim të plotë) por ka dhe efektin tjetër, negativ, si për vendin tonë ashtu dhe për evropianët: për ne, kontribon në largimin e më shumë shqiptarëve nga vendi ndërsa për ta, kontribon në kaosin e tyre dhe veçanërisht lidhur me punëtorët evropianë—ata do të konkurrohen edhe më shumë në punën e tyre!               

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së korrikut mes Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit për bashkëpunim në tregëti, qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve dhe për leje pune të qytetarëve në vendet përkatëse, çka kërkon Procesi i Berlinit, ku morën pjesë dhe oligarkitë ekonomike të vendeve përkatëse, domethënë, rreth treqind biznesmenë bashkë me drejtuesit e dhomave ekonomike të Shqipërisë, Maqedonisë së V. dhe Serbisë, ku dhe u njoftua dhe emri i ri i “federatës”, “Ballkani i Hapur”, Kurti tha se i ‘ngjante’ më shumë një Ballkani të hapur nga ndikimet e Lindjes, Rusisë dhe Kinës ndërsa përmendi dhe një herë nevojën e ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën. Sipas tij, “tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit, përndryshe, do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë se sa procese e struktura që ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve”.

Me këtë argument, Kurti vërtetoi edhe një herë se s`ka kuptuar asgjë nga globalizmi neoliberal: sepse në të është integruar si Rusia ashtu dhe Kina—pjesërisht, sigurisht, dhe jo plotësisht. Domethënë, nuk zbatojnë të gjitha “liritë” e globalizmit neoliberal! Kjo është arsyeja se pse Trampi i shpalli luftë tregëtare Kinës, të cilën po e vazhdon Bajdeni: sepse me integrimin e saj në rendin përkatës ajo përfiton më shumë se Amerika. Dhe kjo është arsyeja se pse BE-ja ka filluar të kufizojë veprimtarinë tregëtare të Kinës në BE: sepse ajo po fiton sektorët ‘strategjikë’ të saj dhe ka depërtuar në gjithë sektorët e ekonomisë së saj duke e kthyer atë në një ekonomi pasive: kryesisht blerëse e prodhimeve kineze!

Kurti deklaroi nga Shkupi, pas pështjellimit që sapo përshkrova dhe një seri sulmesh nga “gazetarët” e paguar të tipit “Mero Baze” nga Rama, se “vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”, duke mos sqaruar se ç`kupton me “lidhjen e fortë”. Sidoqoftë, nuk është e vështirë të kuptohet se ç`kupton Kurti me “lidhjen” në fjalë: bashkëpunim më të madh mes nesh dhe ndoshta shpreson se në proces zhvillojmë më mirë kuptimin e realitetit në të cilin veprojmë dhe marrim masa në përputhje me të. Kurti, në fakt, e ka fare të lehtë për të kuptuar realitetin në të cilin gjendemi. Mjafton të lexojë dhe shqyrtojë me mbështetësit e tij këtë studim.

Sidoqoftë, si qasje nuk është e padrejtë. Përkundrazi: është e drejtë dhe shumë e dëshirueshme meqë vetëm përmes bashkëpunimit mund të përparojmë dhe të sfidojmë planet hegjemoniste të Serbisë, Greqisë, Turqisë, dhe BE-së. Por ka mundësi Kurti të “bashkëpunojë” me Ramën kur njëri është plotësisht i bindur se globalizmi neoliberal do ta bëjë Shqipërinë “baçe me lule” kur kombe të tërë po gjymtohen dhe jeta e planetit po shfarroset nga efektet e tij dhe tjetri është skeptik? Edhe ka, edhe s`ka, është përgjigjja: sepse ‘skepticizmi’ i tij mund të manipulohet nga “ekspertët” neoliberalë. Do të ndryshonte përgjigja nëse ai do të ishte i bindur. Në rast të tillë nuk do të kishin asnjë mundësi ta mashtronin “ekspertët” neoliberalë.        

*Pjesë nga studimi me titull

Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA