...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lidhja gjenetike e grekëve dhe shqiptarëve

Fakti që kodi gjenetik tregon një ngjashmëri prej gati 70% dhe pjesa tjetër prej 30% është e ndryshme, ndërsa ngjashmëria gjenetike mes shqiptarëve është edhe më e madhe, kuptohet se jemi kryesisht por jo tërësisht popuj vëllezër

Ylli Përmeti

14/11/2022 - 08:48

Në vitin 2017 revista shkencore “Nature” publikoi një studim lidhur me origjinën gjenetike të minoanëve dhe mikenëve jo vetëm për shkak të miteve lidhur me popullin modern grek por dhe për shkak të gjetjeve arkeologjike. Studimi ka përfshirë 19 individë të kohës duke përfshirë minoanët e Kretës, mikenët e kontinentit grek, dhe fqinjët e tyre lindor nga anatolia juglindore. Ai tregon se minoanët dhe mikenët ishin të ngjashëm gjenetikisht, duke patur të paktën tre të katërtat e prejardhësve të tyre nga fermerët e parë neolitik të Anatolisë perëndirmore dhe Egjeu, dhe pjesa tjetër nga popullata të vjetra të lidhura me ato të Kaukazit dhe Iranit.

Por mikenët ndryshonin nga minoanët me prejardhje nga një burim përfundimtar të lidhur me mbledhësit e Evropës lindore dhe Siberia, të paraqitur nga një burim i afërt të lidhur me banorët ose të stepave euroziatike dhe Armenia. Grekët modernë ngjajnë me minoanët por me disa hollime shtesë të etërve neolitik të hershëm. Përfundimet e studimit mbështesin idenë e vazhdimësisë por jo të izoluar në historinë e popullatave të Egjeut përpara dhe pas kohës së qytetërimeve më të hershme.

Studimi përmend, gjithashtu, faktin se mikenët nuk ndryshojnë shumë nga popullatat e Greqisë, Qipros, Shqipërisë dhe Italisë: “pjesë e një veçorie të përgjithshme në të cilin popullatat e Epokës së Bronxit ngjajnë me banorët e ditëve të sotme. Madje sqaron se mostrat e marra nga minoanët dhe mikenët në pjesë të ndryshme të Kretës dhe Greqisë, ishin homogjene, duke mbështetur koherencën gjenetike të këtyre grupeve ndërsa ndryshimet mes tyre janë relative.

Por dy pyetje kyçe, sipas studimit, kanë nevojë për përgjigje. Së pari, kur arritën prejardhësit e përbashkët të minoanëve dhe mikenëve në Egje? Së dyti, është prejardhësi verior i mikenëve për shkak të depërtimit sporadik të Greqisë, apo përfundim i mërgimit të shpejtë si në Evropën Qendrore?

Ky mërgim do të mbështeste idenë se greqisht-folësit e parë krijuan degën jugore të një ndërhyrje nga stepat e folësve indo-evropian. Por mungesa e mostrave të prejardhësve ‘verior’ në Epokën e Bronxit nga Pisidia, ku gjuhët indo-evropiane u vërtetuan në antikitet, hedh dyshime mbi këtë lidhje gjenetiko-gjuhësore, me studimin e mëtejshëm të folësve të vjetër të anatolisë. Çfarëdo që të jetë përgjigja e këtyre pyetjeve, zbulimi i të paktën i dy ngjarjeve mërgimtare në Egje krahas shpërndarjes së bujqërve të parë dhe përpara Epokës së Bronxit, dhe ndryshimit shtesë së popullatave që nga ajo kohë, përfundon studimi, mbështet këndvështrimin se grekët nuk u krijuan tërësisht nga thellësitë e parahistorisë, por ishin, vërtet, një ‘popull i bërë në proces’.     

Gjetjet e studimit po “trumpetohen” nga media greke kryesisht sepse lidhja e popullit modern grek me minoanët dhe mikenët vihet në dyshim por edhe sepse për ta është një lloj krenarie meqë kështu ata tregojnë se janë një popull i lashtë i gadishullit tonë. Mirëpo, harrojnë të përmendin pretendimin tjetër të tyre se grekët e kanë origjinën nga Dodona, një pretendim që bie ndesh me pretendimin se ata janë pasardhës të minoanëve dhe mikenëve dhe të bëjnë lidhjen mes popullit pellazg, grek dhe popullit shqiptar! 

Për origjinën e popullit mikenas zhvillohet një debat i zjarrtë mes studiuesve, sidomos pas pretendimit të historianit gjerman Jacob Philipp Fallmerayer, sipas të cilit populli peleponez, toka e të cilit në atë kohë quhesh ‘Kinuri’ (“Κυνουρία”) dhe më pas Cakonia dhe fliste gjuhën dorike, u zhduk tërësisht nga pushtuesit sllavë dhe avarë dhe u zëvendësua nga të parët në shekullin e gjashtë të erës sonë.

Ai e bazonte pretendimin e tij në burime historike të kohës bizantine. Por sipas studimit gjenetik, pretendimi i tij nuk vërtetohet meqënse mes popullit aktual banojnë nga 0.2 deri në 14.4% njerëz me prejardhje sllave. Për të kuptuar se si populli përkatës u mbrojt nga dyndjet sllave, autorët hamendësojnë se izolimi i tyre nga pjesa tjetër e botës ka luajtur rol vendimtar.

Një studim tjetër, cili zgjeron spektrin gjenetik të popujve të mesdheut, duke përfshirë Siçilinë, Italinë Jugore, dhe Ballkanin Jugor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, tregon se këta popuj kanë një vazhdimësi të përbashkët gjenetike ndërsa gjen gjurmë pas-neolitike me prejardhje levantine (mesdheu lindor, Iraku, Siria, Libani dhe Izraeli i sotëm) dhe kaukaziane në përputhje me mërgimet bregdetare të kohës.

Një studim tjetër, i cili përqendrohet në Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Shqipërinë, argumenton se “në fillim të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. rajoni i Ballkanit banohësh nga fise të ndryshme ilire, të cilët themeluan qytetërimin më të vjetër të Ballkanit qendror dhe perëndimor”.

Më pas ai citon se rajoni ishte djepi i lindjes së dy qytetërimeve: grekëve të lashtë dhe perandorisë bizantine. Ndajra e perandorisë romake në vitin 395 të erës sonë e ndau rajonin në dy pjesë, me kufij nga Sirmiumi në veri (Sremska, Mitrovica, Serbia) deri në liqenin e Shkodrës në jug (Shqipëria veriore). Rajoni shërbeu si një kufi me qytetërimit të perandorisë dhe fiseve barbare përtej Danubit, të cilët u vendosën në Ballkan vonë në shekullin e 16-të.

Pushtuesit e parë të Ballkanit ishin Gotët Perëndimorë në vitin 410. Në shekullin e 6 sllavët pushtuan pjesën veriore të Danubit dhe vazhduan drejt jugut. Besohet se një pjesë e ilirëve u asimilua dhe pjesa tjetër u detyrua të lëviste drejt jugut në territorin e Shqipërisë së sotme. Përgjatë Mërgimeve të Mëdha, pas gotëve dhe sllavëve, fiset mongole lëvizën nga Azia Qendrore në Gadishullin e Ballkanit. Grupet e parë që u shfaqën në Ballkan, të këtyre nomadëve lindorë, ishin fiset turke: Hunët e Avarët e Euroazisë.

Nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19 rajoni ishte nën mbikqyrjen e otomanëve. Sot rajoni banohet nga popuj të ndryshëm me gjuhë dhe fe të ndryshme.

Për të vërtetuar prejardhjen gjenetike të popujve përkatës studimi pajtohet me vendodhjet gjeografike. Nga të gjithë vendet e studiuar gjenetikisht, studimi argumenton se “krahasuar me popullatat e tjera të Ballkanit Perëndimor, kosovarët kanë prejardhje demografike disi të ndryshme: gjithë popullatat e Ballkanit Perëndimor, përvëç kosovarëve, u përkasin degës sllave të jugut të gjuhës indo-evropiane. Gjuha e folur nga kosovarët, të cilët quhen shpesh herë pasardhës të Ilirëve, i përket gjuhës indo-evropiane shqiptare.

Gjenetikisht kosovarët tregojnë lidhje më të afërt me grekët dhe popullatat e tjera të Evropës Jugore. Studimi tregon se në popullin kosovar nuk është gjendur ndonjë gen i veçantë nga Lindja e Mesme, krahasuar me jo-muslimanët e Ballkanit Perëndimor ndërsa nuk tregohet ndonjë përzierje e rëndësishme me popullatat fqinje, duke nënkuptuar faktin se kosovarët nuk janë përzier ―përmes martesave― me fqinjët. Për të sqaruar këtë përfundim, studimi bën lidhjen mes ndjekjes së martesave sipas linjës së gjakut ose familjeve të lidhura në gjak ndërsa nuk harron të përmend faktin se fiset ishin ekzogame―domethënë, ata merrinin nuse nga fise të tjerë të të njëjtit popull. Nga një perspektivë më e gjerë, studimi tregon se popullatat evropiane gëzojnë vazhdimësi gjenetike me Lindjen e Mesme.      

T`i kthehemi tani gjendjes gjenetike të popullit tonë në raport me popujt e tjerë evropianë dhe lidhjes gjenetike mes grekëve dhe shqiptarëve. Sipas një studimi të kryer rreth 22 vjet më parë nga disa autorë, lidhur me origjinën gjenetike të popullit shqiptar, publikur në revistën shkencore “Nature”, mbi polimorfizmin e mostrave të flokëve të marra nga 24 treva shqiptare dhe në rajone të afërta të Maqedonisë, Kosovës dhe Malitëzi, populli shqiptar nuk tregon “ndonjë veçori të veçantë që e dallon atë nga pellgu gjenetik evropian”.

Një studim tjetër, i cili është publikuar së fundmi, i cili synonte të krahasonte polimorfizmin gjenetik të apolipoproteinës së genit B mes popullatave të ndryshme greke dhe shqiptare që jetojnë në Shqipëri dhe të hetonte mundësinë e dallimit të dy popullatave duke përdorur polimorfizmat në fjalë, tregon se mes grekëve dhe shqiptarëve ka ngjashmëria të madhe gjenetike: për shembull, prania e genotipit E+/+ ishte thuajse njësoj: 67.5% dhe 70.6% ndërsa njësoj paraqiten dhe genotipet e tjerë.  Shekullin e kaluar një studim tjetër, i cili u përqendrua në klasifikimin e familjeve të gjuhëve evropiane përmes largësisë gjenetike, shqipen dhe greqishten e përfshin në një kategori.

Në fund, duhet të sqarohen kuptimet e qytetërimit minoik dhe mikenas. Qytetërimi minoik (3200-1000 p.e.s) quhet i tillë si pasojë e mbretit të tij me emrin Minos ndërsa qytetërimi miken (1600-1100 p.e.s.) quhet i tillë si pasojë e quajtjes së nuses së zonës. Për kuptimin etimologjik të këtyre dy fjalëve etimologët grekë hamendësojnë disa variante por ngaqë nuk bindin i quajnë fjalë para-greke. Gjuha minoike shkruhësh si fillim me hieroglife dhe më pas me bashkëtingëlloret A gramike. Por mbishkrimet e gjetura në hieroglife nuk janë deshifruar ndërsa gjuha gramike A është deshifruar pjesërisht; ndaj ajo mbetet e panjohur dhe e paklasifikuar.

Gjuha mikene ishte lineare B. Si shkronja nuk kanë shumë lidhje me shkronjat e gjuhës së popullit të mëvonshëm të Athinës Klasike (500-336 p.e.s.) të cilat, kujtoj, ishin fenikase. Emrin “mino” e përdorim ne shqiptarët; me të quajmë kryesisht meshkujt. Ai është një emër dyrrokësh. Këta emra klasifikohen me zanafillë shqiptare dhe nga studiuesit modernë grekë (Babinjoti etj.). Por kuptimi i tij mbetet i paqartë. Emri i mikenasve i cili lidhet me “nusen” me siguri ka kuptimin e “mikes” me të cilin ne shqiptarët quajmë shpesh dhe nusen.

Gjykuar nga fakti se jonianët e antikitetit me në krye Herodotin pranojnë se ata janë ardhës në Atikë (besohet se kanë ardhur rreth shekullit 15 para erës sonë) dhe aty gjetën pellazgët, pjesë e të cilëve ishin dhe dorikët, ose mikenët, dhe ata flisnin gjuhë të ndryshme por të kuptueshme me njëri-tjetrin, dhe nga fakti se në Mikenë apo Peleponez vazhdojnë të jetojnë edhe sot disa mijëra dorikë apo cakonë, sic quhen shekujt e fundit, pavarësisht hegjemonisë së gjuhës greke, por dhe nga fakti se gjuha e lashtë greke ka shumë të përbashkëta me gjuhët pellazge, dhe në fund, nga fakti se ardhësit gjithnjë kërkojnë të spikasin, kuptohet se si është zhvilluar gjuha dhe populli grek në gjirin e popullit pellazg, prej të cilit nuk ka popull tjetër, veç popullit shqiptar, që të jetë trashgimtar i drejtpërdrejt i tij.

Këtë fakt e vërtetojnë dhe studimet gjenetike, të cilët i citova në këtë studim për të kuptuar lidhjen gjenetike mes popullit grek dhe popullit shqiptar. Fakti që kodi gjenetik tregon një ngjashmëri prej gati 70% dhe pjesa tjetër prej 30% është e ndryshme, ndërsa ngjashmëria gjenetike mes shqiptarëve është edhe më e madhe, kuptohet se jemi kryesisht por jo tërësisht popuj vëllezër: sepse mes nesh mbetet një 30% ndryshe nga pjesa tjetër. Këtë fakt shkencor ne duhet ta shfrytëzojmë për t`i treguar fqinjit tonë në jug se ai ka një popull në veri që është vëlla me të ndërsa sqarojmë dhe prejardhjen e jonianëve dhe pse quhen “jon”.  

Ylli Përmeti: cila është lidhja mes pellazgëve, grekëve, ilirëve dhe shqiptarëve?

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA